Së shpejti në duar të lexuesve do të jetë përmbledhja me tregime”Historia në kornizë” e autorit Shefki Përvetica

Libra

Së shpejti në duar të lexuesve do të jetë përmbledhja me tregime”Historia në kornizë” e autorit Shefki Përvetica

Nga: Zymer Mehani Më: 29 tetor 2019 Në ora: 20:15
Kopertina e librit

Me librin e parë “Eja, Pranverë!” (2018) Shefki Përvetica u prezantuar para lexuesve si poet serioz i poezisë bashkëkohore shqipe. U dhesht të kalojë një vit mes përmbledhjes “Eja, Pranverë!” dhe librit tjetër monografik “Dromca kulturore në një kohë të përflakur” (2019) e tani gati në fund të vitit 2019, ky autor lexuesve po ua dhuron edhe librin e tretë “Historia në kornizë”, një vëllim me tregime të shkurtra.

Autori Shefki Përvetica librin me tregime e fillon me tregimin “Vetëm edhe një herë”, dedikim për nënën. Heronjtë e tregimeve të tij janë të zhytur në vorbullën e jetës, që me shumë mund e sakrifica jetojnë e veprojnë sipas zakoneve dhe traditave tona shqiptare duke u sfiduar me andralla dhe peripeti që ua sjell jeta. Natyrisht, për autorin Përvetica që të shkruajë tregime që kanë të bëjnë pak a shumë edhe me traditat tona kombëtare, kjo nuk është kurrfarë vështirësie, ngase ai është njohës shumë i mirë i dokeve dhe zakoneve të popullit tonë.

Nuk është vështirë të konstatojmë se në këtë vëllim me tregime të autorit Shefki Përvetica janë inkorporuar një mori tregimesh, kryesisht të shkurtra. Në çdo vend e në çfarëdo situate ku qëndrojnë personazhet e këtyre tregimeve, kanë ndodhur ngjarje, ku mbretëron fryma optimiste dhe e arsyes. Prandaj bota tregimtare e autorit Përvetica është një tablo që ripikturohet me penelin e minagjinatës dhe reales. Autori mendon për lexuesit, edhe atëherë kur tregimi i tij me të gjitha elementet është krejtësisht aktual, por edhe atëherë kur tregimet ndërlidhen me vazhdimësinë nga e kaluara jonë.

Është fakt se proza e autorit Shefki Përvetica zakonisht është e ndrydhur në gjuhë dhe fjalia e tij nuk ka gjerësi, d.m.th., autori na del si kursimtar i fjalëve, e një kursim i këtillë gjuhësor është pjesë e çmueshme e stilit dhe e poetikës së tij krijuese. Por, kemi përshtypjen dhe na mban shpresa se këto tregime të z. Përvetica janë një paralajmërim i mirë për ndonjë libër të ardhshëm, për përshkrime edhe më të gjata (novelë, e pse jo edhe roman). Do të jetë me interes leximi edhe i asaj proze, sepse poetika e orientimit të Përveticës përballon përshkrime edhe më të mëdha.

Shefki Përvetica është mjeshtër i fjalës së shkruar artistike, ngase ai di ta zhvillojë kompozicionin dhe ta organizojë fabulën, si dhe ta drejtojë materialin e tij letrar, pikërisht ashtu siç e kërkon urdhri teoriko-letrar i krijimtarisë artistike. Prandaj, ky autor, secilin personazh e vë në vendin e vet. Këtë virtyt të autorit e theksojmë, sepse nuk na pëlqen proza e stërmbushur me personazhe të ndryshëm, që paraqiten e për të cilët nuk e dimë as pse janë, as çka duhet të bëjnë.

Shkrimtari Shefki Përvetica pra, di ta ndërtojë thurjen dhe shthurjen, duke mos e harruar gjatë këtij procesi krijues as artin e të rrëfyerit, gjë që shumë krijues të tregimit të shkurtër shpesh e harrojnë. Ai është liruar nga eksperimentet dhe kësisoji i ka tejkaluar hapat e gabueshëm që mund të jenë të rrezikshëm për shkatërrim të tregimit.

Shefki Përvetica me çdo kusht u përmbahet elementeve të tregimit, ku është shumë e rëndësishme fabula, ngase autori përmes saj lexuesit i ofron një ngjarje të thurur kujdesshëm. Por, ndonjëherë lexuesit edhe mund t’i pengojë shkurtësia e ca tregimeve të Përveticës, që përfundojnë aq shpejt, sa s’arrijmë dot as ta përcjellim thurjen. Por, edhe në këto raste, shkrimtari na prin në një rrugë me zigzage e labirinthe spiralore me plot befasi. Pikërisht një koncizitet i tillë i tregimit të shkurtër të z. Përvetica, është rrumbullakësuar mirë, prandaj ka edhe efekt më të madh si vlerë letrare.

Për fund të themi se autori Shefki Përvetica na ka dhuruar edhe kësaj here një libër interesant me tregime të shkurtra, në këtë kohë tejet dinamike me probleme të mëdha.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat