Duke lexuar poetët e shteteve baltike

Libra

Duke lexuar poetët e shteteve baltike

Nga: Nuhi Vinca Më: 17 maj 2019 Në ora: 11:31
Nuhi Vinca

Estonët (estonezët), Letonët dhe Lituanët janë tre popuj të veçantë. Atdheu i estonëve është Estonia, i letonëve Letonia dhe i lituanëve- Lituania. Të parët flasin estonishten, një gjuhë e familjes ugrofine; të dytët flasin letonishten, të tretët lituanishten, tri gjuhë këto indoevropiane të familjes ugrofine.

Estonia, që gjendet në veri të Baltikut me 45.100 km2. Ka rreth 1.395.000 banorë sipas regjistrimit të vitit 1972 me 75% estonë e të tjerët janë rus (20%), ukrainas e finlandezë. Kryeqyteti i Estonisë është Talin.

Deri në vitin 1918 mbi Estoninë kanë kaluar robërues të ndryshëm që nga parahistoria. Në këtë vit ajo fiton pavarësinë, ndërsa në vitin 1940 e kapërdinë kuçedra bolshevike, duke e pagëzuar BRSS.

Po kështu ngjet edhe me Letoninë, e cila ka 63.770 km2, ndërsa 2.419.000 banorë, sipas regjistrimit të vitit 1972. Struktura e popullsisë është 62% letonë, ndërsa të tjerët rus, bellorus dhe polak. Kryeqytet eshte Riga. Lituania ndërkaq ka 65.200 km2 dhe 3.219.000 banorë (regjistrimi i 1972). Përbërja e popullsisë: 80% lituanezë, të tjerët rusë, beloresë, polak etj.

Të dhënat apo faktet, jo vetëm historike, por nga të gjitha fushat e dijes, dëshmojnë se këta tre popuj baltikë janë autokton në vazhdimësi shekujsh që para erës sonë, njësoj si shqiptarët që janë autokton në trojet e tyre etnike me mijëra vjet para sllavëve serb, malazez, maqedon etj.

Të tre këta popuj përjetuan dhunën e politikës bolshevike, derisa fituan pavarësinë e plotë, që mjerisht u përgjak nga tanksat e Gorbaçovit.

Lufta politike e tyre dhe fitorja e pavarësisë zgjoi interesimin e gjithë diplomacisë botërore, njësoj si Kosova e cila pos luftës politike, bëri edhe luftë të armatosur kundër okupatorit serb.

Po pse i shqipëruam për lexuesit shqiptarë pikërisht poetët e shteteve baltike – Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë?

Pikërisht pse në zemrat e shqiptarëve qenë dhe janë të pranishme idealet e këtyre popujve, sepse po ato kërkesa janë gjatë historisë edhe të tyre. Prandaj fitoren e referendumit (të vitit 1991) në lituani s’ka se si të mos e përjetojë si të vetin edhe populli shqiptar, aq larg gjeografikisht dhe aq afër shpirtërisht.

Arsye e dytë është edhe e vërteta se pikërisht me anë të fjalës poetike më së miri afrohen njeriu me njeriun. Kështu poezitë e Vincas Kudirkës për atdheun lituanez, “Tokën e trimave”, që e fton të zgjohet e të bashkohet, s’ka se si të mos e përjetojë si poezi të shkruar dhe të drejtuar edhe popullit shqiptar, prandaj edhe përjetohet si poezi e shkruar edhe për ne.

Kështu ndodh edhe me temat e tjera që transponohen në këto poezi. Lexuesi ynë do t’i përjetojë si tema të vetat e si poezi të tij. Kështu poezitë për mërgimin, për burgosjet, për muret e ndarjes, për atdheun, për dashurinë,  për jetën, për vdekjen etj., janë tema që zgjojnë asociacione sugjestive të kohës sonë dhe të realizuara për mrekulli. Ato flasin për kohën tonë, për kërkesat që janë edhe tonat. Të tilla duhet konsideruar poezitë “Muret” të A. Sang, në “Mërgim” të Marie Under, pastaj poezitë e Janis Rainis “Nëpër qenien tëndë rrjedh jeta”, të Julius Janonius “Mos qaj mbi varr” etj. që me imazhet e mesazhet e tyre poetike të kujtojnë skenat e përgjakshme të jetës kosovare, sidomos të viteve të fundit. Duke i lexuar këto poezi në gjuhën tonë, le të solidarizohemi me luftën dhe idealet e këtyre tre popujve baltikë për pavarësinë e plotë, pavarësinë që i bën të sigurtë këta popuj që të mos jenë të detyruar të hapin ombrellat në Villnus, Rigë e Talin sa herë që mvrënjtet qielli në Moskë duke u ruajtur e mbrojtur nga shiu bolshevik, siç thuhet në një rast.

Vincas Kudirka

(Lituani)

 

Himni lituanez

 

Lituani atdhe i dashur.

Moj tokë kreshnike

Me lavd tëndin forco zemrat

Të qëndrojnë heroike!

 

Bijt e tu mos e humbin

Rrugën e ndershme,

Rrugën e drejtë

Le t’i duan të gjithë njerëzit,

Të mirat tua moj përjetë!

 

Lituani, tokë trimash

Të gjithë retë largo.

Me drejtësi e arsim

Hapat jetësor i praro!

 

Për Lituaninë tonë

Zjarr i shenjtë le të ndizet

Në emrin tënd Lituani

Bashkimi ynë le të ngjizet!

 

Janis Poruks

(Letoni)

Ku gjendet e bukura

 

“O mik ku është e drejta”

  • Në dorën e të vdekurit fshehur

“Po shpresën, ku ta gjej o tungjatjeta?”

  • Në varr po zbret hiç pa trokitur.

 

“Po ku gjendet çerdhja e dashurisë?”

  • Në zemër të së dashurës merr sisë.
  • “Jo, jo, vendin e kish tjetërkund:
  • Gozhduar në kryq, kish marrë fund”.

 

Aspazija

(Letoni)

 

Pranverë jetëshkurtër

Pak zgjat pranverë e jetës, fare pak

Maktub* vjen e jetës i ve kapak

Sa pak zgjasin kënaqësitë jetësore

Veç një grimë na hyjnë në botën shpirtërore.

Do vijnë ditë me diell pa zenit

As vjeshta e ëmbël nuk të shushurit

Në degët plot frute-pjekur

Fund pranvere lajmërojnë sytë e djegur.

 

Prandaj merr ç’të marrësh’

Para se të vij fundjeta e shterur.

 

*  Maktub- shprehje predestinacioni me kuptimin “E shkruar nga Zoti”. E ka përdor Pablo Kuelo në romanin e tij “Alkimisti” në çdo përfundim kapitulli.

 

Ana Brigaders

(Letoni)

 

Fati dhemb

Nëse fati të buzqesh vërtet

Gëzimi të shtohet e zemrën ta rrit,

Loti shkëlqen në sy, shkëlqen e tret

Ah, ç’dhembje fati, dhembje që ndrit!

 

Se kush fatin e gjen ashtu gjithkund

Ai si lule para tehit të tund:

Gjersa sodit horizontet në largësi tretur

Vdekja të pret, rrëzon kallirin e pjekur.

(Vepra “Lirika e vendeve Baltike” shtëpia botuese Shkupi, Shkup, 1999).

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat