“Dritare me pika loti” libri i Bukurie Binjakut i shkruar me penë loti

Libra

“Dritare me pika loti” libri i Bukurie Binjakut i shkruar me penë loti

Nga: Albert Z. Zholi Më: 27 qershor 2019 Në ora: 19:28
“Dritare me pika loti”

Libri i ri i poetes Bukurie Binjaku, “Dritare me pika loti” është një libër i shkruar me gjuhë zemre përmes një realiteti të dhimbshëm por dhe shume emocionues. Larguar nga Elbasani i bukur për në Greqi, për një jetë më të mirë, autorja në këtë libër përmes shumë figurave letrare si hiperbolave, krahasimit, metaforave, sarkazmës, etj, sjell para lexuesit një libër sikur të jetë roman jetësor.

Dëshirat e rinisë, ëndrrat për mësimet dhe universitetin, jeta e vështirë në fshat, dëshira për të mësuar më shumë, realiteti i dhimbshëm, largimi i detyruar, ëndrrat e lëna në mes, ndarja nga të afërmit, njohja me një realitet krejt ndryshe, jeta në emigracion, malli për atdheun, vështirësitë e jetës në emigracion, familja, fëmijët, puna, lidhja me atdheun, problemet e përditshme, legalizimi, problemet e përditshme sociale, racizmi, dëshira për krijimtari, personaliteti, dhe kërkesat e kohës janë shtysa e krijimtarisë së saj. E dashuruar me poezinë që në fëmijëri, autorja gjithmonë kërkon nga vetvetja, lexon, krijon, gjurmon dhe çdo problem, gëzim, shqetësim, zhvillim apo dhe ngjarje në atdhe apo në botë, ajo e përcjell në letër plot ndjenjë dhe përgjegjësi.

Në libër do të lexoni poezi nga më të ndryshmet, me një tematikë të gjerë, të larmishme, ku autorja më shumë i mëshon problemeve sociale, atyre që vështirësojnë jetën duke u bërë promotore e përcjelljes së mesazheve njerëzore. Ndryshe nga shumë poete që rrënjën e poezive e gjejnë tek dashuria intime, Binjaku në këtë libër është ndryshe, ajo ka fare pak poezi të tilla, por ka poezi dashurie të një natyre tjetër. Ajo hyjnizon dashurinë për prindërit, të cilët i përcjell si hyjnor, që gjithë jetën ishin përpjekur të rrisin një vajzë të edukuar, arsimuar. Jo më kot në vargjet për babanë, ajo me një sëmbim të madh zemre shpreh respektin e madh për të që dhe në çastet e fundit mendjen e ka te familja, fëmijët, tek jeta e tyre.

Në libër analizohen dashuritë në format e ndryshme të saj, për prindërit, për fshatin, mësimet, të afërmit, atdheun ku fëminija dhe të afërmit e autores, kanë ngjarje të ndryshme nga jeta e saj në emigracion, ku tregohet se ishte një e shkuar e vështirë që e ka kaluar dhe ku tashmë vargëzon një të ardhme të projektuar ndryshe. Në poezitë sociale ka lidhje dhe me politikën e mbrapshtë shqiptare në vitet e demokracisë së mbrapshtë. Një herë duket si bashkësi e monologut dhe dialogut të brendshëm, ç’ka të jep përshtypjen e një pjese teatrale me bashkëbisedime me vetveten dhe me të tjerët, ku të tjerët janë ata që shkaktojnë ngjarjen, veprimin, sjelljen e gjithçka tjetër, të reflektuara këto në çdo poezi, strofë apo varg. Një herë duket se ky vëllim është si një ditar i autores ku pena e gjithë lëvizshme e saj mundohet të kap edhe çastet më të vogla të jetës, impresionet që të lë shiu, nata, yjet, prindërit, puna, shoqëria, largësia, atdheu, kujtimet e së shkuarës…

Një herë duket se ky vëllim është si një roman monografik, ku autorja i shkruan letra vetes dhe gjithë secilit që ka marrë pjesë në rrugëtimin e saj, në ditë të mira dhe të këqija, më çastet e gëzueshme e çastet e të trishtimit, në kujtimet që ngjallin ngazëllime e në ato që kanë lënë shijen e hidhur të papritur apo të pritur…

Duke qenë se në libër ka një mozaik poezish të ndara që pasqyrojnë jetën në detajet e saj njëkohësisht është dhe një e tërë, një bashkësi vargjesh me lidhje të brendshme reale dhe virtuale ku duket sikur poezia merr udhë, dhe sjell pamje të lëvizshme sa imagjinare po aq dhe natyrale. Në libër ajo nxjerr natyrshëm në pah se të jesh grua është diçka e madhe, përgjegjësi e madhe, ndaj ajo thekson se gratë do dëshironte ti shihte të forta, me shumë vullnet për jetën dhe të fuqishme për problem e shumta që nxjerr jeta.

Tek poezia “Dritare me pika loti” që shërben dhe si titull i librit autorja shprehet:

Poetit zemra po i qan,

Ç'të shkruajë më parë?!

Fshehur lotët, në dritare,

Mos i humbë, drita fare!

 

Dritare, ty do të vijë dita,

Kur bilbili aty të këndojë,

Dielli rreze do të lëshojë,

Zoti lart do të të bekojë.

Një monolog i brendshëm që vjen si një thirrje shqetësuese për vetë poeten. Dritarja gjithmonë është vendi ku poeti mediton, shikon, hulumton, kërkon, frymëzohet dhe merr nxitjen për të vargëzuar. Në dritare poetja vajton për emigrimin, problemet, fsheh lotët, kujton këngën e bilbilit. Mes vuajtjesh dëshiron që kjo dritare të shërbejë si thirrje për poetin që të përcjellë vargje miqësore, mirësie, dashurie, që bilbili të fillojë këngën dhe brengat e poetit të shuhen. Në libër shikohet një letërsi me motive artistike, që është në funksion dhe në lidhje të thellë me traditën poetike të vendit të saj. Ndaj, disa poezi në këtë vëllim përcjellin Atdhedashurinë e madhe, zjarrin e brendshëm dhe mallin për tokën, flamurin, të rënët, ata që e lartësuan këtë vend shqiponjash. Kushdo që ka qenë në mërgim vë re qartë se, vargu i këtyre poetëve ka në brendinë e vet një ndjenjë dashurie të rrallë, të virgjër, të pastër, emocionuese ku në subjekt dëshmohet thellësia e rrënjëve të atdheut që lidhet me thellësinë e shpirtit të poetit të skalitura mbi përmendoren e vargjeve.

Këto vargje melodioze duken si një simfoni Bethoviane të skalitura me një mjeshtri hyjnore, ku portretizohen ikonat legjendare të kombit sikundër është Skënderbeu. Me një pastërti shpirtërore e artistike të admirueshme, ajo jep me penë të ndjeshme dëshmorët që me dashurinë sublime të shenjtë dhanë jetën për atdheun, ndaj ata sot janë në altarin e pavdekësisë dhe vepra e tyre këndohet në ninullat e gjysheve tona në djepa që farkëtojnë shpirtin prush të shqiptarit. Liria e atdheut për poeten është kërkesa më e madhe shpirtërore që nuk këmbehet me asgjë. Poetja duke vlerësuar heronjtë dhe dëshmorët, i shkruan universales duke i gdhendur personalitetet me majën e lapsit dhe me butësinë dhe mençurinë e shpirtit në mënyrë shumë korrekte dhe reale. Në disa poezi autorja nuk mund të rrijë pa kritikuar ashpër politikën e mbrapshtë shqiptare të viteve të fundit. Ajo i quan ata politikanë si e keqja e kombit, arsyeja pse shqiptarët marrin rrugën e mërgimit, pasi nga keqqeverisja, nga makutëria e vjedhjes, nga korrupsioni, hatëret, tarafet njerëzit nuk gjejnë vetveten dhe detyrohen të mërgojnë.

Për më tej, sa më thellë që hyjmë në brendinë e vargjeve poetike, gjejmë strofa të veçanta, mbi përjetimet e vështira të kombit dhe poetit, ku hyjnizohet populli punëtor dhe liridashës i cili i bën rezistencë politikës dhe tradhtisë si shkëmbi valëve të pa mëshirshme dhe furtunave të detit në çdo stinë. Nga këto poezi del qartë se poezia e krijuar në mërgim ushton me moton e madhe për atdhedashurinë dhe se të bëhesh poet nuk është diçka e lehtë, pasi duhet të kesh ardhur në këtë botë me dhunti për të shkruar, me dhunti për kapjen e mendimeve të shpejta të tjerëve, për t´u shprehur dhe për t´u thënë të tjerëve atë që e ndjenë ndryshe nga ata por që kanë një pikëpamje për dashurinë për atdheun.

Në këtë vepër poetike të shkruar me prushin e zemrës autorja jep një mesazh të fuqishëm dhe me penë të valëzuar përmbys zhgënjimet, zhvesh fytyrat e politikanëve hileqarë, thumbon veset e shëmtuara në shoqëri, zgjon ëndrrat e së ardhmes për shqiptarët në emigracion dhe mbi të gjitha, ringjall shpresat e shpirtit të njerëzve se një ditë Shqipëria do të bëhet. Do të bëhet se ka si idhull figura të shquara si Skënderbeu, Ismail Qemali, dhe me vargje gërsheton idenë e bashkimit, Shqipëri-Kosovë-Çamëri, unitetit kombëtar ku etikja, moralja e ndërthurur me bukurin e mendjes dhe të shpirtit, janë një kushtrim rinie që Shqipëria do të lulëzojë dhe mbretërojë. Për këtë autorja është optimiste.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat