Besa dhe vrasja në besë në romanin “Shamitë e vdekjes” të Hasan Hasanit

Libra

Besa dhe vrasja në besë në romanin “Shamitë e vdekjes” të Hasan Hasanit

Nga: Mr. Skënder R. Hoxha Më: 23 tetor 2019 Në ora: 17:01
Ballina e librit

Fenomeni i gjaqeve sipas traditës shqiptare është trajtuar dhe sanksionuar sipas disa normave  të caktuara  të traditës. Janë ato “norma” të ndërliqshme të përmbledha në “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, të cilat, për një kohë të gjatë luajtën rolin e ligjeve të egra nëpër malësitë tona!

Në romanin “Shamitë e vdekjes”shkrimtari Hasan Hasani kapton margjinave të një cope jete goxha të gjatë të dy familjeve, hasmërisë në mes të familjeve Ujkaj dhe asaj Kreshtaj, që kishte zënë fill shumë vjet më herët, me vrasjen e të birit të Murtezit, Sokolit, vrasje kjo që kishte ndodhur papritmas. Ishin “rregullat” kanunore që e rëndonin jetën në hasmëri, ku edhe në krahinën e Dushkajës, sikundër edhe në treva të tjera shqiptare, gjaku duhej nxjerrë, duhet të hakmirreshin. Për këtë fenomen të shëmtuar, shkrimtari Hasani thotë: “Në vend se ta luftonin armikun, që na plaçkiste e na çnjerëzonte për shekuj, na ripte deri në palcë dhe na merrte kafshatën nga goja, në vend se mu këtij t’ia vënim pushkën, ne humbnim kohë duke u vrarë njëri me tjetrin, ia vranim djemtë njëri-tjetrit, në vend se ata djem nga të dy palët të vriteshin atje ku duhej, atje ku e lypte nderi i atdheut, krah për krah me burrat që kalonin motin nëpër kreshtat e kësaj toke të nemur nga dreqi dhe i biri.” (shih, f. 13.)

Plaku i Kreshtajve, Murtezi, kalonte ditët e netët e tij në odë të burrave, të cilin më shumë “e mundonte e ardhmja e të gjallëve, e kurrsesi ajo e të vdekurve” (f. 13). Plakut i sillej nëpër kokë edhe ndejtja e Ujkajve në të pame, tri javë... Autori i romanit, për fillim të zgjidhjes së konfliktit në mes të këtyre dy familjeve dushkajase, i jep rolin Binakut, i biri tjetër i Murtez Kreshtës, një nga rolet kryesore, të cilin e fut labirinteve për të bërë një hap të rëndësishëm dhe pozitiv, duke e mveshur, të thuash, edhe me tipare të një heroi mitik. Ai kishte dalë atë mbrëmje me pushkë dhe ishte futur fshehurazi në oborrin e Ujkajve, në lamë të sanëve, në ahur e më në fund në tavan të kullës..., (shih, f.33).

Pjesa e dytë e aventures së rrezikshme të Binakut ndalet pikërisht në odën e burrave të gjakësit.  Në kullë të Ujkajve ishin edhe tre pleq të lagjes së Bardhajve që kishin ardhur t’ua heqin mërzinë në këto ditë të ngujimit. Narracioni merr forma të përshkrimet  të odës në atë katandisje: “Tymi e kishte errësuar odën. Duhani pihej plot pezm, hidhërim. Do enë të drunjta ishin mbushur përplot bishta të cigareve. Filxhanat e kafeve kishin mbetur para secilit, asdhtu të boshatisur. Pisha në mur ndriçonte zbehtë. (...) Tërë bisedën e dëgjoi me vëmendje Binaku në Tavan” (f. 42.) Në ato momente defilon si parandjenjë, si intuitë: kur thërret plaku i Ujkajve (f. 43) dhe  Binaku zbret nga tavani i kullës dhe futet në odë të burrave.

Dhënia besë familjes së Ujkajve    

Guximi dhe qëllimi i mirë i Binakut kulmon  kur ai, në prezencë të tre pleqve të Bardhajve, jep besë për 90 ditë... (f.46). Dhënien e kësaj bese e aprovoi edhe plaku i Kreshtajve, kur Binaku u kthy në shtëpi dhe u tregoi.

Futjen e Binakut në tavan të kullës, e në fund edhe në odë të burrave, pastaj edhe dhënien besë, duhet t’i kuptojmë ndaras: e para do të t’iu tregojë Ujkajve se ja një burrë i Kreshtajve kur të dojë mund t’iu hyjë edhe në shtëpi e të hakmirret, dhe e dyta dhënia besë është akt burrëror dhe se atë e bën vetëm i forti. Këtë dhënie besë që e bëri Binaku, shkrimtari e paraqet në roman si një gëzim edhe për familjen e Kreshtajve, apo një lirim nga ankthi i hakmarrjes për tre muaj (90 ditë). Pra, përdor një silogjizëm për të shpjeguar të gjitha këto që i kishin rrënjët në traditën kanukore të gjaqeve dhe gjakmarrjeve. Po mos të ishin gjaqet (vrasjet) nuk do të ishin hakmarrjet.  Ato fije gëzimi të kufizuar të familjes së Kreshtajve shihen me ardhjen e Elez Zogut (vëllai i gruas së Murtezit), pastaj mikpritja, therja e dashit, etj., (f. 48 – 49) Po ashtu ardhja e disa njerëzve nga fshati, të cilët i përmendi Elez Zogu (pyeti për ta), e sipas traditës ata duhet të ftohen, pastaj rapsod Bajrush Doda (këndoi me lahutë); fylltari Avdyl – i ra kavallit. Nuk mungojnë as shenjat, si: Shpatulla e dashit që e këqyri Tal Shkëmza..., ulërima e qenit..., etj. që u besonte shmë Murtezi.

Pasi u shpërndanë të gjithë, Murtezi e Elezi ranë për të fjetur.

Shkrimtari Hasani merr edhe elemente të tjera nga tradita për të përvijuar episode që shoqërojnë ngjarjen kryesore të romanit. Në këtë rrafsh, na del figura e një çuni të ri, Kreshnikut, nipi i Murtez Kreshtës, i cili (sipas moshës) ishte afër të fitonte të drejtën e armës, ku do të bëhej gazmend i madh (f. 71, 72).

 Kreshniku, ku, sipas traditës, kishte moshën të ndahej nga lojërat e fëmijëve dhe do të hynte në lojën e burrave, do të mbante pushkën, në fillim ishte personazh pozitiv, deri kur bën gabimin, nga mosnjohja e rregullave të traditës.

Gazmendi për Kreshnikun, të birin e Binakut, kishte filluar. Ai po shkelte në të shtatëmbëdhjetat, po e kalonte moshën e fëmijërisë dhe fitonte të drejtën e mbajtjes së armëve. Sipas traditës, të gjithë i gëzoheshin kësaj moshe të meshkujve, edhe të afërmit. Në odë kishin ardhur edhe nga fisi e bajraku. Plaka e Murtezit, Bikja, nëna e Kreshnikut, Sosja, ndjenin këtë gëzim në mënyrën e tyre. 

Në gazmendin që organizohej për Kreshnikun, Murtezi dërgoi ta thërrasin edhe plakun e Ujkajve. Një gjest burrëror që, në një mënyrë, sforcon edhe dhënien e besës për 90 ditë që ua kishte dhënë Binaku në odë të Ujkajve.

Ardhjes së dadës Fi, Dadëmadhes, hallës së Murtez Kreshtës, e martuar diku larg në Malësi, autori i jep një rol të rëndësishëm në roman. (f. 86). Ajo, (të nesërmen), ia tregon Kreshnikut rregullat e mbajtësit të armës, sipas zakoneve të vendit, ku dhe Kreshniku betohet se do t’i mbajë fjalët e Dadëmadhes.

Dadëmadhja, sipas zakoneve, ia bën bekimin familjes së Kreshtajve  (f.93), ndërsa 

Vrasja në besë

Kreshniku, sipas traditës, me armën në krah, i hip kalit dhe i sillet përreth tërë fshatit. Takimi i tij dhe bisedat me shokët dhe shoqet me të cilët kishte luajtur duke i ruajtur bagëtinë, deri kur plotësoi moshën për të mbajtur armën, (f. 100, 101),

Me padijen e tij ndodhi që Kreshniku ta vrasë një mashkull të Ujkajve, edhe pse ata kishin besën e Kreshtajve! Kjo vrasje në besë, sipas Kanunit e traditës, ishte shumë e rëndë dhe kishte jehonë të keqe. 

Murtezi ato ditë kishte mbetur në odë dhe s’i vinte kush nga të afërmit as nga fisi... Kishte ndodhur që Kreshniku kishte vrarë njeriun të cilin dikur e kishte gjetur Murtez Shkreta (para dyzet vjetësh). (Djepi i  kthyer përmbys, e ky (Murtezi) e kishte kthyer mbarë (pas masakrës). Nga masakra e shkieve shtëpia ishte bërë rrafsh me tokë. E këtë e kishte vrarë Kreshniku.

Kur dëgjon Binaku për këtë që kishte bërë Kreshniku (ishte hakmarrë për xhaxhanë), do t’ia shkurtojë kokën me sopatë...

Në mes të këtyre dy familjeve ishin tre pleqtë e Bardhajve (kishin qenë te Ujkajt atë natë kur Binaku u kishte hyrë brenda t’i vrasë, (f. 110). Në familjen e Kreshtajve tash rëndonin makthi i gjakut dhe makthi i besës. Në të gjitha anët flitej për këtë gjest joburrëror të Kreshtajve: rregullat e Kanunit, ndëshkimet për shkelësit e këtyre rregullave, ato ndëshkime të egra...  Ndërsa, pleqtë e Bardhajve kishin zgjedhur heshtjen!...Shumëkush andej mendonte “se a thua do t’iu djegen kullat Kreshtajve (sipas zakonit)?

Vret të birin, pse kishte shkelur besën

Tre pleqtë e Bardhajve shkojnë në kullë të Kreshtajve, të cilët pas darke fshin mustaket me shamitë e tyre të zeza dhe ato i lëshuan ngadalë në prehër! Edhe këtë rit Murtezi e përcolli me vëmendje. Bisedat vazhdonin thua se nuk iu dihej filli as mbarimi. Riti i vendosjes së shamive në prehër  përsëritej edhe  në ditën e tretë si ato dy të parat, ku kjo lojë e nevrikoste plakun e Kreshtajve. Luhej loja e shamive të vdekjes, pleqtë e Bardhajve nuk flisnin fare, as pse kishin ardhur!?

Në ditën e tretë, autori i romanit futet në aktin e shthurjes së konfliktit, në aktin më tragjik, duke i dhënë Binakut detyrën më të zorshme. Ai vret birin e tij, Kreshnikun. (f. 130, 131). Por, nëpërmjet të fjalëve të fundit të kreshnikut, në çaste të fundit të jetës, autori Hasani vë në dukje se ç’do të thoshte vrasja në besë (prerja në besë) sipas Kanunit , kur ai thotë: “ E bëra dhe e pagova gabimin, kundër besës, kundër kodit kanunor... “ (f. 131)..., “ E vrava njeriun në besë... “

Në përmbyllje të romanit, vetë Binaku në odë iu drejtua pleqve:  - “O pleq të Bardhajve, për atë që keni ardhur, ajo punë mori fund.”

Pastaj, që të tre u ngritën duke i futur shamitë në xhep, gjë që përmbyll edhe zgjidhjen e konfliktit në roman.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat