Vargjet që i mbijetuan Soldateskës  serbe, por jo edhe autorët

Libra

Vargjet që i mbijetuan Soldateskës  serbe, por jo edhe autorët

Nga: Mikel Gojani Më: 4 prill 2019 Në ora: 08:24
Kopertina e librit

Këto ditë pa dritën e botimit vëllimi poetik “Trëndafilat e pranverës” i dy autorëve të martirizuar, Smajl Sefer Manaj dhe Ylli Ramë Manaj, të cilët në emër të paqes, në fillimpranverën e vitit 1999, si dy trëndafilë të kësaj stine u rrëmbyen nga forcat gjakatare serbe, duke i shuar si dy  meteorë për të mbetur të përjetësuar në altarin e kombit. Pra, janë këto vargjet të shkruara që i  mbijetuan soldateskës  serbe, por jo edhe autorët. Janë vargje nga dorëshkrimet  si palimpsest,  që shpalosin  vragë të një kohe të trishtë me esencat e saja tragjike.

Prania e Smajl S. Manajt dhe Ylli R. Manajt,  me zhanre të ndryshme të shkrimit u jep letrave shqipe një ndjenjë karakterizuese të dhembjes së një shkalle të lartë, duke i ndarë  këto nota të dhembjes për çdo ditë të jetës së tyre shpirtërore. Përgjithësisht, shkrimet e tyre, bota e tyre e brendshme, shumë e çiltër, i  japin dy kahe të kundërta të jetës: dashurinë dhe humanizmin, që qëndrojnë në anën e bukurisë së jetës, si dhe tragjedinë e dhembjen, që gjenden gjithnjë në kahun e pasojave që shkakton e keqja në jetë.

Dhe, për të mbetur të përjetësuar dhe për t’i lënë gjurmët e bardha që kanë ngërthyer jetën e tyre, Smajli dhe Ylli  kanë lënë si në formë palimpsesti disa vargje dhe një ditar të jetës, që shpalosin përjetime të jetës për një kohë të caktuar, meqenëse jeta e tyre ishte shumë e shkurtër, por tepër e begatë. Janë vargje që personifikojnë amën e burimit të botës që këta krijues kanë gërmuar në thellësinë e pafund të qenies së tyre, edhe pse tepër e njomë, por plot  frymëzim, shpresa, ambicie...

Libri “Trëndafilat e pranverës”, që tash e kemi në duar, të autorëve  Smajl dhe Ylli Manaj, është përgatitur në përkujdesjen e  studiuesit të mirënjohur të  letrave shqipe, Vehbi Miftari, i cili ka bërë një punë përkushtuese në konceptimin e këtij libri.

 Libri është i ndarë në dy pjesë: në pjesën e parë libri përmban në lëndën e tij përmbledhëse 21 poezi të autorit Smajl Manaj, kurse pjesa e dytë përmban një ditar dhe një poezi të  nipit të Smajlit, Yllit Ramë Manaj, një i ri, ish-nxënës i gjimnazit Luigj Gurakuqi në Klinë, vargje këto të cilat kanë pothuajse të njëjtën formë e strukturë, duke mos u ndryshuar shumë as gjendja shpirtërore.

Poezitë e Smajlit janë të konceptuara në tre kapituj tematikë që  ndërtojnë një strukturë unifikuese strukturore të këtij vëllimi poetik: Përkushtime, Thirrje dhe Mendime.

Po çfarë më grishi që unë i ndjeva këto poezi   gjatë kohës kur i lexoja e rilexoja disa herë?! Poezitë e autorit martir Smajl Manaj janë të ndjera, komunikuese,  sepse kanë filozofinë jetësore e njerëzore.
Shprehjet poetike, pothuajse në tërësinë e librit “Trëndafilat e pranverës” kanë një lidhje të sistemuar edhe me gjendjen shpirtërore të këtij autori dhe me gjendjen refleksive në organikën e jetësores në përditshmërinë e tij të përjetuar gjatë një kohe të caktuar.

Në kapitullin “Përkushtime”, autori Manaj sjell disa poezi përkushtimore që u dedikon atyre që  kanë prekur amën e tij të frymëzimit. Fillon me poezinë “A do ta fitoni harrimin”, të cilën poezi ua kushton arbëreshëve të Italisë, të cilët kanë pasur  fatin qysh herët të ndahen nga trungu amë i atdheut të tyre, pra nga Arbëria Antike dhe të kenë fatin të përjetojnë ndarjen fizike, por edhe jo shpirtërore nga dheu i të parëve, kështu që arbëreshët edhe sot e kësaj dite e ruajnë palcën arbërore.

Do të veçoja si sprovë këto vargje:

Sa shumë vite kaluan pa ju
Pa ju, të cilët nuk mund t’ju harrojmë.
A ma vetëm deti na ndan!
Ai det që tashmë  u bë shumë i gjerë
S’ka dhe shumë, por  nuk mundeni ta kaloni
I bë i thellë, u bë i gjerë
U bë i egër e i paanë…  (Poezia, A do të fitoni harrimin”, fq. 13.

Duke i lexuar këto vargje në poezinë e Smajlit, vërejmë variacionin dëshiror e shpirtëror në kalimin e aktit poetik. Përdorimi i shprehjes poetike të këtij autori në këtë libër me poezi fuqizohet me aktin e gjendjes shpirtërore dhe mendimin filozofik, të cilat autori i përdor me maturi e kujdes, si një akt urëlidhjeje në logjikën poetike. Kështu që kjo poezi, jo vetëm që bëhet ndjenjë e fuqishme shpirtërore, ku dominojnë vlerat dhe virtytet e larta njerëzore, por edhe  plot vlera të tjera universale. Autori Smajli në shumë poezi ndërton unin e tij me njerëzit dhe rrethin që e ka rrethuar në jetë. Këtë frymë e takojmë tek pozitë “Shokëve të paharruar”, “Mësuesit tim”, “Klasës sime” etj. Dy poezitë përkushtimore që iu kushtohen dy figurave të rëndësishme të historiografisë sonë kombëtare, Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, i japin shpirt këtij vëllimi poetik.

S’të harrojmë kurrë, o Skënderbe
Dhe njerëzit do të thonë
që jemi gjak i atij burri
që askush s’e trembi as s’e përkuli

U bërë i pavdekshëm
O burrë i popullit shqiptar

Dhe tanimë  ta kanë frikën
Andaj dhe duan të të harrojnë… (Poezia, Skënderbeu, fq.22.)

Përpos vargjeve të kësaj fryme, autori Manaj nuk i shmanget as motivit intim, një motiv që dominon sidomos tek krijuesit të rinj.  Në pamje të parë të duken se këto vargje janë të thjeshta, kënduar me një duf të thellë shpirtëror, me shprehjen melankolike që vjen si rrëfim dhe si emocion poetik. Këtë frymë e takojmë te poezia, “Të dashurës sime” etj.

Psh. Tek vargjet:

Shpresa e Shpresës, vuajtje e jetës
kjo ndodh tek çdonjëri
tek të dashurit e vë rtetë
kjo nuk duhet të jetë.

Aherë të shpresojmë për të ardhmen
gjithnjë duke menduar të kaluarën
po  q ë se kjo do të jetë ndonjëherë
si atëhe rë , si atëherë?  (PoeziA , Të  dashurës sime, fq. 21.)

Te kapitulli në vijim, të titulluar “Thirrje”, autori shpreh ndjenjën e tij të atdhedashurisë, po ashtu edhe  atë të rezistencës  ndaj  dhunës që ushtrohej ndaj popullatës shqiptare  nga pushteti serb në vitet e ’90-ta. Në këto vargje Smajli po ashtu shpalos ndjenjat e tij për atdheun dhe njerëzit e tij dhe është optimistqë një ditë do të agojë dita edhe për këtë popull të  cilit i mungonte liria. Ky motiv dominon te poezitë, si “Trëndafili i pranverës ’90”, “Babai, mësuesi dhe Kosova”, “Shqiptari”, “Nuk mund të më bëjë asgjë”, “Ofensiva” etj.:

Ky  trëndafil i cili u hap  më i kuq se  çdoherë,
Do të bëhet simbol i “Qëndresës së Luigjit”, - thashë
Ky trëndafil qe arma më e fortë  e armikut
Ky trëndafil do të jetë  i fundit
I mbylljes së zogut prijës në kafaz!

Liri kërkon pranvera e trëndafilit  të ’90-ës
Demokraci gjëmojnë malet e fushat
Lagjet dhe katundet
Brezi, dëgjohet foshnja në djep…  (Poezia, Trëndafili i pranverës ’90, fq. 27)

Poezitë e ciklit “Mendime” janë poezi që veshin emocionet refleksive nga fenomenet e shoqërisë sonë, që vjen si diskurs meditativ, herë - herë edhe filozofik. Esenca e lajtmotivit të këtij vargu ka të bëjë me përpjekjet për ta njohur jetën dhe  ligjet e saj. Liria dominon mbi gjithë idealet e këtij autori. Kjo ndjenjë vërehet te poezia “Çast” ku autori Smajli shpalos momentin kur  më 4 dhjetor 1989, për shkak të organizimit të demonstratave, u përjashtua nga shkolla. Pastaj, poezitë e tjera në vijim, “Diskutimi”, “E vërteta dhe suksesi”, “Burrëria”, “Mendimet” etj. 

Dhe shqetësimi poetik i autorit Smajli shpaloset natyrshëm, si formë e spikatur artistike, në aktin poetik.

Kam vajtuar këngët e hidhërimit
Më kanë vërshuar ngadhënjimet…

(Poezia, Çast, fq. 37)

Para se të  rrëmbehej nga forcat serbe,  Ylli kishte shkruar një  ditar, i cili i kishte mbetur i papërfunduar, sepse dora gjakatare serbe përpos që ia këputi  atij frymëzimin, i këputi  edhe ditarin e nisur dhe nuk e lejoi për  ta përfunduar, pra  bashkë me ditarin i këputën edhe  jetën. Në tematikën e këtij ditari Ylli shpreh fuqishëm  protestën e tij shpirtërore ndaj  dhunës dhe gjenocidit serb që ushtrohej gjatë viteve të ’90-ta ndaj popullatës shqiptare. Zëri i tij ishte një zë i çiltër, edhe pse  me moshë shumë të re, 17 vjeç, mirëpo me ideal dhe qëllime ishte  mjaft i pjekur. Zëri i tij shkoi deri edhe në grishje për t’u vënë  në mbrojtje  të vendit dhe për të dalë njëherë e përgjithmonë nga kurthet hegjemoniste serbe. Ylli shpreh edhe dashurinë për gjuhën shqipe, duke e cilësuar si një nga armët më të fuqishme kundër  këtij pushtuesi. Pra, pesha e robërisë  kishte shkaktuar plagë të rënda në shpirtin e dëlirë të këtij djaloshi të ri, mirëpo nga gjakimi i tij dhe optimizmi  për  arritjen  e mëngjesit kombëtar askush nuk mundi ta lëkundte. Vargjet me titullin “Jo arrati” janë një thirrje që bën Ylli i ri me shumë energji shpirtërore që të rinjtë  të mos e lëshojnë atdheun, por  të jenë të gatshëm për “luftë, për liri!”-siç shprehet ai në një varg të tij:

E premte, 10.10.1997

Po filloj të shkruaj fletën e parë të ditarit tim!
Sot dhe jo vetëm sot  kam parë  nivelin e koordinimit të vullnetit  tonë, pra  shokëve të mi të klasës.
Në shkollë sot kaluam mirë, më duhet të them mirë kaluam, por jo në shkollë ngase  ajo është një shtëpi e thjeshtë. Së bashku me shokët zhvilluam mësimin si çdo ditë të jetës sime në këtë “shkollë”.
Pra dita e sotme  është një ditë e zakonshme  e jetës sime apo e rinisë  sime që po shkon drejt  shuarjes  e gjithnjë pa liri.

E shtunë, 11.10.1997

Gjatë ditës ndihmova atin tim për riparimin e autos.  Nuk isha në ambientin e “shtëpisë së mallrave”:. Në mbrëmje prapë më sillet koka vërdallë nga mendimet  dhe pakënaqësitë e jetës. Problemi kryesor  që më mundon sot është morali dhe mënyra e zhvillimit të mësimit  në shkollën tonë....

Pjesa e fundit e këtij libri është e konceptuar me titullin “Faksimile dhe foto” ku në brendinë e kësaj pjese janë të përfshira disa faksimile dorëshkrimi të autorëve, po ashtu edhe fotografi kujtim i atyre viteve të një jete të përbashkët familjare dhe shkollore.

Është fat i mirë që këto poezi dhe ky ditar janë ruajtur me shumë përkushtim nga familjarët  dhe sot qëndrojnë si një dëshmi autentike për jetën  dhe botën e tyre shpirtërore të këtyre dy të rinjve dhe  realitetin e rëndë që ata kanë përjetuar bashkë me popullin e tyre.

Dhe krejt në përfundim lirisht mund të konstatojmë se libri “Trëndafilat e pranverës”,  i autorëve Smajl dhe Ylli Manaj ka vlera shumëdimensionale,  posaçërisht të atyre dokumentare, përmes vargjeve poetike të Smajlit dhe   ditarit jetësor të papërfunduar të Yllit.

Me këtë rast, pra mund të konstatojmë dhe të përfundojmë se autorët Smajl e Ylli Manaj, përmes këtyre vargjeve kanë dëshmuar se  kanë poseduar talent dhe një kulturë të admirueshme gjuhësore dhe krijuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat