Zvicra, shpikja e një Kombi

Libra

Zvicra, shpikja e një Kombi

 Alfred Papuçiu Nga  Alfred Papuçiu Më 24 nëntor 2019 Në ora: 15:40
Ballina e librit

Gazetari André Crettenand boton një libër të bukur për vendin e tij të vogël, Zvicrën. Së shpejti ai do dalë në shqip për lexuesin tonë në Kosovë, Shqipëri, Zvicër dhe kudo në Diasporë. 

"Përsosmëria është e pranishme në këtë vend". Në librin e tij të vogël, nga numri i faqeve,  me titull "Zvicra. Shpikja e një kombi ", André Crettenand shkruan me plot elozhe për origjinën e tij. Ky ish gazetar i "L'Hebdo" dhe TSR, ish drejtor i informacionit në TV5 Monde në Paris, aktualisht Drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Televizionin zviceran, është autori i një "deshifrimi" të Konfederatës, në koleksionin « shpirti i popujve », në Botimet Nevicata, të drejtuar nga Richard Werly, korrespondent i përhershëm në Paris për "Le Temps". Çdo vëllim në këtë mënyrë kërkon të gjurmojë rrënjët kulturore dhe fetare të vendeve që nganjëherë humbën në mjegullat e globalizimit. Në një numër të vogël faqesh, André Crettenand tregon më tepër se 500 vite të historisë të Zvicrës.

Kam lexuar shumë libra për arritjet e këtij vendi të vogël, gjatë tre dekadave të jetës sime në Zvicër që e kam përshkruar disa herë,  me sipërfaqe afro dyfishi i vendit tonë që Rilindasit tanë e kanë menduar edhe për Shqipërinë tonë, por edhe për Kosovën martire. Por ju them të drejtën se ky libër më ka bërë  të mendoj edhe për Kombin tonë që ka vlera dhe pasuri natyrore shumë më tepër se Zvicra, një bregdet të virgjër, në një pjesë të territorit të saj, dhe njerëz punëtorë dhe paqedashës, apo edhe në Kosovë me njerëz liridashës dhe krenarë. Prandaj u nisa për udhë dhe vendosa ta përkthej në shqip, këtë libër të përkryer, të një gazetari të njohur zviceran.

Biseduam së fundi, pranë ndërtesës së Televizionit zviceran në Gjenevë, më shumë se një orë sëbashku me gazetarin e njohur, André Crettenand, tepër komunikues dhe i thjeshtë. Ai më theksoi se mendimi për hartimin e librit i kishte ardhur kur punonte në Paris, tek TV 5, pasi po të ishte në Gjenevë në atë kohë, nuk do ta kishte ndërtuar, ashtu si e ka paraqitur. Atij i pëlqen vendi i tij dhe njerëzit punëtorë që e përbëjnë, një vend, ku edhe shumë nacionalitete të tjerë, si edhe shqiptarë të shumtë, janë banorë të saj dhe japin ndihmesën e tyre të çmuar për përparimin e saj. Ai preferon t’i flas thjesht me emër, André,  dhe më thekson se ka përmendur disa herë në libër dhe shkrimtarin e madh, Viktor Hugo që e ka përshkruar Zvicrën anë e mbanë dhe ka shkruar me nota të bukura për të.

Ai thotë se shembulli i Zvicrës është unik dhe kur i them se Rilindasit tanë donin që Shqipëria të bëhej si Zvicra, buzëqesh dhe thekson se çdo vend ka karakteristikat e veta, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, për të cilat ka lexuar dhe i njeh edhe nëpërmjet shkrimtarit të shquar, Ismail Kadaré, apo bisedave që kemi shkëmbyer bashkë. Falenderon dhe gazetën « Bota Sot » që ka botuar një shkrim dinjitoz për librin e tij. Shkrimin e tij në shqip unë ja përktheva edhe në frëngjisht dhe më thotë se do ta ruaj me kujdes në bibliotekën e tij. Shpreh kënaqësinë e veçantë që libri do botohet edhe në shqip, krahas gjuhës gjermane dhe angleze që po përgatitet.

Libri fillon me historinë e Vilhelm Tell, mitit themelues të Zvicrës, dhe përfundon me homo alpinus, një popull i begatë, shumë gjuhësh dhe i përbërë nga shumë kultura, duke përfshirë  edhe rreth 200 mijë  shqiptarë, që ndjek në 2016 rrugën e tij drejt përsosjes. Gjatë përshkrimit të tij, André Crettenand lëkundet mes lavdërimit dhe kritikave rreth këtij shteti pothuajse tepër të begatshëm për të qenë i sinqertë, shumë pak i njohur për të qenë i vlefshëm dhe tepër i qetë dhe i lumtur për të ekzistuar. Ai druhet pak kur flet për vendin e tij kaq bukur, sidomos, për një ndjenjë krenarie që si një zviceran i mirë na mëson  të përmbahemi.

Por modestia e lexuesit zhduket nga ndjenja e saktësisë së një Zvicre, të treguar nga një prej bijve të saj. Një libër për ta kuptuar zviceranët, duke u kujtuar atyre që jetojnë atje, përse ndihen aq mirë dhe ata që kanë ikur pse duan të kthehen. Ashtu si autori i librit, tek i cili ne ndjejmë një nostalgji të ëmbël për këtë vend të privilegjuar që "nuk është zvarritur në fatkeqësitë e botës". Një vend nga i cili duhet të marrë shembull edhe Kombi ynë. Po të shkosh në muzeun « Alimentarium » në Lozanë sheh me syte e tu, rrugën e vështirë të Zvicrës dhe zviceranëve, që sot janë shembull në tërë botën për përkushtimin e tyre dhe arritjet e shumta në fusha të ndryshme të jetës, në marrëdhëniet e shkëlqyera me fqinjët, edhe pa bërë pjesë në Bashkimin Europin, apo edhe më tej me vendet e tjera të botës, duke përfshirë edhe SHBA.

Këtu më poshtë po japim disa pjesë të librit për lexuesit tanë.

________________________________________
André Crettenand, "Zvicër. Shpikja e një kombi ", Ed. Nevicata,
Parathënie
Pse Zvicra?
Gjithçka fillon nga një lojë mizore. Një gjykatës, përfaqësues i Habsburgëve dënon një malësor rebel. Ky është i detyruar të qëllojë një shigjetë mbi një mollë të vendosur në kokën e të birit. Ushtrim i rrezikshëm. Ndërkaq, burri e pranon sfidën. Dhe ja del mbanë. Por ai ka fshehur një shigjetë tjetër. I detyruar të jape shpjegim mbi shigjetën e fshehur, ai pranon se ajo ishte ruajtur për gjykatësin, në rast fatkeqësie. Më vonë, malësori e vret gjykatësin e mbrapshtë.

Lind legjenda e Vilhelm Telit. Ajo do të kalojë shekuj, do të frymëzojë poetët, do të mahnitë zviceranët. Kurajo, zotësi, dëshirë për pavarësi, revoltë kundër fuqive, personazhi Tel u pajis me të gjitha cilësitë, duke i dhënë Zvicrës legjendën e praruar, për të cilën ajo u bë krenare. Një legjendë që kapërceu larminë e gjuhëve, territoreve dhe feve. Sot, historianët thonë se Vilhelm Teli nuk ka ekzistuar kurrë. Pa dyshim. Të paktën, legjenda ka patur efektet e saj : »Si koka e prerë e Orfeut, mitologjia vazhdon të flasë, edhe pas vdekjes së tij, edhe me kalimin e kohës ». Ne jemi të të njëjtit brum si dhe ëndrrat, thotë Shekspiri.

Përsosmëria ndodhet në këtë vend. Peisazhet janë të përkryer. Qytetet kanë një pastërti të habitshme, fshatrat të zbukuruar me lule, rrugët të rregullta. Dëbora çdo vit është e pranishme dhe ndriçon vendin. Banorët e saj flasin të gjitha gjuhët, ata u përkasin kulturave të ndryshme, jetojnë në një harmoni të përkryer. Një mekanizëm politik i gjetur u jep mundësi minoriteteve që të nxjerrin në pah të drejtat e tyre. Qeveria ka një stabilitet të dalluar. Populli vendos për gjithçka, në sajë të demokracisë të drejtpërdrejtë. Cilësi që hasen në fushën ekonomike. Zvicra zë vendet e para në botë për shpikjet. Me të vërtetë nuk ka papunësi. Ka pak konflikte sociale. Me përjashtim të disa grindavecëve kritikues, Zvicra është e njëzëshme. Gjendja është idilike. Ose më mirë, këtë duan të mbajnë mend për atë, sikur përsosmëria mbizotëron ndaj çdo kritike. Gjetiu, gjithmonë është më keq. Përsosmëria dhe e veçanta.

Zviceranët e zonës gjermane kanë shpikur një fjalë për ta shprehur këtë : Sonderfall. Ai përmbledh si neutralitetin, sistemin politik dhe mbarëvajtjen ekonomike. Pa dyshim, asnjë vend nuk ka trumpetuar aq shumë se ai është « i veçantë », ndryshe nga të tjerët dhe për këtë arsye duhet lënë i qetë. Një rast i veçantë në botë, një model përsosmërie, por që asnjeri nuk e bën të vetin. Ndoshta është frika e një lumturie që do të dilte shqetësuese. Kështu, Orson Welles flet për Zvicrën në filmin e tij « Njeriu i Tretë » : « Gjatë 30 viteve në Itali nën Borgia, ata patën luftë, terror, vrasje dhe masakra, por gjithashtu është Mikelanxhelo, Leonadro da Vinci dhe Rilindja. Në Zvicër, ata kanë patur 500 vite të një dashurie vëllazërore, demokracie dhe paqeje, dhe çfarë solli kjo? Ja ku është.
Nuk bëhet Historia me gjykime të mira. Nuk ka stacione metrosh me emra të bujshëm betejash. Nuk ka kremtime të madhërishme, parakalime në bulevardet e mëdha. Zvicra ka shpikur orën tingëlluese në shtëpi. Ajo e mbylli orën në një kuti prej druri,  e zotëroi siç ndoqi fatin e vet : në mënyrë të pandalshme.

Kështu që zviceranët ditën të tregojnë historinë e tyre të praruar. Atë të një populli të vogël të guximshëm që arrin të mbijetojë në një natyrë të vështirë, shpesh vetëm në një mjedis perandorish, dukatesh dhe mbretërimesh ziliqare. Të një vendi punëdashës, të shkathët, të shpejtë, shpikës. Atje ku të tjerët mbështeten tek një e kaluar e lavdishme, pallatesh me afreske, katedralesh gotike, gërmadhash antike, monumentesh përrallore, Zvicra ka investuar tek peisazhi dhe mirëqënia. Zviceranët janë të ndërgjegjshëm se jetojnë në një vend të dashur nga perënditë. Po ata janë modestë, disi të mjaftueshme, nga ata që e njohin sekretin. Zvicra nuk ka qënë prirur nga prozelitizmi i Francës revolucionare, e vendosur për të përhapur dritën tek i gjithë planeti. Ajo e di që është një model, ajo e di që të tjerët e dijnë, pra ajo nuk ka nevojë të mburret shumë.

Ndoshta kjo histori e mjaftueshmërisë të të ardhurave ka lindur në Marignan. Disfatë e paharruar e zviceranëve që deri atëhere terrorizonin ushtritë e të gjithë dinastive europiane. « Ndëshkuesit e mbretërve » u ndëshkuan edhe vete. Historianët hahen mbi rëndësinë e ngjarjes dhe rolin që ka luajtur kjo disfatë në përfytyrimin zviceran. Kremtimi i 500 viteve të betejës, në 2015 solli një polemikë të madhe. Njëra palë gjykonte se neutraliteti zviceran ishte frymëzuar nga ngjarjet italiane, të tjerët mendonin se kjo disfatë nuk e kishte dobësuar shpirtin luftarak të zviceranëve dhe as nuk kishte kontribuar në tërheqjen e përgjithshme të vendit.

Megjithatë unë mendoj se  ngjarja ndikon në psiqikën kolektive dhe nëse atëhere nuk pati pasojat e shpresuara të një disfate absolute, ajo shërbeu më vonë si simbol. Një popull i mbyllur në vetvete, i gatshëm të eksportojë aftësinë e tij- do të jenë mercenarët- por duke zgjedhur për çdo rast- Kongresi i Vjenës i 1815- statukuonë se sa çdo zgjerim të territorit. Një popull, siç thotë Regis Debray në librin e tij Urimi i kufinjve, « është një çështje mitesh dhe formash. Kërkohen një legjendë dhe një hartë ». Legjenda, ishte Teli, harta, qe ky « vend i vogël ».

Midis Veriut të zotë dhe Jugut që kërkon të shijojë kënaqësi materiale, Zvicra mori nga pak nga të gjithë. Mund të thuhet se ajo ka « zemrën franceze dhe kokën gjermane », siç thoshte filozofi Feuerbach, që kërkonte një përkufizim të një mendimtari ideal. Por këtu mendimtari është punëtori me përvojë të madhe.

Për Zvicrën nuk është dëgjuar të flitet shumë që nga fillimi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo tërhiqej në kohën e duhur nga një gjendje e vështirë, por nuk përcaktonte rregullat. Ajo nuk ishte një mbretëri, ajo nuk ushqente të ishte një përfituese e famshme dhe e pangopur, ajo nuk ndërtonte një perandori. Tek « Zotërit e Greqisë », helenisti nga Lozana, Andre Bonnard thotë :” Mjerr njeriu shumë i lumtur ». Lumturia e plotë dhe pa fund është një grackë apo një vegim. Asnjë njeri nuk ka të drejtë për lumturinë absolute, privilegjin hyjnor ».

Zvicra është një vend i qetë dhe gjithmonë i mundshëm për mërgatë, që nuk ka mjerim por megjithatë e ndërlikuar, e shqetësuar. Sypatrembur, por egoistë nga kujdesi i tepruar, të aftë për më të mirën por dhe më të keqen, për arritje të shkëlqyera . Zviceranët nuk kanë patur fatkeqësitë e botës. Dhe megjithatë kanë shpikur frika bashkëkohore: një sulm i papritur atomik, pushtim i njoftuar nga Lindja, luftë kimike. Jo se këto rreziqe nuk kanë egzistuar, por zviceranët janë të përgatitur me kujdes të tepruar.

Vlerësohet më mirë qetësia kur shmang katastrofën.  Të Vjetërit e përcaktonin në këtë mënyrë epikurizmin –arritjen e lumturisë. : të gëzosh lumturinë e të egzistuarit në siguri në breg, kur furtuna fillon në det të hapur. Pra fillimisht Zvicra është ky vend i qetësisë. Ajo ka frymëzuar më tepër poema se sa tragjedi. Në brigjet e Lemanit janë vendosur kompozitori Paderevski në Morzhe, shkrimtari Vladimir Nabokov në Montrë. Atje, Stravinsky kompozoi Ardhja e pranverës. Çarli Shaplini u vendos në Vevei. ” Në buzë të Lemanit, Stendali, Michelet, Ruskin dhe Tolstoi e ndjenë më të butë ardhjen e Lumturisë, të Poezisë dhe të Bukurisë...”. Dhe në kohë të tjera ishin Huhuenotët të përzënë nga Franca, Germaine de Stael që iku nga Napoleoni, Lenini që përgatiti kthimin në Rusi. Pak kohë më parë, David Bowie.

Kjo i ka magjepsur romantikët. Viktor Hugo e përshkoi Zvicrën në 1839. Ai hartoi një raport të plotë lidhur me udhëtimet e tij helvetike qe e çuan nga Bazeli në Vevei. Ai përfshin në tekstin e tij vizatime, skica. Ai shënon, komenton. Në fillim, e frymëzon Rini i madhërishëm, pastaj Alpet, më në fund liqeni. “ Liqeni më guduliste këmbët. Ishte një qetësi e madhe në këtë natyrë të madhe. Ishte diçka madhështore dhe e butë. Një çerek ore më vonë, varka ishte zhdukur, afshi i liqenit ishte qetësuar, qyteti ishte në gjumë.

“Helvétia është një mit . Zvicra është një markë. Por si u krijua si vend, i populluar nga tetë milionë banorë, krenarë, megjithë ndryshimet e tyre, me flamurin e tyre me Kryqin e Bardhë që njihet kudo ? Dhe si arrin ajo të mbetet aq e begatë, duke qëndruar me vetmohim, jashtë Bashkimit Europian që e rrethon ? Që nga brigjet e liqenit Leman deri tek fusha e Grütlit, në lartësitë e Zvicrës qëndrore, deri tek luginat e Valesë, të rëpira deri në kufinjtë italofone të Tessin. Identiteti i Zvicrës kudo është ngritur në virtut. Por kujdes. Kjo lumturi e të qënit zviceran, shpesh e karikaturizuar nga ata që e vëzhgojnë nga jashtë me zili, gjithashtu meriton një diagnozë kërkuese ».

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat