Në Tiranë përurohet libri “Lindja e një demokracie”

Libra

Në Tiranë përurohet libri “Lindja e një demokracie”

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 21:18
“Lindja e një demokracie”

Sot në Tiranë u përurua libri “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”, i autorit francez Jacques Baudouin.

Libri i shkruar nga shkrimtari francez, është botuar edhe në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, ndërsa parathënien e ka shkuar ish-kryeadministratori i Kosovës dhe ish-ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, këshilltar i të cilit ishte autori i librit.

Në referimin e tij, Profesor Pëllumb Xhufi pohoi se autori i librit e vendos fokusin e analizës së tij në vitin 1987 – 2008, kur Kosova dhe populli i saj përshkruan një cikël të tërë historik, gjatë të cilëve nga një vend i pushtuar dhe popull të rrezikuar, u shndërruan në një shtet të pavarur dhe në një popull të lirë.

Xhufi: Autori e vendos fokusin e analizës së tij në vitin 1987 – 2008

“Libri “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës 1987-2008”, rrëfen historinë e jashtëzakonshme të Kosovës dhe popullit të saj, në kapërcim të shekujve XX dhe XXI. Autori e vendos fokusin e analizës së tij në vitin 1987 – 2008, kur Kosova dhe populli i saj përshkruan një cikël të tërë historik, gjatë të cilëve nga një vend i pushtuar dhe popull të rrezikuar, u shndërruan në një shtet të pavarur dhe në një popull të lirë. Por brenda kësaj periudhe gati 10 vjeçare, autori i librit veçon historinë dramatike të vitit 1998 – 1999, një histori e pa precedentë, ku me një ritëm marramendës ndodhën zhvendosje dhe përmbysje epokale, dhe u realizuan procese historike, që në kushte normale do kishin dashur dekada, e ndoshta shekuj”, tha  Xhufi.

Xhufi po ashtu pohoi se opinioni ndërkombëtar e përjetoi si një zhvillim të papritur faktin që nga fundi i viti 1997 në Kosovës shfaqen hapur shenjat e një rezistence ndryshe, e një rezistence të armatosur, e të mirë organizuar.

Xhufi: Kjo forme e re e qëndresës bëri të përfshiheshin faktorë të tjerë të huaj

“Kjo forme e re e qëndresës bëri të përfshiheshin faktorë të tjerë të huaj, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO, të cilët ndryshe nga komuniteti qellim mirë i Shën Egjidios, i premtonin luftë shkaktarit të tragjedisë kosovare,  regjimit gjakatar të Millosheviçit. Në pak muaj, pra kishte ndodhur mrekullia dhe në rendin e ditës ishte shtrua as më shumë e as më pak, se çlirimi i Kosovës nga prangat qindvjeçar i sundimit serb”, tha ai.   

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi theksoi se brezi i tij është rritur me ngjarjet që shënonin represionin serb mbi Kosovën, si demonstratat e vitit 81, heqja e autonomisë së Kosovës më 1989,  helmimet e fëmijëve në 92, represionet dhe masakrat në vitin 98 dhe se fundi dëbimi i plotë i shqiptarëve nga Kosova më 1999, do të arrinte në një ditë, si ajo e 17 shkurtit të vitit 2008, që do të përjetonte dhe shikonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Koçi: Luhet fati i një populli të vogël

“Duket sikur Fushë Kosova dhe Kosova kthehen në një skenë tragjedish shekspiriane, ku luhet fati i një populli të vogël, mes gjithë këtyre personazhe politik evropianë, shfaqet edhe presidenti i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, që me staturen e një studenti të epur për arsim, kulturë dhe identitet për shqiptarët, gjënë metaforën e lirisë të plasuar në historinë e Drenicës dhe të pothuajse të çdo familje shqiptare në Kosovë”, tha Dr. Koçi.

Kurse Autori i librit, Jacques Baudoin tregoi për arsyet që e kanë shtyrë dhe e kanë bindur të shkruaj këtë libër, dhe ato lidhën me vizitën e parë që kishte në Kosovë në vitin 2007 me ish-ministrin Bernard Kouchner.  

Baudoin: E kuptoja që lidhja e tij më Kosovën ishte shumë e veçantë

“Emocioni i Zotit Kouchner ishte i dukshëm, ishte shumë i fortë, kur rizbulonte, kur rishikonte ato peizazhe që i kishte dashur aq shumë dikur dhe kur ecnim nëpër rrugët e Prishtinës e shikoje se sa i lumtur ishte. Unë e dija se ai kishte ushtruar në këtë vend, njërin nga misionet e tij më të rëndësishme, atë të përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Kofi Anan. Unë e dija se misioni i tij kishte qenë shumë i vështirë, shumë delikat, por siç thotë edhe ai në parathënien e librit, ‘nuk kam qenë ndonjëherë më shumë i lumtur, se sa kur kam qenë në Kosovë, sigurisht i frymëzuar nga dy bindje, që në të vërtetë përbëjnë një të vetme, humanizmi dhe politika’. E kuptoja që lidhja e tij më Kosovën ishte shumë e veçantë dhe shumë speciale dhe këtë e kuptova kur ai shkëmbeu një përqafim miqësor me zotin Thaçi dhe e kuptova, se ajo që kishin shkëmbyer këta dy burra, ishte diçka e jashtëzakonshme. Interesi im për Kosovën u lind pikërisht në atë moment dhe u konfirmua kur u shpall pavarësia e Kosovës para dhjetë viteve nga zoti Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër. Dhe pikërisht ky akt ngjalli reagime agresive nga ana e Vladimir Putinit dhe gjithashtu nga ana e disa komentatorëve francezë, të cilët e konsideruan këtë si një precedent të rrezikshëm”, tha autori i librit.

Shkrimtari Behar Xhoka ia ndau Çmimin special për autor të huaj nga Shoqata e Botuesve të Kosovës të Panairit të 21-të i librit, autorit Jacques Baudoin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat