Vepër madhore dhe e rëndësishme për historiografinë shqiptare

Libra

Vepër madhore dhe e rëndësishme për historiografinë shqiptare

Nga: Qerim Lita Më: 23 tetor 2019 Në ora: 08:19
Kopertina e librit

Studiuesi dhe historiani i mirënjohur shqiptar, Jusuf Buxhovi, pas botimit të veprës madhore tetë vëllimshme “Kosova”, historiografisë shqiptare i dhuroi edhe një vepër tjetër po aq madhore dhe të rëndësishme “Maqedonia nga antika deri te koha jonë)”. Vepra prej më shumë se njëmijë faqeve tekst, krahas hyrjes dhe përfundimit ndahet në pesë pjesë kryesore dhe më shumë kapituj dhe nënkapituj. Pjesa e parë i kushtohet antikitetit, pjesa e dytë mesjetës, pjesa e treta Perandorisë Osmane, pjesa e katërt copëtimit të Shqipërisë dhe pjesa e pestë rikthimit të Jugosllavisë, përkatësisht asaj komuniste të Titos.

Në pjesën hyrëse të librit, autori duke bërë një krahasim midis Maqedonisë antike, si mbretëri ndër më të njohura të kohës dhe “Maqedonisë si shtet politik i krijuar në fund të shekullit njëzet”, me të drejtë thekson se “pos emrit dhe një takimi të vogël në një pjesë gjeografike”, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetëm prania e shqiptarëve, të cilët historikisht janë trashëgimtarë të maqedonasve antikë si pjesë e botës pellazge-ilire ku kishin shtratin e tyre të barabartë mbretëria e Maqedonisë dhe mbretëria e Dardanisë”, prandaj sipas tij “Maqedonia shfaqet emër historik i shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire...”.

Gjithnjë sipas tij, gjurmët e para sllave në Ilirik shfaqen diku pas shekullit VII, përkatësisht në kohën e perandorit të Bizantit, Heraklit, i cili siç vë në dukje, lejoi që fiset barbare sllave të vendoseshin në pjesët ku kryesisht jetonin dardanët (nga Danubi në drejtim të derdhjes së lumenjve Moravë dhe Ibër) si dhe në drejtim të Savës dhe në Dalmaci, ku jetonin Ilirët, me çka erdhi deri te çrregullimi i etnisë ilire-dardane. Ky proces i vendosjes së sllavëve, do të vazhdoj në mënyrë intensive edhe gjatë dy shekujve të ardhshëm, dhe pasi atyre u mundësua të kyçen edhe në armatë, si dhe me fitimin e të drejtës që të krijojnë bashkësitë e tyre familjare-fisnore, përkatësisht zhupanitë, filloi koha “e sllavizimit të dhunshëm të Perandorisë në pjesën perëndimore të Ilirikut...”.

Siç u tha më lartë, pjesa e tretë e veprës e përfshin periudhën e Perandorisë Osmane, të cilën autori e ndanë në tetë kapituj të veçantë.

Në kapitullin e parë, autori në mënyrë kronologjike e përshkruan kohën kur osmanët shfaqen në Ilirik e deri te, siç e quan “Lufta e Dardanisë” e vitit 1389, ku siç dihet u vra Sulltan Murati i I, nga “Milesh Kopili, një fisnik vendor nga radhët e Arbërve, nga Sllavët i quajtur Milloš, fillimisht Kobilić, ndërsa më vonë Obilić...”.

Në kapitullin e dytë e përfshin periudhën e Skënderbeut, luftërat e tij kundër ushtrisë së Sulltan Muratit të II dhe Sulltan Mehmetit të II, raportet e Skënderbeut me Perëndimin, në radhë të parë me Venedikun dhe Vatikanin etj. Kapitulli i tretë trajton pozitën e shqiptarëve pas vdekjes së Skënderbeut e deri te luftërat austro-osmane në përfundim të shekullit XVII. Kapitulli i katërt, ndalet te reformat e Tanzimatit. Kapitulli i pestë fillon me krizën lindore, përkatësisht luftën ruso osmane e cila solli Shën Stefanin, për të vazhduar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe rëndësinë dhe peshën e saj historike, për Kongresin e Berlinit, pastaj për të ashtuquajtur “krizë e Maqedonisë” e cila qe shpikur nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria, me qëllim të destabilizimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Theks të veçantë në këtë kapitull autori i kushton Besëlidhjes shqiptare, Lidhjes së Pejës dhe programit politik të Rilindjes Kombëtare.

Rëndësi të veçantë për mua paraqet kapitulli i gjashtë i pjesës së tretë, të cilën autori e ka titulluar “Fuqitë e mëdha dhe paraloja e luftërave Ballkanike”. Siç u tha më lart, për profesor Buxhovin, e ashtuquajtura “Krizë e Maqedonisë” ishte një skenar ruso-sllav, për ta shuar çështjen kombëtare shqiptare. Fqinjët e Shqiptarëve, Serbët dhe Grekët, thekson më tej autori, lëvizjet e tyre nacionale do t’i fillojnë me shpalljen e programeve kombëtare mbi baza hegjemoniste (Serbët “Naçertanjën” dhe Grekët “Megali idenë”), me anën e të cilave parashihej zhdukja e çështjes shqiptare. Të udhëhequr nga kjo strategji, Serbia dhe Mali i Zi, do të fusin diçka nga armët në pjesët veriore të Vilajetit të Shkodrës dhe në veri të Kosovës. Me këtë rast do të lidhin marrëveshje të veçanta me disa nga feudalët dhe bajraktarët e këtyre viseve, që të mbroheshin pronat e serbëve dhe ato të manastireve, por ata do të bëjnë çmos që kryengritjet e tyre kundër Osmanëve të mbikëqyreshin prej tyre.

Ndërkohë, për shkak presionit të madh nga ana e Fuqive të Mëdha, sulltan Hamiti kishte lejuar hapjen e konsullatave ruse dhe serbe në vilajetin e Kosovës e të Manastirit. Tërë kjo, nga ana e shqiptarëve u përjetua “si një përgatitje për aneksimet e reja sllavo-ortodokse ndaj trojeve të tyre, që këtë herë bëhej edhe me miratimin e Portës së Lartë...”. Në kuadër të kësaj pjese, përfshihet edhe Kryengritja e Ilindenit, e cila sipas Buxhovit, ishte, pjellë e autoriteteve bullgare, të cilët, duke e shfrytëzuar pakënaqësinë me reformat që kishte shpallur Sulltan Hamiti me rastin e ”Udhëzimeve për Rumelinë” dhe krijimin e “megavilajetit” të Rumelisë, që sipas të gjitha gjasave do t’i shkonte për shtati ngritjes së çështjes shqiptare ngaqë shumica e popullatës vlerësohej se kishte prejardhje shqiptare dhe vllehe, dhe të shtyrë nga frika se mos reformat mund të shkojnë në dëm të Bullgarisë, Komitetet e shumta bullgare-maqedonase në rrethet e Ohrit, Kosturit dhe Serezit, të shtyrë drejtpërdrejt nga Bullgaria dhe të frymëzuara me parullat “Liri a vdekje” dhe “Maqedonia për maqedonasit”, në pranverën e vitit 1903, u ngritën në një kryengritje kundër garnizoneve osmane në atë pjesë. Më pas, gjithnjë në formën e një lufte, që komitet bullgarë bënin kundër katundeve të myslimanëve, kryengritja u shtri në disa pjesë të Trakisë, në vilajetin e Selanikut dhe, e mbikëqyrur nga Bullgaria dhe interesat e saj në të, vijoi tre muaj, deri në fund të tetorit, kur edhe u shtyp nga ndërhyrja e fuqishme e Portës së Lartë. Përkundër tërë kësaj, vë në dukje autori “historiografia shqiptare, vlerëson se Kryengritja e Ilindenit u përkrah nga popullsia shqiptare e trevave lindore të Krushevës dhe rrethinës së saj, duke ngatërruar këtu vllehët (të lidhur me Bullgarinë, që faktikisht ishin pjesëmarrës në strukturat kryengritëse) me shqiptarët ortodoksë (një pjesë e tyre, po ashtu, të lidhur me kishën bullgare për të shpëtuar nga kisha sllave dhe ajo greke) dhe duke anashkaluar manipulimin e popullatës së kësaj pjese nga Bullgaria, po edhe Serbia dhe Greqia, dhe qëllimet e tyre politike kryesisht mbi baza fetare...”. Mirëpo, tërë kjo siç shprehet Buxhovi, nuk qëndron për arsye se është mase e qartë se Ilindeni ishte një kryengritje probullgare dhe e cila ishte në kundërshtim me interesat shqiptare, ngaqë shpërqendronte konceptin për Shqipërinë etnike të përbërë nga katër vilajetet (Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës), duke e kthyer atë në interes të fqinjëve (bullgarëve, serbëve dhe grekëve).

Kapitulli i shtatë fillon me çështjen xhonturke dhe përputhjen dhe shpërputhjen e politikës së tyre me problemin shqiptar, për të vazhduar me Kongresin e Alfabetit në Manastir dhe zhvillimin e veprimtarisë kulturore shqiptare. Ndërkohë, kapitulli i tetë fillon me nacionalizmin centralist osman, i cili në tokat shqiptare riktheu fushatat, përkatësisht ekspeditat ushtarake, për shuarjen e kryengritjeve shqiptare të viteve 1909,1910 dhe 1911, për të vazhduar me Kryengritjen e Kosovës të vitit 1912 dhe marrëveshja e Shkupit me autoritetet osmane, përkatësisht 14 kërkesat e Hasan Prishtinës, për të përfunduar me luftërat ballkanike dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Pjesa e katërt e librit, fillon me copëtimin e Shqipërisë e cila erdhi si rrjedhojë e vendimeve arbitrare të Konferencës së Londrës të vitit 1913, për të vazhduar me rezistencën e armatosur shqiptare kundër pushtimeve dhe ripushtimeve, të cilës i printe Lëvizja Kaçake dhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Në kapitullin e dytë flitet për kolonizimin e tokave shqiptare dhe procesin e shpërnguljes së dhunshme për në Turqi, për Memorandumin e vitit 1937 të Vasa Çubrilloviqit dhe për organizatën “Xhemijet” dhe përpjekjen e asimilimit të shqiptarëve përmes islamizimit. Lidhur me këtë, Buxhovi vlerëson lartë kontributin e vëllezërve Draga, të cilët ishin edhe drejtuesit kryesor të Xhemijetit, veçmas të Ferhatit.: “Të njohura do të jenë qëndrimet e tij – shprehet Buxhovi - kundër shpërnguljes së Shqiptarëve në Turqi dhe reformën agrare, e cila ishte vënë në shërbim të kolonizimit të Kosovës me Serbë dhe në dëm të Shqiptarëve, por po ashtu, të njohura janë edhe deklaratat dhe protestat me rastin e dhunës së organizuar që ushtrohej ndaj shqiptarëve nga militantët e radikalëve dhe të demokratëve si dhe të ‘Dorës së Bardhë’, e cila organizonte fushata ‘patriotike’ kundër ‘terroristëve’, me ç’rast për militantët e saj ‘terroristë’ ishin gjithë ata shqiptarë që nuk pajtoheshin me politikën shtypëse të Beogradit dhe kundërshtonin shpërnguljen në Turqi...”.

Kapitulli i tretë ndalet në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhe shpërbërjen e Jugosllavisë së Versajit, ku autori nxjerr në pah realitetet e reja dhe lidhjet ideologjike të një pjese të shqiptarëve me komunistët jugosllav, për përçarjet e shqiptarëve mbi baza ideologjike dhe për diktatin jugosllav, për politikën e Lidhjes II të Prizrenit dhe të shtetit komunist shqiptar në krye me Enver Hoxhën.

Pjesa e pestë që është edhe e fundit, trajton problemin shqiptarë në përgjithësi pas rikthimit të pushtuesit jugosllav e deri në shpërbërjen e saj dhe krijimin e shtetit të pavarur të Maqedonisë, në vitin 1991. Në kapitullin e parë të kësaj pjese të librit, përshkruhet rezistenca e shqiptarëve kundër partizanëve jugosllavë dhe shqiptarë, për të vazhduar me Memorandumin e dytë të Çubrilloviqit dhe vazhdimin e politikës antishqiptare, si rrjedhojë e së cilës në trevat e pushtuara shqiptare u themelua Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e cila për synim pati çlirimin e tokave të ripushtuara shqiptare dhe krijimin e një Shqipërie me kufijt e saj etnik si dhe me një qeverisje demokratike properëndimore.

Në kapitullin e dytë bëhet fjalë për Maqedoninë e ASNOM-it, që autori e konsideron si një krijesë artificiale e Titos: “Nëpër skenarë të tillë të dirigjuar nga kruzhoku komunist i Titos dhe jashtë çdo kriteri ‘demokratik’ do të shfaqet edhe Maqedonia, një krijesë politike me emërtim antik, ani pse as gjeografikisht, as historikisht e as nga pikëpamja etnike republikën e re të popullit maqedonas, me asgjë nuk e lidhte me Maqedoninë antike. Ndërsa sajesa ‘sllavo-maqedonase’ nga mesjeta e vonshme – një amallgam bullgar-vlleh-sllav, i shkëputur nga amëzat e tyre shoqërore dhe politike - nuk kishte qenë në gjendje që të krijojë një identitet të qëndrueshëm etnik..”, vë në dukje autori në këtë pjesë të librit, për të shtuar: “Edhe i ashtuquajtur ‘sfond historik’ nga kryengritja e Ilindenit dhe Republika e Krushevës e vitit 1903, që do të theksohet në Manifestin e Kuvendit të ASNOM-it, ‘si burim shtetësie’, është pa ndonjë mbështetje të qëndrueshme historike, ngaqë as në Ilinden e as në Republikën jetëshkurtër të Krushevës nuk përmendet askund fjala Maqedoni e as emërtimi ‘maqedonas’. Madje, edhe slogani ‘Maqedonia maqedonasve’, nuk paraqet ndonjë fakt të qëndrueshme politik, ngaqë kjo thirrje, nga Kriza Lindore, do të shfrytëzohet si koniunkturë midis interesave hegjemoniste bullgare, serbe dhe greke në rajon për ta ndarë midis tyre me pretendime etnike, veçmas këtyre të parëve, të cilët ‘Ilindenin’ historikisht e trajtojnë lëvizje bullgare...”.

Mirëpo, autori vlerëson se “...me shpalljen e Maqedonisë shtet të maqedonasve”, Tito ia doli që ta shkëpusë Maqedoninë “nga konceptet bullgaromëdha të krijuara nga Shën Stefani e këndej” si dhe pretendimet hegjemoniste në vazhdimësi nga Kriza Lindore. Po ashtu, ia doli që me krijimin e Maqedonisë, atë ta shkëpusë edhe nga politika asimiluese e Serbisë dhe e popullatës së saj, e cila nga vitit 1912, kur ishte pushtuar nga Serbia, duke u kthyer në Banovinë të Vardarit, i ishte shuar emri Maqedoni, ndërsa sllavët e atjeshëm ishin trajtuar serbë. “Por, me ASNOM-in –thekson më tej Buxhovi -,Titoja ia doli që edhe shqiptarët etnikë, t’i përjashtojë nga pronësia shtetërore si dhe e drejta që të jenë të barabartë qoftë edhe në përputhje me doktrinën komuniste të ‘vëllazërim-bashkimit’. Kështu që, për shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë Perëndimore, shumë prej të cilëve kishin besuar se lufta antifashiste, së cilës i ishin bashkuar, do t’ua plotësonte idealet e barazisë, ku bënte pjesë edhe ajo e të drejtës historike për shtet të përbashkët, fitorja e revolucionit popullor si dhe realitetet që solli ajo, i kthehen në pakicë kombëtare nën pushtetin sllavo-komunist. Madje, me hipotekën e rëndë të ‘nacionalistëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit’ të manifestuar gjatë ‘Shqipërisë së Madhe’, që do t’u kthehet në barrë të dyfishtë shtypjeje në vitet në vijim...”.

Po në këtë kapitull, autori e trajton çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, i cili proces rifilloi nga viti 1953, ku si epiqendër shfaqet sërish Maqedonia. “Për ndryshim nga marrëveshja e parë jugosllave-turke e vitit 1938 – vë në dukje Buxhovi -, ku Shkupi, me praninë e Konsullatës Turke dhe fondet e majme nga Ankaraja, luante rolin e mekanizmit kryesor ‘administrativ-teknik’ prej nga fitonte dritën e gjelbër shpërngulja masive, këtë herë, Maqedonia dhe Shkupi si kryeqendër e saj, ktheheshin në epiqendër politike-shtetëror të këtij procesi, ngaqë marrja e vizës për shpërngulje për në Turqi kushtëzohej me deklarimin ‘turk’, që kapërcente nëpër procedura e konvertimi nga ‘mysliman’ në ‘turk’, që ligjërisht mundësohej vetëm në Maqedoni brenda një afati të shkurtër, pa marrë parasysh deklarimet e mëparshme...”.

Një rëndësi të veçantë në këtë kapitull autori i kushton edhe asimilimit të popullsisë shqiptare ortodokse, rënies së Rankoviqit dhe ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974 si dhe emancipimit kombëtar shqiptar të këtyre trojeve që lidhej me Kosovën.

Kapitulli i tretë në mënyrë të detajuar e përshkruan harkun kohor nga demonstratat e vitit 1981 e deri në shpërbërjen e Jugosllavisë, të cilën periudhë autori me të drejtë e konsideron si “rikthim i hakmarrjes ndaj shqiptarëve” nga ana e autoriteteve të Shkupit, të cilët u rreshtuan përkrah politikës së Millosheviqit.

Kapitulli i katërt ndalet në periudhën kur Maqedonia shpallet shtet i pavarur, për të vazhduar me Referendumin për autonomi të shqiptarëve dhe për “Iliridën”, pastaj për raportet midis Maqedonisë dhe Kosovës në prag të luftës në Kosovë, si dhe raportet midis Maqedonisë dhe Shqipërisë në të njëjtin interval kohor.

Krejt në fund, përkatësisht në kapitullin e pestë të pjesë së pestë të veprës, prof. Buxhovi ndalet në Luftën e vitit 2001 të shqiptarëve në Maqedoni, të cilën ai e konsideron si një luftë e “papërfunduar”. Në kuadër të kësaj lufte ai i veçon tri aspekte më të rëndësishme, atë ushtarake, diplomatike dhe politike. Sa i përket aspektit të parë, përkatësisht atij ushtarak, Buxhovi vlerëson se lufta, ushtarakisht ishte mirë e organizuar, me dinamikë të përhapjes dhe e suksesshme për nga arritja e qëllimeve ushtarake”. Edhe aspekti diplomatik i luftës, sipas tij pati jehonë pozitive, për shkak se UÇK-ja u shtri thuajse në mbarë hapësirat shqiptare në Maqedoni, duke i mbajt dhe përforcuar pozicionet në pikat kodrinore përreth Kumanovës me të cilat mbikëqyreshin rrugët hekurudhore dhe ato automobilistike me Serbinë si dhe kalimet tjera drejt pjesës qendrore”. Si rrjedhojë e tërë asaj gjendjeje faktike, mediat botërore nxorën në pah pamjen e një Maqedonie, e cila në luftë me UÇK-në, jo vetëm që nuk po ia dilte, që siç kishte premtuar kryeministri Georgievski që “agresionit terrorist”, që vinte edhe nga Kosova, t’i jepte përgjigje ushtarake, por gjithnjë e më shumë linte përshtypjen se nga krekosja dhe nga kokëfortësia që të pranonte fuqinë e faktorit shqiptar në Maqedoni, ishte në rrugë e sipër që të shpërbëhej si shtet, me çka rajoni do të përballej me një krizë, ndoshta më të madhe nga ajo që përcjelli shpërbërjen e ish Jugosllavisë....”. thekson, ndër të tjerave Buxhovi, i cili për dallim nga dy aspektet e para, aspektin e fundit, përkatësisht atë politik, e konsideron si të dështuar, për shkak se siç pohon “brenda tre muajve qëndrimet e UÇK-së kishin ndryshuar në kahun e tatëpjetës: nga ai i luftës çlirimtare kombëtare – që ishte iluzor, te opsioni për shtetin federal të dy popujve për të zbritur te opsioni i barazisë – qe ishte real, te shteti multietnik – për ç’gjë nuk kishte nevojë të luftohej...”. Në fund të kapitullit ndalet te “Marrëveshja e Prizrenit” e cila sipas tij “suksesin e luftës e ktheu në kompromis politik”.

Për sa u tha më sipër, konsideroj se me botimin e kësaj vepre, autori prof. Jusuf Buxhovi, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, në zbardhjen e realitetit historik të hapësirës gjeografike të quajtur “Maqedoni” si dhe prezencën e popullsisë shqiptare në të, nga koha antike e deri më sot. Thënë shkurt, Jusuf Buxhovi e bëri atë që është dashur me kohë ta bënin dy akademitë e shkencave shqiptare, si dhe pesë institutet shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat