Intervista në rolin e përvojës jetësore dhe shkrimore

Libra

Intervista në rolin e përvojës jetësore dhe shkrimore

Prend Buzhala Nga Prend Buzhala Më 2 mars 2019 Në ora: 16:05
Ballina

Ka tipa intervistash e libra intervistash të ndryshme.  Vetë Mikel Gojani ka një vëllim të tillë, ku bashkëbisedon me shkrimtarë e intelektualë të shquar. Ka vëllime, përmblidhen intervistat e ndryshme që një autor, intelektual, krijues a figurë publike, ua ka dhënë medieve të shumta e ato përmblidhen brenda një vëllimi. Por ekzistojnë edhe intervista që një autor i zhvillon me një autor tjetër, dhe këto krijohet një libër i tërë. Kësisoj, edhe ky vëllim që na e dhuron një tip interviste të gjerë, ofron lëndë të pasur për një autor, më saktësisht, për Mikel Gojanin si shkrimtar e poet, publicist shkrimtar për fëmijë, romansier, po edhe si mësimdhënës, gazetar dhe veprimtar. Vëllimi mban titullin kuptimplotë, metaforik: “Krijuesi i kujtesës, i ëndërrimit për të bukurën” (Dialog me krijuesin Mikel Gojani).

1. Bashkëbisedimi si tipar dallues i civilizimit evropian

Shpesh është e rëndësishme koha se kur zhvillohet një intervistë. Në fakt, ky libër-intervistë vjen në një kohë tjetër: më shumë për ta rrumbullakësuar veprimtarinë e pasur në shumë fusha të shkrimit të këtij autori. Erdhi mbasi ndodhën përmbysje sistemore regjimesh, në të dy vendet, Kosovë e Shqipëri, dhe kur Kosova po ballafaqohej me pushtimin e egër serb, nga njëra anë; shpaloset mbasi ndodhën kohët e luftës; mbasi ndodhën këto kohë të rënda të kapërcyellit të mileniumeve, por edhe koha e kapërcyellit historik, me gjithë zhvillimet dramatike, po edhe tragjike e po aq krenare, nga ana tjetër... dhe erdhi një kohë, kur Mikel Gojani përjetoi edhe një renesancë krijuese të pasluftës. Vijnë poezi, romane, libra dokumentarë e publicistikë, libra me shkrime studimore e kritiko-letrare.

Me një rast e kam thënë, se po të lexohen përnjëherësh librat poetikë të Mikel Gojanit, si ata për fëmijë, ashtu edhe ata për të rritur, do të vëresh se këto vepra i përshkon si një fill i kuq gjeografia artistike ose gjeopoetika, sikundër thuhet në interpretimet moderne letrare. Hapësira shqiptare me historinë e saj, me frymën e aktualitetit dhe përgjithësisht qenia e identiteti nacional artikulohen, shkruhen e këndohen përqendrueshëm dhe pa u ndalur. Prandaj gjithë ajo toponomastikë poetike, kjo gjeografi e tillë shpirtërore, e shtrirë në disa forma letrare e joletrare,  takohet tek të gjithë librat e tij.

Zhanri i intervistës, në formën e dialogut, me sa shihet, e ka trashëguar traditën evropiane të dialogëve që nga Platoni e këndej. Ndryshe nga civilizimet tjera, dialogu është tipar dallues i civilizimit evropian, që nga ditirambet e lashta greke, nëpërmes dialogëve filozofikë të Ksenofontit, Platonit dhe Aristotelit, për të komunikuar një problematikë etike, kurs nëpërmes zhvillimit (dialektik) të dialogut, nëpërmes shtruarjes së argumenteve e kundër argumenteve, përzgjidhej një qëndrim autorial ose i bashkëbiseduesit, për ta përcaktuar, së fundmi, definicionin e nocionit të caktuar. Prandaj, pse të mos thuhet, edhe intervista është shenjë e Epokës Moderne që nga Renesanca e këndej, kur zuri të përhapej galaksia e Gutenbergut nëpërmes Fjalës së Shtypur; është shenjë moderne e Qytetërimit Evropian.

Edhe sot ekziston shprehja dialogu sokratik, për ta shqiptuar a shfaqur një urti nëpërmes kuvendimit,. Te Platoni dialogu filozofik merr edhe trajtë artistike.

Sot intervistat bëhen me bollëk, duke ngritur kulte të rrejshme, sidomos nga sferat e muzikës dhe sportit, bëhen me politikanë gjysmanalfabetë, me pseudointelektualë, me sojsorollopësh pushtetorë zëdhënësish për informim; bëhen, madje, edhe me manekine, me modeliste, me miss-e, me aktorë e aktore e me pseudo të panumërt. Intervistat e tilla, mbase, krijojnë një atmosferë argëtimi me lexuesit që kërkojnë shije të sipërfaqshme, por nga ana tjetër, nuk i kënaqin shijet e intervistës profesionale, sepse krijojnë rrëmujë antivlerash. Dikur Roland Bart për fenomenin e tillë thoshte:

“Është vrasje e dyfishtë: njëherë e mendimit, sepse na reziston dhe herën tjetër e gjuhës, sepse na tradhton”.

Intervistuesi me intelekt di ta kapërcejë këtë hendek me përvojën e gjatë në lëmin profesional të intervistimit në publicistikën shqiptare; intervistë që e merr rolin e përvojës, si mësuese të jetës, e mësueses së historisë, aq e sigurt e aq urtake njëkohësisht, herëve të tjera; aq me temperament më tutje.

2. Intervista e strukturuar brenda një vëllimi

Libri “Krijuesi i kujtesës, i ëndërrimit për të bukurën” (Dialog me krijuesin Mikel Gojani), konceptohet në tetë pjesë: I. Në vend të prologut: kurrë s’e kam menduar që do të futem në kurthet e letërsisë, II. Bota fëmijërore në vargjet e gojanit: Çdonjëri duhet të futemi në botën e dëlir të fëmijëve, III. Duke hulumtuar artin dhe letërsinë/ poezia: Gojani, përmes vargut të tij, botën e sheh me sytë e dashurisë, IV. Proza – sprovë e veprimtarisë letrare e gojanit: Natyraliteti, thjeshtësia e krijimit të prozës së Gojanit,  V. Librat studimorë që paraqesin rëndësi dimensionale: Shqyrtimi dhe interpretimi i veprave letrare, publicistike dhe historike, VI. Publicistika zë hapësirë të gjerë në botën e shkrimeve të gojanit: Dimensione të gjera në fushën e publicistikës, VII. Pesha e fjalës në aspektin shumëdimensional: Kadare, është dhe mbetet figura më emblematike e letërsisë dhe kulturës kombëtare dhe VIII. Gazetaria si sfidë:  Shkrimet gazetareske që kanë pasqyruar rrjedhën e jetës kosovare, në kohët më të  vështira. Në fund përfshihet një intervistë e botuar nga Lekë Mrijaj te gazeta “Bota sot”, kurse në fillim një shkrim autorial “Në vend të parathënies” dher shkrimi i Pal Canajt “Mikel Gojani, krijues me dimensione të gjera letrare dhe studimore (Në vend të hyrjes)”.

Ashtu sikundër vërehet edhe nga këta tetë kapituj e nga tri shkrimet tjera, ky vëllim e ruan një bosht tematik, strukturor e autorial, është një tekst i realizuar, jo vetëm që i përmbush këto kritere, por merr rolin edhe të një kronike të gjallë të kohëve, shndërrohet në një bashkëbisedues dinamik për proceset në fushat e kulturës e sidomos të letërsisë, jep ,kuadrin e gjerë të leximeve, interesimeve dhe krijimeve letrare të shkrimtarit Mikel Gojani; e jep këtë kuadër shumësor tematik letrar, veçanërisht, dhe të jetës shoqërore përgjithësisht. Shndërrohet në një zë intelektual, që e drejton gishtin kah thelbet e qenies sonë, dhe që i jep rrugëzgjidhjet për të dalë nga qorrsokaku ku futen fenomenet a dukuritë e tilla në fushat përkatëse. Intervista ngërthen edhe ngjyrimin emocional, gjithë temperament e gjithë intelekt, të shprehjes së mendimit subjektiv për ta kumtuar të vërtetën apo për ta sqaruar një fenomen. Intervistat-model nuk i mungojnë letrave shqipe, duke i paraqitur në mënyrë kreative, përmes intervistimit, kujtimet, krijimtarinë dhe jetën të të intervistuarit (aktorë, shkrimtarë, pedagogë, shkencëtarë etj).

Nëpërmjet intervistës zgjohet Muza e Kuvendimit a e oratorisë së bashkëbisedimit. Nëpërmjet kësaj muze ai i paraqet kërshëritë, bindjet, përvojat intelektuale, kulturore, morale, sociale dhe kombëtare. Intervistat e tilla, nëpër dekada, e ruajnë vlerën e tyre kulturore, e ruajnë frymën e kohës, me animet, simpatitë e antipatitë; me angazhimet intelektuale e krijuese dhe me argumentimin racional të lëndës së intervistuar. Kësisoj, tipi i këtij bashkëbisedimi, mund të quhet intervistë e strukturuar dhe e pastrukturuar “për të qartësuar kuptimin e përgjigjeve të marra” si do të shpreheshin teoricienët e intervistës Aaron Cicourel dhe John Kitsuse.

Nëse strukturimi ka të bëjë me tipin e tekstit intervistues të standardizuar për hulumtime e kërkime me të dhënat e besueshme: hulumtimin nga jeta e autorit, nga përvojat e leximit dhe nga vula autoriale për librat e shkruar: ka dhe një tip tjetër shkrimi, jo të strukturuar, për t’u paraqitur lirshëm vlerat e bashkëbisedimit klasik (intervista klasike) dhe vlerat e argumentit.

Edhe kjo intervistë e gjerë ka një art, artin e bashkëbisedimit, artin e shkrimit. Kësisoj, ky shkrim përfshihet edhe nga këto vlera: nga saktësia, qëndrueshmëria, kompleksiteti, konkretizimi, qartësia koherenca dhe  kreativiteti.

3. Duke synuar të bukurën në jetë e në art

Dihet që kriter për t’u realizuar një intervistë e tipit të gjerë, shterues, duhet që autori të jetë një figurë publike e njohur. Mikel Gojani është një figurë e tillë, mu për faktin që fjala e tij megjithatë heq në peshë dhe kurdoherë intervistat e tilla  kanë arritur të ndriçojnë një apo më shumë çështje dhe kurdoherë arrijnë ta shqiptojnë aktualitetin e problematikës së shtruar, ndërgjegjshëm, me potencë intelektuale dhe me përgjegjësi teorike, kritike, profesionale e krijuese. Sado që, kur zhvillohet një intervistë, krijohet përshtypja se ajo bëhet shpejt e shpejt. Megjithatë, në këtë, rast, kemi të bëjmë me zhvillimin e një bashkëbisedimi (si thotë autori Lekë Mrijaj), për një kohë sadopak më të gjatë, me durim, me përkushtimin për të nxjerrë në pah vlerat, kronikën jetësore dhe kronikën letrare. Te kjo intervistë nuk kemi nevojë ta kërkojmë sensacionin, spektaklin e lajmit, konfrontimin me çdo kusht të pikëpamjeve apo polemikën intervistuese, por dëshminë jetësore dhe letrare. Është dëshmi e një përvoje të shkrimit dhe leximit, e trajtuar me seriozitet, me bindjen se publikut i ofron këtë përvojë. Nga ana tjetër, ky shkrim ngërthen sinqeritetin e bashkëbisedimit, ku nga ky dialog kalohet në rrëfim të sinqertë.

Dhe çka pret autori Lekë Mrijaj nga bashkëbiseduesi Mikel Gojani?

E, në radhë të parë, bashkëbiseduesi dhe i intervistuari hulumtojnë dhe krijojnë pamjen e një lënde të pasur jetësore e shkrimore e ku kërkohet që te lexuesi të krijohet mbresa pozitive dhe nxitja e kureshtjes për kohët që kaluam. Prandaj përgjigjet e Gojanit ngërthejnë dhe refleksione të pasura, njohuri të bollshme letrare, kulturore dhe shoqërore me interes, qartësimi i dilemave dhe paqartësive për rrjedhat e përjetimet që kaluam, tashmë të shqiptuara në kontekstin e sotëm kohor.
Në fund, le të merremi me tri nocione që ma dalin në titull kujtesa, ëndërrimi dhe e bukura. Nëse kujtesa i takon tipit të shkrimit senex (në moshë të shtyrë), ëndërrimi i takon tipit të shkrimit puer (në moshë të re). Porse ato pleksen kësaj radhe dhe zhdrivillohen ndjeshëm nëpër faqet e librit. Gjithnjë duke synuar të bukurën në jetë e në art.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat