Del nga shtypi “Maqedonia nga antikteti deri te koha jonë”

Libra

Del nga shtypi “Maqedonia nga antikteti deri te koha jonë”

Më: 13 maj 2019 Në ora: 08:30
“Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë”

Studimi monografik mbështetet mbi konceptin se Maqedonia nga antikiteti, mesjeta e deri te koha jonë është pjesë e botës ilire-dardane. Duke u përqendruar te faktorët etnikë, shoqëror-politik dhe kulturor në një vazhdimësi mbi dy mijë vjeçare, në trekëndëshin e mbretërive maqedone, dardane dhe asaj epirote, nxirret në pah një identitet i caktuar historik me trashëgimtar të vetëm shqiptarët e sotëm. 

Në këtë vepër voluminoze, autori, jo vetëm që i plotëson me argumente të tjera disa nga tezat e shfaqura në “Kosovën” në tetë vëllime rreth ndërlidhjes së ilirëve me pellazgët dhe të rolit të madh të Dardanëve e Dardanisë në formimin e perandorive të mëdha botërore: Trojës, Romës dhe të Bizantit me ç’rast ata shihen edhe si shtrat i qytetërimit antik, por qëndrimin për mosekzistencën e “shtetit mesjetar serb” dhe të gënjeshtrën për gjoja “Kosovën – djep shpirtëror dhe historik serb” e riformulon me shkëputjen e Rashës dhe dinastisë së Nemanjajve nga origjina sllave (serbe) duke e ndërlidhur atë me origjinën e botës ilire. 

Kështu, duke u mbështetur mbi dokumente të shumta nga Vatikani, Bizanti, po edhe ato sllave, që nuk janë manipuluar dhe sajuar nga historiografia serbe dhe ajo ruse e shekullit të kaluar dhe në vazhdimësi, dinastia e Rashës del e veçuar nga formacionet politike dhe shoqërore sllave, të faktorizuara në mesjetë nga Vatikani dhe Kostandinopoja për qëllime politike, me ç’rast edhe përpjekjet hegjemone të Nemanjajve në Ilirik, të cilësuar vazhdimisht si Tribal (fis ilir) shihen si vazhdimësi e mbretërisë dardane për ta trashëguar kurorën e Bizantit, gjë që nuk është e rastit që edhe në bulat dhe kartat e pamanipuluara nga Beogradi, në kuadër të shtetit të Rashës vazhdimisht përfshihen edhe Arbrit dhe Maqedonët. Në këtë aspekt, dinastia rasiene e Nemanjajve, krishterimin e shfrytëzoi për pushtet politik siç kishte vepruar Konsandini i Madh dhe Justiniani, me ç’rast, në raporte e reja të ndarjes së kishave dhe luftës së tyre për pushtet, ndonëse së fundit u mbështet te kisha lindore, ruajti lidhjet e mira dhe madje të pashkëputura me Vatikanin dhe katolicizmin, së cilit edhe i kishte takuar nga fillimet dhe prej nga buron edhe fuqia politike e tyre. 

Në pjesën e fundit, që ka të bëjë me zhvillimet nga Kriza Lindore e këndej,e ku për herë të parë shfaqet edhe Maqedonia si koncept gjeografik për qëllime hegjemoniste serbe, greke dhe bullgare prej nga, në vitin 1944, Titoja e shfrytëzoi për krijimin e republikës maqedone në kuadër të federatës jugosllave, shpërbërja e ish Jugosllavisë në vitin 1991 si dhe shpallja e shteti të pavarur maqedon, shihet si një zhvillim antihistorik për rrëzimin e identitetit historik të shqiptarëve. Të trajtuar si pakicë, shqiptarët përjashtohen nga shtetformimi, me çka edhe lufta e vitit 2001 shihet e papërfunduar, ndërsa shteti maqedon, i përkohshëm dhe faktor i një krize të hapur.

“Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” botohet nga “Jalifat Publishing” - Hustoni dhe “Faik Konica” – Prishtinë dhe ka 1068 faqe. Pritet që promovimet e para të bëhen në Shkup dhe Tetovë nga fillimi i qershorit, ndërsa në Prishtinë gjatë Panairit të Librit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat