Parathënie e librit të Jeton Kelmendit “KUPTIMI ËSHTË TJETËR”

Libra

Parathënie e librit të Jeton Kelmendit “KUPTIMI ËSHTË TJETËR”

Më: 5 maj 2019 Në ora: 15:49
Jeton Kelmendi

Kur fillova ta lexoj këtë libër me poezi, nuk mund ta arrija fundin e tij duke pauzuar. Megjithatë, kur i përfundova së lexuari këto poezi prekëse dhe shembullore, nuk munda ta shkruaj menjëherë parathënien e tij sepse e gjeta vetën të zhytur në meditim për këtë autor, i cili, gjatë qëndrimit të tij në shtete të ndryshme evropiane, i ka shkruar këto poezi, të cilat patën një ndikim të madh te unë. E imagjinova atë si një vizitor që, nga jashtë, shikon në vete në historinë e tij, me një nostalgji të pamasë për vendlindjen e tij të pikëlluar, duke e përjetuar një realitet midis kundërshtish, dashuri dhe luftë – një dashuri e madhe dhe një luftë e përgjakshme.

Në të vërtetë, një dialektikë e tillë e kundërshtive është temë e përsëritur nëpër libër. Në poezinë e tij “ATY I GJETA BURIMET E MIA”, ai shkruan: Në kodër, ku fryn flladi, / diku aty janë gjurmët / e dy netëve të vjeshtës dhe të puthjeve tona [...]. në shumë poezi tjera ai përsërit: “dy dashuri”; “dy ditë”; “dy net” ... “lufta dhe dashuria” ... unë dhe tjetra; “Poshtë e kemi djallin, Zotin sipër”; dy pole: “e vërteta dhe falsiteti”, autori përjeton me një fuqi madhështore ndjenjën e tij të kundërshtive. E tërë kjo, duke e shtrydhur dashurinë dhe identitetin e tij, që herë pas here shfaqet shumë qartë dhe për të tjerët, i humbur në kohë.  

Ndihem shumë i nderuar që kam pasur mundësinë të shkruaj parathënien e këtij libri të mrekullueshëm dhe prekës me poezi, që me siguri do të duartrokitet fuqishëm nga kultistët e letërsisë latino-amerikane.

Këto poezi, fillimisht të shkruara në gjuhën e Kelmendit, një poet shqiptar, më pas janë përkthyer në anglisht dhe përmes saj në spanjisht nga poeti Ricardo Rubio.

Në parathënien e antologjisë së botuar së fundmi të poetëve spanjollë dhe izraelitë, [Jaime Rosa dhe Ernesto Kahan, Poezia pa kufij III, 2018: ISBN: 978-84 HUERGA FIERRO editors, Valencia 2018]; kam shkruar: “Është e qartë se përkthimi i një poezie, disa herë, është një mision i pamundur. Aq më shumë, kur gjuhët janë strukturalisht dhe kulturalisht të ndryshme dhe për më tepër nëse përkthimi bëhet nga një gjuhë e dytë. Në një situatë të tillë, vlera është udhëzuese e versionit origjinal.”

Pavarësisht nga të gjitha shqetësimet e përkthimeve, ky version në gjuhën spanjolle i poezisë së Jeton Kelmendit arrin nivele të bukurisë dhe lirizmit, që janë të pakapërcyeshme. Poezia e tij e bukur transmeton humanizëm dhe emocion me impulse të jashtëzakonshme dhe perfeksion që ndikon. Vargjet e tij janë shumë emocionale, që mbesin për një kohë të gjatë në kujtesën e lexuesit.

Në këtë përmbledhje, unë nxjerr disa shembuj që ilustrojnë konceptet e diskutuara më lart.    

Nga poezia “PEJA NË PESË TË MËNGJESIT”, citoj disa vargje që shprehin dhimbjen për vendlindjen e autorit dhe për vdekjen e babait të tij:

              Qyteti është në gjumë, / njerëzit dhe nata po flenë, / heshtja pushon, [...] edhe unë kam fjetur, / madje kam ëndërruar: / e pashë babanë duke u larguar, [...] Ai la prapa / një atdhe të lirë, / pavarësisht sfidave të pandërprera të kësaj toke. [...]

E njëjta në poezinë “KU FJALA E DASHURON JETËN” [...] atdheu është vetë dashuria [...]

Mendime të ngjashme ka në poezinë “ETJA IME NË ÇAMËRI”:

              [...] Mirësevjen, vëlla, në Çamëri, Shqipëri, / Çfarë ndodh me rrënjët e thella? / Molla ime në Çamëri ... / Ato janë fruta të freskët. [...]

Në dhimbjen dhe kritikën e tij, ai i akuzon politikanët. Nga poezia “ZHURMË”, unë i marr vargjet:

                [...] gënjeshtra ndeshet me të vërtetën / me tërë nxitimin dhe rrëmujën, / fjalët, fjalët, fjalët tua, / të gjitha janë të rreme. [...] 

Në “ZONJA E PARË E MENDIMIT” ai ka shkruar:

               Të rreshtuara si anëtarë parlamenti, / mendimet e mia / debatojnë për kohën [...], në fund të seancës plenare, / votojnë pa armiqësi / për ta marrë timonin e shpirtit. [...]

Duke iu kthyer subjektit të kundërshtive të supozuara dhe veçanërisht në sensin kryesor të këtij libri: rreth luftës dhe dashurisë, Kelmendi merret me intensitetin filozofik dhe emocional; Këto vargje i marr nga poezia “DASHURI NË KOHË LUFTE”:

                [...] Nëse i thua dikujt se në kohë lufte / kërkon dashuri, / miku yt do të mendojë se je i marrë, / por një ushtar, edhe në luftimet më të ashpra / asnjëherë nuk ndalet së menduari për dashurinë, [...] kohët e luftës / vetëm Zoti e di / fundin. [...]. Dihet se ka dashuri dhe luftë, [...] Vonë natën / hëna kishte harruar të ikë. [...] Kjo poezi është shkruar në nëntor 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë.   

Në poezinë “KAM ECUR SI TË TJERËT” shpreh dhimbje, ekzistencializëm, ankth...

               [...] Heshtja troket në derë, / por sot nuk jam, / jam larguar, / kam shkuar shumë larg, / larg shtëpisë, / larg vetvetes, / larg vetvetes, / largësitë. [...] eci i vetmuar rrugës / së të tjerëve. / Është dalja drejt meje / dhe unë nuk shikoj në tavan.

Kelmendi është neo-modernist në strukturën formale të këtyre poezive. Ai iu jep atyre fuqi të jashtëzakonshme, që e godasin ndërgjegjen njerëzore. Zgjerohet me përsëritje metaforike dhe e bën këtë me një kapacitet mbresëlënës për sintezë. Poezia e tij duket e bukur dhe pushtuese, si ajo e poetëve madhështorë.  

Ai është një shkrimtar ilustrues, shumë i njohur dhe i kërkuar. Nga CV-ja e tij citoj: “Poezitë e tij janë përkthyer në më shumë se njëzeteshtatë gjuhë të botës dhe janë botuar në disa antologji letrare ndërkombëtare. Ai është poeti më i mirë dhe më i përkthyer shqiptar në Evropë. Sipas disa kritikëve letrarë, Kelmendi është përfaqësuesi i sinqertë i poezisë moderne shqipe. Kritikët dhe shkrimtarët ndërkombëtarë kanë shkruar artikuj të shumtë për të dhe veprën e tij, duke e konsideruar poet të madh evropian.”

Ky libër paraqet një poezi që i josh njerëzit më të kërkuar të letërsisë dhe ata që kërkojnë të takohen, ndoshta në mënyrë të fshehtë dhe të heshtur, në hapësirat lirike të poezive të këtij shkrimtari të mahnitshëm.

Është një libër i poezive që duhet lexuar dhe rilexuar ngadalë, duke u kënaqur me secilin varg dhe duke kërkuar bashkëkomunikimin e tij të veçantë njerëzor. Ua rekomandoj fuqishëm, në veçanti atyre që kërkojnë ta kuptojnë poezinë moderne evropiane dhe lidhjen e saj me realitetin shoqëror dhe politik.

        Në të ardhmen, emri i këtij autori do të jetë midis poetëve më të rëndësishëm të shekullit 21.

 

*Prof. Emeritus Ernesto Kahan MD. Fizikan dhe poet argjentinas, anëtar nderi i Akademisë Mbretërore Evropiane të Mjekëve dhe anëtar i Bordit të saj Editorial në Barcelonë, - Anëtar Nderi në Akademinë Ndërkombëtare të Shkencave, Teknologjisë, Arsimit dhe Shkencave Humane. – Në vitin 1976, ka imigruar në Izrael për shkak të regjimit diktatorial në Argjentinë. Profesor në universitete: UNBA-Argjentinë, Tel Aviv-Izrael, UCE-Republika Dominikane, UNAM-Meksikë, Salamanca-Spanjë. – Ish-kryetar i shkrimtarëve spanjishtfolës të Izraelit. – Nënpresident i Forumit Ndërkombëtar të Letërsisë dhe Kulturës për Paqe. – Nënpresident i parë Akademisë Botërore të Arteve dhe Kulturës. – Bashkudhëheqës ekzekutiv i Unionit të Shkrimtarëve Hispanikë në botë. – Anëtar Nderi i Institutit Vallejian të Perusë. – President Nderi i Shoqatës Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve. – Ka botuar 28 libra, 40 antologji dhe mbi 200 hulumtime. – Është përkthyer në 13 gjuhë. Ka fituar Çmimin Schweitzer për Paqe. Nënpresident i Fizikanëve për Parandalimin e Luftës Nukleare dhe Delegat në Ceremoninë e Çmimit Nobel për Paqe. – Medalja e Artë në vitin 2005 WAAC për “përsosmëri poetike”. – “Poeti më i mirë” për vitin 2006 dhe “Çmimi më i mirë për kulturë dhe poezi në internet” në vitin 2007 nga Asociacioni Ndërkombëtar i Shkrimtarëve në SHBA. - President i Kongresit Botëror të Poetëve në 2012. Çmimi i Parë nga Instituti Kulturor Latino-amerikan për Poezi dhe Narracion në Argjentinë.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat