“Libri, pushteti më bujar” ku emrat e mëdhenj japin mesazhin e kohës

Libra

“Libri, pushteti më bujar” ku emrat e mëdhenj japin mesazhin e kohës

Nga: Albert Zholi Më: 12 shtator 2019 Në ora: 21:03
Kopertina e librit

Thuhet se një libër është një histori për mendjen, ndërsa një këngë është një histori për shpirtin. Apo “Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje të fjetur: Kjo është jeta ideale”. Leximi i një libri ka qenë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha moshat një burim i dijes, i lumturisë, i kënaqësisë dhe madje edhe kurajos morale për ta parë botën dhe jetën ndryshe, me optimizëm. Aktualisht në botë më shumë se për të njohur dhe për të mësuar, imediate gjithashtu mbetet nevoja për një përpjekje të vetëdijshme për të balancuar situatat që i japin drejtimin e duhur jetës. Në ditët e kaluara, nëse leximi nuk ishte kultivuar apo inkurajuar, ka pasur një zëvendësim të tijin në predikimet fetare dhe në traditën gojore. Por sot, leximi, pasja e një biblioteke e një libri është një domosdoshmëri. Një person i cili lexon gjerësisht është në gjendje që të debatojë logjikisht me të tjerët pasi ai është një bashkëbisedues më i mirë se sa ata që nuk lexojnë. Leximi zgjeron vizionin, ai është në një mënyrë një zëvendësuese e udhëtimit. Leximi mund të plotësojë boshllëkun e krijuar nga mungesa e udhëtimit pasi jo çdo kush sot ka mundësi të udhëtojë dhe të mësoj në udhëtim. Leximi nuk ka fund, sepse gjendet një shumëllojshmëri e subjekteve për t’u lexuar në shumëllojshmërinë e librave anembanë botës.

Në të vërtetë, publiku është i lirë të zgjedhë mes vlerave që i ofrohen, sepse jo gjithnjë kushtëzohet prej informacionit paraprak, i cili mund t’i vijë nga kritika komerciale ose e specializuar, por mund t’i vijë edhe nga reklama e paguar; ose edhe nga ekspozimi mediatik i autorit dhe mënyra të tjera promovimi agresiv – përfshi këtu edhe recensione të zjarrta dhe mallëngjyese, që botohen në media, të cilat kanë të njëjtin pronar dhe të njëjtat interesa me disa shtëpi botuese të librave. Ajo çfarë mëton të arrijë tregu, reklama dhe zallahia televizive është të zëvendësojë një hierarki me një tjetër, kur kritika letrare nuk është koherente dhe korrekte. Në një shoqëri komplekse dhe pluraliste, roli i kritikës letrare është jo vetëm të evidentojë vlerat e mirëfillta, por edhe të kompensojë ndaj trysnisë brutale të tregut duke i dhënë lexuesit atë liri dhe orientim leximi që, përndryshe, do t’i mungonte realisht tregut. Parë në tërësi ky është dhe objekti i librit të ri i Servet Tartarit që jo më kot e ka titulluar aq bukur “Libri pushteti më bujar”. Në këtë libër do të gjeni, portrete, profile, reportazhe, biseda, përshkrime, intervista, dialogë, letërkëmbime, meditime, refleksione që autori i ka mbledhur në vite me skrupulozitet dhe tashmë i sjellë në formë libri për të plotësuar lëndinën e gjerë të librave të tij me një libër karakteristik publicistik ndryshe nga të parët. Ajo që dallon në libër janë portretet ndaj figurave të ndryshme shkencore, letrare, sportive, intelektuale të çdo fushe si inxhinierë, aktorë, regjisorë, gazetarë, operatorë, agronomë, mësues, etj, me të cilët autori ka bashkëpunuar në jetë, apo ka zhvilluar intervista. Kushdo që merret me krijimtari e ka të qartë se portreti është ndër gjinitë më të vështira të krijimtarisë letrare është një gjini që do kujtesë, korrektësi, disiplinë, studim, por mbi të gjitha ekuilibër. Pra të ruhet sensi i masës. Portreti nuk i lejon as teprimet, as zbukurimet, as nënvleftësimet, as mbivlerësimet, as ujërat, as thatësirën as miqësitë, as lajkat dhe as nënvleftësimin. Portreti është një mini-monografi që jep figurën tërësore të një personi me të gjitha cilësitë, virtytet, angazhimet, rrugëtimin, aftësitë, arritjet, zhgënjimet, disfatat. Portreti nuk lejon sforcime, as denigrime, ai është një psiko-analizë korrekte e personazhit. Nëse nuk je korrekt në portretizimin e tij, athere koha, kritika, njerëzit, nuk do ta pranojnë, por do të largohen në heshtje nga ky portret. Një gjini tjetër e këtij libri është reportazhi, një gjini shumë e vështirë por që autori e ka përcjellë me shumë vërtetësi dhe inforamcion të bollshëm. Në mënyrë publicistiko-letrare autori ka përshkruar shumë udhëtimë në Europë duke përcjellë historinë, gjeografinë, akitekturën e veçantë të çdo shteti që ka vizituar. Me përshkrimet e tij interesantë ai nxit kërshërinë e lexuesit deri në fund të reportazhit ku ka detaje që të befasojnë. Intervistat nga ana tjetër gjallojnë jo vetëm me veçantinë dhe cilësinë e personazheve, por edhe me jetën e tyre interesante ku ke çfarë mëson, ke çfarë plotëson në njohuritë individuale. Pyetjet provokuese, pyetjet për jetën dhe veprimtarinë e personazheve tregojnë për studimin paraprak të autorit për të hyrë thellë si në botën e brendshme po ashtu dhe në tërë jetën e tij. Në këto intervista autori ka ditur të zbërthejë pjesët më të bukura jetësore të personazheve që po na bën prezent. Ndaj theksoj se, në këtë libër autori është munduar të jetë korrekt me personazhet dhe i qetë në ndërgjegjen e tij pasi ka ruajtur sensin e masës por dhe të jetë në ekuilibër me zhvillimet kohore dhe ato letrare. Ky është një kujdes krijues pasi, duke eliminuar kritikën letrare, kritikat e sotme kulturore në Shqipëri nuk i shërbejnë pluralizmit, as zbulimit dhe kultivimit të vlerave letrare por individëve, autorëve me para, që i shmangen konkurrencës reale. Ndërsa ky libër është pjesë e tregut real pasi të tillë janë personazhet e librit, personazhe që gjallojnë në shumë fusha me kontribute të mëdha dhe shumë shprehëse. Marcel Proust shprehet:
“Leximi është me vlerë të jashtëzakonshme për natyrën njerëzore. Një aspekt i kësaj vlere është mënyra që na jep vetëdijesim. Nëpërmjet librave dhe sidomos nëpërmjet heronjve të letërsisë, ne mund të njohim botën tonë emocionale”. Tek ky libër autori shkruan me gjuhën e shpirtit që lexuesi të gjejë pjesë nga jeta e tij. Ai shkruan me sinqeritet pasi e ka të qartë se librat janë qirinj të përjetshëm të mençurisë dhe njohurive të akumuluara që çojnë në vetëdije dhe në këtë mënyrë, në lumturi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat