Mali i Zi kërkon shpjegim nga Serbia për të dyshuaren në rastin e puçit të dështuar

Lajme

Mali i Zi kërkon shpjegim nga Serbia për të dyshuaren në rastin e puçit të dështuar

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Mali i Zi thirri në bisedë informative ambasadorin e Serbisë, pasi një e dyshuar në rastin e puçit të dështuar kundër Qeverisë malazeze, më 2016, u strehua në Ambasadën e Serbisë në Podgoricë për të shmangur arrestimin.

Branka Miliq iku nga gjykata gjatë seancës dëgjimore që u mbajt të premten, duke thënë se i janë shkelur të drejtat.

Gjykata në Podgoricë më pas urdhëroi arrestimin e saj, por ajo hyri në Ambasadën e Serbisë.

Miliq ka shtetësi serbe. Ajo është në mesin e 14 të dyshuarve për komplot për të rrëzuar Qeverinë e Malit të Zi në tetor të vitit 2016, me qëllim për të penguar anëtarësimin e këtij vendi në NATO.

Dy rusë po ashtu janë akuzuar, por Moska e mohon përfshirjen.

Ministria e Jashtme e Malit të Zi tha të hënën se ka kërkuar qëndrim zyrtar nga Serbia.

Sipas një deklarate të kësaj ministrie, ambasadori serb, Zoran Bingulac, e konfirmoi se Miliq ndodhet në ambasadë dhe se Serbia është “e vetëdijshme për procedurën ligjore dhe detyrimet e nevojshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat