Agim Gjakova: “Shtegtimi i Andrrës’

Libra

Agim Gjakova: “Shtegtimi i Andrrës’

Nga: Esat Myftari Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 10:08
Promovimi

Këto ditë doli prej shtypit dhe u përurue në Tiranë vepra e fundit e Agim Gjakovës, romani me titull “Shtegtimi i Ëndrrës”. Përurimi u ba në nji mjedis të ngushtë miqësh e në nji rreth pothuej trogloditësh, siç pati parashikue dikur Folkner. Por, mjerisht, në rastin e A. Gjakovës, jo për arsye qytetnimi.

Ky roman rreshtohet krah rrumbullak 32 veprave të tija në poezi e prozë dhe përfundohet në moshën 83 vjeçare. Dhe, po të harrosh për nji moment këtë moshë të respektueme, e gjithë prania e tij duket se nuk ka humbë asgja nga thelbi i qenjës së tij: i njajti humor, e njajta kjartësi, e njajta modesti. Madje me nji sihariq të kandshëm si tip i ri romani, në strukturë e konceptim dhe që, me siguri, ka nevojë për lexim të vemendshëm e gjurmim të jetës së tij individuale e publike.

Romani asht konceptue si nji përziemje e andrrës me zhgandrrën dhe si nji shetitje euristike nëpër epoka e ngjarje të botës shqiptare, ndonëse gjeografija e romanit asht formalisht ma e gjanë e pothuej pa skaj e anë. Natyrisht, të dy këta elementë janë aq të ndërthurrun sa ndonjiherë lexuesi mund ta humb orientimin, sepse i takon vetë ta gjej fillin që i ndanë këto dy realitete. Por, ai që e ka njoh Agimi Gajakovën përgjatë jetës, mendoj se nuk e ka aq të vështirë. E para, sepse çdo kapitull i romanit, permes natyrës së bujshme, arabeskave përshkruese dhe lojnave të fantazisë – jo rrallë të duken trille Guliveri a të prrallave të moçme shqiptare – përshkohet me nji sentencë a sugjerim që të kujton nji realitet të ashpër të njimendësisë dhe historisë sonë kombëtare.

Pse ndodhi kështu?

Kur këto gjana mund të trajtoheshin me forma klasike, sigurisht që ishte e pamundun të shkruhej simbas kërkesave përkatëse. E kur deshi me prekë në to, ai u ndodh paraprakisht në gjendje alarmi (si shumica dërmuese e shkrimtarëve të realizmit socialist) se mos po prishte ndonji prej rregullave, a thue se ishim në kohën e Bualosë. Por me nji rrezik shtesë se, kësaj radhe, mund ta pësoje keq. Prandaj, edhe atëherë kur merrej për trajtim nji motiv heroik, ai zhvishej kaq shumë prej aksidencave njerëzore sa të dukej sikur kishe të baje me nji figurë artificiale a të stisun. Ndoshta asht kjo arsyeja pse ajo lloj letërsie sot ka vdekë ose shihet me mëshirë e humor dhe lexohet me të rrallë vetëm për kurreshtje. Por Agimi, si “emigrant” që ishte, teorikisht kishte mundësi me gjetë nji alibi permes vendit të ngjarjes dhe kornizës ideologjike. Në këtë kuptim, pra, vendlindja e tij përmbante nji shumësi variacionesh për me i ik asaj gjendjeje. Edhe provoi, por shumë shpejt u ndesh me pengesat “objektive”. Se po kjo vendlindje, në zjarrin e provës, doli të ishte nji mallkim absurd dhe i dyfishtë: e urdhnuen që vendlindja të jipej me doza të kontrollueme dhe që vetë të zbatonte kapërcimin e menjihershëm gjuhësor. E sikur të mos mjaftonin këto, edhe shtypjes serbe i duhej dhanë nji ton i lehtë, pa “mbindjeshmëninë kosovare”. Prandaj, tue përsiat për strukturën e romanit dhe integrimin aty të të gjitha mjeteve të lejueshme letrare, nga fantastikja te grotesku, nga naivja te enigmatikja, nga iluzioni te verizmi, mendoj se ky roman shpërthen të gjitha pengesat që dikur iu vunë përpara dhe ban “lëvizje” totalisht të lira, por kurrsesi të shthurruna.

Romani ka 22 kapituj që jo detyrimisht janë vazhdim i njeni tjetrit. Ato përbajnë ma parë entitete të vogla, pothuej të pavaruna, por mjaftueshëm të lidhuna për të dhanë fragmentet e nji përvoje unike , çka asht edhe synimi i ngultë i autorit. Nga ana tjetër kapitujt ndryshojnë edhe për nga shkalla e konkretësisë: ka prej tyne që bahen për t’i hap vend nji urtije sa vetjake aq dhe kolektive, por ka të tjera – dhe këto mendoj se i japin nji vulë të veçantë – që janë qëmtime personale përgjatë jetës plotë peripeci. Agim Gjakova asht nji person që ka qenë në prak të disa angazhimeve serioze politike por që, përherë, asht tërheqë për shkaqe kryesisht morale. Por, sikundër lexojmë, të gjitha këtyne rasteve me këtë roman ai u gjeti kornizën ideale të krijimit, ndaj aty gjejmë gjithë gamën e realitetit politik të botës shqiptare në të dy anët e kufinit: masakrat etnike, përdhunimet, krimet politike, burgjet, korrupsionin, akraballëkun, favoritizmin, servilizmin, zdërhalljet, abuzimet - nga ma të voglat e zyrës të ma të mëdhat e hoteleve luksoze -, sabotimin, mërcenarizmin, fondet okulte...Prandaj, me pamjen e nji plaku mjekërbardhë dhe mbas nji kalvari të gjatë, ai i jep vetes të drejtën me e shpërnda pa kursim qortimin e vet panoramik e legjitim. Tue qenë kështu, unë po veçoj tre kapituj që, për shijen time, na zbresin majash gjysëm të mjegullta dhe na ulin në përditshmëninë e jetueme e që mund të përbanin kuintesencën e përmbajtjes.

Pushtetari (k. XIV): Agim Gjakova nuk u arratis në Shqipni, atë e dëbuen. Asht statusi hibrid i të lindunit në Shqipni por me prejardhje kosovare e banim në Kosovë. E zbërthyeme në realitetin politik të kohës, kjo do të thoshte: kur qeveria jugosllave vendosi të zhdukte dyshtetësinë e qytetarëve të vetë, ata që atdhetarinë e patën të pakompromis, zgjodhën qoftë edhe Shqipninë enveriste. E kjo e fundit, e çmësueme nga mirënjohja dhe e futun në vorbullën e pragmatizmit komunist sllav, mendoi se do të ketë pushtet absolut, fizik e moral, mbi ta. Prandaj, sa herë vëreheshin shenja mosbindjeje a mosnënshtrimi të verbët, këtyne “emigrantëve” u thuhej: “Nuk ju kemi thirrë, keni ardhë vetë”. Si kundërpërgjigje, ky lloj kontingjenti, kishte të drejtë me iu përplas në fytyrë: “Edhe nuk erdhëm, edhe na sollën”. Ne të tjerët, që kishim ça therrat, nuk e kishim këtë privilegj. Ne kishim nji tjetër kundërpërgjigje” “Po edhe rob s’na keni nxanë”. Në këtë kontekst, romani paraqet dramën që posa ka fillue të zbërthehet prej penave të rralla si kjo, ndonëse kësaj here mbështjellë me pak kadife.

Në përgjigje të këtyne “deformimeve”, Djaloshi i romanit - alter ego-ja e autorit - na vizaton portretin e Pushtetarit komunist shqiptar kështu:

“Djaloshi kishte kuptuar se ai kishte zgjedhur ata njerëz që dinin më së miri se si të përçanin, si të fusnin grindje, që njerëzit të merreshin me vetveten dhe jo me pushtetin e tij, se përçmonte këdo dhe kudo, madje me fjalë fyese, se i përcëllonte njerëzit më keq se thatësira bimët, se kishte shpallur se do të bëhej reformator, por reformat e tij ishin bindjet pa kushte, zbatim pa hezitim, gatishmëria për të dhënë jetën për regjimin e tij, se përdorte integritetin dhe identitetin e tij kudo dhe kurdo, se për të ruajtur vendin ishte më e frytshme të përdorte forcën, dhunën, detyrimin në vend të mirësisë...se nuk cenonte vlerat që i quante shpikje të tij, ani pse i shkelte tërësisht idealet me mosrespektimin e parimeve të veta, se...”                         

Hafija (k. XV): ndryshe prej kapitujve të tjerë, ky firon në elementet e tij fantastiko-figurativ dhe merr pamjen e shënimeve kronike të nji historie degraduese, me referencë mikun e dikurshëm, të nji prej atyne vemjeve që na patën nxi ditët e Zotit. Asht portreti i nji anti- talenti krejt provincial, por me ambicje fodulle letrare dhe që paska përdorë leva të palejueshme kundër tij. Prandaj Agimi që ka tashma në dorë provat, megjithë tundimin për me falë, nuk durrohet e ban edhe portretin e tij të dytë fare konkret:

“Deshi t’i thoshte se kishte nën sqetull edhe librin e spiunit, por u përmbajt. Kishte përmbledhur nënvizime për librat e tij. I kishte kënduar pushkës me çifteli e sharki e vetë, gjatë luftës, kishte hyrë në hambar për t’u fshehur, se kishte ngritur kështjella prej rërë me tërë ata luftëtarë imagjinarë, me të gjitha bëmat e shpifura që përshkruante, me të cilat, po të ishin të vërteta, fisi i tij do të kishte qenë i pari në Europë dhe do të kishte pushtuar gjysmën e botës, por ai bënte luftë me çifteli, se shkruante libra me përralla të vjetra, se tërë kultura po vuante nga lloji i tij...”

Idealisti (k.XXII): Autoportreti si gjini ka nji kurth të rrezikshëm në vetvete, sepse te secili prej nesh flenë nji dëshirë narcisoide, sidomos kur realizohet me fjalë e jo me dirtë-hije lapsi a me bojna. A. Gjakova shkruen:

“...Djaloshi që kishte shëtitur tërë ato vende, që kishte shkelur shekujt e po rravgonte nëpër hapësira të njohura e të panjohura, po kthehej në pragun e shtëpisë së vet. I qe shfaqur hija me qortimin e dashurisë se larg kishte mbërritur, e t’i kthehej vendlindjes se ajo ishte më e madhe se bota.”

Dhe Agimi u kthye. E nëpër rrugët e Gjakovës së tij mbajti vesh muzikën e magjishme që pëshpëriste fragmentet e veta të thadrueme në pergamena e tru:

“se tëhuejsimi nga dheu i shkriftë i vendlindjes, e bënte më të ligshtë dhe e përmallonte; se virtyti ishte më i fortë se vesi; se s’ka fryer asnjëherë si fortunë, por nuk ka ndenjur asnjëherë si moçal; se nuk është galduar, por as është mërzitur kurrë përtej masës; e, një zonjë e madhe e priti buzagaz dhe me një pamje që i tregoi përmallim, dashuri, përgjërim dhe hare. Iu afrua ta shihte. S’po ia dallonte tiparet, hijeshinë, madje tisin e bukurisë...“Unë jam zonja jote. Kanë kaluar shtatë mijë vera e shtatë mijë dimra që jam zonja jote...”

Djaloshi u afrua para pasqyrës. U habit kur në vend të fytyrës së tij rinore doli një pamje e një të moshuari me flokët të zbardhur, me rrudhat e lehta, vragë të kohës. Sytë kishin një venitje të lehtë, por nga thellësia lëshonin shkëndija. Ishte plakur. Njerëzimi ishte rrokullisur gjatë tërë kohës mbrenda tij”

Asht balada e mërgimtarit të kthyem, por jo me lehtësinë e Wanderjahre-s gjermane. Asht mërgimtari kosovar që kthehet në vendlinje me shumë plagë në shpinë e shpirt dhe jo prej Saharasë as Jemenit, por prej tokës së vet si vezë qyqeje, e ngjyme me të kuqe.

Dhe të tjera që jeni të ftuem me i zbulue vetë, simbas shijes e përkapjes tuej!

“Kolonia” e vogël e refugjatëve kosovarë në Shqipni pati pak njerëz të letrave. Por edhe aq sa ishin, iu nënshtruen shtërngimeve zyrtare krejt të paskrupullta, si ideologjike ashtu dhe krahinore. Pati edhe nji rast krejt tragjik! Mjerisht, ata qenë përceptue si prishës të barazpeshës së mbrendshme që mëtohej të ngurtësohej e të përjetësohej. Prandaj edhe diversioni që u futë midis tyne ishte i egër. E megjithatë, për aq sa lejuen rrethanat, ata kryen nji mision. Agim Gjakova, s’ka dyshim, ishte përfaqësuesi ma dinjitoz i tyne. Dikur, tue kujtue peripecitë e veta me partneren e tij Maria Kasch, Bertold Brecht-i ka pasë shkrue për mërgimin e vet: Ishim dy pëllumba që na futën nëpër gjirize, por që prej andej dolëm prapë të bardhë. Çka mundëm me thanë edhe për çiftin Agim Gjakova dhe Naime Daci, pa të cilën nënshtresa e tij poetike e morale do të ishte ma e shkriftë. Por çudia asht se, kur mori fund ky çrregullim kombëtar, po deshët edhe antropologjik, në Kosovën e lirë pakkush lëvizi për me i dhanë vendin e merituem. Çka len me kuptue se hijet e dikurshme ende kalojnë përmbi muret e rrëxueme!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat