Lamtumirë ti vendi im
Lamtumirë ti vend i bukur
Lamtumirë ti vendi im
Ku kam ecur ku jam dukur
Tash t’ kujtoj më përmallim
Lamtumirë ju kreshta male
Shkëmb i kuq më flamur
Lamtumirë edhe ju Shkame
Uji burimi që rrjedh ndër gurë
Edhe ty fusha e verrit
Lamtumirë po të them një herë
Erës lehtë që frynë nga veri
Fllad të këndshëm që sjell n ‘pranverë
Nënë e dashur moj nënëloke
Lamtumirë tash po të them
T’ mbuloj dhe i asaj toke
Shpirti mua për ty po m ‘dhembë
Sa herë t´vi unë të varri
Bij në gjunjë dhe të kujtoj
Të sjell lule nga livadhi
Veten n’ lot e ngushëlloj
Lamtumirë ti baba im
Që lëngon në t ‘moçmin shtrat
Ti shoh sytë më lot n’ pikëllim
E pret derën më tu hapë
I shoh rrugët, më shtëpi
Lagje t’ bukura në katund
Rrugë të zbrazëta pa të rijë
Kanë ikë larg, për ndonjë punë
Lamtumirë ti axha im
Që lë lahutën varë në tra
Trupi yt po kalbet n’ dhe
E nipat tu nuk dinë më i ra
As ogiçëve s´u ndihet kumbona
Si dikur në kodër të thatë
Në kullosa n’ bjeshkët tona
Të shkelë këmba veç barë t ‘gjatë
Lamtumirë ti vendi im
Që po zbehësh më ngadalë
Të mbaj n ´zemër më admirim
Le t’ shpresojmë për nip e djalë
Kohë të gjatë këtu jetoj
Mendjen e kam unë veç të ti
S´ka ditë të zotit që s´kujtoj
Kur atë ditë t´me marrësh n’ gji
Shoh qytetin, pallatin mbretëror
Janë t’ praruar krejt më ar
Nuk e ndie as m’ flenë n’ kraharor
Veç në ty unë ndihem gjallë.
Stockholm 20 gusht 2019
Hasan dhe Lajde Blakaj