Rakiq: Taksat, kërcënim për mbijetesën e popullit serb në Kosovë

Lajme

Rakiq: Taksat, kërcënim për mbijetesën e popullit serb në Kosovë

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 14:53
Pjesa veriore e Kosoves

Rreth dy mijë serbë kanë marrë pjesë sot në atë siç e quajtën ‘protestën e madhe’, në shenjë kundërshtimi për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe.

Ata protestuan para selisë së BE-së në veri të Mitrovicës, ndërsa në duar mbanin flamuj të Serbisë dhe pankarta me mbishkrimet ‘Po na rrahin e terrorizojnë’, ‘UNICEF ndihmë’, ‘S’kemi ilaçe’, ‘Nuk kemi oksigjen për inkubatorë’ dhe të ngjashme, të shkruara në gjuhën angleze e serbe.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i ka quajtur taksat ‘anticivilizuese dhe diskriminuese’, ndërsa ka kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre, pasi ato sipas tij, kërcënojnë mbijetesën e serbëve.

Rakiq: Po rrezikohet mbijetesa e serbëve të Kosovës

“Populli serb në Kosovë me këtë rast i drejtohet edhe njëherë Prishtinës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare vetëm me një kërkesë, që taksa anticivilizuese dhe diskriminuese prej 100 për qind për mallrat nga Serbia qendrore, të ndërpritet menjëherë. Aplikimi i këtyre taksave është goditje e rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe kërcënimi më i drejtpërdrejtë për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, ka thënë Rakiq.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq, në lidhje me propozimin e para disa ditëve rreth bashkimit të Mitrovicës, tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë, pasi veriu i Mitrovicës është qytet i serbëve.

Todosijeviq: Të ndalen provokimet

“Porosisim Prishtinën që të ndalojë me provokime dhe të ndalojë taksat. Porosis bashkësinë ndërkombëtare të korrigjojë ‘fëmijët e tyre’. Mirëpo me gjasë të përkëdhelurit e tyre, të cilët ata i ushqejnë që 20 vite, iu kanë dalë nga kontrolli dhe nuk po i dëgjojnë më. Kështu para disa ditësh ndejtën ata së bashku në jug të Mitrovicës dhe morën vendim për bashkimin e dy Mitrovicave. Porosis publikisht nga ky vend, nuk do të munden, sepse Mitrovica veriore është qyteti ynë dhe nga këtu s’ka prapa”, theksoi Todosijeviq.

Në emër të studentëve foli Nemanja Bishevac, i cili tha se taksat kanë pamundësuar furnizimin me ushqim në mensën e studentëve, ilaçet për poliklinikën, si dhe librat për bibliotekat e studentëve.

Bishevac: Na pamundësuan të marrim ushqimin për mensë

 “Me aplikimin e taksave prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, organet e Prishtinës na kanë pamundësuar të marrim ushqimin për mensën tonë, ilaçet për poliklinikën dhe librat për bibliotekat tona. Ku ndodhë diçka e ngjashme në Evropën bashkëkohore”, u shpreh ai.

Para të tubuarve kanë folur edhe kryetarët ilegalë të katër komunave veriore, duke kërkuar heqjen e taksave ndaj produkteve serbe nga ana e Prishtinës.

Edhe kjo protestë përfundoi e qetë rreth orës 13:00, ndërsa u paralajmëruan protesta edhe gjatë ditëve në vijim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat