Libër që sjell 670 urti nga jeta

Libra

Libër që sjell 670 urti nga jeta

Nga: Biser Mehmeti Më: 13 janar 2019 Në ora: 20:32
Kopertina e librit

Pas botimit të leksikonit me titull “Autorë nga rajoni i Ferizajt”, në  vitin 2017, shkrimtari  Isa Baftiaj  para  lexuesve po paraqitet edhe me një vepër tjetër. Duke qenë i njohur si shkrimtar kryesisht për fëmijë, Isa Baftiaj kësaj radhe na  dhuron një  vepër  nga një fushë  tjetër, çka dëshmon dëshirën e tij për të qenë sa më afër lexuesve. Në aspektin e krijimtarisë letrare ky shkrimtar deri më tani ka botuar disa vepra letrare, të cilat në masë të madhe  edhe janë  mirëpritur nga  lexuesit e kësaj fushe. Përveç kësaj veprat për fëmijë të këtij autori nga kritika letrare e kohës edhe janë cilësuar me vlera të rëndësishme në aspektin estetik. Kjo gjë në masë të madhe edhe e ka nxitur këtë  krijues të vazhdojë edhe më tutje në fushën e letërsisë artistike.

Nga  vetë  titulli i veprës  së  botuar “Thënie dhe  proverba”, lexuesi menjëherë do të kuptojë se çfarë ka brenda kopërtinave të këtij libri. Nuk janë të rralla veprat e këtij lloji që janë botuar në Kosovë, ndërkaq në Ferizaj numri i këtyre veprave nuk është edhe aq i madh.  Ndoshta edhe mungesa e veprave të këtilla në rajonin nga i cili autori jeton dhe vepron, mund të  ketë ndikuar në shkrimtarin Isa Baftiaj që opusit të tij letrar t’ia shtojë edhe një libër. Brenda kopertinave të këtij libri autori Isa Baftiaj  ka përmbledhur 670 thënie dhe fjalë të ndryshme të urta. E veçanta e këtij libri, i cili të bie në sy menjëherë sapo  bën shfletimin  e tij, është puna e palodhshme, po edhe e mundimshme në masë të madhe, që e ka bërë autori gjatë hartimit të kësaj vepre letrare. E themi këtë nga fakti se për autorin në masë të madhe ka qenë sfiduese që të bëjë  përzgjedhjen e 670 thënieve dhe proverbave të ndryshme, të  cilat pastaj i ka grumbulluar në një vepër të veçantë. Dihet se sot ekziston mundësia që shumë  lehtë mund të hartosh një libër me thënie të ndryshme, ngase këtë e mundëson interneti, përkatësisht faqe të ndryshme me thënie dhe fjalë të urta. Mirëpo, Isa Baftiaj i ka zgjedhur ato thënie, në të shumtën e rasteve filozofike, që sipas tij i përshtaten, jo vetëm aktualitetit në të cilin jetojmë, po edhe mentalitetit të popullit tonë shqiptar. Pjesa më e madhe e këtyre thënieve janë të përmbledhura me një fjali të vetme me përmbajtje lakonike. Vetëm një numër i vogël i këtyre thënieve janë të ndërtuara nga dy e më shumë fjali. Një sfidë tjetër për hartuesin e këtij libri, natyrisht, ka qenë edhe ndarja thënieve, përkatësisht e fjalëve të urta sipas alfabetit, ku për bazë të saj është marrë fjala më domethënëse, e cila njëherit edhe e ka  përcaktuar  moton kryesore të një thënieje apo proverbe. Këtij aspekti duket sikur autori i ka kushtuar kujdes të veçantë, gjë që për lexuesin është një lloj ndihmese e rëndësishme. Në këtë aspekt mund të themi se deri më sot nuk kemi hasur një vepër që është botuar në këtë mënyrë të të shkruarit.

Nëse ndalemi dhe vështrojmë autorët e thënieve, të cilat në  një mënyrë  mund të cilësohen  edhe si aforizma, pasi që janë thënie origjinale, atëherë shohim se autori i ka gjetur shumë thënie që kanë një rëndësi të veçantë dhe të cilat janë mjaft  domethënëse, jo vetëm për autorin e këtij libri, po edhe për lexuesit  e të gjitha  moshave e të gjitha profesioneve. Në këtë kontekst gjatë leximit mund të hasim thënie, të cilat lexuesi mund t’i ketë dëgjuar apo edhe lexuar nëpër faqet e  ndryshme të shtypit apo të revistave të ndryshme. Shumë thënie, sidomos të disa njerëzve me famë botërore, lexuesi edhe mund t’i ketë dëgjuar gjatë jetës së tij, kështu që në një mënyrë ato vijnë me qëllim për të freskuar kujtesën e tyre. Megjithatë, në këtë vepër lexuesi mund të gjejë edhe thënie që nuk i ka dëgjuar kurrë më parë, pasi që shumë thënie që janë përfshirë janë të padëgjuara deri më  tash. Në këtë drejtim mund të themi se autori në fjalë ka përfshirë edhe thënie të autorëve që nuk janë publikuar deri më tani në asnjë vend.

Sa u përket thënieve apo aforizmave autori nuk ka harruar që në  faqet e këtij libri t’i sjellë  thëniet e shumë filozofëve me famë botërore, thëniet e të cilëve janë të njohur në mbarë botën, siç janë thëniet e  Ciceronit, Aristotelit, Konfuçit e shumë të tjerëve. Pastaj edhe të shkrimtarëve të njohur në mbarë botën siç janë Balzaku,  Dostojevski,  Mark Tueni e shumë  shkrimtarëve të tjerë. Përveç kësaj Isa Baftiaj në faqet e këtij libri ka sjellë edhe thëniet e shumë shkrimtarëve të njohur që jetojnë jo vetëm në qytetin ku ai jeton edhe vepron, po edhe në qytete të tjera të Kosovës, të  cilët duket sikur i ka nxjerrë nga rrjetet e ndryshme  sociale.  Megjithatë, shumë  prej këtyre  aforizmave jemi të bindur se në vete ngërthejnë ide dhe porosi mjaft të  rëndësishme. Në faqet e  kësaj vepre  letrare lexuesi do t’i gjejë edhe  shumë thënie të rëndësishme, të cilat i ka krijuar autori. Ka shumë mundësi që këto thënie  autori i ka krijuar gjatë një periudhe të gjatë kohore, prandaj edhe e ka parë të arsyeshme t’i përfshijë në këtë vepër letrare.

Gjatë leximit të kësaj vepre letrare, ajo që lexuesi i zakonshëm do t’i bëjë përshtypje mjaft të madhe qëndron në faktin se Isa Baftiaj ka bërë një përzgjedhje mjaft të kujdesshme të aforizmave. Megjithatë duket sikur autori u ka kushtuar rëndësi idesë, përkatësisht porosisë që në vete ngërthen një thënie e paraqitur në mënyrë figurative, në radhë të parë përmes metaforës dhe  aluzionit. Shumica e thënieve që janë përfshirë në këtë vepër duket sikur janë nxjerrë nga  konteksti kohor, kur autorët e tyre edhe kanë jetuar. Megjithatë shumica prej tyre janë krijuar nga përvoja jetësore e autorëve.

Një çështje tjetër që nuk duhet shmangur është edhe numri i madh i fjalëve të urta, ose siç njihen ndryshe proverbave. Shikuar nga aspekti letrar thëniet, përkatësisht aforizmat dhe fjalët e urta apo proverbat janë të njejtit funksion ose thënë  ndryshe kanë të njejtën rëndësi. Megjithëse dallojnë nga fakti se fjalët e urta zakonisht janë krijuar nga populli. Në këtë  aspekt Isa Baftiaj ka  përfshirë një numër të konsiderueshëm të fjalëve të urta që janë krijuar nga populli shqiptar. Megjithatë, autori ka përshirë edhe  shumë fjalë të urta që në një mënyrë janë thesar që u përkasin popujve të ndryshëm nga mbarë bota.

Pra, vepra e Isa Baftiajt “Thënie dhe proverba” është e një rëndësie të veçantë në aspektin estetik, prandaj edhe si e tillë duhet cilësuar. Para së gjithash, lexuesi i zakonshëm mund të hasë shumë thënie dhe proverba interesante, të cilat edhe mund t’i shërbejë gjatë jetës së tij. Një fakt tjetër që nuk mund t’i ikim qëndron aty se leximi i këtyre thënieve dhe proverbave bëhet me një frymë, ngase janë të shkurtra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat