Promovohet në Zvicër ‘Libri i Luftës’

Libra

Promovohet në Zvicër ‘Libri i Luftës’

Më: 29 prill 2019 Në ora: 09:36
Pamje nga promovimi i librit

Pas promovimit në Kosovë, këto ditë “Libri i luftës” i autorit, gazetarit e publicistit Nuhi Bytyçi po promovohet edhe në Zvicër, Austri dhe Slloveni.

Të dielën pas dite, ky libër u prezantua edhe në Restorantin “Centrum 68” në  Wyrenlos afër Cyrihut, ku në organizim të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, morën pjesë shumë bashkatdhetarë nga të gjitha viset etnike shqiptare.

“Libri i luftës” me memoaret e Bytyçit po pritet me interesim të madh te bashkatdhetarët tanë në këto vende, nga se në të përveç ngjarjeve historike në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare, është përfshirë edhe kontributi i diasporës shqiptare në të gjitha proceset, e veçmas gjatë periudhës së luftës për liri, pavarësi të Kosovës dhe të drejtat e plota kombëtare.

Një fjalët e tyre lidhur me përmbajtjen e “Librit të luftës”  të  paraqitura nga  shefi i Misionit Diplomatik të Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati dhe veprimtarët dhe publicistët Ibish Neziri e Vaxhid Sejdiu, e vlerësuan me tone pozitive angazhimin shumëvjeçar të gazetarit dhe publicistit shqiptar Nuhi Bytyçi në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Sami Kastrati, ish-gazetar dhe tani shef i Misionit diplomatik të Kosovës në Cyrih, potencoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të gazetarit e publicistit Nuhi Bytyçi gjatë 40 vjetëve të fundit, i cili si tha ai, ishte në vazhdimësi në luftë për të plasuar të vërtetën për Kosovën dhe popullin shqiptar.

Vaxhid Sejdiu, në vlerësimin e tij pos tjerash potencoi: “Libri i luftës”  në tërësi është i thurur mbi ngjarjet dhe personazhet reale të kohës, të cilët ende janë aktual jo vetëm në skenën kulturore por edhe atë politike të Kosovës, duke filluar nga fillet e pluralizmit politik dhe deri te drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Një libër ku ngjarjet dhe personazhet përbëjnë pjesën e historisë më të re të popullit shqiptar dhe këndvështrimi i autorit prek ndjenjat e lexuesit.

“Vlen të theksohet se autori ngjarjet dhe personazhet i përshkruan në mënyrë të  thjeshtë,  pa hiperbolizime, por ashtu siç ishin realisht ndarjet dhe kundërshtitë brenda shqiptare.Autori është i drejtpërdrejtë, ngjarjet i radhitë në bazë të zhvillimeve dhe rëndësinë që kanë, duke i shkruar në formën e shënimeve si bisedat private, si takimet dhe përpjekjet për të realizuar takimet në fjalë. Personazhet janë realë, të mbështjellë  me fakte, ashtu siç janë radhitur edhe pesë albume me qindra e qindra fotografi, të cilat faktojnë ngjarjet dhe personazhet e kohës.  Libri  shoqërohet me data, me emra dhe ngjarje të ndryshme të cilat janë shumë të prekshme, veçanërisht për ata të cilët kanë qenë dhe janë aktorë   të zhvillimeve politike në Kosovë dhe më gjerë”,  pohoi Sejdiu.

Ai përkujtoi bashkatdhetarët se lexuesi njihet me fakte reale nga zonat  e luftës, luftëtarët e lirisë, lufta titanike e UÇK-se përballë pushtuesit serb, dëshmorët e kombit etj. Epilogu i këtij libri natyrshëm na del në mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, përballë kurtheve të ndryshme dhe përpjekjet e tij si gazetar, për të anuar në shërbim të fjalës së lirë, lirisë dhe atdheut, të cilat mund të krahasohen me thënien e Sami Frashërit “ Liria është ushqimi i shpirtit dhe i mendjes. Atje ku nuk ka liri, shpirti dhe mendja vyshken si lulja pa ujë.” 

Nga ana e tij, veprimtari i çështjes kombëtare, Ibish Neziri theksoi: "Këtë herë Nuhiu mes nesh nuk vije as si kronist televiziv e as si autor filmash dokumentarë që jemi mësuar ta shohim në këto 22-3 vjetët e fundit por vije si autor me librin e tij të parë të titulluar „Libri i luftës“, libër voluminoz sa iu përket faqeve –767 faqe, por edhe temave që i trajton. Dhe, me të drejtë, pos libri i luftës, mund të quhet edhe libri i jetës, ngase në të, autori i sjell kujtimet e tij të një periudhe rreth 50 vjeçare".

Më tej,.Ibish Neziri shtoi: "titullin „Libri i luftës“ e arsyeton përmbajtja ngase në secilin kapitull e në secilën faqe ka përballje, luftë. E për autorin lufta nuk ka filluar në vitin 1998 sikur për shumë njerëz tjerë, por shumë më herët se këtë vit".

"Nga Kapitulli i gjashtë, përmes kujtimesh autori e trajton luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shërbim të së cilës krejtësisht e vënë vetëveten, duke u bërë një telekronist i shkëlqyeshëm i kësaj lufte, ngase nuk la pothuajse asnjë fushëbetejë e asnjë zonë operative ushtarake pa e vizituar e pa raportuar nga ajo. Pra me fillimin e luftës, autori i këtij libri kalon në terren dhe shumë shpesh paraqitet herë nga një front lufte e herë nga një tjetër front, herë nga njëra zonë e herë nga zona tjetër, me biseda e intervista me komandantë e udhëheqës të luftës" tha Ibish Neziri në fjalën e tij për "Librin e Luftës".

Nga ana e tij, autori i "Librit të Luftës" gazetari dhe publicisti Nuhi Bytyçi,

duke shprehur mirënjohje për kontributin e mërgatës shqiptare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Nuhi Bytyçi theksoi se "mërgata jonë luajti rol të rëndësishëm në organizimin e gjithanshëm të rezistencës së armatosur kundër pushtimit serbo-sllav, iu përgjigj kushtrimit të atdheut për mobilizim për liri e pavarësi. 

 Për “Librin e luftës” folën edhe Sylë Arifi, Riza Demaj, Rexhep Rifati, Sylejman Beqa, Bajram Mulaj, Fatmir Beka, Rrustem Mehmeti e pjesëmarrës të tjerë i bënë një vlerësim të gjithanshëm veprës publicistike të Nuhi Bytyçit, duke e çmuar atë si thesar të rëndësishëm për historinë tonë më të re kombëtare.

 “Libri i luftës” të hënën në mbrëmje  nga ora 18:00 do të promovohet në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë, kurse në Austri, më 1 maj në orën 19:00 në Knittenfeld afër Gracit, më 3 maj në orën 18:00 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe më 5 maj në Slloveni.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat