Shtegtim dashurie mbi globin e ftohur

Libra

Shtegtim dashurie mbi globin e ftohur

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 09:24
Foto

Shkruan: Imer Pantina, profesor i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, Master i Arteve, Gazetarisë dhe Shkencave Mediale

Muzafer RAMIQI: “Dashuri në shtegtim”, poezi, Shtëpia Botuese “Meshari”, Prishtinë 2019

Kjo vepër poetike ndahet në katër kapituj, Rrugët, Ecje, Qëllimi, Dashuria, të cilat japin porosinë
e qartë se rrugët janë të shumta, por qëllimi është ajo që shpie nga dashuria. Dhe, enigma e gjithë
kësaj gjendet brenda rreshtave, e zbërthyer poetikisht, pra, gjithnjë me anë të perceptimeve që
nuk kanë matematika ekzaktësisht të qarta, ashtu sikurse vet dashuria, si ndjesi brenda njeriut që
nuk ka matje. Nga këtu unë shtegtoj nëpër rreshtat e këtij libri, apo, më mirë, i përgjigjem ftesës
së autorit që të lexoj përtej rreshtave, përtej gjuhës së shenjuar për të arritur tek gjuha konotative,
e shprehur me anë të metaforave që shikohen në sfond.
Poeti në shumë raste sjell varg të gjallë, varg që kap imazhe, kap imtësira, objekte, ide, varg që e
sjell lexuesin brenda ambientit ku autori e ka “qëndisur” skenën e shpërfaqjes së ndjesive, sepse i
jep shumë informacion lexuesit se nga e si do ta rrugëtojë shtegtimin e tij.
Shtegtimi poetik është vetëm një përpjekje e autorit për të sugjeruar një rend më me vlerë, një
rend që shpie nga rruga e idealeve, një rend që autori e kërkon brenda kujtesës së tij në kohëra të
ndryshme. Ai metaforizon me kujtesën, të kaluarën, anën më të bukur të saj, atë që është
ëndërrimtare, duk e sjellur zbehjen, duke e ndërkëmbyer me të sotmen, në atë të sotme që autori
e sheh pa dimensionin e kohës, por me dimensionin e qartë të idesë se shtegtimi për tek dashuria
ngjizet shumë më thellë brenda njeriut, atëherë kur ky njeri, është i lidhur pas gjërave të vogla që
promovojnë ideale të mëdha se sa pas joshjeve të mëdha që kanë ideale të vogla.
Vargu i poetit në këtë libër ka thirrma që lëshojnë zë zemërimi:
Më mundon një dilemë
Se pas një shkatërrimi
A ia vlen të ngrihesh përsëri?
( Shkatërrimi )
dhe thirrma që trazojnë anën e pazbërthyeshme, atë që është e komplikuar duke ia vënë përballë
thjeshtësinë:
Kush shpiku problemet, zgjidhjet
Formulën dhe mjegullën
Edhe pse njerëzit mundohen ta bëjnë të komplikuar
Jeta duhet të jetë e thjeshtë
( Thjeshtësia )

2

Në rrugëtim e sipër, autori nuk ngurron që të tregojë rrugën e përhumbur (sidomos në poezinë
Bashkëjetesa), atë rrugë që sipas autorit paraqitet si “gënjeshtra që përbirohet lehtë”, ku më tej e
zbërthen si “tingëllimë e ëmbël nga gojët që belbëzojnë”. Në këtë amulli rrëfimi, s’ka reflektorë
tjerë pos e vërteta e hidhur, që autori e sintetizon si “bashkëjetim me robërinë”.
Kur rrugëtimi merr kahje tjetër, për të ikur nga amullia, atëherë ecejaket bëhen më të
zhurmshme, marrin trishtimin me vete, por, është ai trishtim që përmbytet nga ndjenja e mohuar
e një bote që jo rrallëherë të lë vetëm me hijen tënde. Autori kështu do të shprehet:
Vrapoj me hijen time
E hija ikë para meje
Unë ik prej vetes
Si në ëndërr
(Eci me hijen time)
apo, kemi shprehjen metaforike :”Koha ecën nëpër kurrizin tim të shtrembëruar” (Koha ime) e
cila më pas shërfaqet në “imazhin e copëzuar” në poezinë “Imazh” dhe thërret në ndërgjegje me
formulimin: Kujt t’i flas sonte kur zërin s’e kam të plotë (Shpejtësia e kohës ).
Në këtë vorbull shtegtimi për poetin ka një qëllim që formulohet si: Mes pranimit e refuzimit si
mes dy erërave të forta (Qëllimi ) dhe kjo baraspeshë erërash në poezinë “Globi i ftohur” arrin të
jep përfytyrime figurative, ku autori tashmë dialogëzon me vet idetë, të cilat i shpirtëzon në
materiet e globit dhe diellit, për t’i “mbuluar” ato “me lëmshin e halleve” siç shprehet ai, dhe për
të ikur “në kërkime të pafundme”, madje, siç e formulon bukur autori:
E kërkojmë gjithkah
Edhe aty ku pamundësia fsheh edhe gjënë më të mundshme
Dhe ekzistojmë me të vetmen dëshirë
Që kurrë të mos gjejmë
(Ikja dhe kërkimi )
Kjo antitezë e fuqishme , mes pamundësisë dhe ekzistencë, shpërthen fuqishëm dhe kulmon me
poezinë “Mosdija” ku autori shprehet:
Unë e di
Se fjalët e mia janë shigjetë që shpojnë gurët në zemra
Ti nuk e di
Që guri që ke në zemër mund të thyhet edhe pa fjalë

3

Të pranosh, të dhurosh dhe të dashurosh, për poetin është “më shumë se mjaft” dhe malli nuk do
të mund të shprehej po të mos e ketë shtegtimin si ikje dhe ardhje. Në këtë formë poezia
“Dashuri në shtegtim”, ku në bazë të kësaj poezie titullohet edhe libri poetik, e parafrazon
dashurinë me shprehjet:
Eja
Kur t’më marrë malli
Shko
Që të më marrë malli
Mall sa një mal
Dashuri sa një bjeshkë
Shtegtimi i poetit me anë të kompozimit të këtyre vargjeve ka sjellur një refleks urtësish
filozofike, ku jo rallë herë përftesat filozofike kanë një sfond me mësime jetësore dhe porosi
simbolike që duhet kapur rrëmbimthi, jo qetësisht, sepse dinamika e tyre është gjithnjë në
shtegtim, në atë shtegtim sublim , të dashurisë superiore.
Libri ka një planimietri mirë të organizuar për nga mënyra se si sistematizohen idetë poetike
brenda frymës së përgjithshme të librit. Mbase, mendoj unë, porositë në këtë libër janë të
fshehura brenda një mozaiku fjalësh, të cilat si të bashkuara kompletojnë njësinë unitare për t’i
dhënë identitet dhe formë librit.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat