Promovohet libri për Skënderbeun dhe hungarezin Hunyadi, flitet edhe për rëndësinë e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Libra

Promovohet libri për Skënderbeun dhe hungarezin Hunyadi, flitet edhe për rëndësinë e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 15:06
Foto ilustrim

“Ishin kohë të vështira për Skënderbeun, por ai kishte aleat hungarezin Hunyadi”, është titulli i librit më të ri që sot është promovuar në Prishtinë, libër që është realizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Ambasada e Hungarisë në Kosovë.

Libri përbëhet prej 340 faqesh dhe ka gjithsej 15 kapituj, në të cilët flitet për dy figurat dominante të mesjetës në Evropë, Skënderbeut shqiptar dhe të hungarezit John Hunyadi.

Përveç pjesës së historisë, libri ka kapituj që flasin edhe për raportet në mes të Kosovës dhe Hungarisë, e ku tregohet qëndrimi i Hungarisë për njohjen e Kosovës.

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, që është edhe autori i pjesës ku flitet për raportet mes dy vendeve, foli për rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të ndikonte edhe më tutje në stabilitetin e rajonit.

Markusz: Suksesi ose dështimi i dialogut nuk është thjeshtë çështje bilaterale

“Marr guximin të them se suksesi ose dështimi i dialogut nuk është thjeshtë çështje bilaterale, ajo do të ketë ndikime të mënyrave të ndryshme edhe tek të tjerët në rajon, e madje edhe jashtë rajonit. Pra, edhe pse qeveria hungareze e ka njohur Kosovën që në mars të vitit 2008 nuk ka pasur pritshmëri për të pasur një marrëveshje të shpejtë midis Beogradit dhe Prishtinës, njohje bilaterale të ndërsjellë, por do të thosha se një marrëveshje përfundimtare e detyrueshme ligjërisht dhe e mbështetur nga Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë do të dëshmonte shumë se njohja, vendimi për njohje ishte vendimi i duhur që para 12 vjetësh”, tha ai.

Sa i përket librit, ai tha se libri përmban 15 episode të historisë së gjatë të lidhjeve midis shqiptarëve dhe hungarezëve, ndërsa tha se është ilustrim se shqiptarët kishin kontakte të ngushta me hungarezët.

Nënkryetari i AShAK, Jusuf Bajraktari, tha se ky libër i promovuar sot është i vlefshëm për historinë e vendit, ndërsa potencoi se në libër ngërthehen trajtesa të vlefshme të ngjarjeve dhe aspekteve që përbëjnë lidhjen e epokave dhe figurave të shquara nga e kaluara e dy popujve.

Bajraktari: Trajtimi i vlefshëm i ngjarjeve që përbëjnë lidhjen e epokave dhe figurave të shquara

“Ky botim ngërthen në vete trajtesa të vlefshme të ngjarjeve dhe të aspekteve që përbëjnë lidhjen e epokave dhe figurave të shquara  nga e kaluara e dy popujve tanë. Në këtë vepër prej 340 faqesh me argumente jepen tablo të veçanta të ndihmës së studiuesve hungarezë, siç është ballkanologu i shquar për rëndësinë e studimeve albanologjike nga këndvështrimi gjuhësore e historike në botimin dy vëllimor hulumtime iliro-shqiptare, në spikatjen e rolit të misionarëve të ndryshëm kulturor dhe fetar, në studimin e dy figurave dominonte të mesjetës në Evropë, Skënderbeut shqiptar dhe të hungarezit John Hunyadi. Si dy personalitete më të shquara në luftën kundër osmanëve në shekullin e 15”, tha ai.

Në këtë libër, Bajraktari tha se i është kushtuar një pjesë edhe historisë më të re të Kosovës, ku trajtohet qëndrimi i Hungarisë për pavarësinë e Kosovës.

Redaktori i librit Kristian Csaplar- Degovics tregoi se për titullin e librit është inspiruar nga një citat i Fan Nolit, ndërsa u shpreh se të dy popujt kanë arritur të mbajnë raporte me njëri-tjetrin për më shumë se 5 shekuj.

Degovics: Historitë e tyre janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën

“Lexuesit e këtij libri do të arrijnë të kuptojnë se të dy popujt në më shumë se 5 shekujt e fundit kanë arritur të jenë në kontakt me njëri-tjetrin më shumë sesa në mënyrë sipërfaqësore. Historitë e tyre janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Autorët kanë trajtuar mënyrën se si lidhja midis Skënderbeut dhe John Hunyadi mund të rindërtohet mbi bazën e burimeve historike, se si familja Arianiti rindërtojë pushtetin e saj të humbur në territoret hungareze të pushtuara nga otomanët. Dhe se si komandantët ushtarakë e shqiptarë, myslimanët dhe katolikët u përballën me njëri-tjetrin në fushat e betejave hungareze, duke përdorur burime arkivore u arrit të zbulohet se si intelektualët katolikë me origjinë nga territoret moderne të Kosovës kontribuuan në formulimin e parë të topologjisë kombëtare shqiptare”, tha ai.

Ai tha se pjesa mbi kontaktet historike mbyllet me dy kapituj të cilët ofrojnë të dhëna diplomatike.

Për librin ka folur edhe Ylber Hysa, i cili tha se interesante është e tërë përpjekja për përzgjedhjen dhe trajtimin e temave në libër.

Hysa: Në mënyrë shumë origjinale e bënë përzgjedhjen e një sërë temash

“Interesante në fakt është e tërë përpjekja e redaktuar nga Krisztian Csaplar Degovics, që në mënyrë shumë origjinale e bënë përzgjedhjen e një sërë temash që ndahen në dy kapituj të ndarë në lidhje historike dhe lidhje akademike. Në të parën rreshtohen në një sistem kronologjik katër tema nga mesjeta dhe gjashtë nga koha e re, dhe një tjetër që i mbetet ekskluzivisht me Kosovën e sotme. Ndërsa, në lidhjet akademike sillen tri tema nga arkeologjia, fjalori dhe botanika. Por, parë nga një këndvështrim tjetër përzgjedhja e temave në këto 15 kontribute shkon më lartë e shikuar nga raportet historike shqiptaro-hungareze dhe e konceptuar më gjer nga disa determinanta e momentume që dalin nga korniza historike, politike e gjeografike”, tha ai. 

Libri “Ishin kohë të vështira për Skënderbeun, por ai kishte aleat hungarezin Hunyadi”, është mundësuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Ambasada e Hungarisë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat