Poema “Feniksi i Dardanisë e poetit Rrahim M.Sadiku "

Libra

Poema “Feniksi i Dardanisë e poetit Rrahim M.Sadiku "

Nga: Zymer Mehani Më: 12 shtator 2019 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Poeti Rrahim M. Sadiku gjatë shtjellimit të poemës “Feniksi i Dardanisë” (kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare dhe krijuesit letrar, Xhemail Mustafa) e ka shfrytëzuar përvojën prej krijuesi, i prirur nga pavarësimi si krijues, d.m.th. e ka ruajtur origjinalitetin e stilit të tij krijues.

Në poemën “Feniksi i Dardanisë” autori ka sjellë shumë ide e faktografi me kthjelltësi e qartësi mendimesh për figurën e veprimtarit Xhemail Mustafa, të cilit ia dedikon poemën. Vargjet janë të shkruara me frymëzim të fortë dhe intenziv duke trajtuar një temë të pashtjelluar sa duhet, por ndoshta edhe aspak. Figurën e Xhemail Mustafës, autori e ka ravijëzuar me dozë temperamenti, me ethe dhe energji duke na e imponuar konceptin e vet, autenticitetin e shprehjes etj.

Poema e Rrahim M. Sadikut shquhet edhe për formën e vargut (krye e fund është dyvargësh (distik) që kanë formë të realizimit dhe të mendimit poetik). Autori është përpjekur për një varg konstruktiv, e kjo na bie në sy sapo të hasim në vargjet e para të poemës.

Autori Rrahim. M. Sadiku në tërë poemën “Feniksi i Dardanisë” mendimet e veta i bart nga një njësi te tjetra, madje edhe në tërë pjesën e poemës, e kjo na lë të kuptojmë se ky autor ka prirje për të menduarit filozofik me anë të tërësive (edhe poema përbëhet nga disa tërësi), që gjejnë integrim pastaj në vetë poemën. Kjo na tregon qartë se vargjet e poemës në fjalë janë vargje të sistemit, që si tërësi e përmbushin vetë poemën.

Kur flasim për konceptin krijues të poetit Rrahim M. Sadiku, atë duhet kundruar pikërisht në formën e sajimit të figuracionit poetik, në mënyrën e transponimit të preokupimeve dhe në vetë gjuhën poetike, të cilat e përbëjnë vetë diskursin poetik të autorit.

Në vargjet, strofat dhe pjesët e poemës “Feniksi i Dardanisë”, poeti Rrahim M. Sadiku ka shënuar fushën e përceptimit poetik, figurën reale për të cilën shkruan (Xhemail Mustafën) dhe realitetin në të cilin mediton poeti: “Jetën njerëzore të “Feniksit të Dardanisë”, “ngjyrën e helmit në gotë të bardhë” etj….

Fare në fund do të thoshim se poema e poetit Rrahim M. Sadiku shquhet edhe për vlerat artistike, por edhe për inicime të reja, tematika, ide dhe motive të ndryshme, pse jo edhe nga e kaluara e popullit tonë edhe e bijve të tij më të denjë, siç ishte edhe Xhamail Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat