Kujtime dhembjesh krenare (Në 20 vjetor)       - Bota Sot
Kujtime dhembjesh krenare (Në 20 vjetor)      

Libra

Kujtime dhembjesh krenare (Në 20 vjetor)      

Nga: Naxhije Doçi  Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 09:37
Naxhije Doçi 

Nëna Gane, bukë a ka për të ngrënë?

Jam shumë i uritur dhe me ujë gurre e tretë

se edhe pështyma në gojë stepë e tharë.

Dikur në shtëpinë tonë

atje në Kërrnicën e vrullit të kallur

të Klinës tre lumejsh rrethuar

bukën më kos delesh e haja

dhe korijeve të bardha vrapoja.

A e kanë djegur krejt Kërrnicën, nënë

hienat serbe zbritur egërsish sterrë?!

Ujmirin, Shtupelin, Jashanicën

granatuar me topa

me tokë a i kanë rrafshuar?!      

  

Pyetje pa vend bëj ndoshta ndonjëherë

e shtrenjta ime zemërmadhe,

por ti mos u hidhëro me mua,

me birin tënd, Besmirin

se kam nevojë të bisedoj me dikë

në këtë trishtim një shekull natë

mes malesh të Izbicës strehuar

mllefin disi për ta larguar.

Ende më rri para sysh nënë

nata e dëbimit tonë më 25 mars 1999,

për të tretën herë ne radhë,

dhe tmerret e mbi gjashtëdhjetë tankeve serbe

që villnin zjarr mbi ne pandërprerë

si të dalë nga goja e kulçedrës me shtatë krerë

dëgjuar në përrallat e ndezura hovesh

pasdarkave të mallit buzë oxhakut

që i tregonte gjyshi Bardh shumëherë.

Arratinë e morëm me lotin e vrarë

hapin ku e vënim fare nuk dinim

drunjtë dhe therrat halore nuk i shihnim

dhe përgjakjet deri në asht nuk i ndinim,

homazhet në kujtime

dhe dënesjet nuk na linin.

 

Motrën Qëndresë-foshnje

në krah fortë e shtrëngoje

e Shkëndijën e vogël e mbaje përdore

bashkë edhe me një trastë rrobesh të pakta

marr me shpejtësi rrufeje nëpër errësirë

kur sytë t’i verbonin

e veshët t’i shurdhonin

predhat granatuese

për shfarosje tonë të trishtë.

Ne katër fëmijët prush të tjerë

nuk mundnim të të ndihmonim asgjë

nga tmerri lemeritës që na ndiqte.

                                                              

Babai Hamdi qe nisur ballëlartë

bashkë edhe me axhën Haki

e ushtarët-sogjetarë të tjerë

në ndeshje fyta-fyt me bishën serbe

për lirinë e shumëpritur të Kosovës

emër i palëkundur,

Sa shumë mburrem me babain nënë

me përmallimin zjarr,

yll në qiell si Ai dua të bëhem.  

 

Nëpër flakë të luftës

 

Në ditët e tmerrshme të funditvitit 1998

Klinën buzë Drinit

në nismë të Dukagjinit

ndezur vrullesh të zjarrta

thellësive të zemrës

dhe nga ndjenjë e obligimit historik

përkushtimin me hove zgjimi vërshuar

për ta vizituar.

Kjo ishte hirësi e stisur

etikë trashëgimie e krisur,

ashtu si edhe pas 15 korrikut 1998

dhe tërë atë verë në vazhdim

postblloqeve të trishta

dhe nëpër flakë të luftës depërtuar

me mundësi modeste për të ndihmuar

për fshatrat e djegura gati krejt rrafshuar                      

nga tërbimi mizor ushtaro-policësh serbë

me kupën e turpit kurorëzuar.

 

Përkushtimin në përmasa jehu

për mbledhje dëshmish me ofshamje shpirti

nga gratë me fëmijët prush

dhe nga të sëmurët

e pleqtë kërrusur moshe

lugjesh sterrë e malesh halore strehuar.

Eh, sikur të më kuptonin

ç’dhembje me përmallime zemre

më kaplonin,

kraharorin shtrëngoja nga loti-gurrë vërshuar.

 

Trimat shkëmb graniti në mal e në vërri

mbi tanke dhe ushtarësh serbë gri

në tokën e Kosovës që bënin kërdi

duke e plaçkitur e bërë shkrumb e hi.

Krahshqiponjat e së ardhmes së bardhë

bekuar me afshin e zemrës

dhe fuqinë e adhurimit.

 

Herave të tjera, në qetësitë provizore

kur niseshim nga Prishtina

në Klinë për të shkuar

fëmijët tërë shend e verë fluturonin

babait vendlindjen për t’ia vizituar

e gjyshin e gjyshen për ta përqafuar.

Vendlindja e babait përherë përrallore

me fusha e male veshur në gjelbërime,

me lumenj të qetë rënë nëpër fushime,

e herë të rrëmbyer derdh nëpër rrëpime.

 

Për të shkuar atje vrulli rridhte i dëlirë

se nuse e dëshirit nuk u bë me pahir,

krismat e lodrat jehuan shpat më shpat

kur velloja e bardhë u hoq si duvak,

duvak i kuq dikur i nuseve tona

marrë në kalërime gjerë në ditë të vona. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat