Si u festua 28 Nëntori në Ulqin?!

Lajme

Si u festua 28 Nëntori në Ulqin?!

Esat Mehmeti Nga Esat Mehmeti Më 30 nëntor 2018 Në ora: 15:17
Ulqin

Në Ulqin, Dita e Flamurit u festua zbehtas. Fitohej bindja se kjo i ngjante më tepër një feste synetie, se sa një feste kombëtare .

Shkruan: Esat Mehmeti,redaktor i programit në Radio Ulqin

Shqiptarët kudo janë, festuan 28 Nëntorin-Ditën më të madhe dhe më të rëndësishme në historinë e kombit tonë, Ditën e Flamurit. Por, si asnjëherë më parë, kësaj radhe, Ulqini kishte një pamje të zbehtë festive. Kësaj radhe, përveç të një flamuri shqiptar që valonte në ndërtesën e Komunës së Ulqinit dhe në anën tjetër ca tollombace e kurgjë më tepër !. Andaj, marr shkas të shkruaj këto rreshta, nga se sot, në këtë Ditë të madhe të kombit tonë, Ulqinit i mungonte diçka ?!. Mungonte ajo atmosfera festive. Mungonin rrugët e zbukuruara me simbolet kombëtare, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim së paku këto 27 vite të pluralizmit. Mungonin ato që i jepnin jetë dhe gjallërie kësaj feste të madhe kombëtare. Kështu, fitohej bindja se kjo i ngjante më tepër një feste synetie, se sa një feste kombëtare.

Por, jo vetëm kaq, edhe në jetësimin e Maratonës se Pavarësisë, të mbajtur ditë më parë, edhe ajo nisi pa asnjë simbol kombëtar, por vetëm me ca tollumbace. Çuditërisht ! .Nuk e di pse?.M oskujdesje, frikë, apo mungesë e një vullneti politik ?!.

Nejse…

Sot, populli shqiptar përulet me nderim të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit dhe përvjetorit të Pavarësisë.

28 Nëntori është dita thelbësore e identitetit tonë kombëtar dhe historisë së shqiptarëve. Në këtë datë kujtojmë ngjarjet e lavdishme dhe njerëzit e mëdhenj të kombit tonë. Kjo datë historike na shpie në të kaluarën tonë të hidhur, në një periudhë të mbushur me ngjarje e dhembje të madhe, e përshkruar me plotë vuajtje e sakrifica, vetëm e vetëm për të mbijetuar e ruajtur identitetin dhe krenarinë kombëtare.

Është fakt se mbrojtja e identitet kombëtar të shqiptarët në Mal të Zi, më zëshëm u bë në këtë periudhë, në periudhën e sistemit shumëpartiak, por megjithëse, disa nisma që janë ndërmarrë në përmirësimin e pozitës shqiptare, në këtë republikë, sërish mbetëmi të cungur dhe vazhdojmë të trajtohemi si qytetarë të rendit të dytë, duke mbajtur tretmanin e më të pazhvilluarit në shkallë republike, madje të kufizuar nga liritë dhe të drejtat kolektive kombëtare. Është e pakuptueshme sot, kur ligjet mbi simbolet kombëtare mundësojnë përdorimin e tyre tejet të reduktuar. Andaj, subjektet shqiptare në Mal të Zi, duhet të jenë edhe më të zëshëm në artikullimin e kërkesave të veta dhe në avansimin e pozitës shqiptare, pikërisht që të mos na përsëritet e kaluara e hidhur.Mirëpo, nga ana tjetër, nëse mes subjekteve shqiptare edhe më tutje nuk do të kemi një konsulidim të përbashkët kombëtar, atëherë mundësitë për ndryshime pozitive do të jenë edhe më të vogla…

Megjithatë, fitohet bindja se shqiptarëve në Malin e Zi ,ende u mungon një strategji kombëtrare se si t’i qasemi realizimit të objektivave kombëtare ?!.

Sidoqoftë, shqiptarët në Malin e Zi, Ditën e Flamurit e festuan, në ambiente të mbyllura, mesiguri, pa të drejtë për të festuar në ambiente të hapura, në të kundërtën do të përballesh me ligjin, i cili është ende i padefinuar mirë, por kur është në pyetje përdorimi i simboleve kombëtare shqiptare, atëherë, çdo gjë shikohet përmes veshit të gjilprës dhe rezulton me pasoja tejet të mëdha.

E veçanta e kësaj dite, ishte se, në kuadër të kremtimit të 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, pothuaj në të gjitha qendrat e banuara me shqiptarë në Malin e Zi, në ambiente të mbyllura organizoi manifestime kulturore, jetësoi Maratonën e Pavarësisë, që vlenë për t’u përshëndetur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat