Rruga epistolare në ndërlidhjet kulturore

Libra

Rruga epistolare në ndërlidhjet kulturore

Xheladin Mjeku Nga Xheladin Mjeku Më 24 mars 2019 Në ora: 10:44
Shefik Shkodra: “Adhuruesit e kulturës europiane”, (Faik Konica & Gijom Apoliner), studim, botoi SHB “Sogjetime” - Gjilan, 2018

Shefik Shkodra ka bërë një vepër. E them këtë që në nismë të këtyre pak mbresave pas leximit të librit të tij “Adhuruesit e kulturës europiane”. Autori në mënyrë të denjë ka skalitur portretet e dy kolosëve të mëdhenjë, që, edhepse nga vende e popuj të ndryshëm, me veprimtaritë e tyre i bënë kohës lapidar. Në fillim të shekullit XX, kur Europa po bënte lëvizje të dukshme në qytetërimin, shkencën dhe zhvillimet kulturore, duke krijuar mundësi të reja të zhvillimit në këto segmente të jetës. Këto lëvizje reflektuan dukshëm edhe te inteligjenca e kohës, e veçanërisht shkencëtarë e krijues, që konsideroheshin energjia kryesore intelektuale e këtyre ndryshimeve të reja. 

Në këto nisma të ndryshimeve shquhej Faik Konica, filolog, historian, politikan, diplomat dhe poliglot, i shkolluar në Francë, i paisur me kulturë evropiane; emër dhe personalitet i respektuar ngado që shkonte. Me punën e tij të pandalshme në shumë fusha të jetës kishte bërë emër në vende të ndryshme nëpër Europë. Në frymën e njohjeve dhe respektit nga të huajt, shquhej edhe poeti i njohur me prejardhje heterogjene Gijom Apolineri, me të cilin kishte komunikuar përmes letrave në një periudhë mbi dhjetë vjeçare, ku dëshmohet lidhja e tyre miqësore dhe interesimi i dyanshëm në përfitimin  nga kultura evropiane që po lulëzonte në atë kohë, veçanërisht në Francë. Kjo për Konicën ishte një vlerë e patjetërsuar në përpjekjet e parreshtura të lidhjeve me kulturën euro-perëndimore. Ishte kohë e ndryshimeve edhe për shqiptarët, të cilët duhej të shkëputeshin nga kultura orientale dhe njëkohësisht të vepronin të bashkuar me një qëllim të përbashkët në ngritjen e çështjeve kombëtare.

Për të kuptuar sa më bindshëm këtë lidhje miqësore mes dy kolosëve, mjafton të citoj një vlerësim të Apolinerit, i cili Faik Konicën e quan “Enciklopedi që ecën (shëtit), (fq. 142).

Një pasqyrim i qëndrueshëm i pikëpamjeve të shumta, ku identifikohen vlerat e pakontestueshme të këtyre dy kolosëve të njohur edhe në nivele botërore, që atë kohë kishin bërë emër me veprimtarinë e tyre, si krijues, studiues dhe mendimtarë të ndritur të çështjes kombëtare, duke ndërtuar bazamentin e kulturës dhe gjuhës, si nevoja emergjente të ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe kultivimit të gjuhës, e cila rrezikohej në shumë aspekte nga faktorë të shumtë.      

Prekje kronologjike të trajtimit

Kjo monografi e përbashkët (Faik Konica & Gijom Apoliner), është organizuar në dy pjesë: “Lindja e prejardhja, shkollimi dhe vdekja” dhe “Faik Konica, trashëgimia dhe kultura” dhe pasqyrojnë portretin e dy personaliteteve, veprimtaritë kulturore dhe ndërlidhjet e tyre miqësore. Derisa në pjesën e parë  autori e sjell Apolinerin në mënyrë kronologjike në rrugëtimin e tij jetësor, ndikimet e kohës për personalitetin e tij, krijimtarinë dhe jetën plot aventura e dashuriçka. Poashtu, aty mësojmë edhe për vështirësitë e jetës, për varfërinë që e përcillte poetin e ri, duke i pamundësuar shpeshherë të arrij objektivat e tij prej krijuesi, ndonëse entuziasmi nuk i mungonte për asnjë çast. “Erosi ishte perëndia e frymëzimit për Apolinerin” do të shprehet autori, duke i dhënë vendin meritor prej krijuesi, që atëbotë shquhej prej të tjerëve. Kjo bëri që Apolineri të adhurohej dhe, në raste të shumta edhe të përkrahej e ndihmohej nga krijues e artistë të shumtë të kohës. Apolineri krijoi miqësi me krijues, artistë e piktorë të shumtë, ndër të cilët veçohet piktori Pablo Pikaso, me të cilin kalon kohë të mirë dhe krijon një respekt të veçantë për të. I tillë, me plot vrull krijues, i pandalshëm dhe sfidues, ishte gjatë gjithë jetës së tij, Apolineri, për të mbetur në historinë e kulturës franceze dhe asaj botërore si njëri ndër emrat që lexohet e adhurohet përgjithmonë.

Po aq emër i përveçëm dhe karizmatik është edhe Faik Konica, që këtu e takojmë me të gjitha virtytet dhe tiparet e një intelektuali evropian, me njohuri poliedrike, fal shkollimit nëpër shumë vende të botës, ndër të cilat edhe në Angli, Francë Zvicër, Gjermani e deri në Amerikë. Faik Konica shquhej si karakter refleksiv, ndonëse shumë energjik në punët që synonte të realizonte. Pas mbarimit të shkollimit kishte marrë shumë këshilla nga shokë të shumtë që të merrej me arsimin, por ai “Tash ndodhej në mëdyshje, midis jetës së lumtur që duhej kaluar dhe jetës për sakrificë që duhej përkushtuar. Më në fund ai vendosi për këtë të dytën. Të flijohej për popullin dhe atdheun e mjerë që, jo vetëm shprehte dhimbjen për të, por kishte dhe inatë meqë, vërtet nuk kishte t’i delte zot në asnjë pikëpamje” (fq. 142).   

Veçanërisht, Konica shquhet për punën dhe përkushtimin në botimin e revistës “Albania”, e cila konsiderohet si kryevepra e tij dhe njëra ndër organet më të realizuara në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Aty u botuan shkrime të shumta: poezi, prozë, shkrime nga tradita kombëtare, folklor shqiptar, që të përkthyera, kryesisht në frëngjisht i paraqesin botës një pasqyrë të vlerave kulturore. Këtu gjejmë edhe shkrime kritike dhe vlerësime të veprave të emrave të njohur të krijuesve shqiptar, ndër të cilat edhe shkrime për përmbledhjet e Naimit, Asdrenit, Çajupit, Gjergj Fishtës.  Jeronim De Radës , Zef Skiroit, Luigj Gurakuqit, e të tjerëve. Në bazë të kësaj që shohim te kjo revistë mund të vlerësojmë se ajo ishte e nivelit të standardeve të kohës dhe nuk dallonte nga periodikët tjerë evropianë. “Edhe Konica si Apolineri, kudo që shkonte krijonte shoqëri të reja. Po pothuaj, kudo dhe gati të gjithë sa njihte në ato mese e përkrahnin qëllimin e tij. Ai ishte promotor i gjithë Lëvizjes.” (fq. 149).

Në këtë monografi, përveç rrugëtimit të këtyre dy personaliteteve, ku shpaloset jeta dhe veprimtaria e bujshme dhe plot peripeti, sfida, aventura e vuajtje të ndryshme të tyre, gjejmë edhe të dhëna e dëshmi të bollshme nga shumë krijues e intelektual të kohës që nuk i kanë anashkaluar  pa i vënë re, duke i vlerësuar lartë. Në frymën e vlerësimeve janë kurorëzuar edhe me përkushtime në vargje e lëvdata, që dëshmojë se gjurmët e tyre nuk ishin veç sprova për të bërë diçka, por ishin veprat dhe vlerat e tyre që u ngritën në nivelin e vlerave, për të mbetur përgjithmonë pjesë e pandarë e kulturave kombëtare të të dyja vendeve dhe më gjerë. Me përkushtimet e tyre, veçantë për figurën e Faik Konicës ishin shprehur shumë bashkëkohës të hershëm. Ndër të tjerë shquhen edhe Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Anton Z. Çajupi, Gjergj Fishta, etj. Por në kontekst të kësaj, Konica nuk i shpëtoi edhe akuzave të ndryshme, nga smirëzinjë, që kishin pretendime të zbehin vlerat e arritjeve të  tij, tashmë të dëshmuara. Por, për fat të mirë ata që ngrisnin kurthe pas shpine ishin të paktë në krahasim me adhuruesit dhe përkrahësit e tyre, që i bënë emra të pavdekshëm. Poashtu, Konica njihet edhe për polemikat e shumta me personalitete e krijues të ndryshëm, kryesisht për mospërputhjet e pikëpamjeve të tyre për çështje gjuhe, për mendime politike e të ngjashme. Ndër polemikat më të njohura ishin ato me mikun e tij të deri djeshëm, Shahin Kolonjën, kryesisht për qëndrimet e tyre për çështje të alfabetit.

Në pjesën e dytë të kësaj monografie, kapitulli VI i saj, sjell informacione të shumta rreth “Publikimit të revistës Albania”, duke analizuar ecurinë e zhvillimit të saj si revistë që i tejkaloi kufinjtë e një reviste kombëtare, për tu bërë e dashur edhe për lexues e studiues nga shumë vende të botës, për mundësitë e përgatitjes dhe daljes së saj, e deri te opinionet dhe vlerësimet e shumta të lexuesve dhe personaliteteve të shkencës, kulturës dhe artit të kohës. “Përpjekjet e Konicës për Alfabetin e Shqipes” është një kapitull tjetër, që pasqyron punën dhe angazhimet e parreshtura të tij në ngritjen dhe kultivimin e kulturës gjuhësore në vazhdimësi. Në kapitullin IX “Pjesë nga krijimtaria letrare dhe artistike (shek. XIX-XX)”, lexuesi gjen shkrime e vlerësime për krijimtarinë e tij, ndonëse e shpërndarë në periodikun e kohës ajo nuk kalon pa u njohur e lexuar me interesim të shtuar edhe nga krijues e studiues të tjerë. 

Dhe së fundi, kapitulli i X-të,  “Përjetimi shpirtëror i të bukurës artistike” sjell disa vlerësime për krijimtarinë e Faik Konicës, duke e cilësuar “Ndjeshmërinë e tij me atë të Apolinerit”, pastaj për përjetimet e thella shpirtërore për muzikën klasike, deri edhe tek publicistika funksionale dhe e angazhuar tek artikujt e shumtë të tij. Nuk mund të anashkalohet krijimtaria letrare, që këtu e gjejmë të prezantuar me disa poezi, si: “Një të dashur kush e ka gjetur”, “Vajtim përmi robëri të shqiptarëvet”, “Fitova zemër”, etj.

Letërkëmbimet - pikësynim i ndërlidhjeve miqësore Konica - Apoliner

Miqësia dhe, siç pretendon edhe ky libër monografik ta sjell këtu korrespondencën mbi dhjetëvjeçare të Faik Konicës dhe Gijom Apolinerit, letërkëmbimet e tyre për çështje të ndryshme më bënë kureshtar t’i veçoja në këtë vështrim, pavarësisht se këtu takojmë edhe shumëçka tjetër të rëndësisë po aq të vlefshme për ta shpalosur. Apolineri njihet edhe më parë si këmbyes i korrespondencave dhe “letrave veneriane”, që na kujtojnë kohërat e mëhershme të letërkëmbimeve të shumë poetëve, shkrimtarëve dhe filozofëve botëror, ndër të cilët më të njohurit janë: Viktor Hygo, Balzaku, Stendali, Bodleri, Franc Kafka, Fridrih Niçe, Majakovski, Xhems Xhoisi, Gustav Flober, Stevan Cvajg, Agata Kristi, Virgjinia Vulf, Ernest Heminguej, e të tjerë, që përbëjnë një listë të pafund emrash e personalitetesh. Kësaj liste, tashmë mund t’ia shtojmë edhe dy protagonistët e librit “Adhuruesit e kulturës europiane”, të cilët na sjellin shumë gjëra interesante dhe me interes për lexuesin.  

“Fillet e bashkëpunimit” për “Dy personazhet e kulturës europiane – Konica e Apolineri”

nuk ishin të rastësishme. Ata u njohën në fillim të shekullit XX. Këto dy personalitete i ngjanin njëri – tjetrit në kulturë, në gjuhë, letërsi, dhe arte. Sidomos Konica kishte njohuri të mira për rrethanat politike dhe shoqërore. Ai ishte stilist dhe publicist i dëshmuar dhe me ambicie për njohje të gjuhëve të huaja. Këto veti bëjnë që Apolineri ta njoh që në fillim si një intelektual i pajisur me vlera të larta shkencore dhe personalitet i verifikuar. Sidomos, vendimtare do të ishin dy vizitat e tij në Londër, ku Konica me mikpritjen e tij e bën të mësoj shumë nga traditat dhe bujaria shqiptare, që Apolineri do t’i çmoj lartë. Po aq me interes është të thuhet se njohja e tyre filloi të kurorëzohej edhe me përkrahje e bashkëpunim të ndërsjellë në botimin e revistave të tyre “Albania” dhe “Gostia e Ezopit”. Në këtë mes futet edhe e dashura e Apolinerit, Ani Plejda, ku ritakimin e saj e ndihmon Faik Konica gjatë vizitave të Apolinerit në Londër, kur po botonte revistën e tij. Kjo miqësi mes dy kolosëve sa vinte e përforcohej, derisa një ditë do të “I vjen fundi çdo gjëje, edhe energjisë djaloshare”, e identifikuar në letrën e 17 qershorit të vitit 1912, dërguar nga Apolineri për Faik Konicën.  

“Vijimi i lidhjes në mes Faikut dhe Apolinerit” vazhdonte me letërkëmbimet e tyre të herëpashershme rreth zhvillimit të ngjarjeve të ndryshme letrare, kulturore; pastaj ruajtja në vazhdimësi e raporteve miqësore, këmbimi i përvojave të reja në krijimtari, gjithnjë duke  kultivuar e thelluar miqësinë e tyre. Shkrimi i gjatë i Apolinerit, që e boton në revistën “Merkyrë dë Francë”, me emër e mbiemër “Faik Beg Konica” të datës 1 maj 1912 flet më së miri për njohjen dhe besimin e tyre, derisa Faik Konica “tashmë kishte braktisur çdo lidhje e çdo gjë me Europën”, (fq. 127).  

Dy fjalë përmbyllëse

Monografia studimore “Adhuruesit e kulturës europiane”, e ndërtuar mbi bazën e një studimi të përkushtuar, me gjuhë të rrjedhshme dhe komunikuese me lexuesin, me literaturë të bollshme dhe aparaturë përcjellëse nuk dyshohet për vlerat e saj të shumëfishta, që lexuesit ia mundëson një çasje më të lehtë dhe përmbajtjesore.       

Mbi bazën e këtyre vlerësimeve konsiderojmë Shefik Shkodra në këtë libër ka shpalosur me përkushtim figurat e dy personaliteteve, atë të Faik Konicës dhe Gijom Apolinerit, që i bëjnë nder letërsisë dhe kulturës së dy popujve. Ata, pa asnjë dyshim mbesin në kujtesë dhe vazhdojnë të krijojnë lexues e adhurues të pafund të veprave të tyre, pavarësisht largësisë kohore, meqë krijimtaria e tyre është xhevahirë që rrezaton në kohë e epoka, duke shtrirë perimetrin e shkëlqimit plot dritë e dashuri për të bukurën, jetën, lirinë dhe njerëzoren e botës intelektuale. 

“Atdheu ishte sintagma e të gjitha dashurive në jetë!”, (fq. 279), që na bën kureshtar ta njohim sa më për së afërmi, meqë Faik Konica ishte dhe mbetet emër i veçuar në historinë e shkencës, kulturës dhe letërsisë, të cilave nuk iu nda për asnjë çast, për të mbetur detyrë e studiuesve e krijuesve të ardhshëm që ta vlerësojnë drejtë e me interes për gjeneratat e reja.

Faik Konica dhe Apolineri edhe pas këtij libri studimor dhe paraqitjes së portreteve të tyre vazhdojnë të qëndrojnë në raportet e njohura, për tu  vlerësuar edhe nga gjeneratat e ardhshme që do të tregojnë interesimet për t’i njohur e shijuar vlerat e tyre krijuese dhe intelektuale.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat