Sa herë e hapim Biblën e takojmë shqipëruesin e saj Dom Simon Filipaj

Libra

Sa herë e hapim Biblën e takojmë shqipëruesin e saj Dom Simon Filipaj

Më: 22 shtator 2019 Në ora: 17:26
Lekë Mrijaj

Bibla e Shenjtë është një libër përmbledhës e voluminoz i shumë librave dhe më i kërkuari dhe më i lexuari në mbarë botën njerëzore. Pikërisht është një libër me burim inspirimi e frymëzimi shpirtëror e jetësor për të gjithë njerëzit në rruzullullin tokësor pa dallim feje, gjinije e race. Nga këndveshtrimi im e themi me plotë përgjegjësi se është më interesante ta dimë se vetë Bibla është një burim i mistikës e përmbushur me mijëra e mijëra kode metaforike letrare, historike, gjeografike, filozofike, teologjike, shpirtëroe, psikologjike, sekrete e me plotë mesazhe e shembelltyra pozitive hyjnore.

Në vitin 1994 për herë të parë erdhi Bibla e shqipëruar përmes meshtarit Dom Simon Filipaj

Pikërisht u deshën të kalojnë katër shekuj përpjekjesh që të mundësohej përkthimi i plotë i kësaj vepre në gjuhën standarde, botuar nga shtëpia botuese “Drita”, Ferizaj, vitin 1994. Kjo u bë e mundur fal punës perkushtuese 40 vjeçare të mjeshtrit të fjalës shqipe, meshtarit të shquar të kishës katolike, dom Simon Filipajt që ishte pasradhës shpirtëror, letrar e kombëtar i Buzukut, L. Matrengës, P. Budit, F.Bardhit, P. Bogdanit, Jul Valibobës, Teodor Haxhi Filipit, Vangjel Mekse, Kostandin Kristoforidhit, Fan Nolit, Ndre Mjedës etj.

Dom Simon Filipaj, prift katolik shqiptar i Arkipeshkvisë së Tivarit, famullitar i Kishës Shën Gjergji, në Bregun e Bunës afër Ulqinit i cili ka luajt një rol tē fuqishëm dhe shumë të rëndësishëm si në rrafshin meshtarak profetik teologjik gjithashtu edhe në rrafshin kombëtar e kulturor apo me një fjal e themi të trinomit: "Për Fe, Atdhe e Kulturë". Ai që në moshë të re që ishte edhe në cilësinë e meshtarit mori guximin që ti përkthej në gjuhën shqipe librat liturgjike që nga meshari romak, leksionarët e ritualët e tjerë. Kështu që ai e bëri edhe përkthimin e Biblës Krishtëre ( Besëlidhjën e Vjetër dhe Besëlidhjës së Re ) në gjuhën shqipe si dhe shumë vepra tjera të sferave të ndryshme, që do të thotē se i dha një kontribut primar jo vetëm Kishës universale por edhe kulturës sonë shqiptare. Pikërisht gjatë perkthimit të Bibles nga latinishtja e greqishtja ai është ndeshur me 73 libra të ndryshëm, të cilat i perkasin Besëlidhjës së Vjetër (Pesëlibërshi që janë: Zanafilla, Dalja Exodos, Levitiku Levitikon, Numrat Arithmoi, Ligji i përtërirë Deuteronomion) dhe Besëlidhjës së Re (që janë: Ungjilli sipas Mateut, Ungjilli sipas Markut, Ungjilli sipas Lukës, Ungjilli sipas Gjonit, Veprat e Apostujve…) që janë libra të kush e di sa autorëve të ndryshëm, emrat e të cilëve, të shumicës prej tyre, deri më sot mbeten të panjohur për botën njerëzore ndaj edhe veë tjerash është ndeshur me stile e mënyra shkrimi të ndryshme, në hapësirën e 1300 viteve para dhe 100 viteve të plota pas Krishtit.

Dom Simon Filipaj, si një poliglot perveç gjuhës shqipe amë ai zotëronte edhe gjuhën kroate, latinishten, gjuhën greke të vjeter dhe gjuhën italiane. Pikërisht gjatë perkthimeve të Bibles ai u sherbye shumë edhe me hebreishten, kurse nga gjuhet e sotme në perkthime e ndihmonte mjaft edhe njohja e tij e gjuhës frënge.

Përpjekjen e patriarkëve të shqipes e përmbylli me sukses Dom Simon Filipaj me përkthimin e Bibles

Në një Tribuë Shkencore organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë dhe Instituti Filozofik dhe Teologjik, Shkodër me temën “Filipaj dhe BIBLA shqip” sipas studiuesit mirënjohur shqiptar, Dom Nikë Ukgjini, u tha; “Historia e kontakteve të para të pasardhësve të shqiptarëve më Biblën në një farë mënyre u nis më Shën Jeronimin nga Stridoni i Ilirisë, shekullit të V. Nisja e Buzukut u pasua në shekujt e më pastajmë nga përkthime të tjera të shkrimeve të shenjta në shqip si L. Matrenga, P. Budi, F.Bardhi, P. Bogdani, Jul Valiboba, Teodor Haxhi Filipi, Vangjel Mekse, Kostandin Kristoforidhi, Fan Noli, Ndre Mjeda etj. Kështu përpjekjet e para për të përkthyer këtë libër të shenjt në gjuhën e ndaluar shqipe shënojnë edhe fillesat e shkrimit të gjuhës shqipe. Përpjekjen e patriarkëve të shqipes e përmbylli me sukses Dom Simon Filipaj me përkthimin e tij”, tha dom Nikë Ukgjini.

Biografia e dom Simon Filipaj

Simon Filipaj u lind më 1 maj të vitit 1925 në fshatin Kllezën e Poshtme, afër Shasit të lashtë të komunës së Ulqinit, në Malin e Zi. Më 1932 filloi shkollën fillore dyvjeçare në Selitë, për të vazhduar arsimimin e tij në Katërkollë afër Ulqinit. Seminarin që i hapi rrugën e meshtarisë e kreu për disa vite në Tivar (1939-1941) dhe e vazhdoi pranë Seminarit Jezuit në Shkodër (1941-1945). Në vitet 1946-1950 Filipaj kreu studimet filozofike - teologjike në Fakultetin Teologjik të Zagrebit. Po në këtë vend u shugurua meshtar më 29 qershor 1950, si anëtar i Kryedioqezës se Tivarit. Fillimet e jetës klerikale Simon Filipaj i kaloi në Triepsh e në Kojë të Kuçit (1950-1960), kurse në vitet 1960-1966 në Grudë të Malësisë së Madhe. Pjesën më të madhe të shërbimit, 33 vjet, ai e ka kryer në Kishën Shëngjergj dhe në Kishën e Kllezës, buzë lumit Buna, nga 20 nëntori 1966 deri më 2 shtator 1999, kur dhe ndërroi jetë. Për kontributin e dhënë për kishën katolike ndër shqiptarë, më 3 nëntor 1988 Selia e Shenjtë i dha Filipajt titullin e lartë "Imzot" (Monsinjor) Kapelan i Papës Gjon Palit të II, ndërsa më 6 korrik 1992 u shpall "Prelat Nderi" nga Papa Gjon Pali II. "Imzot" Simon Filipajt, është i pari dhe i vetmi në të gjithë kohërat, që ka përkthyer tërësisht Biblën e Shenjtë në shqip nga fillimi deri në fund. Duke marrë parasysh kontributin e madh të dom S. Filipajt, Presidenti i Republikës z. Alfred Moisiu, më 8 qershor 2004, si mirënjohje për punën e bërë e dekoroi më Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë, pas vdekjes. Dom Simon Filipaj vdiq në 02.09.1999 në spitalin e Tivarit në Malin e Zi dhe u varros në Kellzen të Ulqinit.

Fjalë të përmortshme në meshën pershpirtërore të dritës mbajti edhe imz. Mark Sopi

Meshën e dritës për shpirtin e mons. Simon Filipajt në bashkëcelebrim e udhëhoqi miku i afërt i tij imzot Rrok Mirdita, i Arqipeshkëvisë Durrës – Tiranë, Imzot Zef Gashi arqipeshkv i Tivarit, Imzot Mark Sopi, ipeshkvi i parë i Republikës së Kosovës , Imzot Pjetër Perkoliqi, Arkipeshkv në pension e shumë meshtarë nga të gjitha viset shqiptare. Një fjalë të përmortshme në meshën pershpirtërore të dritës dedikuar dom Simon Filipaj e mbajti dhe tashme edhe i perndritshmi imzot Mark Sopi, ipeshkvi i parë i Republikës së Kosovës (ish-famullitar i afro 20 vitëve në Kishën “Shën Gjon Pagëzuesi” Zllakuqan-Lug të Drinit), foli për njeriun e dashur, të përkushtuar i cili dha gjithçka për kombin shqiptar.

Ky shkrim perkujtimor është vetëm një gjest i imi modest për të tërhequr vëmendjen të gjithëve qoftë edhe hierarkive në mbarë dioçezat të Kishave universale në Trojet e Shqiptare e Mergatë për një nga njerëzit më të rrallë të meshtarisë, kombit dhe cultures shqiptare, siq ishte i përndritshmi imz. Simon Filipaj.

Shqipëruesi i Biblës, Dom Simon Filipaj-Pushofsh nën ombrellën e hyjnisë qiellore!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat