Prekë Pjetër Cali (1872-1945) dhe historitë e pavdekshme të bacës së Kelmendit

Libra

Prekë Pjetër Cali (1872-1945) dhe historitë e pavdekshme të bacës së Kelmendit

Nga: Klajd Kapinova Më: 28 qershor 2019 Në ora: 10:04
Prekë Pjetër Cali

Malësia e Madhe kishte dhënë kushtrimin Antikomunist dhe Kelmendi ishte në ballë të kësaj rezistence me në krye Prek Calin

Familja

Në afërsi të Lezhës dhe jo larg Shkodrës, në Malin e Jushit (Rranzat e Bushatit) në një shtëpi të thjeshtë malësore babait Pjetër e nënës kreshnike Rudes, u lindi fëmija i parë “familjari bujar, piramida e kufirit shqiptar, krenarie e Këlmendit dhe e Malësisë së Madhe, atdhetari i zjarrtë, Martiri i Demokracisë: Prek Pjetri (Cali) Hasanaj.” (Pjetër Kola Lajçaj, ‘Kumtesë mbi monografinë e Prek Calit’, Revista KUVENDI, E përmuajshme kombëtare, informative dhe kulturore, Shkurt, 2005, Michigan, USA, f. 65-73).

Familja e re Cali (Hasanaj – Selmanaj), kishin pasur një vajzë e tre djem. I pari ishte Preka, Toma, që nuk e pati jetën e gjatë, mbasi si fëmijë u mbyt tek po lahej në ujërat e ëmbla të lumit fushor Buna. Një tjetër fatkeqësi, rëndon familjen Cali, moshën 21-vjeçare, djali i tretë, me armë zjarri aksidentalisht humbet jetën. Motra e vetme e Prekës, Lula, u martua, kur u rrit në Rapsh të Hotit me Syn (Gjelosh) Mashin.

Prekë Cali, si fis i parë vojvodë në Selcë nga 12 lagjet e këtij vendi, duke pasur edhe kryet e vendit në Kelmend.

Bjeshkët e këtij fisi, duke qenë e kufizuar me Kuçin (trevë ilire) sot si pjesë e Malit të Zi, përherë u takonte barra më e rëndë në mbrojtje të tokave të të parëve.

Të parët e fisit, sikurse ishin edhe trimat e anashkaluar në histori, si: Memi i Smajlit, Turk Isufi, Ujk Isufi, axha (ungji) i Prekë Calit Ucë Turku (vojvodë i Selcës), Dedë Shabani, Dul Doshi dhe djali i tij i pashëm Kir Duli, Nikë Turku, Gjokë Nikë Selmani, Marash Mark Selmani etj., të cilët, gjithnjë janë përleshur flakë për flakë me synimet shoviniste të kuçasve malazias.

Ata me përkrahjen e Perandorisë Ruse, kërkonin të gllabëronin tokat arbërore si Vermoshin, Vuklin e Nikçin, sëbashku me bjeshkët e tyre të përmendura…

Preka nga shtati ishte shumë i gjatë e i pashëm. Ata që e kanë njohur nga afër thonë, se kishte shpatulla shumë të gjëra, kraharor të zhvilluar, trup vigan plot enërgji, fisnik në shpirt, i matur në fjalë dhe veprime, gojëtar i pashoq, në kuvende e oda burrash.

Ai pushkën e kishte një shok të pandarë, që nuk e hiqte asnjëherë nga dora. I pëlqente të vishej me rrobat tradicionale të malësorit çakshirë, xhamadan, jelek dhe kapic të bardhë mbi flokë, alltinë turke dhjetshe (me 10 fishekë) të veshur me argjend në brez dhe një grumbull vargjesh të argjentë varur.

Tek Preka, mbi të gjitha spikatën virtytet pozitive tradicionale të malësorëve, të cilat i reflektoi në marrëdhëniet e përditshme mes miqve e shokëve.

Deri në moshën 30-vjeçare asnjëherë nuk synonte të dilte përpara vojvodëve dhe as krerëve të tjerë, që ishin më të moshuar se ai.

Kjo është një edukatë e vlerë fisnike e malësorëve tanë, e transmetuar brez pas brezi në oda e kuvende burrash.

Ishte zemërbutë e i afër për miq e dashmirë të vet dhe të atdheut. Luan i vërtetë në fushën e betejës. Gjithmonë i pari, aty ku ishte fronti më i vështirë, aty ku dërdhej gjaku i flamurit e trojeve të shenjta të atdheut.

Bashkëluftëtari Marash Mali, kujton: “Ucë Turku, bisedonte shumë herësh në veçanti me Prekën. Ai kishte krijuar përshtypjen se ai kishte shumë cilësi, pothuaj të rralla, që e naltësonin dhe nderonin përsonin e tij në të ardhmen, sidomos për çashtjet patriotike, por asnjiherë nuk ia thonte këto.”

Ai ishte i martuar dy herë, me gruan e parë Dranden jetoj shumë pak, sepse ajo vdiq e re, nga sëmdja më e përhapur e kohës në Malësi, që ishte tuberkolozi, duke i lënë një vajzë të vetme Agen në moshën 4 vjeç.

Kurse nga martesa e dytë me Pashë Prekën, nuk pati fëmijë. Sikurse dihet Pashka, vinte nga dera e patriotit e luftëtarit të shquar Gjekë Selcës.

Pas pushkatimit të kryetrimit kelmendas, u detyrua të braktisë kullën në Vermosh, të cilën e përvetësoi pa të drejtë regjimi, për nevoja të veta ushtarake.

Pashkja, mundi të gjente strehim në shtëpinë e malësorit Dak Lucit, gruaja e të cilit Gjystja, ishte mbesa e Prekë Calit, ku, qëndroj për shumë vite deri sa mbylli sytë në fund të viteve ’60.

Në Konferencën e Londrës të vitit 1913, Fuqitë e Mëdha të Europës, vendosën arbitrarisht kufijtë mes pjesës veriore të Shqipërisë e shteteve kufitare: Mali i Zi (Malësia) e Serbisë (Dardania).

Marash Mali, sërisht kujton vendosmërinë e Prekës për çështjen e kufijve, duke iu dretjuar Komisionit, që kishte dalë në terren e po verifikonte kufijtë: “…Shtetet e Mëdha dhe ambasadorët e tyne, Komisioni Qendror i Kufijve edhe deri Gjykata e Hagës, Native American i ka njoftë si toka shqiptare. Ju si amanetqarë të Misionit, që keni marrë përsipër jeni tue e shpërdorue. Ato zhgarravina në hartë nuk i njofim. Me ne, nuk ka mujtë me luejtë as ushtria e Sulltanit turk. Këto troje i kemi larë me gjak, gjatë gjithë shekujve, kundra atyne që deshtën të na i marrin. Edhe sot luftarët e Kelmendit, janë gadi të vdesin për trojet e veta, ashtu si dikur të parët e tyne. Prandaj ndigjoni fjalët që po ju them: Mos kërkoni të luani me kufijtë tanë, që janë aprovue se është tokë shqiptare, përndryshe… Mendohuni mirë se atë majë nuk e kaloni lehtë!

Njeni nga të Komisionit tha: “Zotni Cali, për pak çaste Komisioni don me bisedue mes vedi.” Ata u larguan në nji anë dhe nuk qëndruan shumë. Meqenëse i kuptuan intrigat e përfaqësuesve jugosllavë, vendimin e morën shpejt. Kur u kthyen njeni prej delegatëve iu drejtue Prekës, duke i folur: “Zotni Cali, Komisioni, vendosi që ju bashkë me shokët që ju shoqërojnë t’i prini Komisionit, duke e shkel terrirorin tuej që keni pas me fiqnjët.”

Mjerisht Brada e Vezirit mbeti jashtë kufijve, se ishte tepër në thellësi të territorit jugosllav. Ajo ishte pronë e shkrelasit Gjon Nik Sykut, njeni nga familjet e njohuna shkrelase me banim në Breg të Matës. Ai çdo verë dilte në atë bjeshkë me kopenë e madhe të bagëtive, me autorizim të autoriteteve malazeze.”

Popullariteti i Prekë Calit, ishte i padiskutueshëm

Emri me veprën e tij mbushur me atdhedashuni, u bë simbol qëndrese, për malësorët, që e mbështetën, mbasi e deshtën me gjithë zemër. Popullariteti i Prekë Calit, ishte i padiskutueshëm. Ja disa pasazhe përshkrimi, të kryetrimit azgan:

“Bile, ai qe i vetmi malësor, që u bë i njohur deri në selitë e krajlive europiane. Ndue Gjon Smajli, një plak shumë i vjetër kelmendas, i cili në vitet shtatëdhjetë ishte akoma i gjallë, kishte qenë njeriu më i afërt i Prekë Calit në veprimtarinë e tij për çështjen e kufijve veriorë. Ai më pati folur edhe për një dokument identiteti të Prekë Calit, të firmosur dhe vulosur nga shtatë krajla. Sipas këtij dokumenti, Prekë Cali konsiderohej njeriu i paprekshëm nga shtatë krajlitë. Një lloj imuniteti i veçantë, që zor ta ketë pasur ndonjë shqiptar tjetër. Mbase ishte pikërisht ky imunitet, tek i cili besonte Prekë Cali, që e shtyu të dorëzohej i gjallë, pas dështimit të Kryengritjes së Kelmendit.” (Spathari, f. 93).

E Preka, lëshoi kushtrimin ndër malësorë, se “gjallë a vdekun” tokat shqiptare si amanet brezash, do t’i ruaj përmes tytës së ngrohtë të pushkës. Malësia në mote, ka mbrojtur trojet me dinjitet e krenari nacionale. “Vendasit ndër shekuj, kanë shkruar historinë me gjak arbëror, me një betim solem të quajtur ‘tabe’, që do të thotë besëlidhje e qëndrueshme, me moton: “Besa e Zotit, është besa e burrave, për Nder-Atdhe-Besë e Fe”.

Lidhja e Shkodrës, e organizuar mes maleve më 13 maj 1944, erdhi si imperativ i kohës, kundërpesh e çerdheve me gretha të frontit komunist, që ishin krijuar (si kërpudhat pas shiut), për të ardhur në pushtet me krime e mashtrime ideologjike.

E gjithë programi konkret nga fraza e parë dhe deri tek e fundit, përshkruante vendosmërinë luftës deri në fund ndaj komunizmit si terror i zi, nami i së cilës kishte marrë dhen si epidemi, e po synonte të trokiste drejt Veriut të Shqipërisë.

Pjetër Smajlaj me banim në New York, sjell nga kujtesa episode, që i ka rrëfyer babai i tij Kolë Pjetër Smajlaj me miq, që kanë bujtur shpesh në familjen e tyre bujare.

Preka, gjithnjë ka qenë i veshur me kostumin popullor tradicional të Kelmendit, me ornamentet e qendisura me kujdes nga vendasit.

Ai, asnjëherë nuk e ndante nga brezi koburen e argjentë, që ia kishte dhuruar Mbreti Ahmet Zogu I. E pinte shumë duhanin e fortë të Sheldisë me çibuk.

Mendimi i tij visar, përparimtar e i guximshëm, dallohet për mprehtësi e logjik të shëndosh në bashkbisedimet me të huajt e bashkatdhetarët e çdo krahine të Shqipërisë.

Ai me Malësi, ka zbatuar me ndërgjegje normat ligjore kanunore, që buronin mirëfilli nga ‘Kanuni i Lek Dukagjinit’.

Kanuni, mori emrin e Lekës si Princ i Veriut të Shqipërisë. Ai ishte mik i Gjergj Kastriotit, rival dhe zot i zonave të kufizuara me Kryetrimin e Krujës, që pas vdekjes së Gjergjit, për 10 vjet (1467-1477), rifilloj luftën kundër ushtrisë së Perandorisë turke.

Ky ligj (Kanun), është një kompleks parimesh, ligjesh, normash, zakonesh, me të cilat rajoni malor është qeverisur gjatë, në epokën kur turqit zotëronin drejpërdrejt në pjesën tjetër të Shqipërisë. Për zbatimin e tyre, ka vendosur populli i krahinës…

Preka, ishte e mbeti më i dëgjuari e i respektuari në kohën e vet në viset e Veriut. Ende sot, flitet e shkruhet me respekt nga autorët e rinj, që me dokumente autentike po venisin helmin e historisë deformuesve të kohës së absurdit totalitar.

Kjo për më tepër, duket në stimën e lartë, që shfaqin kelmendasit dhe në tërësi e gjithë Veriu i Shqipërisë, shqiptarët në Mal të Zi e Dardania martire.

Preka dhe Kelmendi

“Pusho kangën o zogu i malit,

Se po të dëgjon Memi i Smajlit”

 

Kelmendi, shkruan studiuesi e publicisti malësor Ndue Bacaj, në gazetën nacionale ‘Shqipëria etnike’ (Shkodër, 2004), nuk është shkelur nga asnjë këmbë italiani apo gjermani. Treva e lavdishme, nuk ka arritur të pushtohet asnjëherë nga ushtritë e huaja.

Edhe sot, ekziston shprehja malaziase, për stërgjyshërit e Prekë Calit: “Pusho kangën o zogu i malit/Se po të dëgjon Memi i Smajlit”.

Dhe është Prekë Cali, që ka kundërshtuar vendimet e qeverive të mëdha, që kanë qenë në dëm të Shqipërisë e trojeve tona.

Ishte ai, dhe vetëm Prekë Cali, që apeloi vendimin e marrë prej tyre, që kufiri i vendosur nga Bishti i Krajës, Ura e Përroit të Thatë, Qafa e Grishajve, Thana Binoke në Shkrel, Qafa e Terthores të zhvendoset dhe fitoi kufirin e sotëm ekzistues me Malin e Zi.

Prandaj, 820 partizanëve sllavo serb, sulmuan kështjellën e tij në Vermosh, tre muaj para se të “çlirohej” Shqipëria.

Ai u tërhoq nga Vermoshi e u vendos me shtabin e tij në Vukël. Serbo sllavët, u larguan pa kryet e Prekë Calit, por të fituar nga ana e tjetër, sepse dy brigada shqiptare të shtetit amë luftonin gjoja për “çlirimin” e Kosovës.

Me ardhjen në pushtet të qeverisë së Mbretit Ahmet Zogu, ai herë pas here bën kërkesa dhe proteston pranë qeverisë, për të ngritur zërin për Vermoshin, pranë organizatave ndërnacionale.

Në këtë kohë, përplaset Prekë Cali me Ahmet Zogun, mbasi ai ishte përkrahës i forcave të opozitës asokohe.

Pas rënies së qeverisë së Fan S. Nolit, qeveria monarkiste, Prekën me disa të tjerë i internuan burgun e kalasë së Gjirokastrës.

“Lirimi i Prekës, nuk ishte i rëndomtë. Qytetarët e Gjirokastrës, në sheshin e qytetit e përgëzuan me urime e ngrohtësi njerëzore, si të parakalonte një mbret. Preka, përmes gazetave, që e kishin intervistuar, falënderon për së tepërmi qytetarët e Gjirokastrës. Ai nuk u pajtua kurrë me pushtimin fashist dhe prej ditëve të para të pushtimit u vu në anën e forcave nacionaliste. Ishte kundërshtar dinjitoz edhe i komunizmit.” (Lajçaj, f. 70)

Kur situata u qetësua dhe gjakrat e urretjes midis shqiptarëve ranë në qetësi, Mbreti i Shqiptarëve Ahmet Zogu I (1895 –1961), rishikoj vendimin e dënimit ndaj figurës së shquar të Prekë Calit.

Ndonëse me vonesë, Mbreti e kuptoj, se nuk ishte ashtu sikurse i kishin thënë, mbasi kelmendasi me trima, kishte luftuar për çështjen nacionale të trojeve të Veriut.

Mbreti u tregua fisnik, tek e liroi dhe ftoi në rezidencën e tij në Tiranë, për t’u takuar miqësisht.

Qysh kur dy burrat e njohur i shtrenguan dorën njeri tjetrit, Mbreti Zogu I, i kërkoi ndjesë, duke i thënë se: “Të kam internue, se kam pas të dhana, se ju jeni marr me politik dhe je kundër meje. A asht e vërtet kjo?

– Jo, iu përgjigj Preka, vetëm me politik as nuk jam marr as nuk merrem!

– Po kundër meje a je? – ia ndërpreu Zogu I.

– Vetë nuk jam kundër teje dhe nuk kam ken kundër shqiptarve. Un kam luftue e do të vijoi me luftue vetëm kundër atyne, që duan të na marrin trojet tona. Vetë jam vetëm shqiptar e për Shqipnin nuk më dhimbset jeta.”

Pas bisedës së përzemërt e me sinqeritet, në shej patriotizmi e miqësie të re, Mbreti i Shqiptarëve Zogu I, e bëri Prekë Calin Kapiten Rezervë.

Kreu i fronit mbretëror, i dhuroi heroit kelmendas naganin me dorezë të bardh me nënshkrimin Ahmet Zogu I.

Preka me kelmendas, kishin një motiv më shumë e arsye, pse kishin dalë në fushë të mejdanit, për jetë a vdekje, sepse nuk donin, që tokat e tyre, të ishin pjesë e Perandorisë sllave; nuk donin, që fëmijët të merrnin emra sllav, zakone e tradita të pushtuesit; nuk donin, që të harronin varret e të parëve të larë me lumenj gjaku trimash. Gjithsesi, shqiptarët etnik nuk donin asgjë, që ishte dhuratë e verbër e pushtuesve sllav.

Kelmendi dhe rezistenca antikomuniste

Edhe kur këta erdhën në pushtet, ai, nuk e ndërpret luftën në të mirë të popullit, duke iu kundërvu me armë në dorë satanait pa fe, atdhe, ide e shthurje morale, sa që shpesh thuhej, se gratë partizane ishin në përdorim kolektiv.

Malësori Marash Kolë Mali (1920), ish-burgosur politik në kohën e diktaturës në Shqipëri (një familje e njohur vojvod në Dedaj të Shkrelit, shënimi im K.K.), në librin: “Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare”, rikujton: “U ba nji Mbledhje e madhe me krenet e Malsisë së Madhe, nën drejtimin e Kolonel Mulo Bajraktarit, i cili ishte komandant i vullnetarve të Malsis asokohe edhe për malet andej kufinit. I deleguem i ardhun prej Shkodre ishte Ndoc Çoba, ish politikan dhe n/Kryetar i parlamentit Shqiptar. I ftum ishte edhe i deleguemi i partizanve i quajtun Ramadan Reçi, të cilët qendrën e tyne e kishin në Reç (mbi Koplik të Sipërm, shënimi im K.K.). Çun Junuzi, asokohe si komunist punonte ilegalisht, e me qendër ishte në Aliaj të Kastratit.

Mbasi folën Mulo Bajraktari e i deleguemi i Shkodrës Ndoc Çoba (Ministër i Financave më 1920, Delegat në Kongresin e Durrësit, më 1918, të Lushnjës më 1920, shënimi im K.K.) fjalën e mori Ramadan Reçi: “Ju po e shifni se dy okupatorët italo-gjerman, pra Boshti po e humb luftën.

Ne nuk duhet të kemi tjetër mbeshtetje e as lidhje me ta, për arsye, se fituesit e tjerë aleat, nuk duhet të na gjejnë të mbështetun me të humbunit, mbasi vetëm pasoja të këqija do të kemi. A nuk do të ishte ma mirë që ne, për hirë të vendit e popullit tonë t’u mbshtemi që tani fituesve? Unë them se po!”.

Ndërsa komunisti Çun Jonuzi, tha: “Malësia e Madhe ka nji besëlidhje, që asnji parti dhe as aktivitet politik të mos zhvillohet në këtë krahinë. E pse atëherë bahet kjo mbledhje këtu në territorin e Kastratit, për të na lan ne sherrin tek dera e shpisë?!”

Mul Delija, e kapi për krahu dhe e largoi Çunin nga mbledhja, e cila po përfundonte pa asnji vendim.

I fundi, që e mori fjalën ishte Prek Cali, i cili me nji za të naltë e të shqerrun tha:

“Ai djaloshi i Reçit, foli e deshi të na tregoj, se kush e humbi dhe kush e fitoi luftën.

Ky tjetri kastratas, u ankue se me këtë mbledhje i paskena prue sherrin te dera e shpisë.

Kjo nuk asht e vërtet, mbasi sherri i popullit tonë janë vetëm komunistët, që kan zanë vend këtu afër.

Mua më duket, se sikur po rrim duarkryq ose në gjum, pa marrë asnji vendim.

Prandaj, po u baj thirrje të bashkohemi dhe të dëbojm këta, sa nuk asht vonë prej andej, e nqoftëse ndonjenit nuk i pëlqen kështu, vetë me djemtë e Kelmendit, do t’ia tres farën e do t’i dëboj prej Rranxave të Malsis!…” (Mali, f. 340).

Preka, sëbashku me trimat, në të cilin bënte pjesë i riu 26-vjeçar Mirash Fran Rrukaj, kur morën vesh, se një batalion me ushtar partizan, Natën e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1944, kishte kaluar Rapshën e Hotit, e po synonte të futej në drejtim të Lugjeve të Kelmendit, kryetrimi me parinë e vendit e luftëtarët, kishte zënë pritat në grykat e dy luginave mbi Urë të Tamarës.

Ai më parë, u çoi fjalë partizanëve, se: “Na nuk dona vllavrasje, shkoni ka keni ardh, se s’keni rrugë këtej.”

Mirëpo komandanti nuk mori asgjë parasysh dhe filloi ofensiven. Për shumë kohë gjamët e pushkve ushtonin. Armët e Kelmendit pritën e thyen partizanët.

Komandanti që kishte disa spijuna vendali, u mundue me çdo mjet trathtie t’i binde malsorët të dorzoheshin, por ata ishin në shpin e tyne dhe kështu luftimet vijun panderpremje.

Partizanët, në panik filluen me pa, se Kelmendi nuk u dorëzonte pa vdek të gjithë.

Atëherë, ai kërcnonte partizanët, se kushdo që do të tërhiqet asht dezertor e dihej se çfarë e priste…”, kujton i arratisuri nga burgu i Tiranës (1952), shkodrani Kolec Pikolini, në librin me kujtime: “Rregjimi i hienave” (Shtëpia Botuese Camaj-Pipa, Shkodër, 2001, f. 51)

Kryepatrioti, ishte infomuar me saktësi nga rojet besnike të Major Llesh Marashit, të cilët kishin zbuluar batalionin partizan, duke marshuar nga Lugina e Shkrelit me armë e municion drejt Kelmendit.

Atdhetari ballist Llesh Marashi, urdhëron Kolë Nikë Prelën (Marçinaj) t’i bie kumbonëve të kishës.

Sipas urdhërit (të firmosur Shefqet Peçi), që mori Komanda e Brigadës së I-rë (nga Shtabi i Korparatës së III-të) Batalioni i I-rë u nis në drejtim të Kelmendit.

Batalioni, vendoset në formacion luftarak e vazhdon të tërhiqet në drejtim tjetër nga rruga, që të çonte në Vermosh, përmes kishës së Kastratit.

Kryengritësit sulmuan batalionin, e arritën t’a shpartallonin për disa orë, duke e çarmatosur. Armët dhe municionin e kapur i dërguan në shtabin e Prekë Calit.

Forcat e batalionit të ndjekjes, bashkë me forcat e poskomandës së Bajzës, që e kishin marrë informacionin, donin ta shtypnin kryengritjen pa filluar ajo, ndaj mësyne drejt Grishës, më 23 janar 1945, për të arrestuar Luket Marashin dhe krerët e tjerë të kryengritjes.

Në këto rrethana, plasi kushtrimi në Grishaj. Vullkan u bë shtëpia e bë shtëpia e Luket Marashit, që ishte një poetencial i madh besë e burrërie në Malësinë e Madhe.

Forcat kryengritëse, u gjenden përballë forcave ndëshkimore të Sigurimit të Shtetit e të ushtrisë, që sulmonin në ballë të gjerë.

Praktikisht, lufta kishte filluar para kohe, pra, në mëngjesin e datës 24 janar. Në këto përpjekje u vra Pjetër Gjoka, i cili në krye të 40 burrave të Shkrelit, zbriti si ortek bore në poskomandën e Dedajt, e mori ate dhe, duke kaluar nëpër Zagore, i drejtohet vertik Bajzës.

Grishajt e kishin zmbrapsur sulmin dhe ishin hedhur në kundërsulm. Në ballë printe oficeri i ri Zef Toma, që ra duke luftuar trimërisht. Atë natë luftimesh, do të binte edhe Lulash Cuku.

Gjaku i tij do të shenjtërorente besën e do të nxirrte kushtrimin. U plagosën Pjetër Gjokë Hoti, që vdiq pas disa ditësh. U plagos nga forcat komuniste toger Gjosh Nikaj.

Kryengritësit me në krye Llesh Marashin, u mblodhën në oborrin e kishës së Bajzës, ku, frati At Ciril Cani rreh kumbonën e kishës e i lutet Zotit, që bijtë e Malësisë, të fitojnë kundër pjelles së djallit të kuq.

Kryengritësit sulmuan drejt Koplikut, nën drejtimin e Llesh Marashit. Mbas luftimesh të ashpra, ata morën postkomandën dhe spitalin dhe më pas krejt qytetin.

Kontribut të veçantë dha familja e Shaban Binakut. Mësymja vazhdoi deri në Hanin e Dedë Zefit. Të ndaluarit, u liruan të gjithë, pasi iu morën armët. (Butka, f. 19)

“Po në të njajtën kohë edhe me bekimin e famullitarit të Shkrelit, Dom Nikollë Gazullit, Kolë Nikë Prela Marçinaj (Çekdedaj-Bzhete), u bien kumbonve për me mobilizue Shkrelin për në luftë.

Kështu burrat e Shkrelit, u nisën për t’u bashkue me forcat e kryengritjes në Koplik.” (Franz Llesh Grishaj, ‘Shkreli dhe roli i tij në Kryengritjen Antikomuniste e Malësisë së Madhe të vitit 1945”, Revista KUVENDI, Shkurt, 2005, Michigan, USA, f. 24-49).

I sigurtë në “historit” e veta, përfaqsuesi e historishkruesi komunist ushtaraku Ndriçim Plasari, në librin me trillime: “Shpresë për popullin, tmerr për armikun” (Tiranë, 1971), kushtuar Brigadës I-rë Sulmuese, duke i ndjekur luftimet nga shtëpia e vet shkruan: “… Kolona i kishte kthyer shpinën Brojës dhe pararoja porsa kishte shkelur mbi Urën e Tamarës, kur plasi pushka dhe çfarë pushke. Qëllonin nga kodra mbi urë, qëllonin nga Broja, qëllonin edhe nga Bardhaj. Batalioni kishte hyrë në një kazan të zjarrtë.

Armiqtë qenë njoftuar për ardhjen e një reparti partizan në Kelmend, kishin llogaritur foecën e tij prej afro 300 vetësh, kishin llogaritur edhe rrethnat e tjera në dobi të tyre dhe qysh herët, në mëngjesin e 15 janarit kishin zënë pritë këndej dhe andej përroit, me qëllim të caktuar, ta godisnin dhe ta asgjësonin batalionin tonë.

Një goditje e tillë partizanëve u ra krejt papritur. U krijua një gjendje kaq e vështirë sa më s’bëhet. S’kishte tjetër rrugëdalje, veçse të qëndrohej me çdo mënyrë në vend, duke kundërvepruar me të gjitha forcat.

Ndihmë e shpejtë s’mund të pritej as nga një anë. Forcat e tjera të brigadës ndodheshin dy ditë larg, në Shkodër. Batalioni s’kishte ndërlidhje me radio.

Reaksionarët kishin zënë vend nëpër shkëmbinjtë dhe që andej villnin zjarr kundër luftëtarëve tonë të rrethuar plotësisht. Partizanët përdornin për mbrojtje çdo send të rastit, shkëmb, gropë dru.

Që andej qëllonin në drejtim të qerdheve të zjarrit armik. Sulmi për të çarë rrethimin ditën ishte i pamundur. Edhe lëvizja më e vogël kontrollohej nga reakionarët… Ishin vrarë komandanti i batalionit, Fejzi Micoli, dhe një numër luftëtarësh…

Në të vërtetë bajraktarët trathtarë Preng Cali e Llesh Marashi me shokë kishin grumbulluar rreth vetes 300-400 burra të armatosur dhe përpiqeshin të shtonin gjithnjë e më shumë forcat e tyre. Ata kishin marrë lidhje me misionin ushtarak anglez në Shqipëri, i cili qe treguar i gatshëm t’u jepte çdo ndihmë dhe përkrahje.

Aeroplanët anglezë i kishin furnizuar mbeturinat e reaksionit me armë, municione dhe veshmbathje. Me ndihmën e anglezëve trathtarët kishin hartuar planin e një kryengritjeje kundërrevolucionare. Do të sulmonin dhe të merrnin Shkodrën me Koplikun…” (Plasari, f. 566-567)

Partizanët nga ana e tjetër, nuk e mendonin, se do të hasnin në rezistencë aq të fortë, prandaj po vinin të qetë.

Kur filloj pushka, këta nuk kishin nga të shkonin, sepse ishin të izoluar në shtigjet e ngritura dhe nuk kishte forcë ushtrie t’i shkatërronte pozicionet mbrojtëse të malësorëve, që ishin fortifikimet natyrore shumë të sigurta.

Malësorët, kishin epërsi ndaj partizanëve, sepse sëpari bënin një luftëe mbarojtëse dhe njihnin shumë mirë vendin e tyre, ku, gjatë luftimeve u vranë, plagosën dhe ranë në lumë shumë partizanë.

“Prekë Cali bashkë me me 15 burra, u ngujuan në shpellën e famshme mbi fshatin Vukël, që u mbiquajt Shpella e Prek Calit.

Mark Luka dëshmon: “Na, ketë shpellë e zgjodhëm për me ba qëndresën e fundit, me e la vedin e me vdek per së mbari. Për shtatë ditë rresht, gryka e shpellës nuk ka pushue as natë as ditë prej plumbave e zjarrit të mitrolozave.

Komunistët vendosën me na marrë me uri e me pabesi. Na u dorzuem me një kusht, që të vinte Frati i Vuklit, kryetari i këshillit, si dhe të mos dhunoheshim.

Por komunistët nuk e mbajtën fjalën e dhanë. Dhe as besimin e Fratit. Kur na çuen ke shtabi i batalionit, në Rrapsh të Hotit, Mehmet Shehu, u ndodh ballë për ballë me Prek Calin:

– E, Prekë Cali, – i tha Mehmeti, – të pat ardhur dita ta mbyllesh historinë tënde me shkronja ari, po të bëheshe me ne! Pse bëre kështu?

– Zotni, – iu përgjigj Prekë Cali, – faji bie mbi ju, se ju u batë aleat me anmikun shekullor tonin, me Serbin.” (Butka, f. 16)

Preka e besniku deri në fund Mirash Fran Rrukaj, e dinin se mbas kësaj që ndodhi, brigadat partizane do të dyndeshin nga Rapsha e Kelmendit, si dhe nga krahu tjetër i Gusisë, ku, kishin përkrahjen e vëllezërve siamez sllav.

Në këto kushte, nacionalistët morën udhën e arratisë. Hienat e pangopshëm komunist, u lëshuan nga të dy krahët mbi krahinën e Kelmendit.

Mehmet Shehu, me brigadën e vet ndeshkuese të inkuizicionit kundërmalësorë e kundërkatolikë, vendoset në fushim në fushën e Rapshës.

Malësorët, prisnin gjëmen e madhe në shtëpitë e tyre. Nuk kishte informacion, se kush e kishte radhën: Kelmendi apo Kastrati.

Në natën e 1 janarit 1945, kryexhelati terrorist Mehmet Shehu, si bir kleriku muhamedan, e përgjaku Kelmendin.

Me urretjen patologjike të trashëguar nga koha e pushtimit turk, sulmi i hienave të kuqe ishte i befasishëm.

Nga Gryka e Grabonit dy toga me druzhe (shok) sllavoserb, marshuan drejt Kelmendit. Ata hapën zjarr tek Ura e Tamarës mbi popullatën e pambrojtur, me synime të pastra spastruese pa mëshirë.

Brigadat e Ndjekjes, të drejtuar nga kriminelët Mehmet Shehu e Fejzi Micoli, e forcat e Sigurimit të stacionuar në 26 kampet e burgjeve, hetuesisë, torturave etj., në Qarkun e Shkodrës, të mbështetur nga Ushtria Jugosllave, më 15 janar 1945 përfundimisht pushtojnë Vuklin.

Sikurse pritej, menjëherë bishat partizane iu vërsulën luftëtarëve malësorë, i lidhën dhe ushtruan dhunë mbi ta.

Si në kohën e skllevërve i lidhën me konop njëri pas tjetrit, duke i shtyrë, ndonëse ata mezi lëviznin, nga mundimet me ditët e tëra pa gjumë.

Më pas i hypën në një kamion e shpejt i nisën për Shkodër. Njësitë partizane, që i shoqëronin ishin të vogla, pasi pjesa më e madhe e tyre qëndruan aty, për të filluar terrorizimin e tërë Kelmendit.

Ata që janë dëshmitar të kësaj poshtërsie të pashembullt, e kanë parë me sytë e tyre, provuar mbi shpinën e vuajtur tërë torturat, që asnjëherë s’mund t’i parashikonte mendja e njeriut.

Të gjithë të plagosurit i lidhën pas kalit dhe ashtu nën tortur, ata pothuajse ishin në prag të vdekjes së sigurt.

Prekë Cali, me 15 trima kelmendas kapen rob, duke i kaluar gjyqit ushtarak, i cili i dënoi me pushkatim.

Brigadat e Ndjekjes bënë kërdi, duke derdh gjak malësori shqiptar. Ata si të uritur vranë e shkatërruan, dogjën dhe prenë, e sëfundi pushtuan Kelmendin e papushtuar në shekuj.

“Ishte mbasdite e unë po qëndroja me nji shok përbri zyrës së Posttelegrafës. Diku u dëgjuan të shtëna armsh. Njerëzit kishin marrë lajmin, se Prek Cali asht dorëzu e pritet t’a binin para Postës.

U shihnin grupe individësh. Dikush në heshtje e të tjerë shakllabana që banin komente. Pas disa kohe u panë kamionat. Ato lëviznin ngadalë, saqë u afruan pak nga pak aty ku populli të mund t’i shihte shumë mirë “reaksionarët”, që s’mundën t’i përballonin ushtrisë.

Ishin pikrisht këto komente që banin njerzit servila e katila, që asnjiherë nuk u ngopën me gjakun e sternipave ilirian. Binte në sy shtati i tyne si lisat e bjeshkve të Kelmendit, ku mes tyne dallohej trupi vigan i martirit Prek Cali.

Disa fundrrina komunist filluan t’i pshtynin e përbuznin ashtu të lidhun. Kjo pamje e shemtum ma prekte shpirtin.

Edhe unë, si kureshtarët që erdhen duke u shtu rrinim të ngrim në heshtje me keqardhje, që vriste me logjiken e përbuzjes ndaj masakruesve të burrit vigan kelmendas, që shikonte se ku po shkonte qyteti i tyne i dashtun Shkodra, e cila pretendonte se ishte qyteti ma i zhvillum në Shqipni…

Grupi i Prek Calit doli në gjyqin komunist. Ai i zhvillua në nji ndërtes dykatshe, diku në veriperendim të Gjimnazit.

Unë ndoqa tri seanca, si dëshmitar okular në at se çfar dëgjova e pash ndaj Prek Calit.

Në fillim të seancës nuk lejohej me marr pjesë shumë popull, mbasi komunistët kërkonin që gjyqi të zhvillohej sa ma shpejt. Prek Cali, nuk ishte vetëm i pushkës, besës, traditës etj., por edhe nji trim që me gojën e vet nxirrte fjalë të matuna, i qetë, që mohonte pa frik të gjith akuzat e rreshtume kunder tij.

“Unë jam këtu, – u shpreh Prek Cali – ndër të tjera, për me marr pergjegjesin e luftës kundra partizanve që u ba në Kelmend. Dhe për t’drejt tjetër nuk keni pse m’akuzoni. Kam luftue kundra shkjeve, kur deshten me na nda prej nanes Shqipni dhe kam mbrojt at çka asht e jona.

Mundësi ma të madhe nuk kam pas. Vërtet jam malcor pa shkoll, por jam shqiptar. Ju m’keni marr ne bes e s’kam nevoj me ju kerkue falje.

Un as Mbretit si kam kerkue falje, kur m’ka denue se isha opozitar…” (Pikolini, f. 55)

Burgosja dhe pushkaitmi

Por këta, ndonëse përdoren barbarinë komuniste, nuk arritën me tutë (friksu) dhe mposht krenarinë e Malësisë.

Malësori e pagoi, por kurrë nuk trathtoi truallin e shtëpisë së vet, duke mbrojtur lirinë nga ofensiva komuniste asokohe.

Me shumë urretje, se nuk mundën të kapnin luftëtarët nacionalistë të lirisë, forcat terroriste partizane: “… banë nji kërdi të zezë, tue torturue deri edhe gra e fëmi.

Ata mashkuj apo luftëtar, që gjendeshin në shtëpi i arrestonin, u digjnin shtëpitë, u merrnin pasuninë, ndersa familjet (e luftëtarëve në arrati) tyne i internonin në krahinat e vendit…

Edhe Preka, me nji çetë luftarësh trima e besnik, vendosi e u ngujua në nji shpell, që ishte mjaft e ilzolueme e i përngjante nji fortese të vogël, me nji shprese fare të vogël, se mund të bante si dikur Kelmendi me ushtrin turke, të cilët zinin vende në ndonji luginë ose bregore, duke mos i ndjekur kryengritësit nëpër male.

Me partizanët, ndodhi e kundërta: Ata i ndoqen çetat kamba kambës dhe kur u mirëinformuan, se ku ishin i rrethuan dhe i derguan njerëz për t’u marrë vesht me ta At David Picin, i cili, u tregoi se ishin të rrethum dhe se partizanët kërkonin të dorëzohen pa pushkë.

Prek Cali nuk i trembej vdekjes, por ai mendoj, se nji vdekje me gjyqe, asht ma krenare për t’u njoh nga publiku, se për çka e si do të dënohen…

Nga ana e tjetër, Preka kishte disa djem të rinj (Sipas tregimeve të Fritz Radovanit dhe Don Tomë Laca, kujtoj, se Preka, ka pas me vete në shpellë, një djalë të ri që ishte i vëtëm (dëshire) në familje, dhe komunistët i kanë thanë atij, se do t’ia falim jetën djaloshit të ri. Por në fakt, kur janë dorëzuar, duke i prerë në besë kanë vrarë (pushkatuar) të parin atë djalë dëshire, shënimi im K.K.), që nuk donte të rrezikohen, sikur ky të bante rezistencë me armë. Prandaj, u kërkoj partizanve, nëpërmjet Fratit disa kushte:

– Meqë udhëtimi do të bahej me ecje në këmb nëpër Kelmend, të lejohen të kalojnë të armatosun;

– Të mos i cënojnë (keqtrajtoj) kush me dorë;

– Gjykata të bajnë punën e saj.

Këto kushte komunistët ia premtuen, por si zakonisht nuk i mbajtën. Ata porsa kaluen nji copë rrugë të shoqnuem e të rrethuem me shumë partizan, i çarmatosën u lidhën duart, i ulën drejt e në Koplik, ndërsa ne e nesre në qytetin e Shkodrës, në të ashtequjtunin Burgu Gjerman…

Prek Cali asokohe 70 vjeç, ishte i burgosun në nji dhomë më vete e kur të burgosunit ndryheshin në dhoma, ate e nxirrnin dhe shëtiste i vetëm. Ai kishte nji tjetër trajtim prej të burgosurve të tjerë.” (Mali, f. 341)

Në mjedisin e Fushë Çelës, trimin legjendar, e ka rruar pa i njomur mjekrën me pastë rroje një partizane, që shihte nga afër stoicizmin.

Skenat e dhunës ndaj Prekë Calit janë të papërshkruar, e ndoshta Shekspiri i madh anglez, do të ishte i pafuqishëm nga fantazia e torturave që kanë përdorur këta.

Preka, ka qenë i bindur se do ta vrasin, por është prerë në besë nga komunistët, të cilët i kanë prmetuar në fillim, se do t’ia falin jetën djaloshit të ri, që ende sot nuk kam mundur që t’i mësoj emrin e mbiemrin, mbasi familja e tij tashmë është e shuar.

Përpara momentit të pushkatimit, Prekën, e kanë mbështetur tek muri i Vorrezave Katolike të Rëmanit në qytetin e Shkodrës, të ulur ndjenjur me cigare në gojë (për tallje), i veshur me çakçirë dhe i prishur në fytyrë nga plumbat.

Rrëfimin dhe vojimin kur është pushkatuar ai, ia ka bërë prifti dom Tom Laca.

Atë ditë më 25 mars të vitit 1945, në muret e qytetit të Shkodrës u shpërnda një afishe e madhe e cila kishte këtë titull: Pushkatohen kriminelat e Luftës dhe Armiqtë e Popullit:

  1. Prenk Cali
  2. Dom Ndre Zadeja
  3. Luigj Gjeto Kastrati
  4. Ndok Nik Bardhoku
  5. Ndrek Loka
  6. Arif Selim Hyseni
  7. Ded Lulash Smajli
  8. Gjok Nikaj
  9. Dul Bajrami

10.Mark Luc Gjoni

11.Tom Lek Daka

12.Maliq Bajrami

13.Gjok Nikoll Voci

14.Pjetër Ded Gjedashi.

Studiuesi e publicisti shqiptaro amerikan Mërgim Korça, gjatë hulumtimeve për përgatitjen e dorëshkrimit: “Në përkujtim të Kryengritjes Armatosur të Malësisë Madhe”, shkruan: “Si sot e kam parasysh, kur e pruene duer lidhë n’shehët t’Shkodrës kreshnikun Prenk Calin! Ecte kryenaltë, me mjekër t’dendun aj, si me kenë fitues.

Por shkjau, brateja e partizanve ngjallnjyes, ia kish n’vesh t’vjerrun trimit inadin. E ndalne mjedis Fushës Çelë, e ulne n’gjuj e nji partizane e ekzaltueme ia rroi mjekrrën pa lagë atij. Mjes gishtave t’duerve t’mija me t’cillat kishem mlue ftyrën, kureshtja m’bate me e pa si i shkojshin lotët kreshnikut qi za nuk xirrte dhimbet!

Kjo pamje e mbrame qi kam e prijsit maleve qi pat thye shkjetë n’luftimet e 1911-ës e të 1913-ës.

Mbas kësaj veç kur ndjeva se e kishin denue me vdekje dhe me 25 mars njimij’ e nandëqind’ e katërdhet’ e pesë e kishin pushkatue Prenk Calin.

Ksisoji komunistat shqyptarë e vrane animikun e betuem të shkjaut dhe e hapne rrugën m’u shkue uji n’mulli t’tyne!”

E më poshtë, qëndrimin stoik të Prekë Calit, e ilustron me një burim nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë:

“Në dokumenta arkivi figuron replika n’Rapsh t’ Hotit n’mjes t’lidhunit Prenk Calit edhe Mehmet Shehit, por ajo kurr nuk u ka ardhë për marë historianve lakej t’diktaturës t’a përmendshin…

I tha Mehmeti: “- E more Prenk Cali, të pat ardhur dita t’a mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bërë me ne. Pse bëre kështu?”

I gjegjet trimi legjendar burrnisht: “- Zotni, faji bjen mbi ju se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me Serbin!” (Korça, f. 5, 6)

Por odiseja e të ngujuarve në shpellë, nuk do të përfundonte me dorëzimin e tyre. Të parët që u pushkatuan, ishin: Dedë Lulash Smajli dhe Dedë Gjon Deda, të cilit i kishin prerë me parë mishin dhe trupin me sopatë. Fran Zef Bajraktarit, ia nxorrën sytë dhe e varrosën të gjallë me gurët e malit.

Luc Gjon Bajraktarin, e prenë në qafë me bajonetë dhe e hodhën në greminë. Fran Zef Bajraktarin e groposën të gjallë, pasi i dogjën kullën.

Marash Vat Lumajn, e pushkatuan para popullit të Vermoshit, si agjitator kundër bolshevizmit.

Dedë Prek Nikën, e sollën nga kampi i Tepelenës dhe e pushkatuan pa gjyq, në mes të kelmendasve.

Uk Mark Biku, u pushkatua në mes të katundit Brojë, për të ngjallur panik.

Nik Mark Rezaj, i cili qëndroi 21 ditë i varur në burgun e Koplikut, u pushkatua përsëri pa gjyq.

Gjelosh Fran Pellumbi, vdiq në burgun e Kavajës nga torturat çnjerëzore, me fjalëte fundit: Poshtë komunizmi!

Pas një gjyqi në Shkodër, u dënua me vdekje kreshniku i Vermoshit, plaku 70 vjeçar Prek Cali.

Ky gjyq, do të dënonte plot 25 vetë, nga të cilët edhe 4 me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët kryesisht me 30 vjet burg. Kështu Kelmendi u përzhit dhe u ndeshkua përsëri. (Butka, f. 17-18)

Këto janë kelmendasit, që kishin të ruajtur në gene prej gjeneratave virtytet më të mira, si mikprirës e bujar, trima sypatrembur e atdhedashës, njerëz të besës e fetar. Ata e donin meshtarin si antarë të familjes, duke i besuar fjalën e nderit…

Malësia, humbi 137 bijë të saj, trimat e devotshëm në kryengritje. U burgosën 345 burra e u internuan 41 familje të shpallura reaksionare.

Malësia, u vesh me petkun e zisë. Malësorët trima, denbabaden të patundur në trojet e tyre, u shpërngulën në kampet e internimit të Tepelenës, të Kavajës, të Vloçishtit, në burgjet e kampet e punës, më çnjerëzore që ka njohur historia. (Butka, f. 21)

Në momentin, që do ta ekzekutonin toga e zezë e pushkatimit komunist, kërkojnë që të denuarit me pushkatim të kthehen mbara (me shpinë) dhe t’ua mbyllin sytë. Por Prekë Cali, në mënyrë kategorike kundërshton, duke thënë fjalët:

“ – Nuk shkohet n’Parajsë me shpin dhe me sy t’mbyllun” dhe siç ishte duarlidhur, ngrehi kryet lart, hapi gjoksin, duke shkyer pullat e këmishës dhe u tha:

“ – Kështu vdes shqiptari”.

Para se të rrëzohej, ai trup si një lis, nga plumbat e shqiptarëve të armiqve të nacionit të vet, zëri i fuqishëm i malësorit të bjeshkëve, ushtroi si jehona e luginave:

“ – Rrnoft Shqipnia! Rrnoft populli shqiptar! Heret a vonë Shqipnia do të fitojë.” (Lajçaj, f. 70)

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat