Tek “Kandili i fjalës” poezia e Xherab Rudit thërret: Kombi mbi gjithçka!

Libra

Tek “Kandili i fjalës” poezia e Xherab Rudit thërret: Kombi mbi gjithçka!

Nga: Albert Z. Zholi Më: 13 qershor 2019 Në ora: 08:32
Kopertina e librit

“Kandili i fjalës” është një libër ndryshe i autorit Xherab Rudi, një libër me proverba (fjalë të urta) aforizma dhe poezi me karakter patriotik por dhe ku i këndohet dashurisë në konceptin e gjerë.  Pra një triptik që nuk ruan një rregullsi në renditjen e krijimtarisë dhe informacionit për faktin se autori do të sjellë tek lexuesi një libër ndryshe, pa formatime statike dhe standarte, ku lexuesi do kalojë nga një gjendje emocioanale në një tjetër nëpërmjet këtyre gjinive letrare ku thyerja e renditjes sjell një emocion, një ndryshim strukturor që të bën të ndihesh i motivuar ta lexosh librin. Autori në libër përcjell tematika të larmishme, si proverbat kryesore për atdheun, vendlindjen, lirinë, trimërinë, besën, dinjitetin, punën, miqësinë, bujarinë, mirësinë, mirënjohjen, drejtësinë, ndershmërinë, të vërtetën, sinqeritetin, aftësinë dhe mençurinë, maturinë, masën, kujdesin, mirëbesimin, fjalën dhe veprën, urtësinë, fjalën e ëmbël, thjeshtësinë, diturinë, përvojën, edukatën, traditën, sjelljen dhe veprimet, zhvillimin, mënyrën e jetesës, njeriun, marrëdhëniet klasore, shtetin, politikën, psikologjinë, por mbi të gjitha heroizmin dhe rëndësinë e tij se si mund të mbijetojë një komb. Fjalët e urta (proverbat), janë fjalë ose norma të krijuara nga populli, të cilat tregojnë të vërtetat në jetën e përditshme, me anë të kuptimeve figurative, ose thjesht janë fraza të shkurtra që shprehim me pak fjalë fílozofìnë popullore (urtinë popullore). Pikërisht për këtë, ato thirren nga populli edhe fjalë të urta. Sipas historikut shkencor proverbat janë të përhapur në të gjithë botën dhe nuk ka dyshim se midis tyre hasen edhe ngjashmëri apo identitete. Megjithatë, çdo popull ka proverbat e tij, të ndërtuara sipas psikologjisë dhe përvojes së tij jetësore, filozofike e historike. Nganjëhere është e lehtë të caktohet pak a shumë një moshë për një proverb të caktuar, por në më të shumtën është e vështirë aq më tepër që në rrymën e kohës, proverbat edhe evoluojnë e mund të marrin edhe trajta disi të ndryshme që i përshtaten kohës, aktualitetit zhvillimimeve në të gjitha fushat e jetës. Në shumë fjalë të urta apo proverba shqiptare ka edhe turqizma që nuk duhen mohuar por as duhen shmangur pasi prania e turqizmave mund të jetë dëshmi e moshës pasi të tillë proverba mund të kenë lindur gjatë ose pas pushtimit otoman të Shqipërisë, por kjo nuk largon mundësinë që këto proverba të kenë lindur më parë e më pas dhe të kenë pësuar këtë transformim të lehtë që nuk prek brendinë, por vetëm anën e jashtme dhe që kanë rëndësi studimore për gjuhën tonë. Sipas historikut të lëvrimit proverbat hasen në formën e një vargu apo të dy deri tri vargjeve si edhe në formën e një fraze në prozë. Është mirë, ndërkaq, që të mos ngatërrohet proverbi me shprehjen popullore, mbasi proverbi, veç të tjerave, ka një kuptim të plotë në vetvete, ka më shumë filozofi dhe letërsi kurse frazeologjia është një shprehje që e merr kuptimin kur lidhet me një frazë tjetër, bëhet pjesë e kësaj fraze, mbasi në vetvete nuk është e mbaruar si frazë. Kjo parantezë bëhet për lexuesin që të marrë në konsideratë sa më sipër por dhe të bëjë dallimet e krijimtarisë së autorit. Në këtë libër përveçse sa më lart, autori është munduar ti shmanget tërësisht fjalëve të huaja, ndikimit të porverbave të huaja në gjuhën shqipe, ku edhe pse ka shumë proverba të huaja shqipërimi është bërë korrekt për të përcjellë sa më bukur çdo huazim që ti përshtatet kohës, gjuhës sonë të bukur, realitetit që jetojmë. 

Tashmë jemi të vetëdijshëm se proverbat shqiptare janë të pasura me mendime dhe shprehin përvojë të gjatë. Ata janë përhapur në tërë kombin,  pasi proverbat flasin për dukuri dhe situata të ndryshme në jetën e njeriut. Në to shpaloset qartë filozofia e popullit dhe ne gjejmë në to vlerësime për shumë dukuri e anë të jetës. 

Edhe në këtë libër modest proverbat janë mësime të vërteta jetësore ku për të njëjtën dukuri mund të hasen vlerësime të ndryshme, madje edhe të kundërta me shumë proverba të tjera. Ndaj ato nuk mund të paragjykohen. Secili ka botëkuptimin dhe këndvështrimin e tij të preceptimit të situatave, gjarjeve dhe evolimit që sjell koha. Ndryshimet në krijimtari të tilla vijnë nga fakti se proverbat janë krijuar nga njerëz të shtresave të ndryshme dhe për këtë nganjëherë është e vështirë të shmangen ndryshimet. Sidoqoftë ka proverba që flasin për jetën, për dukuri shoqërore për natyrën e njeriut, për cilësitë dhe të metat e tij, për natyrën, për familjen, për detyrat e secilit të para me zërin e kohës dhe virtytet dhe zakonet e kombit tonë. Çdo proverb në këtë libër lidhet vetëm dhe vetëm me kombin. Struktura e ndërtimit të librit nuk është klasik, ai nuk është si ai i mbledhësve të folklorit që i renditin ato duke i ndarë në grupe sipas tematikës që ato trajtojnë. Kështu veprojnë një pjesë, ndërsa një pjesë tjetër i rendit sipas rendit alfabetik (duke marrë për bazë fjalën e parë). Autori e ka thyer këtë tabu pasi duke qënë se proverbat nuk mund të kufizohen nga ana tematike, mbasi përdorimi i tyre në praktikë nuk njeh tematikë stabile dhe praktikisht përshtatet në mënyrë figurative për shumë situata e dukuri të ndryshme, ai i ka sjellë proverbat dhe peozitë sipas kohës që i ka krijuar. Përsa u përket formave të proverbave mund të përmendim vargun e  thjeshtë të rimuar. 

Në të gjitha këto rastet, vargjet dhe sidomos rimat, janë mjete mnemoteknike (që shërbejnë për kujtesën, për t'i mbajtur mend) ndaj dhe autori i ka përcjellë në këtë stil për më thjeshtë. Sidoqoftë është me vend të themi këtu që zakonisht me anë të rimës (qoftë kjo edhe e brendshme) vihen në dukje fjalët më të rëndësishme, ato që bartin idenë e proverbit dhe mesazhin e tij. Ka disa proverba ku vendin e rimës e ka  zënë aliteracioni, kjo jo vetëm në proverba që kanë formën e vargut po edhe në ato që kanë formën e një fraze në prozë. Formë tepër e përdorur është ajo e pyetjes. Por herë-herë proverbi ka formën e një morali fabule.apo të një forme e një rregulle jete apo të një neni të kanunit të kombit tonë. Në krijimtarinë e tij autori është bazuar tek pasuria e fjalëve të urta popullore që është tepër e gjerë dhe tepër e larmishme. Nuk ka aspekt të jetës së popullit, s’ka qoshe të mendimit e të psikologjisë së tij, ku të mos ketë depërtuar drita e fuqishme e syrit të mprehtë dhe e mençurisë së proverbit. Duke e parë me këtë sy autori me anën e proverbave shtron dhe zgjidh probleme që i kanë dalë në jetë dhe që e kanë shqetësuar në jetë ku ai është përpjekur të depërtojë në thellësinë e tyre, t’i ndriçojë nga të gjitha ato anë që paraqesin interes për të.  Parë me këtë sy këto proverbat në këtë libër kanë krijuar një varg tematikash rreth problemeve, fenomeneve, situatave, që plotësojnë njëri-tjetrin dhe, në tërësinë e tyre japin mendimin për ato probleme që trajtohen në gjithë gjerësinë e thellësinë e tyre. Këto përbëjnë në vetvete edhe një ndihmesë të çmueshme në fushën e pedagogjisë popullore, në fushën e edukimit popullor, pasi ato janë vlera e dijes dhe e aftësive intelektuale të njeriut, apo burimi i dijes dhe  dituria është një armë e domosdoshme në luftën e jetës, ajo është më me vlerë se pasuria, është burim mirëqenieje e mbarësie në jetë. Dituria është vetë dinjiteti njerëzor. Në këtë kontekst autori në shumë fjalë të urta përcjell njëfarë talljeje dhe ironie për ata që kanë mangësi intelektuale dhe hiqen si profetë dhe këtu ai ndalet më shumë tek politikanët. Dija është e gjerë, e pafund, prandaj njeriu duhet të mësojë vazhdimisht, tërë jetën thekson autori. Ndaj, pasi e lexon këtë libër të thjeshtë në dukje por me një përmbajtje të thellë mëson se  dituria s’ka fund dhe se dija fitohet me mund e vështirësi, por është dhe mbetet udhërrëfyesja më e sinqertë në jetë. Por specifika   dhe thelbi i moralit të këtij libri është atdhedashuria. “Dashuria për atdheun ia kalon çdo dashurie tjetër”- ka thënë Marin Barleti. Ndaj autori sjell para lexuesit kujtesën historike  se shqiptarët që herët kanë qenë të ndërgjegjësuar për atdheun, e kanë pasur të qartë përkatësinë e tyre etnike, e kanë shfaqur me dashuri e krenari si dimensionin kryesor të shpirtit të tyre, e kanë ndjerë me dhembje, i janë përkushtuar me dëshirë, kanë jetuar dhe kanë luftuar me idealin e atdheut në gji, por sot ky virtyt është zbehur. Politikanët shqiptarë e kanë larguar nga vetëdija këtë aset shpirtëror të përjetshëm ndaj ne duhet sot më tepër se kurrë ti themi ndal politikave ç’kombëtarizuese me moton: Kombi mbi gjithçka!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat