Bukuri artistike dhe mesazhe bashkëkohore në fabulat e shkrimtarit Viron Kona

Libra

Bukuri artistike dhe mesazhe bashkëkohore në fabulat e shkrimtarit Viron Kona

Nga: Fran Gjoka Më: 5 prill 2019 Në ora: 09:32
Viron Kona

Shkrimtari Viron Kona, ka në korpusin e tij letrar afro 45 libra, ku dallojnë vëllimet me tregime e novela, romane, poezi dhe epigrame për fëmijë dhe për të rritur, teksa kohët e fundit ai i paraqet lexuesit librin e tij më të ri “Firaunë e zhonglerë”, ku shpreh përvojën dhe urtësinë e tij nëpërmjet fabulës dhe bukurive të saj. Ky libër, i shkruar në vargje me një stil të rrjedhshëm dhe figuracion të pasur artistik, përmban rreth 35 fabula, që të rrëmbejnë dhe të lënë një shije të mirë e befasuese, ashtu siç ndodh me aforizmat dhe mesazhet e çmuara që lexuesi i fiton gjatë leximit të veprave të mira artistike. Parë në tërësi “Firaunë dhe zhonglerë” ngjason me një mozaik shumëngjyrësh, ku tërheqin vëmendjen larmi temash dhe subjektesh pikante, që kanë në qendër njeriun dhe situatat e llojllojshme që e shoqërojnë në jetë. Janë tema dhe subjekte që shkrimtari mund t`i trajtonte në gjini apo lloje të ndryshme të letërsisë, por kësaj here ai ka zgjedhur tua ofrojë lexuesve nëpërmjet fabulës, këtij lloji letrar të njohur që në antikitet, por që i shpreh dukshëm rëndësinë dhe vlerat edhe në kohët e sotme. Fabulat e këtij libri paraqesin tipa dhe portrete njerëzore të ditëve të sotme, situata, episode, ngjarje dhe problematika me karakter etik, social e politik, të gjitha të shkruara thjesht e bukur, në mënyrë tërheqëse dhe me mesazhe mbresëlënëse.

Te fabula “Eureka”, Viron Kona përcjell shqetësimin për pasojat që vuan njeriu naiv, i cili beson lehtë mashtruesit dhe gënjeshtarët e  kamufluar dhe, duke rënë në rrjetat e tyre, krijon iluzionin e gabuar se po ndihmohet për t`i kapërcyer pengesat dhe vështirësitë, por realiteti përpara tij s`është gjë tjetër veçse një mirazh në shkretëtirën pa anë e pa fund, teksa ai e shikon veten krejt të braktisur e të vetmuar.

 Ironia është se, viktima duket i kënaqur me mashtruesin, madje edhe e falënderon atë: “...Hiqni nga dhoma juaj dhentë e dhitë,/ i çoni n`kasollen ku lirshëm blegërinin,/tani lëvizni, gjallërohuni, merrni frymë,/ku ishit, ku jeni, e ndjeni ndryshimin?/Kur familjarët mbetën t`vetëm në dhomë,/nisën të përqafoheshin me gaz e lumturi,/ shpëtuam! -i thoshin me qejf njëri-tjetrit,/ jetë të vërtetë e moderne, do t`bëjmë tani!/Lajmi i rrallë kaloj gojë më gojë, mori dhenë,/u komentua gjatë zgjidhja, që dha kryetari,/t`mos e harrojmë, o njerëz zgjedhjet q`vijnë,/e gjetëm liderin që na nxjerrë nga halli”. Te fabula “Gjuetari mburravec”, autori godet me një shigjetë të mprehtë egoistët dhe mburravecët, të cilët trumbetojnë dhe amplifikojnë bëmat e tyre duke e paraqitur veten si heronj të kohës dhe të pazëvendësueshëm, ndërsa te fabula “Vendimi i mbretit” autori tregon çelësin sesi disa vende të botës kanë arritur të zhvillohen dhe të përparojnë. Te fabula “Kapedani”, rrëfehet sesa e rëndësishme është peshorja e drejtësisë, karakteri dhe figura e pastër e liderëve për të fituar besimin e popullit dhe për të drejtuar vendin drejt zhvillimit dhe përparimit. Janë po aq interesante fabulat që paraqesin tipa, portrete, karaktere, të njerëzve të dobët dhe të thyeshëm, pavarësisht pamjes dhe dukjes. Te fabula “Një herë në javë do t`i ngjajë”, befasia shfaqet te vargjet e  strofës së fundit:  “...Po, or bir, ashtu siç po thua mund të jetë,/por dyshoj se, ai djalë i mirë dhe i mbarë,/në s`u ngjaftë gjyshit dhe babait çdo ditë,/një herë në javë, doemos ka për t`u ngjarë”. Në këtë atmosferë, te fabula “Shefi i mirë”, tingëllojnë pikante dhe shprehëse vargjet: “...Kur përpiqej të gjente shkakun,/një fjalë e urtë i erdhi në kokë:/“Po i dhe miut një gotë qumësht,/ai do të kërkojë dhe një biskotë!” Kurse te  “Dikut buzët më s`i dhembin”, del qartësisht ideja e korrupsionit dhe interesit, se doemos duhet ushqyer  grepi që të kapi peshk: “Qejflinjtë radhë e pa radhë,/hedhin mijëshet gjithë lezet,/kartëmonedhat fluturojnë,/gërneta po buçet./  Vallja rreth e rrotull vjen,/muzika ndez gjithë vendin,/s`është parë aheng si ky,/Dikut buzët më s`i dhembin”.

Përbëjnë një grup me mesazhe origjinale grupi i fabulave që demaskojnë lojërat e  disa politikanëve, duke i nxjerrë ata krejt të zbuluar  dhe duke u çjerrë maskat që mbajnë për të mashtruar popullin dhe për t`u hequr ndryshe nga ç`janë. Kështu te fabula  “Despoti”, autori, me një gjuhë të mprehtë godet hipokrizinë, egoizmin dhe mashtrimin që u bëhet njerëzve, duke përdorur metoda të rafinuara për të mos e lëshuar pushtetin: “...Me madhështi dhe hap të rëndë ceremonial,/lepurit të ngordhur i vuri kurorën mbi kokë,/kafshët e pyllit përgjonin përmes shkurreve,/përpjekjet për ndryshim u kishin shkuar kot./Që atëherë luani sundon i patrazuar e n`qetësi,/rolin e tij si despot i pyllit askush s`e përgojon,/kurse për aventurat, krimet  e padrejtësitë e tij,/çdo kafshë e pyllit “mbretin” e ngordhur fajëson”. Ndërsa fabula “Ta provojmë dhe njëherë!” paraqet në vetvete një aforizëm të mprehtë: “Jeta na ka “dal borxhit” me përvoja  t`hidhura,/ por ngaqë s` nxjerrim mësime, digjemi përherë,/ sa kohë që liderët “tru gomari” do të na shtien,/ do themi zemërgjerë:“Ta provojmë dhe njëherë!”

Përbëjnë një grup tjetër po aq interesant  fabulat që  trajtojnë bukur dhe artistikisht mallin dhe dashurinë për vendin, jetën, njerëzit, natyrën, gjallesat, kafshët dhe shpendët. Me këtë tingëllimë vijnë fabulat: “Skela ime”, “Guguftu e guguçe”, “Mani i shtëpisë sime”,  e ku tregohet shpirti i  ndjeshëm i autorit të këtij libri. Padyshim që te “Skela ime”, e cila në të vërtetë është më shumë një poezi e drejtpërdrejtë, Viron Kona shpreh dashurinë për vendlindjen, e cila mban brenda saj perla dhe gjërat të vyera, të cilat zbulohen shpejt, mjafton që të trazohet paksa hiri i vatrës së  kujtimeve. Në vazhdim të kësaj ideje autori rrëfen me çiltërsi  dhe mall për  “Manin e shtëpisë” dhe për pëllumbat-kumri, që në popull i thërrasim Guguftu dhe Guguçe:  “Kumritë mikeshat tona, /vijnë n`ballkone e në çati, /për këto fqinja hirplota,/thurim  këngë e poezi./N`ditën e verës, vajzat e reja,/i ndjellin pranë me ëmbëlsi`,/me bollokume i gostitin,/të kenë fat në dashuri./Ja dhe sheshi po gjallëron,/bëhen bashkë zogj e fëmijë,/ qielli mbushet ngjyra- ngjyra,/me balona dhe  kumri./I kemi zemër, xhan i kemi,/kumritë që jetojnë me ne,/ëmbëlsisht i përkëdhelim:/guguftu` e  guguçe`!|  

Mbresëlënëse shfaqen në këtë libër edhe fabulat që rrëfejnë idilin e dashurisë mes djalit dhe vajzës dhe anasjelltas, si dhe moralin e bukur që shfaqet në fund të tyre. “...Ulë shtambat freskon ballin,/fëshfërima vijnë nga pylli,/llërëpërveshura diç pret,/ pikë – pikë, pikon burimi./Dy herë djalë mos u mendo,/shko rrëmbeja njërën shtambë,/duke mbushur të dy ujë,/thuaja hallin që të ka zënë./Nxite veten, bëhu trim,/ndjenjës tënde jepi udhë,/ se dhe pak po u vonove,/n`burim s`do ketë më ujë”. Kurse te “Më pickoi grerëza” tregon thellësinë e ndjenjave të dashuruarve, të cilët ngaqë nuk rijnë dot pa njëri - tjetrin, me sinqeritetin e dashurisë së tyre dhe pafajësinë, kërkojnë dhe zbulojnë mënyra se si të shfaqin ndjenjat dhe dashurinë e tyre që i mundon: “Më pickoi grerëza,/oh, e mjera unë,/më ndihmo, o djalë,/se po vuaj shumë!.../Ma mbaj fort dorën,/dhe mos ma lësho,/thithma me buzë helmin,/dhembjen ma lehtëso..../Më pickoi në zemër,/më pickoi në sy,/nuk e di o djalë,/pse më ngjau me ty!”

Si dhe në krijime të tjera të Viron Konës, edhe në këtë vëllim të ri, ironia dhe sarkazma kanë vendin e  tyre dhe mbeten thellë në kujtesë sidomos pas leximit të fabulës “Këpucë me numër të vogël blini!”:... Njeriu, dihet ka shumë halle,/dalin befas e radhë s`mbajnë,/ rreth e rreth si një gjeratore,/na e sjellin mendjen vërdallë./Duam, s`duam  janë tonat,/na takon neve t`i zgjidhim,/si drurin q`e gërryen mola,/na marrin ngadalë shpirtin./Por në jetë ka edhe përvoja,/nuk do të ishte keq t`i dini,/kur t`ju zërë një hall i madh,/ këpucë me numër t`vogël blini./Atëherë mendjen s`do ta keni,/te halli që po ju merr shpirtin,/po te këpuca me numër t`vogël,/ që ju vret e ju cingëris gishtin.

Mbrojtja e natyrës përbën një shqetësim të autorit, që shprehet te fabula  “Zemërimi i dallgëve”: “Unë vlonjati vete-vijë me dhimbje në shpirt,/teksa dallgët e zemëruara përplasen në breg,/protestës së dallgëve i bashkohem edhe unë,/kundër krimit që i bëhet natyrës së shenjtë”; shpirti i sakrificës shfaqet te fabula  “Bariu nga Skrapari në betejën e  Torviollit”, kurse zhgënjimi te fabula “Firaun e zhongler”: “E ndiqja me sy nga larg,/isha bërë pikë e vrer,/s`e kisha njohur këtë birbo,/firaun e zhongler!?/E di, prapë do vijë tek unë,/ dhe do t`më premtoj botën,/ unë naivi halle shumë,/përsëri do t`i japë votën...!”

Te fabula “Peizazh” autori jep me mjetet të kursyera por me hijeshi harmoninë familjare, e cila përherë i gjen zgjidhjet kur sundon dashuria dhe mirëkuptimi, e, në këtë drejtim, merr vlerë të veçantë edhe morali i fabulës: “Kërkoj falje grua,/mbrëmë pa mend fola,/ grindesha me veten,/ndaj dhe e teprova./Ashtu si dhe ti,/ u nguta dhe unë,/ndonjëherë “gjellës,/i hedh kripë më shumë”./Në qiell del dielli,/ i shpërndan retë,/ biseda e shtruar,/rrjedh qetë-qetë.../Jeta nuk shkon vaj,/siç na i do ënda,/ edhe trëndafili,/mes fletëve ka gjemba”.

Ka një moral origjinal dhe shigjetues fabula “Rakia pas pune”, e cila është një mësim i mirë për ata që janë pijanec, teksa e paguajnë shtrenjtë vesin e tyre: “N`pritje të zgjohej mullisi, që tek oxhaku gërhiste,/ ata bisedonin ëmbël e sy mekur te minderi i qoshes,/pastaj, kush e di pse oxhakfshirësi diç nisi të bënte,/me një kopsë të këmishës së zonjës mullixheshë...”

Me një bukuri dhe realizëm Viron Kona mbyll librin me një fabul poetike, ku jep mesazhin se në këtë jetë të kufizuar njeriu ka rastin dhe shansin që të krijojë një imazh të pastër, duke lënë pas një emër të mirë për veten, por edhe për brezat që lë pas. Një mbyllje që shpreh dhe në vetvete tipin, karakterin dhe portretin e Viron Konës. “...Vitet jo, or jo nuk mbahen,/as me kavo, as  me zinxhir,/ikën jeta, miku im,/ si një përrua në vërshim./Ndaj një gjurmë dhe ne ta lëmë,/qoftë një dritëz në errësirë,/kur të ndahemi për ne të thonë:/Lamtumirë, o njeri i mirë!”

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat