Përurohet “Altera”, libraria më e madhe në Kosovë

Libra

Përurohet “Altera”, libraria më e madhe në Kosovë

Më: 10 shkurt 2019 Në ora: 16:22
Pamje nga hapja

Me më shumë se 10 mijë tituj librash, materiale shkollore, për zyre e pajisje për laboratorë, libraria “Altera”, që po vlerësohet si më e madhja në Kosovë, sot ka hapur dyert për klientët e vet.

Përpos materialeve e librave të shumtë, në këtë librari ka zënë vend edhe një kënd që do të shërbejë për lexim apo kafe.

Pronari i kësaj librarie, Hasan Gigollaj, ka thënë se përmes këtij biznesi kanë synuar t’i japin më shumë hapësirë librit, por edhe të plotësojnë nevojat e klientëve.

Gigollaj: Librit i është dhënë një hapësirë më e madhe

“Qëllimi i hapjes së kësaj librarie është që t’i krijojmë kushte klientëve tanë të cilët çdo ditë po kanë interes maksimal për të lexuar libra, ne ju kemi ofruar një hapësirë të madhe… Dallimi mes kësaj librarie dhe librarive të tjera është hapësira më e madhe që iu është dhënë librit, shumëllojshmëria e librave edhe materialet tjera që janë në këtë librari”, ka thënë Gigollaj.

Kurse, kryetari i bordit të Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi, ka thënë se kjo librari është dëshmi se pavarësisht pengesave nga institucionet e Kosovës, bizneset në vend po ia dalin mbanë. Njëherësh, ai bëri thirrje që Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian t’u mundësojnë bizneseve të Kosovës kushte të barabarta me bizneset në rajon.

“Si mund të jemi konkurrues kur jemi të izoluar? Veprimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti me dy vende rajonale, e ka realizuar një kërkesë të kahmotshme, që të jemi të barabartë dhe ftojmë kryeministrin e Kosovës që ta kthejë nga taksa 100% në reciprocitet 100% me të gjithë. Biznesi ynë nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon ndonjë privilegj të veçantë, pos të qenurit  të barabartë. Shtetet ndërtojnë raporte mbi baza reciprociteti dhe mbi këto baza ndërtohet edhe biznesi”, ka thënë Krasniqi.

I pranishëm ishte edhe drejtori i arsimit në komunën e Prizrenit, Skender Susuri, i cili tha se përveç nevojave shkollore, kjo librari do t’i pajisë nxënësit edhe me literaturë shkencore.

Image

Susuri: Studiuesit do të pajisen edhe me tekste shkencore

“Një librari e cila do të jetë shumëdimensionale sepse përveç që do të pajisen nxënësit tanë me libra, fletore, lapsa e shkollat me kabinete, do të jetë edhe një vend ku studentët e studiuesit e ardhshëm do të kenë mundësi të furnizohen, të lexojnë tekste jo vetëm shkollore por edhe shkencore”, ka thënë Susuri.

Rexhep Hida, drejtor i Shtëpisë Botuese “Fan Noli”, hapjen e kësaj librarie e ka cilësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme në kulturën shqiptare.

Hida: Kjo librari jep një frymë të jashtëzakonshme librit

“Pas çlirimit të Kosovës dhe pas ndërtimit të rrugës së kombit, mendoj se kjo është ngjarja më e madhe jo vetëm për Kosovën, po për të gjithë hapësirën shqiptare. Shpresoj që kjo librari dhe ky rrjet që do të ndërtohet, do të japë një frymë të jashtëzakonshme jo vetëm librin, por edhe kulturës shqiptare në të gjitha hapësirat”, ka thënë Hida.

Libraria “Altera” gjendet në rrugën “Tirana” në Prizren, pranë qendrës tregtare “Abi Çarshia”. Pronari Gigollaj ka thënë se varësisht nga kërkesat e klientëve, do ta shqyrtojnë mundësinë e hapjes së pikave të reja edhe në qytetet e tjera të Kosovës. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat