Atentat në Paris

Libra

Atentat në Paris

Nga: Skifter Këlliçi Më: 5 qershor 2019 Në ora: 16:24
Gazeta franceze

Ora shënonte 12.30, kur Avniu la restorantitn. Pas paku ndodh në krye të rrugës “Kastilione”. Qëndroi ca. Pastaj, me hapa të ngadalshëm zuri t’i afrohej hotelit “Kontinental”. Makina e Esat pashës, si zakonisht gjatë atyre ditëve, qëndronte buzë këmbësores. Eci përgjatë saj dhe u ndodh para shkallëve të hotelit. Në hollë nuk kishte lëvizje, por përmes qelqeve shqoi Esat pashën dhe përkrah tij një grua të re që po gajasej.

Avniu shtrëngoi revolverin që mbante në xhepin e xhaketës dhe bëri tutje, pranë njërës prej kolonave me harqë, që mbulonin balloren e “Kontinentalit”.

Priti…Kaluan kështu edhe njëzetë minuta të tjera.

Ndërkohë, Esat pasha u duk në shkallët e hotelit dhe nisi t’i zbriste ato ngadalë, për të shkuar te makina që priste gjithnjë pranë këmbësores. Përreth kalimtarët e paktë nxitonin, pa u shkuar ndërmend se çdo të ndodhte ca më pas.

Diell zhuritës, vapë, zaguzhi. E tillë ishte ajo mesditë e 13 qershorit të vitit 1920.

Avniu u shkëput nga kolona pranë së cilës kishte qëndruar deri atëherë. Tani ndodhej thuajse përballë tij, përballë Esat pashës.

…Roja pranë tendës e shoqëroi me sy atë që po sillte habere valiut. Dhe ai ishte Gjoleka.Valiu e këqyri nga sytë këmbët. Edhe Gjoleka e këqyri valiun. Valiu i kishte duart të skuqura, sikur të kishte vrarë dikë dhe prej tyre të ridhnin pika gjaku…Vrasësi duhej vrarë. Gjoleka nxori koburen. Valiu deshi të ngrihej, t’i sulej. Por ishte tepër vonë…

Edhe Avniu nxori revolverin. Vetëtimthi si Gjoleka. Esat pasha shqeu sytë dhe u drodh.

U dëgjua një e shtënë. Një klithmë e çjerrë shpërtheu përmes buzëve të llagavituratë Esat pashës. Sytë e tij me vështrim të mjegulluar po humbisni çdo lidhje me gjithçka përreth tij, që valëvitej, shfigurohej, shuhej. Veçse vdekja në trajtat e një djaloshi përftohej gjithnjë e më shkoqur.

U dëgjua njëtjetër e shtënë.

 

Dërgoi Gjolekë Spanoi,

Tafil Buzit të m’i thoi,

Gjoleka s’e turpëroi,

Me të shtata e qëlloi…

 

Esat pasha lëshoi goja një rënkim që zuri të shuhej si llokoçitjet e ujërave të ndenjura. Trupii tij i bëshëm u lëkund, u mpak dhe u këput për tokë.

..Në brinjët e shekujve të zymtë, mbi të cilët shkelte atdheu, kërrusur, por kurrë gjunjëzuar, tradhtia ishte shfaqur jo rrallë në trajtat e një vogëlusheje lozanjare, ose të një gruaje fatkeqe që të ndjell mëshirë, duke fshehur kthetrat e saj të kobshme dhe të lemerishme. Por mjaftonte një grimë dhe ajo, kur nuk e prisje, t’i ngulte ato kthetra në grykë, ose, për më keq, të hidhte kupën e helmit për të të mbytur e për të të vajtuar pastaj të nesërmen me kuje, ashtu siç dinte të të vriste e të të qantevetëm ajo, tradhtia…

Avniu shtrëngoi edhe një herë këmbëzën e revolverit, thua se duke qëlluar mbi Esat pashën, po qëllonte mbi tradhtinë, që për shekuj e shekuj, duke u ngjeshur e shtrydhur si plehra të mykura, si zhele të ndotura, si fëlliqësira të neveritshme, kishte marrë përmasat e këtij pashai. Revolveri këtë herë nuk mori zjarr. Avniu e shtangoi sërishmi këmbëzën e tij, por arma edhe këtë radhë heshti.

U bë rrëmujë. Dy gra që po kalonin pranë, ia dhanë ulërimës. Të tjerë aty përreth, u hallakatën si mundën. Britma, vikama, lebetije mbuluan rrugën “Kastilione”.

-Ndihmë, ndihmë! Dikë qëlluan, ndihmë!...

Avniu u përkul tërë ankth mbi trupin e Esat pashës.

“Dy të shtëna, vetëm dy…Thua të këtë vdekur?...”.

Ai deshi të vinte dorën në gjoksin e pashait të gremisur përdhe, për të parë nëse i rrihte zemra, por ndjeu se dikush e goditi fort nga pas. Pastaj një tjetër dhe ca më pas disa të tjerë.

-Vrasës!

-Ti je vrasës mizor!...

Ktheu kryet. Mbi të u sulën sakaq edhe të tjerë, që zunë ta qëllonin ku të mundnin, në kurriz, në kokë, gjoks, fytyrë.

- Nuk jam vrasës, jam student shqiptar, - briti Avniu.- Befas m’u shfaq përballë ky, Esat pasha, tradhtar i popullit tim dhe unë nuk u përmbajta e kështu qëllova mbi të.

- Atë do ta shohim, ndaj mos bëj gëk!…

- Lëreni, nuk e shihni që ai nuk kërkon të ikë?...

- Vërtet, as që e bëri këtë përpjekje…

Dy policë e mbërthyen Avniun nga krahët dhe me forcë e shtynë përpara.

Turma njerëzish u grumbulluan tanimë në hyrje të hotelit. Policët mezi i përmbanin. Disa prej tyre e ngritën trupin e Esat pashës dhe e futën në hollin e hotelit.

-Një mjek, gjeni një mjek!- briti dikush.

U dëgjua një klithmë e mbytur.

- Gjenerali im, gjenerali im!...

-Kush është kjo? - pyeti dikush.

-Ndoshta e bija!

-Ç’thua! E njoh unë këtë. Esat pasha e kishte të dashur…Pale, ishte edhe i martuar!..

-Ç’burrështeti na qenkësh, pra, ky Esat pasha?...

Turmat e kurreshtarëve shtoheshin gjithnjë e më shumë. Policët përsëri mezi i përmbanin.

-Më lini të futmë brenda, - i tha ndërkohë dikush një polici.

Ishte Gaston Rishari, që sapo kishte arritur para hotelit “Kontinetal”.

-Nuk lejohet!

-Ju lutem, më lini! Jam gazetar i “Lë Pëti Parizienit”. Erdha këtu, sepse dua t’i marr një intervistë Esat pashës.

-Keni ardhur tepër vonë. Atij sapo i bënë atentat.

-Atentat ? Cili pati këtë guxim prej të çmenduri?- pyeti Gaston Rishari i çmeritur.

-Një djalosh nga Shqipëria.

-Ç’u bë, ia mbathi?

-Jo, çuditërisht shtjeu mbi të dhe nuk bëri asnjë lëvizje tjetër.

“ E habitshme, - tha me vete Gaston Rishari.- Ky djalosh qëllon mu në mes të ditës, pashain e Tiranës dhe nuk bën si atentatorë të tjerë, që pasi shtien, në vrimë të miut kërkojnë të futen.

-Po pse nuk ia mbathi? - pyeti dikush.

-Vërtet, në këtë zallamahi , nuk e kishte të vështirë që thembrat t’i shpine prapa kokës., - u dëgjua një zë.- Po një djall e merr vesh e përse nuk e bëri këtë…

- Po Esat pasha është gjallë? - pyeti përsëri Gaston Rishari duke kapsallitur sytë.

-Nuk e di, zoti gazetar. Plumbat e kanë qëlluar në gjoks.

Gaston Risharit thuajse nuk i besohej se ç’kishte ndodhur.

-Qenka me të vërtetë e çuditshme, - tha pastaj.

-Për ju gazetarët atentatet janë sensasionet më të mëdha…Do të keni me se ta mbushni gazetën, - ia priti dikush nga turma.

Avniun e futën në hollin e hotelit, gjithnjë nën mbikqyrjen e rreptë të policëve.

Mbi tapetin e gjerë të hollit dergjej trupi i Esat pashës.

-Ka vdekur?- pyeti Gaston Rishari, që mundi të depërtonte deri aty.

Dikush u përkul mbi trupin e viktimës. Ishte një mjek që rastësisht ishte ndodhur në rrugën “Kastilione”.

-Për fat të keq, po. Dy të shtëna nga afër i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme, - shpjegoi pastaj mjeku.

“ Ç’trim! - mendoi Gastin Rishari.- Vret Esat pashën, nuk përpiqet të humbë gjurmët, por qëndron aty ku ishte, që të presë ditën e gjykimit të tij.. Siç duket, ka ç’të rrëfejë për këtë pasha, që besonte se shpejt do kthehej sulltan në Shqipëri.

Avniu ndjeu se ankthi, që si kafshë e padukshme e kishte brejtur nga brenda gjatë atyre katërmbëdhjetë ditëve kur, hap pas hapi e kishte ndjekur Esat pashën, kudo që vinte, po tretej nga qenia e tij.

Ktheu sytë nga trupi i shtrirë i pashait.

Por ai trup tanimë ishte kufomë.

(Ky fragment është shkëputur nga romani i mirënjohur “Atentat në Paris”, (1978 dhe ribotur me 2011). Në qendër të romanit është akti heroik i atdhetarit Avni Rustemi, i cili më 13 qershor të vitit 1920 vrau në qendër të Parisit një ndër tradhtarët më të mëdhenj të historisë së Shqipërisë, Esat pashë Toptanin. I ndodhur në kryeqytetin francez, ai thurte intriga në favor të Fuqive të Mëdha, të cilat kërkonin copëtimin e vendit tonë pas Luftës së Parë Botërore dhe vendosjen e tij në krye të shtetit shqiptar).

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat