“Kështjella e (Mos)marrëveshjes”, rrëfimi i Adnan Merovcit për Rambujenë

Libra

“Kështjella e (Mos)marrëveshjes”, rrëfimi i Adnan Merovcit për Rambujenë

Më: 18 mars 2019 Në ora: 19:19
Adnan Merovci

Por pse ky libër që pasqyron zhvillimet që kanë karakterizuar periudhën para, gjatë dhe pas Rambujesë mban këtë titull?

“Kështjella sepse Konferenca është mbajtur në një kështjellë mesjetare dhe mendoj që jo rastësisht kjo konferencë dhe këto negociata janë zhvilluar në kështjellë – me siguri janë konsultuar shumë psikologë dhe sociologë të ndryshëm”.

“Qëllimi ka qenë që Grupi i Kontaktit të nxjerrë një marrëveshje. Marrëveshje quhet dokumenti që del ose një moment që si rezultat sjell pajtimin e palëve që janë afruar – këtu kanë qenë tri palë – Kosova, RFJ-ja dhe Serbia bashkë si dhe Bashkësia Ndërkombëtare si garantues i kësaj marrëveshje”.

“Meqenëse dy delegacionet nuk janë marrë vesh atëherë nuk mund të quhet Kështjellë e Marrëveshjes por megjithatë këtu është arritur një marrëvehsje me Bashkësinë Ndërkombëtare – ajo fjalë ‘mos’ është lexim”.

Merovci madje shpjegimin për titullin që mban libri i tij i promovuar sot e ka bërë edhe me disa nocione matematikore.

“Kështjella e Rambujesë ka qenë një ‘jukebox’ ku brenda kanë qenë 16 vektorë që në një presion të madh kanë punuar dhe janë ndeshur në muret e mbështjellësit. Në fund është dashur të dalë një rezultantë nga këta vektorë dhe rezultanta është pozitive”.

“Unë mendoj se kjo është një marrëveshje e dobishme për të ardhmen e Kosovës”.

Ai ka thënë se libri është shkruar në bazë të dorëshkrimeve të tij nga ditari që ka mbajtur në kohën gjatë bisedimeve të Rambujesë – ku ai ka qenë pjesëmarrës.

“Kam filluar të shkruajë me qëllim, nuk është një punë ad-hoc. E kam porosi prej Ibrahim Rugovës që më ka thënë në vitin 1990 ‘nëse do t’i kishim disa letra në histori, do t’i kishim punët më mirë’ dhe kjo më është ngulitur në kokë”.

“Ma ka përtërirë me kohën duke thënë pas 20 vjetësh se duhet dhe mund të thuhen gjërat, nuk ka gjëra sekrete në sensin e sensualitetit iracional por megjithatë pas dy dekadash ky libër kuptohet shumë mirë sepse është shkruar me ndjesinë e asaj kohe”.

Por a mund t’i kontestojnë ato që ka shkruar Adnan Merovci, pjesëmarrësit e Konferencës së Rambujesë?

“Delegacioni ka pasë 16 anëtarë, tre kanë ndërruar jetë. 13 janë ndërsa udhëheqësi i grupit është president i vendit [Hashim Thaçi]”.

“Përshtypjet janë të lira por çka është faktologji dhe fjalët që 90 % janë në thonjëza nëse dikush i konteston – kam qenë, kam shkruar, kam bërë libër – unë kam bërë punën time”.

“Fjalët janë fakte, nuk janë përshtypjet sepse ato janë të miat – unë mund t’i dëshmoj të gjitha me ditarin tim”.

Merovci ka thënë se në bisedimet e Rambujesë kishte edhe dramë.

“Ka pasë momente dramatike, shumë presione të mëdha nga vet presioni i tekstit të marrëveshjes. Natën e parë është hapur Konferenca derisa të nesërmen kanë ardhë tre ndërmjetësit dhe kanë dorëzuar një material duke na thënë se ky është drafti i parë”.

“Ky draft ka qenë subjekt i analizë, fjalë për fjalë dhe konsultime mes delegacionit”.

“Kjo është tejkaluar pastaj ka nisur puna e vërtetë. Ka pasë momente ku njerëzit nuk e kanë kuptuar se në Rambuje nuk ka Pavarësi – në Rambuje është caktuar një marrëveshje për ta ndalë luftën”.

“Dokumenti quhet marrëveshje për vetëqeverisje të përkohshme dhe paqe në Kosovë – ndalja e luftës dhe administrimi i Kosovës”.

Bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova ka folur edhe për rolin që ky i fundit kishte gjatë bisedimeve në Konferencën e Rambujesë.

“Vet kam qenë prezent aty, kam menduar gjatë asaj kohe që [Ibrahim] Rugova është pasiv dhe abstenues. E kam shkruar ditarin, kur kam filluar ta shkruaj dhe printoj dhe sot kur e lexoj këtë libër nga pozita e një lexuesi del që [Ibrahim] Rugova nuk ishte qenë pasiv por shumë aktiv në momente kyçe”.

“Punën e parë që ka bërë ka qenë komunikimi me ndërkombëtarë dhe lëshimi vend për luftën për legjitimitet”.

“Çështjen e aurës të prijësit janë munduar të tjerët në Rambuje t’ia marrin – ndoshta edhe karrigen, edhe kurorën, por aurën e prijësit ai e ka fituar me vota”.

“Në momentin që kemi shkuar dhe jemi ftuar brenda, Hydajet Hyseni ka lobuar te unë që Ibrahim Rugova të lëshojë rrugë dhe që udhëheqësi i delegacionit të jetë Hashim Thaçi”.

Merovci ka treguar edhe nëse i ka penguar presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës fakti që Hashim Thaçi i printe delegacionit të Kosovës.

“Në asnjë moment nuk është shprehur. Raporti i forcave ka qenë në favor të Hashim Thaçit dhe këtë Ibrahim Rugova e kishte kuptuar më mirë se të gjithë dhe ka lëshuar rend”.

Ai ka rrëfyer edhe për komunikimin mes Hashim Thaçit, Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Qosjes.

“Komunikimi ka qenë punues, profesional në dokumente, komunikim në sallë dhe forume  por komunikim privat nuk ka pasë”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat