Titani i letërsisë rumune kishte origjinë shqiptare

Libra

Titani i letërsisë rumune kishte origjinë shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 20 gusht 2019 Në ora: 10:53

(Viktor Eftimiu në 130 vjetorin e lindjes)

“Më lejoni të shpreh ndjenjat e mia të dashurisë së thellë duke e përshëndetur me plot respekt popullin fisnik shqiptar, qytetërimi i të cilit është kartëvizitka më e vjetër e Europës. Shqipëria ka luftuar gjithmonë për mbrojtjen e paqes, të lirisë dhe qytetërimit botëror.” (Fragment nga deklarata e Viktor Eftimiut në Tiranë, Nëntor 1971).

Ata që do të shkojnë nesër në Paris, nuk do ta gjejnë qytetin pitoresk të rinisë sonë, metropolën e viteve 1910, Parisin e ndritur me gaz ajror, omnibuzet imperiale, lundrat mbi Senë, boemën e Kartierit Latin, shansonelistët e Montemartrit, jetën e lirë e të pabrengë të këtyre qendrave të largëta. Kështu do ta përshkruajë në veprën “Portrete dhe kujtime”, kryeqendrën franceze, një shkrimtar i famshëm rumun me prejardhje shqiptare, Viktor Eftimiu (1889-1972), i cili më vonë do të bëjë shaka me Enver Hoxhën, duke i thënë se më mirë është të jesh diplomat shqiptar se sa diplomat francez, ngase si diplomat shqiptar qëllon në Paris, ndërsa si diplomat francez në Tiranë. Të depërtosh në botën e madhe të Eftimiut duhet goxha kohë e përkushtim. Megjithatë, ne e shohim të arsyeshme të japim vetëm disa detaje, që të tjerët të vijnë, gjurmojnë, madje edhe të doktorojnë për këtë figurë të shquar të kulturës rumune dhe europiane. Si e përshkruan Lasgush Poradeci periudhën kur u lind Viktor Eftimiu?

“Lëvizja shqiptare për të fituar lirinë dhe kombëtarësinë e humbur mori fill në qindjvjetorin e shekullit nëntëmbëdhjetë brënda kollonive të mërgimit, dyke patur si udhëheqëse më të vendosur dhe më të madhe atë të Rumanisë me kryeqendër Bukureshtin. Në Bukuresht u themeluan shoqëri dhe shtypëshkronja dhe gazeta dhe shkolla dhe kisha dhe xhamija më e parë shqiptare ndër gjithë popujt ballkanikë të robërisë”. Kolonia e Bukureshtit, sipas tij, „jo vetëm që e fitoi famën e saj të pavdekur si veteranja e veteraneve me një vepërim politik të shumëanshëm, po veçanërisht dhe sipër së gjithash, ajo u shqua si pishtar i vërtetë i përhapjes kulturore jashtë dhe brënda Shqipërisë. Ajo shtypi librat e Naim Frashërit dhe të Asdrenit, që përflaknë të rinj e pleq me zjarrin e përvëluar të atdhedashurisë. Ajo e përmbajti në gjirin e saj dhe përtej, shpirtin e kombit të etur për liri dyke e nxitur pa pushim në punë vetëtherrorije, dyke i rrëfyer me njëmijë shëmbëlla udhën e shenjtë që shpinte për në jetën e pavarur të shtetit shqiptar të ardhshëm.”

Një nga ata që vepruan në Bukuresht në kohën e Lasgushit, ishte edhe titani i letërsisë rumune me prejardhje shqiptare, Viktor Eftimiu. U lind në Boboshticë, më 1889, dhe vdiq në Bukuresht (1972). Mërgimi i familjes së tij nga Korça në një vend mikpritës për bashkatdhetarët tanë vjen si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike. Para dhe pas lindjes së tij, Rumania kishte strehuar me bujari një plejadë të tërë mërgimtarësh si Vasile Ujkun (rum. Vasile Lupu), Gjikajt, arnautët e Tudor Vladimireskut, Dukajt, Naum Veqilharxhin, stërgjyshin e Nikolla Jorgës, Nikolla Naçon, Asdrenin, Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, Petru Vullkanin, Ibrahim Temon, një plejadë rumune, arumune e shqiptare, emra të pavdekshëm që kanë lënë gjurma të pashlyera në historinë e të dy popujve.

“Stërgjyshërit e mij jan’ fisi/ I kërkimtarëve të yjeve,/ Që endeshin tër’ jetën botës...”, do të shkruajë më vonë Viktori në poezinë “Krillat”, duke e përkujtuar Boboshticën e tij ku “çdo mbrëmje bie e butë e me ngadalë”, ku “dhe pyjet po ofshajnë, thërrasin me ngulçim/ atë që u largua dhe, ndoshta s’kthehet kurrë”. U vendos në Bukuresht më 1907. Brenda një kohe të shkurtë e përvetësoi rumanishten dhe filloi të merret me poezi, të botojë një revistë, të shkruajë drama, novela, romane, duke u bërë i famshëm qysh në rini, duke botuar gjatë jetës së tij rreth 125 vepra. Jon Barbu ia dedikon nje poezi duke i thënë: “Yni je Viktor Hygoi/ Është fjalë pa zarar/ Por dikush i juaj shtoi/ Se ti je Viktori shqiptar”. Vehbi Bala e konsideron si “Amfitrion shqiptar”. E pat njohur për herë të parë në Bukuresht, më 1948, kur Eftimiu ishte në moshën 58 vjeçare dhe në kulmin e famës si shkrimtar rumun me vlera universale. V. Bala ishte studenti i parë shqiptar që shkelte në shtëpinë e tij, ku e pat njohur edhe bashkëshorten e tij, aktoren Axhepsina Makri, “kurreshtare për të ditur diçka nga vendlindja e burrit të saj”. Ja se si e përshkruan këtë moment të paharruar:

“Shkrimtari kishte traditë familjare që të shtunave mbrëma të ftonte për darkë miq dhe dashamirë, artistë, shkencëtarë...Dhe në ato mbrëmje zhvilloheshin biseda të zjarrta rreth ngjarjeve të ditës, shfaqjeve dhe botimeve të ndryshme. Nganjëherë vlonte edhe kënga vendçe ose ndonjë arie nga atë të klasikëve të operave botërore, kënduar prej mjeshtërve të kantos. Unë, në përgjigje të kësaj mikpritje dhe bujarie, u sillja zonjës dhe zotit të shtëpisë lajme të reja për botime të fundit nga Shqipëria. Shpesh mjeshtri më deklamonte pjesë të tëra nga krijimtaria jonë e mrekullueshme gojore e popullit. Dhe këto i lidhte me fshatin e lindjes, me fëmijërinë e tij, me nënën e tij, me gjyshërit dhe të afërmit që s’i kishte më”. E kam njohur edhe unë, së bashku me kolegun e studimeve, Hajro Hajrën nga Ferizaji, duke mbajtur në ndërkohë korrespondencë me sekretareshën e tij, Ankuca Kendi e cila e shkriu rininë për t’u përkujdesur për këtë shkrimtar të famshëm që jetonte si princ.

Vehbi Bala thekson se në mbrëmjen e 28 Nëntorit 1960, Eftimiu kishte shfaqur dëshirën për ta shkruar një dramë për Skënderbeun, por në vend të dramës, më 1971, Viktor Eftimiu e qëndisi një poemë kushtuar kryetrimit të Shqipërisë, të cilën do ta botojë më vonë “Fjala” e Prishtinës, në shqipërimin tonë. Më 1964, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Vehbi Bala do ta vizitojë me dy miq të tij. “Mirëseerdhët, vëllezër”! “Me këto fjalë më priti tek dera. Ishte një mbrëmje e butë qershori. Na bëri vend në dhomën e punës, rreth një tryeze të rrumbullaktë. Sekretari i tij (Kristian Pançescu), një rumun i shtyrë në moshë, kryente shërbimin e mikpritjes. Menjëherë të binte në sy pajisja e asaj dhome me gjithfarë punimesh pikture dhe skulpture, me rafte plot libra të vjetër dhe të rinj. Nga një dritare e madhe, e çelur, që të çonte në verandë, hynte erëza e mirë e luleve”. Ne s’e mbajmë mend sekretarin e tij por kemi patur fat ta njohim çunin e tij, Jon Mihai Pançesku, bashkëpunëtor i zellshëm i revistës “Shqiptari”, si dhe nipin e Kristianit, Dragosh Pançesku, cili e shpëtoi një pjesë të mirë të arkivit të Viktor Eftimiut, ishpronë e arkivit tonë në Bukuresht, tashmë pronë e një shoqate shqiptare të Rumanisë (rreth 100 libra, mijëra dokumente, dorëshkrime, fotografi etj).

Për akademikun Viktor Eftimiu, ishpresident i PEN klubit rumun, anëtar i Akademisë rumune, në 130 vjetorin e lindjes së tij mund të qëndisen disa artikuj analitikë me subjekte si: Viktor Eftimiu dhe Shqipëria, Poezia e Viktor Eftimiut, Eftimiu si dramaturg dhe romansier, Publicistika e Viktor Eftimiut, Viktor Eftimiu dhe Masoneria, Viktori dhe sekretareshat e tij, etj. Disa nga veprat e boboshtarit të Bukureshtit e kanë parë dritën e botimit edhe në gjuhën shqipe në përkthim të Gjergj dhe Dionis Bubanit. (“Nusja e kuqe”, Tipografia Albania, Konstancë 1923. Në të njëjtën shtypshkronjë e panë dritën e botimit “Osman opingaxhiu”, tragjikomedia “Akim” “Njeriu që pa vdekjen me sy”, Tiranë 1944, Prishtinë 1974, “Vargje të zgjedhura”, botim i Tiranës, autor i shqipërimit dhe parathënies: Dionis Bubani, drama “Fundi i botës” që u vu në sqenë në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë, më 1984. V. Eftimiun e respektonin dhe ftonin në manifestimet e Ditës së Flamurit krejt ambasadorët e Shqipërisë në Bukuresht (Nikolla Profi, Idriz Shehu etj.)

Për Viktor Eftimiun ka shkruar me respekt edhe Mitrush Kuteli. Nga shkrimtarët që shkruajnë në një gjuhë të huaj, është edhe Viktor Eftimiu i Boboshticës, thekson Kuteli duke shtuar: “Vonë e mësoi rumanishten, sepse vonë ka dalë nga fshati për në dhe të huaj, po kaq thellë e kaqë pastër sa s’ka se qysh të dallohet se kjo është gjuhë e mësuar. Që të gjitha veprat e tij të tërheqin me bukurinë e shprehjes e cila nuk mban erën e rëndë të asfaltit të qytetit, po erën e plisit, të dheut rumun. Gjuha e Viktor Eftimiut është gjuha autoktone rumune, e gjallë, e plotë, pa gabime. Kjo është sipas mendimit tonë, cilësia kryesore këtij shkrimtari, njëkohësisht poet, dramaturg, movelist, romancier, eseist… Si poet ka shkruar, midis të tjerave, “Poemat e vetmisë”, që të lënë në shpirt një trishtim pa krye e pa anë…. Një gjë që duhet shtuar këtu është se në në brumosjen e veprës rumune të shkrimtarit boboshtar, hyn mjaft tul shqiptar. Me temë shqiptare është shkrojtur romani “Risto Dardha, Smail Dëndusha, Katalina e shumë të tjera”. Për momentin po e lemë vetëm me kaq, sa për të joshur kurreshtjen e lexuesit, duke e dinamizuar këtë shkrim me disa fotografi që i prezantohen edhe opinionit shqiptar.

Post Scriptum: Sipas Kristaqit nga Korça, kuptojmë: “Vajzat e mija kanë lidhje gjaku nga nëna e tyre me familjen Eftimiu. Viktor Eftimiu u lind në Boboshticë, fshat rreth shtatë km larg, në jugë të qytetit të Korcës. Nëna e tij, Marina ishte një nga shtatë fëmijët e Teodor Ikonomit, priftit te fshatit. Mbas marteses ajo lindi katër femijë: dy vajza dhe dy djem, Viktorin dhe Stiljanin. Por familja e Viktorit, si shumë familje te tjera Boboshtare, në fillim te shekullit të kaluar mërgoi në Rumani. Viktori bëri vetëm disa klasë në lice e më pas e braktisi atë, por në sajë të inteligjencës personale të veçantë që kishte, ai në mënyre autodidakte arriti të bëhej një personalitet i madh. I tillë ishte personaliteti i tij dhe njohja në Europë, sa kur Aleksandër Moisiu në atë kohë me nënshtetësi gjermane, i dërguar në front në luftën e parë botërore, u kap rob nga francezët, ishte Viktor Eftimiu ndërhyri për lirimin e tij. Gruaja e Moisiut duke e ditur popullaritetin e madh të Eftimiut, i shkroi atij letër për të ndërhyrë e liruar burrin e saj, njëheresh dhe patriotin e tij nga nga Shqipëria. Bile, pas lirimit, Moisiu shkoi në Bukuresht (më 1922), për ta falënderuar dhe aty dha pjesën "Kufoma e gjallë", për nder të tij.”

Më tej, Kristaqi thekson: “Viktori i ishte martuar me aktoren e famshme rumune, Anxhepsina Makri. Nuk ishte pak më shumë se 30 vjeç, kur u emërua si drejtor i përgjithshëm i teatrove te Rumanisë, bile dhe i caktuan një llozhë të veçantë e të perherëshme në Tetrin Nacional të Bukureshtit. Në sajë te talentit të tij të rrallë, ai shkroi në të gjitha gjinitë, poezi, poema, drama e komedi, aforizma, portrete e kujtime, artikuj kritikë, romane të panumërta, bile dhe libra për fëmijë. Ai nuk e harroi Boboshticën e tij dhe bashkëfshatrët, prandaj dhe erdhi disa herë. Herën e fundit ishte i shoqëruar nga sekretarja dhe vëllai i tij Stiljani. Qëndroi disa orë në Boboshticë, ku u fotogrfua me bashkëfshatarët që e pritën si birin e tyre. Në muzeun modest të fshatit Boboshtice ishte vendosur dhe stenda e veçante për të, me foto e të dhëna për veprën e tij, por tanimë dhoma muze mbas gjithë këtyre viteve të demokracisë, jo vetëm që ka mbetur e varfër, por dhe është dëmtuar, se tek ne gjithçka duhej të fillonte nga zero, dhe ato që ishin bërë duheshin hequr si “vepra të komunizmit”. Mëkat!”

Image

 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat