Hoti nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Mitrovicës

Lajme

Hoti nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Mitrovicës

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 12:26
Hoti dhe Bahtiri

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës Rexhep Hoti, sot nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, për implementimin e Programit Nacional për Rininë për të gjithë nxënësit dhe studentët e kësaj komune.

“Bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës është i rëndësishëm sepse Programi Nacional për Rininë është hartuar për secilin nxënës të secilës shkollë, duke filluar nga niveli fillor, i mesëm i ulët dhe niveli i mesëm i lartë. I jam mirënjohës Kryetarit Bahtiri për mbështetjen që ky program të realizohet edhe në Mitrovicë”, u shpreh Koordinatori Hoti.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut z. Agim Bahtiri, tha se e përkrah Programin Nacional për Rininë duke e cilësuar atë si nismë të mbarë për vendin.

“Kjo është një nismë shumë e mbarë. Konkurrenca është jashtëzakonisht e mirë për nxënësit sidomos ajo e nivelit të lartë, nga klasa deri në nivelin republikan sepse do të jetë një konkurrencë e fuqishme. Nuk ka më mirë sesa konkurrenca dhe stimulimi. Ne do t’ju përkrahim në çdo moment”, tha Kryetari Bahtiri.

Koordinatori Hoti ishte i shoqëruar edhe nga zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Rexhep Mazreku si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Azem Guri.

“Ministria e Kulturës e mbështet fuqishëm Programin Nacional për Rininë. Duke qenë se MKRS ka qenë pak e integruar në shkollë, programi i Koordinatorit na ofron mundësinë për të dhënë kontributin tonë në shkolla”, potencoi Mazreku.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është asistimi i ndërsjellë për implementimin e Programin Nacional për Rininë si dhe aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim promovimin e diturisë, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe sportit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat