Mihal Gjergji i bënë skaner gjyqit ndaj Ali Pashë Tepelenës

Libra

Mihal Gjergji i bënë skaner gjyqit ndaj Ali Pashë Tepelenës

Nga: Nuri Dragoj Më: 19 prill 2019 Në ora: 22:06
Kopertina e librit

Mihal Gjergji na vjen me librin, “Ali Pashë Tepelena”, një sprovë me vlerë dhe trajtim krejt i ndryshëm nga ato çfarë jemi mësuar të shohim dhe lexojmë deri tani. Autori bën një zbërthim psikologjik të vet pashait në momente të caktuara të jetës, por dhe të atyre që e rrethonin. Jemi mësuar të lexojmë për Ali Pashën shumë libra e artikuj, në të cilët thuhet se ka qenë satrap, vrasës, hajdut, kriminel etj. Por janë të paktë ata që pranojnë se rendi i vendosur nga Ali Pasha, i kënaqi interesat e shqiptarëve të kohës, ndaj dhe e ndiqnin pas me dashuri. Ajo siguri e qetësi që vendosi i ashtuquajturi “Luani i Janinës”, u përsërit vetëm pas 100 vitesh, në kohën e mbretërisë së Ahmet Zogut.

Ne mes të dekadës së dytë të shek. XIX, kur konsulli francez shkoi në Përmet, qe takuar me një intelektual përmetar, shkolluar në Paris, njohës i pesë gjuhëve të huaja, Kostandin Dukën. Ai e qortoi Pouquevill për shkrimet e publikuara, ku paraqiste egërsinë e shqiptarëve dhe i cilësonte njerëz të egër në male. Në prani të konsullit, Duka justifikoi nevojën e ashpërsisë së shfaqur nga sundimtari i Janinës, duke i thënë: “Qeverimi i Ali Pashë Tepelenës është sipas popullit që sundon. Mënyrat e administrimit të pashait u duken ndoshta të këqija, por keqësia e tij është e nevojshme, në mënyrë të veçantë për popullin shqiptar”. Më tej, Kostandin Duka, i tha konsullit francez, se dhuna dhe disiplina janë forma që shërbejnë për ta qytetëruar njeriun. Dhe nuk duhej harruar që të gjithë kombet, rregullin dhe disiplinën, e kanë venë me dhunë. Nëse do të veprohej ndryshe, “dhjetë vjet më parë, këta njerëz që ke pranë dhe të presin kaq mirë, do të të kishin vrarë”. Pouqueville pati mbetur i befasuar nga mençuria e tij, pjekuria në arsyetim dhe njohja e thellë e literaturës franceze.

Autori i librit thotë që, sulmet ndaj Aliut, janë si ato ndaj Krishtit, për shkak të lartësisë në të cilën qe ngjitur. Dhe vazhdojnë ta gjykojnë edhe sot, për shkak të moskuptimit të veprës së tij, mos analizës shumëplanëshe të saj, për shkak të xhelozisë e padijes, mos leximit të jetës dhe veprës së pashait në kontekstin e kohës. Ka qenë i egër në momente të caktuara, por mbase ashtu duhej. Duket që Hofman ka të drejtë kur thotë: “Aliu qe përbindëshi më romantik që ka parë historia, një nga tmerret më të bukura që ka lindur natyra”. Kjo thënie është në një farë mase dhe përkufizim real i asaj që pashai ka përfaqësuar. Rregulli nuk vendoset me dëshirë, por me detyrim. Mos vallë duhet të qortojmë edhe Fan S. Nolin që thotë: “Të ndritët shpirti dhe t’u shënjtërofshin kockat, o Ali Pashë Tepelena, se vetëm ti dije si t’u përgjigjeshe shqiptarëve, të cilëve u pëlqen mendja e tyre”. Për të gjitha keto, pashai meriton nderim. Jo më kotë, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Aleks Buda, citon vargje nga një këngë kushtuar pashait, të cilën na e sjell M. Gjergji në librin e vet: Moj kalaja me bedena, / Çfarë luani paske brenda, / Ali pasha me shtatë zemra!

Ali Pashë Tepelena i dhuroi pavarësinë Greqisë. Janë dhjetra shqiptarë që i besuan thirrjes së pashait dhe ranë si trimat në ato luftime. Nagjrjet populli i ka gëdhendur në vargje. Thonë doli sadrazemi, / Ngrehu Shqipëri t’i vemi.../ Deli, moj Janinë e shkretë, / Të shikoni shikoni bilbilenjtë, / Varur të trembëdhjetë...”. Pikërisht në kohën e kurorëzimit të revolucionit antiosman, duhej të bëhej kurban dhe pashai. Planet e errëta ishin në praktikën e pabesive greke. Studiuesi Mihal Gjergji, krahas zbërthimit psikologjik të personazheve të vet, na jep me mjeshtëri edhe aftësinë e pashait për të kuptuar te tjetri, atë çfarë ai mendonte, vetëm duke i hedhur një vështrim. Kjo duket te vëzhgimi psikologjik që i bën konsullit francez, Françoi Pouquevill, te rënia e tij shpesh herë në kurthin e ngritur prej luanit të Janinës. I fyer nga krenaria dhe zgjuarësia e Aliut, i zemëruar nga mospërfillja prej tij, konsulli francez vazhdonte të gabonte. Interesante ishte që pashai, e dinte përherë se deri ku do të shkonte, ku do të dilte konsulli frëngjishtfolës. Ngjarjet që zhvillohen dhe raportet midis Pouqueville dhe Ali Pashës, autori na i jep hap pas hapi, në mënyrë të veçantë me anë të Ibrahim Manzour. Dredhitë e të dërguarve të francezëve, përpjekjet për rebelime dhe destabilitet brenda vilajetit të Janinës, qenë të shumta. Një prej njerëzve të tyre ishte dhe Andruci, i cili u diktua, u këshillua, por nuk hoqi dorë, ndaj më në fund dhe u ekzekutua.

Loja e Fuqive të Mëdha në dëm të pashait të Janinës

Mihal Gjergji, në analizën e tij, jep me mjeshtëri lojën e Fuqive të Mëdha në dëm të Perandorisë Osmane në tërësi, por dhe të pashait të Janinës në veçanti. Në fund të shek. XVIII, pas vdekjes së Katerinës së Dytë, marrëdhëniet e Rusisë me Perandorinë Osmane qenë përmirësuar dukshëm, pasi qe rënë dakord që rusët të luanin rol mbikqyrës mbi komunitetet e krishtera. Pra të kujdeseshin për njerëzit e atij besimi që jetonin në territorin e Perandorisë. Gati të njëjtin rol luanin dhe francezët. Politikën e Katerinës e ndoqi dhe Pavli i Parë, i cili qe kundër rritjes së ndikimit francez. Për këtë i erdhi në ndihmë ekspedita e organizuar nga Napoleon Bonoparti, kundër Portës së Lartë, e cila i prishi marrëdhëniet midis Francës dhe Perandorisë Osmane. Si kundërpeshë, Stambolli lidhi aleancë me Anglinë dhe Rusinë dhe, në vitin 1798, i shpalli luftë Francës. Ushtria osmane e theu sulmin e Napoleonit, konfiskoi pasuritë franceze dhe gjithë ishujt e detit Jon u pushtuan nga osmanët. Por armiqësia nuk shkoi gjatë, pasi në vitin 1802 u nënshkrua paqja me Francën, së cilës iu njoh e drejta e lundrimit në Detin e Zi.

Nisur nga fakti i dobësimit të Francës dhe kërkesës së Anglisë dhe Rusisë për marrëdhënie të mira, u duk sikur sulltan Selimi III do të sundonte i lumtur, por nuk ndodhi ashtu. Ahmet Pashë Zhezari në Palestinë dhe Tajar Pashë Xhanikliu në Anadollin Verior, të nxitur nga Rusia, kërkuan të ishin të pavarur nga perandoria. Rebelime më të rrezikshme qenë ato të provincave europiane. Çetat e cubave në Bullgari mbillnin trazira pa shfaqur qëllim politik, në një kohë që nacionalistët e rinj, të përkrahur nga Austria dhe Rusia, punonin për pavarësi. Ismail Pashë Tirsanikliu dhe zëvendësi i tij, Mustafa Bajraktari, vendosën sundimin e tyre mbi popullsinë vendase. Të njëtën gjë bëri dhe Osman Pazvanogllu në Bullgarinë Perëndimore dhe Serbinë Lindore. Por ajo që e shqetësonte me të vërtetë qeverinë e Stambollit, ishin lëvizjet e sundimtarit të Janinës, Ali Pashë Tepelena, kryengritjet e të cilit zhvilloheshin në Shqipëri dhe Epir. Ky pasha ndihej sovran në gjithë atë trevë.

Në vitin 1805, sulltan Selimi III urdhëroi vendosjen e një ushtrie të fortë në Edrene, e cila zemëroi nacionalistët që kërkonin pavarësi. Për pasojë ata e rritën presionin ndaj perandorisë. Më 29 maj 1807, pas një përballje të ashpër me jeniçerët, Selimi III hoqi dorë nga froni dhe ia la atë kushëririt të vet, Mustafait IV. Në atë kohë shpërthyen kryengritjet antiosmane edhe në Serbi, nën drejtimin e Kara Gjorgje, të cilat mbështeteshin nga rusët dhe austriakët, dhe vazhduan deri në vitin 1812. Natyrisht, në krah të tyre qenë anglezët, ndërsa francezët vazhdonin të ruanin marrëdhënie paqësore me perandorinë. Mustafai IV u tregua njeri pa personalitet dhe për shkak të paaftësisë së tij, në korrik të vitit 1808, u vra Selimi i III. Po atë muaj, Mustafa Bajraktari shpalli sulltan një nga djemtë e Abdylhamitit I, me emrin Mahmuti II.

Mahmuti II hipi në fron në moshën 23 vjeç dhe nuk kishte përvojë, por u mbështet te kryeveziri Mustafa Pashë Bajraktari, i cili e kuptoi që perandoria kishte nevojë për një dorë të fortë dhe ushtri moderne të tipit perëndimor. Sulltani i ri, pasi zhduku njerëzit e afërm të sulltan Selimit III, thirri krerët e provincave për të biseduar mbi reformat, por ndaj tij nuk u bindën Ali Pashë Tepelena, Mehmet Aliu i Egjiptit dhe disa krerë bullgarë, që ishin kundër Mustafa Bajraktarit. Gjithsesi u nënshkrua një marrëveshje që parashikonte: a) ndershmëri e besnikëri ndaj sulltanit dhe vezirit të madh; b) organizimin e një ushtrie të re; c) vjeljen e rregullt të tatimeve; d) qeverisjen e provincave duke respektuar ligjshmërinë etj. Sulltani u zotua se do të merrte vetëm taksat e ligjshme, por kjo marrëveshje nuk u nënshkrua prej tij, me shpresë se do të ndikonte pozitivisht te krerët e provincave. Mirëpo, këta të fundit, kur panë se marrëveshja kufizonte pushtetin e tyre vetjak, ngritën krye. Mehmet Aliu në Egjipt kishte bërë për vete ulemat që ishin keqtrajtuar nga mamlukët. Duke përfituar nga dobësia e qeverisë qendrore të Stambollit, ai mori masa për forcimin e ushtrisë dhe armatosjen e saj me armë të prodhimit perëndimor, duke shfrytëzuar për këtë dijet e oficerëve francezë të mbetur aty.

Nëpërmjet librit të Mihal Gjergjit mësojmë se Ali Pashë Tepelena ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga kosuj, nëpunës e agjentë të huaj. Nuk është i vërtetë pohimi i Pouquevill, sipas të cilit pashai keqtrajtoi dhe internoi djemtë e Selim Pashës në Delvinë, pasi në letrën e datës 27 janar 1785, që Aliu i dërgon Portës së Lartë, raporton se ishte inventarizuar pasuria e Selim Pashës së vrarë. Nga inventari dilte që ishte zhytur në borxhe për shkak të konflikteve të shumta. Për këtë arsye, çifligjet dhe kullotat në pronësi të tij, ua kishte bërë shitje djemve, të cilët merrnin përsipër larjen e borxheve. Në rrethana të tilla, Ali Pashë Tepelena propozonte, që ata të mëshiroheshin dhe të mos u konfiskohej pasuria.

Pouqueville thotë të vërtetën lidhur me vdekjen e hershme të Veli Beut dhe zotërimin e fisit të Hysove prej së shoqes, e cila ra rob i një sulmi të agallarëve të Kardhiqit dhe u burgos. Ibrahim Manzour shkruante se, bashkë me Hankon, ishte dhe e bija. Sipas tij, të dyja u përdhunuan prej agallarëve të Kardhiqit. Këtu ka hije dyshimi, pasi Aliu bëri krushqi me pashallarët e Delvinës. Ishte dhëndër i Kapllan Pashës. Për më tepër, edhe motra e tij Shanishaja, shkoi nuse në të njëjtën derë. Nuk mund të pranonte Kapllan Pasha t’i jepte vajzën e vet, djalit të një nëne të përdalë, apo të pranonte nuse në shtëpinë e tij, një vajzë të përdhunuar. Miqësia e Aliut me Kapllan Pashën u lidh në vitin 1768. Gashtë vite më pas, ai qe në shërbim të valiut të Rumelisë, ku mbante gradën pashë. Në këtë mënyrë rrëzohet dhe alibia e ngritur nga Poqueville, sipas të cilit, Aliu qe dashuruar me vajzën e Ahmet Kurt Pashës së Beratit, në një kohë që ajo u martua me Ibrahim Pashë Vlorën, 6 vite pasi ishte martuar Ali Pashë Tepelena.

Pavarësisht nëse u përdhunuan, apo jo, motra dhe nëna e pashait, prej bejlerëve të Kardhiqit, Aliu nuk e la pa marrë hakën. Bëri reprezalje të fuqishme ndaj tyre. Për ngjarjen e Kardhiqit, studiuesi Gjergji i jep të drejtë pashait, pasi në anën e tij është morali i vet shqiptarëve. Burrat nuk duhet ta tregojnë trimëri ndaj grave. Në atë krah rreshtohet dhe poeti popullor që ka thurur vargjet, por edhe banorët e vilajetit të Janinës, që i kanë pranuar këto vargje dhe i kanë kthyer në këngë, për dy shekuj me radhë. Për dy javë që mbajtët brenda, / Shanishanë që ta kish enda, / Hankon me huqe të rënda, / U fsheh Dielli u drodh Hëna / Kardhiqotë iu mbyti gjëma. Dhe më tej, vargjet e këngës bëjnë përgjegjës kardhiqotët. Vet’ or, vetë, më dhatë shkake / U sosi buka në magje/ Edhe vera ndër sapllaqe, / Do t’ju shkul me qen e mace, / Mjekrat me gjithë mustaqe, / Do t’i shemb portat me harqe, / Kullat me gjithë oxhaqe / Do t’i nëm gurët në pragje / Ndë avlli e ndë sokaqe, / Do t’i ndrydh foshnjat ndë barqe. Autori i këtij libri, më mirë se në këtë variant, nuk kishte si të na e sillte faktin e mësipërm.

A ishte shqiptar Ali Pashë Tepelena?

Studiuesi Mihal Gjergji, citohen disa autorë vendas: Dora D’Istria, Irakli Koçollari, Sabri Godo, Spiro Mela etj. Por Gjergji sjell mendimet e shprehura edhe nga autorë të huaj si: Françoi Pouqueville, Ëiliam Martin Leake, Edward Lear, Ibrahim Manzour, Henry Holland, Ami Boué, Vogne, Gervinus, Hjuz, Lemetre, Evans, Beger, Vurna. Nuk lë pa cituar poetë si Gëte, Hygo, Duma, Rembrand etj. Në këtë mënyrë ai e blindon, si të thuash, mendimin e shprehur për Ali Pashën, jo vetëm nga autorë vendas, por edhe të huaj. Më këtë autori na thotë se pashai ka qenë dikush, në të kundërt nuk do të kishte tërhequr vëmendjen e këtyre njerëzve të shquar. Ai na këshillon ta njohim këtë burrë të madh, për gjithçka ka bërë, për urat dhe kalatë e ndërtuara, për çezmat dhe ujësjellësit. Ta njohim si shtetar, që kërkonte rregull e disiplinë. Ta shohim pashain e Janinës si atdhetar të mirë, që luftoi për autonominë e 4 vilajeteve shqiptare, ndonëse nuk ia arriti qëllimit. Por mundi t’i dhuronte lirinë Greqisë, nacionalistët e së cilës ishin një hap para feudalëve shqiptarë. Si shpërblim, politika helene u përpoq ta denigronte figurën e tij, duke propaganduar se gjoja kishte prejardhje anadollake dhe nuk kishte asnjë lidhje me shqiptarët, të cilët grekët i quanin vëllezër. Këto thashetheme vijuan edhe më vonë.

Sabri Godo, në romanin historik të shkruar për Ali Pashën, thotë se të parët e tij kishin ardhur nga larg. Konsulli francez në Janinë shprehej se Ali Pashë Tepelena, i kishte pohuar me gojën e tij që rridhte nga një luftëtar osman me emrin Isa, ardhur në Shqipëri në fund të shekullit të 14-të. Pouqueville hetoi rreth prejardhjes së vërtetë të familjes së Hysove të Tepelenës, prej nga rridhte dhe veziri i Janinës, por nuk kishte gjetur asnjë dokument serioz që të provonte prejardhjen anadollake të tij. Një tjetër person që është marrë me këtë çështje është Ibrahim Manzour.* Ai ka qenë oficer në shërbim të ushtrisë franceze dhe më pas në oborrin e Ali Pashës, ku ndërroi dhe emrin. Thashethemet e përhapura për prejardhjen turke të pashait nga Notalia e Azisë së Vogël, Manzour i argumenton me penalitetet e ligjit osman, i cili ndalonte dhënien e gradës së vezirit me tri tuje (Utshe Tuglu vezir) për funksionarët e perandorisë, në rastet kur ishin me origjinë shqiptare. Ndaj e quante veten Anadoleu-Ali Pasha. Mashtrimi ndaj Perandorisë për të fituar titullin është i besueshëm, pasi edhe për vezirët Bushatllinj thuhej se kishin qenë me origjinë jo shqiptare. Për vezirin Ahmet Kurt Pasha të Beratit nënvizohej se ishte me prejardhje nga Kurdistani. Kjo ndodhte për arsye se krerët e perandorisë i quanin shqiptarët të pasigurt dhe elementë turbullues.

Spiridhon Panajot Arvantinoi, në fund të shek. XIX, hodhi në treg dy gojëdhëna, sipas të cilave Hysot e Tepelenës kishin të parë të fisit një dervish me emrin Hysen, i cili pati ardhur në Tepelenë në mes të shek. XVII. Por edhe kjo bëhej për të mohuar prejardhjen shqiptare të pashait të Janinës. Dihet që pas vdekjes, u hodh shumë baltë ndaj tij, duke i veshur të gjitha mangësitë e administratës turke. Arvantinoi dhe Ibrahim Manzour, përpiqeshin të bindnin njerëzit që dervish Nazifi kishte kryer një krim, ndaj qe larguar nga vendi i vet. Me këtë donin të thoshin që edhe Ali Pasha, si stërnip i tij, ishte kriminel. Dhe, duke e quajtur të tillë, shqiptarët nuk kishin arsye të krenoheshin me të, por të turpëroheshin.

Myfid Bej Libohova thotë se nëna e Ali Pashës ishte bijë e Zenel Bej Konicës. Të njëjtën gjë pohon dhe Sabri Godo, sipas të cilit Veliu u martua me Esmiha Hanëmin, bijën e Zenel Beut. Atë e thërrisnin Hanko, e cila lindi Ali Tepelenën dhe dy vite më pas, Shanishan. Mirëpo, nga një letër të shkruar nga vet dora e Aliut, del që Zenel Beu ishtë vëlla i së ëmës, pra daja i tij. Këtu krijohet një mjergullnajë, e cila kërkon më shumë kujdes për t’u ndriçuar. Thuhet se Selim Beu, djali i xhaxhait te Veliut, ishte myteselim* në Tepelenë. E shoqja e tij u grind me Hankon dhe ajo u detyrua të shkonte në çifligun e Karjanit. Selimi i dha të drejtën e përfitimit të së dhjetës Veliut, për zonën Lekër e Hormovë. Pas pak kohe Selimi u vra dhe në vrasjen e tij mund të kishte dorë Veliu, i cili u bë myteselim në Tepelenë.

Nga analiza tonë del që, si Myfid Beu, ashtu dhe Arvanitoi, i besojnë traditës gojore popullore për prejardhjen anadollake të Aliut. Nëse me të vërtetë do të kishte qenë pasardhës i një dervishi kriminel, Pouqueville do të bënte të pamundurën për ta diskretituar. Po të mos ishte shqiptar në breza, por pasues i një turku, në një krahinë si Tepelena, ku vëlonte lëvizja për liri dhe rivalitet për pushtet nga të pasurit vendas, nuk mund të ngrihej në atë shkallë. Me fjalët që qarkullonin për Ali Pashën, ai vet tallej dhe thoshte që, po të kishte lindur në kohën e Muhametit, do të ishte bërë profet para tij.

Për më tepër, po të mos ishte shqiptar, nuk kishte përse të sakrifikonte vite të tëra në funksion të autonomisë së vendit të vet, të shkëputjes së tij nga varësia prej Portës së Lartë. Studiuesi Mihal Gjergji, në mënyrë indirekte na thotë se populli nuk kishte arsye t’i këndonte, “Hanko, kur polle Alinë, ndriti bota vetëtimë”, në rast se ai nuk do të ishte njeri prej shqiptarëve të mirë të këtij vendi. Mbi të gjitha, po të mos ishte bir vendi, poeti nuk do t’i ngrinte aq shumë këngë, të cilat dëgjohen edhe sot, në gjithë jugun e Shqipërisë. Mbani ju mure të larta, / Duro gjyle, kumbara... / Moj kalaja me bedena, / Se lufton me Padishah, / Ali Pashë Tepelena...

Poeti popullor, por edhe poetë me emër në botë, kur kanë shkruar, e kanë patur të qartë kombësinë e tij. Ndaj dhe kënga thotë: Ali Pashë s’lind më dheu, s’lind më shqipe Tepelena / Kohët më nuk do të pjellin, bir të tillë mbi pelena. / Ky luan i Arbërisë, ky petrit në Rumeli, / Kaq e kaq strategë të tmerrshëm, vuri poshtë me llahtari. Ja dhe një tjetër: Ne frikën s’e njohim, s’e njohim mëshirën / Këto nuk i njeh, kush lufton për vezirin / Që kur leu profeti, s’ka parë gjysmëhëna / Një trim kaq të madh, sa Ali Pashë Tepelena.

Vargjet e skalitura në këngët e moçme paraqesin me realizëm realitetin e kohës. Konstatimet që jep ky visar i çmuar i kulturës popullore, janë në përgjithësi më afër realitetit, sepse aty mëshirohet ndjenja dhe mendimi i shtresës së gjerë popullore, mendim ky i shprehur lirisht, pa diktat nga lart. Ndaj dhe i rendit faktet thjesht e tërë madhështi, me përshkrime tipesh e karakteresh, ngaqë autori i këngës ka qënë pjesëmarrës direkt në ngjarje. Në se do të ishte ndryshe, shqiptarët nuk do t’i vinin pas. Njëmijë gegë e dymijë toskë, / qëndruan me Ali Pashanë, / Ata vunë kryet poshtë, / Dhe me të, me besë u vranë. Dhe më tej: Moj kalaja me bedena, / Çfarë luani paske mbrenda, / Ali Pasha me shtatë zemra. Në kohën kur Ali Pasha u vra, njerëzit menduan se punët nuk do të shkonin mirë. Shqiptar trim si ai, rrallë mund të gjeje. Në kënëgë shprehet dhe frika se mund të vinte një ditë që të turpëroheshin: Se do vijnë në dheun tënë, e tu vënë nën pushtet / Dhe atdheun tonë të bukur, do ta shkelin për ibret / Po dhe nderin do humbasim, në na vënçin ndën këmbë, / Dhe në turp të madh do të mbesim, do të jetë gjëmë e rëndë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat