Promovohet “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” e Buxhovit në Shkup

Libra

Promovohet “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” e Buxhovit në Shkup

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 16:04
Pamje nga promovimi i librit

Kështu e vlerësoi librin më të ri të Buxhovit historiani Qerim Lita.

Pas Tetovës dhe Strugës, “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” arriti edhe Shkupin, promovimi i së cilës u bë në Qendrën Kulturore Informative të kryeqytetit. Me këtë rast, historiani Qerim Lita tha se studiuesi dhe historiani i mirënjohur shqiptar, Jusuf Buxhovi, pas botimit të veprës madhore në tetë vëllime, “Kosova”, historiografisë shqiptare i dhuroi edhe një vepër tjetër po aq madhore dhe të rëndësishme “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”. Vepra prej më shumë se një mijë faqeve tekst, krahas hyrjes dhe përfundimit ndahet në pesë pjesë kryesore dhe më shumë kapituj dhe nënkapituj. Pjesa e parë i kushtohet antikitetit, pjesa e dytë mesjetës, pjesa e tretë Perandorisë Osmane, pjesa e katërt copëtimit të Shqipërisë dhe pjesa e pestë rikthimit të Jugosllavisë, përkatësisht asaj komuniste të Titos. Në pjesën hyrëse të librit, autori duke bërë një krahasim midis Maqedonisë antike, si mbretëri ndër më të njohura të kohës dhe “Maqedonisë si shtet politik i krijuar në fund të shekullit njëzet”, me të drejtë thekson se “pos emrit dhe një takimi të vogël në një pjesë gjeografike”, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetëm prania e shqiptarëve, të cilët historikisht janë trashëgimtarë të maqedonasve antikë si pjesë e botës pellazge-ilire ku kishin shtratin e tyre të barabartë mbretëria e Maqedonisë dhe mbretëria e Dardanisë”, gjë që me të drejtë autori thoshe se “në këtë aspekt, Maqedonia shfaqet emër historik i shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire”.

Për Qerim Litën, në këtë vepër voluminoze, pos trajtimit të antikitetit, të mesjetës, ku Maqedonët, Dardanët dhe Epirotët shfaqen në themelet e Bizantit, me rëndësi paraqet kapitulli i gjashtë i pjesës së tretë “Fuqitë e mëdha dhe paraloja e luftërave Ballkanike”, për të cilën autori thotë se e ashtuquajtura “Krizë e Maqedonisë” ishte një skenar ruso-sllav, për ta shuar çështjen kombëtare shqiptare. Fqinjët e shqiptarëve, serbët dhe grekët, thekson më tej autori, lëvizjet e tyre nacionale do t’i fillojnë me shpalljen e programeve kombëtare mbi baza hegjemoniste (serbët me “Naçërtanjën” dhe grekët me “Megali idenë”, me anën zë cilave parashihej zhdukja e çështjes shqiptare. Të udhëhequr nga kjo strategji, Serbia dhe Mali i Zi, do të fusin diçka nga armët e tre në pjesën veriore të vilajetit të Shkodrës dhe në veri të Kosovës. Me këtë rast do të lidhin marrëveshje të veçanta me disa nga feudalët dhe bajraktarët e këtyre viseve, që të mbroheshin pronat e serbëve dhe ato të manastireve, por ata do të bëjnë çmos që kryengritjet e tyre kundër osmanëve të mbikëqyreshin prej tyre. Ndërkohë, për shkak të presionit të madh nga ana e Fuqive të Mëdha, sulltan Hamiti kishte lejuar hapjen e konsullatave ruse dhe serbe në vilajetin e Kosovës e të Manastirit. Tërë kjo, nga ana e shqiptarëve u përjetua “si një përgatitje për aneksimet e reja sllavo-ortodokse ndaj trojeve të tyre, që këtë herë bëhej edhe me miratimin e Portës së Lartë”. Në kuadër të kësaj pjese, përfshihet edhe kryengritja e Ilindenit, e cila, sipas Buxhovit, ishte pjellë e autoriteteve bullgare, të cilët, duke shfrytëzuar pakënaqësinë me reformat që kishte shpallur sulltan Hamiti me rastin e “Udhëzimeve për Rumelinë” dhe krijimin e “megavilajetit” të Rumelisë, që sipas të gjitha gjasave do t’i shkonte për shtati ngritjes së çështjes shqiptare, dhe të shtryrë nga frika se mos reformat mund të shkojnë në dëm të Bullgarisë, komitetet e shumta bullgare-maqedonase në rrethet e Ohrit, Kosturit dhe Serezit, të shtyrë drejtpërdrejt nga Bullgaria dhe të frymëzua me parullat “Liri a vdekje” dhe “Maqedonia për maqedonasti”, në pranverën e vitit 1903, u ngritën në kryengritje kundër garnizoneve osmane në atë pjesë. Për Buxhovin, Ilindeni ishte një kryengritje probullgare dhe ishte në kundërshtim me interesat shqiptare, ngaqë shpërqendronte konceptin për Shqipërinë etnike të përbërë nga katër vilajetet (Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës), duke e kthyer atë në interes të fqinjëve (bullgarëve, serbëve dhe grekëve).

Image

Sipas Qerim Litës, edhe në kapitujt tjerë (Rilindja kombëtare, Luftërat Ballkanike, Krijimi i Jugosllavisë së Versajës dhe Krijimi i Jugosllavisë së Titos, ku shfaqet edhe Maqedonia e krijuar në kuvendin e ASNOM-it në verën e viti 1944), Buxhovi u ka dhënë përgjigje objektive këtyre zhvillimeve, duke e parë Maqedoninë në qendër të tyre, ndërsa shqiptarët në rolin e faktorit që është përpjekur të mbetet pjesë e botës shqiptare, përkundër faktit se nga Konferenca e Londërs,ajo e Parisit, Jallta e deri te shpërbërja e Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit maqedonas në vitin 1991, ka qenë pjesë e koniunkturave të huaj, që kanë bërë përpjekje që nëpërmes politikave të ndryshme antishqiptare, siç ishin programet për shpërnguljen e tyre për në Turqi e të tjera, t’ua shuajnë qenien etnike.

Në këtë zhvillim historik, vëmendje e madhe i kushtohet edhe pozitës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, si pakicë kombëtare e më vonë si kombësi nga viti 1945-1991, dhe asaj pas shpalljes së shtetit të pavarur maqedonas në vitin 1991.
Për Buxhovin, pozita e shqiptarëve në shtetin maqedonas të mbështetur mbi parimin shtet komb, shfaqet diskriminuese, ngaqë reduktohen në pakicë (minoritet), gjendje kjo që do të prodhojë edhe luftën që shpërtheu në vitin 2001 me qëllim që shqiptarët ta avancojnë pozitën e tyre kushtetuese, nga pakica tek populli shteformues. Lita vlerëson se Buxovi, luftën e vitit 2001 e konsideron “të papërfunduar”.

Në kuadër të kësaj lufte ai veçon tri aspekte të rëndësishme: atë ushtarak, diplomatik dhe politik. Sa i përket aspektit të parë, përkatësisht ushtarak, Buxhovi e vlerëson se lufta, ushtarakisht ishte mirë e organizuar, me dinamikë të përhapjes dhe e suksesshme për nga arritja e qëllimeve ushtarake. Edhe aspekti diplomatik i luftës, sipas tij pati jehonë pozitive, për shkak se UÇK-ja u shtri thuajse në mbarë hapësirën shqiptare në Maqedoni. Ndërsa aspektin politik, autori e konsideron të dështuar, për shkak se siç pohon “brenda tre muajve qëndrimet e UÇK-së kishin ndryshuar në kahun e tatëpjetës: nga ai i luftës çlirimtare kombëtare – që ishte iluzor, te opsioni për shtetin federal të dy popujve për të zbritur te opsioni i barazisë, që ishte real, te shteti multietnik, për ç’gjë nuk ishte nevoja të luftohej”.

Image

Në fund, Qerim Litaq tha se autori Buxhovi, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, në zbardhjen e realitetit historik të hapësirës gjeografike të quajtur “Maqedoni” si dhe prezencë e popullsisë shqiptare në të nga koha antike e deri më sot. Thënë shkurt, Jusuf Buxhovi e bëri atë që është dashur me kohë ta bënin dy akademitë e shkencave shqiptare, si dhe pesë institutet shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

Në fund, autori foli rreth nevojës për neoshqiptarizmin, si një imperativ në rrethanat e reja, me ç’rast theksoi se bashkimi kombëtar si ideologji e shekullit të kaluar, duhet të zëvendësohet me formulën e unionit të shteteve shqiptare.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat