Bota e buzëqeshur dhe shpirtluanesha e Dardanisë

Libra

Bota e buzëqeshur dhe shpirtluanesha e Dardanisë

Nga: Baki Ymeri Më: 21 dhjetor 2019 Në ora: 08:15
Ballina e librit

Thonë se edhe fjala ka shpirt. Nuk të shërojnë ilaçet, sa të shërojnë fjalët. Shqiptarit i ka hije fjala dhe pushka. Fjalët e bukura janë si një hoje mjalti: të mira për shpirt dhe të shëndetshme për eshtra. Libri është shëndeti i shpirtit. Shpirti i fshatit, shpirti i gjumit, trupeshpirt, shpirt’ i dashurisë. Cilat janë specialitetet e shpirtit? Shpalimi i gjirit të femrës është ilaç i mirë për shpirtin, ndërsa beli i bukur, ushqim i shijshëm për ndjenjat. Kur vjen fjala për shpirtin, vlen ta përmendim femrën femra si frymëzim poetik dhe artistik. Burim i përshkruar në disa mënyra përgjatë kohës, në arte të ndryshme, gruaja ka mbetur një prezencë konstante, jo vetëm në këngë, poezi dhe romane, por edhe në pikturën shqiptare, duke reflektuar perceptimet e artistëve dhe të shoqërisë.

Në vargjet e Remzi Bashës defilon bota e buzëqeshur e fjalëve të buzëqeshura dhe bukurosheve të buzëqeshura. Jeta pa dashuri shëmbëllen me rrushin e papjekur në vreshtë, me lulet e vyshkura në vjeshtë, me një trambulinë të rrokullisur, me një ëndërr të përmbysur apo me një përrallë për të dremitur fëmijë. Poezitë e dashurisë janë burime frymëzimi, një nga mënyrat më të natyrshme për të  shprehur mendimet dhe ndjenjat për botën magjike të dashurisë. Shumë poetë shqiptarë janë bërë të famshëm me krijimet e tyre, duke na lënë kujtime të bukura që dremisin në vepra artistike. Njëri nga ta është edhe autori i kësaj vepre që thot: „Femra është Zjarr i Shenjtë/ I ndjeshmërisë/ Kurse Dashuria/ Nektar i pavdekësisë...”

Vargjet e dashurisë çdokend e përvetësojnë, siç i përvetëson natyra lulet në pranverë. Pse? Sepse në shpirtin e poetit zotëron engjëlli si një roje besnike e sigurisë në pranverën e natës melankolik. Dashuria është drita e qiellit që krijon vallëzime magjike në një natë të shenjtë. Në prehërin e saj dremisin kujtimet e paharruara të flukseve misterioze mbi luginat, mbi malet dhe mbi fushat e tokës së mbuluar me rrezet e diellit. Dashuria është ndjenja më sublime që frymëzoi shumë piktorë, poetë dhe prozatorë të famshëm të shqiptarizmit poetik. Dashuria është një ndjenjë komplekse dhe shumë e bukur, e cila dëshmohet më së miri me fjalë që burojnë nga zemra dhe vepra të bukura që e pasurojnë bibliotekën e sentimenteve letrare. Në librin më të ri të Remziut defilojnë shumë poezi të bukura dhe mbresëlënëse. Tematika e tyre gërshetohet me jetën dhe të vërtetën, me lirinë dhe dashurinë.

Kush nuk ka qenë i bukur në moshën 20 vjeçare, i fuqishëm në moshën 30 vjeçare, i pasur në moshën 40 vjeçare dhe i mençur në moshën 50 vjeçare, ai nuk mund të jetë as i bukur, as i fuqishëm, as i pasur dhe as i mençur. Kjo vlen për mua, për ty dhe për të gjithë. Jetën e bëjnë të bukur fjalët e bukura, kujtimet e bukura dhe veprat e bukura. Libra që bëjnë histori na jep ky ëndërrimtar i talentuar i mërgatës shqiptare. Remziu vjen para nesh me kujtime nga fëmijëria e fjalëve, me pranverën e dashurisë, me verën e ngrohtësisë, me vjeshtën e pjekurisë, me zërin e zemrës dhe botën e buzëqeshur të lumturisë: „Je e nxehtë dhe ende e ndjej/ Parfumin tënd të këndshëm/ Emrin tënd në zemër e mbaj/ Të kam zanë e më ke trim/ Për dashurinë tonë të bekuar/ Lind dielli për ne në perëndim”.

Shpirti shqiptar është një shpirt i shenjtë. Nga portrete familjesh e deri në aspekte nga jeta shtëpiake apo sociale, nga përfytyrime sublime të maternitetit, gjithmonë me femra misterioze apo fshatarka të thjeshta, një suitë shëmbëlltyrash e siluetash reflektohen në tabllo emblematike të disa nga artistët dhe poetët më të shquar shqiptarë, që nga Naim Frashëri e Ibrahim Kodra dhe pararendësit e tyre, e deri te Azem Shkreli, Ali Podrimja, Sabile Basha, Gentiana Muhaxhiri, Sali Bashota, Drita Nikoliqi Binaj, Remzi Basha, Albina Idrizi, Dan Gashi, Asllan Dibrani, Destan Gashi, Miradie Maliqi, Ben Kamili, Basri Çapriqi, Sadulla Zendeli Daja, Vitore Leka, Lulzim Gashi, Natasha Ilia, Remzi Kuqi, Afrim Shatku etj. Femrat shqiptare kanë marrë pjesë edhe në evenimente të mëdha historike.

Numri i tyre është i panumërt. Ata janë shquar përmes luftës së tyre, duke e qëndisur me shkronja të arta historinë e atdheut. Afërdita e autorit të kësaj vepre meriton respektin e autorit, të familjes së tij dhe të lexuesve të panumërt, që nga vendlindja deri në trojet e mërgatës sonë: „Vetëm për ty jetoj/ Vetëm pranë teje mund të flatroj/ Me ty mund të shkëpus nga fjalët/ Flatra të mëdha”. Dhe më tej: “Vetëm për ty marr frymë/ Për ty mund të luaj me zjarrin/ Me zjarrin që na e shërron/ Sëmurjen e dashurisë// Vetëm për ty jetoj/ Afërdita ime/ Mrekulli e Zotit/ Grua e bekuar/ Krijesë e dashuruar”.

Shqiptari ngado që shkon, vendin e vet s’e harron. shpirti shqiptar është një vlerë hyjnore. Kurrë s’trembet shqipëtari, që ka në zemër, gjak si zjarri. Shka bojn shqyptarët e mjerë? - pyeste Gjergj Fishta për dembelat e Ballkanit, duke shtuar: Hanë fiq e qesin petlla n’ujë. Dhe e shikojnë ushtarin e huj. Pale a e ka fesin qyp apo kapelë. Pale a e ka kalin at apo pelë! Të këtillë na duken sot, ata që i hedhin më shumë lekët për ahengje e cigare, se sa për gazeta kombëtare dhe vepra letrare. Remzi Basha promovon veprat e tij, merr pjesë nëpër tubime mbarëkombëtare dhe vjen para lexuesve tanë me një gamë frymëzimesh lirike të denja për admirim dhe afirmim: “Kujtimet palohen në sertar/ Muza ime është një margaritar/ Kohët palohen njëra mbi tjetrën/ E reja palohet mbi të vjetrën// Çarçafët palohen për dashuri/ Dashuria palohet në Dardani/ Fotografitë palohen në album/ Edhe fjalët palohen për ty/ Kur më vjen në shtrat si flori”.

Kemi thënë paraprakisht dhe vlen ta përsërisim se zëri i dashurisë është zëri i zemrës që buron nga thellësitë e shpirtit për përjetësimin e fjalës dhe lumturimin e botës. Remziu ëndërron dhe thekson: “Të takova në ëndërr/ Ishe duke ecur ngadalë/ Shtigjeve ku isha duke të pritur gjatë natës/ Më kërkoje dhe të kërkoja/ Qielli i hapi portat e yjeve/ Që e shëndrisnin botën e takimit tonë të parë/ Hëna shkëlqente duke na buzëqeshur/ Duke të ftuar që të vish në gjirin tim/ Të të bëj përsëri të lumtur// Takimet tona krijuan/ Kujtimet më të bukura në botë/ Sa here takoheshim më thoje/ Nuk mund të jetoj pa ty/ Nuk mund të jetoj në këtë botë/ Pa shijen e buzëve tua/ Më thoshe në horizontin e lumturimit/ Ku dëgjoheshin valët e Shkumbinit/ Dhe këngët e mallëngjimit/ Zëri yt shëmbëllente/ Me zërin e zanave të fshatit tim/ Që dremit në brigjet e një bote të bukur/ Dhe të magjepsur/ Eja ta shijojmë jetën së bashku/ Pas gjithë shëtitjeve tona nëpër botë/ Më thoshe duke më ftuar/ Të takohemi përsëri në shesh/ Fillimisht rrallë e për mallë/ E më vonë në shesh dhe në shtrat/ Të takohemi shpesh e më shpesh”.

Ku është zemërgjerësia karakteristike, e atyre që shkriheshin për komb e atdhe, siç ishin rilindësit tanë, atëherë kur toska e gega, myslimani e i krishteri, hidheshin në flakë të barotit, për t’ia shpëtuar trojet Shqipërisë, nga hazërxhinjtë e Turqisë dhe derrat e Serbisë! Vepra respektive nuk trajton subjekte historike të cilat i ka trajtuar në veprat paraprake. Kësaj tribune të bukur të erotikës shqipe nuk i mungojnë ëndërrimet, imagjinata, metaforat dhe figurat tjera stilistike. Libri “Shpirtluanesha e Dardanisë” ka edhe vjersha tjera briliante, por ne po e përmbyllim parathënien me pesë vargje të denja për lekturim: “Guaca e gjinjve tu/ Ishte e shenjtë si hëna/ Ngjyra e tyre e bardhë/ Ishte porsi shkuma/ Në bregun e detit”. (Bukuresht, 22 Dhjetor 2019)

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat