Figura e femrës në disa romane të shkrimtarëve shqiptarë

Libra

Figura e femrës në disa romane të shkrimtarëve shqiptarë

Zymer Mehani Nga Zymer Mehani Më 2 janar 2020 Në ora: 08:01
Ilustrim

Në fillimin e viteve ’60 do bëhen hapat e parë për të nxjerrë letërsinë nga shablloni metodës së realizmit socialist. Inicues është Petro Marko me romanin e tij të parë “Hasta la vista” që sjell një këndvështrim të ri në letërsinë e asaj periudhe.

“Hasta la vista”- Figura qëndrore në këtë roman janë shqiptari Gori Gjinleka, vullnetar shqiptar dhe spanjollja e re dhe e bukur, Anita Gonzales. Këta dy shpejt bien në dashuri, e cila lind në shikim të parë, por bëhet shumë e fortë dhe e sinqertë, edhe pse fatkeqësisht ndërpritet me kthimin e Gorit në atdhe. Mundësia për t’u takuar mbetet e hapur, sepse në ndarje Gori i thotë Anitës përshëndetjen spanjolle “hasta la vista”, që do të thotë mirupafshim.

“Qyteti i fundit”- Më pas, po Petro Marko, boton romanin “Qyteti i fundit”, në të cilin trajton një temë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, por, është shkruar nga një kënd i ri, që solli një frymë të re në letërsinë shqiptare. Autori do të sjellë rrëfimin për dashurinë e oficerit të ri shqiptar Lekës dhe prostitutës së bukur italiane Ana Maria Monte, viktimë po ashtu e luftës dhe e fashizmit.

Shkrimtari në romanin "Qyteti i fundit" do të sajojë linjën e rrëfimit që ndjek hetimi për zbulimin e një krimineli lufte, të maskuar dhe të fshehur brenda turmës së "Qytetit". Në krye të grupit që duhet ta organizojë dhe ta udhëheqë këtë zbulim është toger Leka. Pista që ndjek togeri në këtë drejtim, e ngjashme me labirintet e romaneve deduktive, do të ecë dhe përmes prostitutës italiane - Ana Maria Monte. Leka është toger i Sigurimit Shtetëror të Shqipërisë së sapodalë nga lufta, që la pas shkatërrime dhe krime, ndërsa italiania Ana është e palës që i kreu ato krime, e palës së cilës i shërbente.

'Kështu shkrimtari, duke ndjekur këtë linjë do të ecë nëpër një teh të mprehtë: do ta lejojë togerin e Sigurimit t'i nënshtrohet zërit të brendshëm dhe të dashurohet me italianen e bukur, apo do të nxjerrë para tij fuqinë e përgjegjësisë dhe të mëkatit ndaj "mollës së ndaluar".
P. Marko theu disa tabu të kohës, jo vetëm se femra ishte e huaj, jo vetëm se dashuria jepet si ndjenjë aq universale, sa mund të lidhë edhe dy njerëz të kombësive të ndryshme, por edhe për faktin e thjeshtë se femra në tekstet romanore të tij zuri një vend të merituar, qoftë dhe kur ajo ishte prostitutë, prandaj romanet e përmendura të Markos ia kanë arritur të reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”-Më 1962 Ismail Kadare boton romanin e tij të suksesshëm “ Generali i ushtrisë së vdekur” përkthyer në 40 gjuhë te ndryshme. Plaka Nicë: personifikon nënat e martirizuar dhe urrejtjen e pashuar të popullit ndaj agresorëve. Në gjestin simbolik të hudhjes së eshtrave në këmbët e gjeneralit, gjykon dhe ekzekuton dënimin për kolonelin Z. Kësaj, në luftë, Koloneli Z. Ia kishte vrarë burrin dhe dhunuar vajzën, duke ia sterrosur jetën përgjithmonë. Kjo atëherë përjetoi një dramë të thellë familjare, pasojat e të cilës i barti në shpirt njëzet vjet. Atmosfera e dasmës, madje uniforma e gjeneralit të huaj, asaj ia kujton kohën e luftës, kohën e tmerreve dhe fatkeqësive që i solli ajo. Përmes monologut të saj të brendshëm ne kujtojmë të kaluarën e saj tragjike: “thonë se ti mbledh të vrarët e vendit tënd. Mbase ke mbledhur shumë dhe do të mbledhësh akoma shumë të tjerë, mbase do t’i mbledhësh të gjithë, por dije mirë se njërin nuk ke për ta gjetur kurrë në jetë të jetëve, ashtu si në jetë të jetëve unë nuk do t’i gjejë kurrë më vajzën time dhe burrin tim. Do të ikësh pa e marrë mikun tënd, mikun tënd të zi, që më sterrosi jetën. Të ikësh sa më parë, sepse edhe ti je i mallkuar si ai.”

Në shpirt kjo ka ndry një plagë të madhe, një tmerr dhe një dhembje prej grua dhe nëne. Tani kur sheh gjeneralin, i cili i përket asaj ushtrie armike, që ka vrarë djegur aq shumë njerëz e vende, në shpirtin e saj krijohet një tension i madh, emocion, një revoltë e përzier me dhembje e përbuzje që përgatit njëkohësisht edhe zhvarrosje e Kolonelit Z. fë vdekur dhe varrosjen e gjeneralit të gjallë përballë dasmës. Drama familjare e plakës Nicë ndodhi në gjiun e dramës së përgjithshme kombëtare, e kushtëzuar nga lufta, nga historia, prandaj prapaskena e kësaj ngjarjeje është realiteti historik. Mendoj më shumë se imagjinatë në këtë episod ka të vërtetë historike, të vërtetë jetësore, e cila përmes artit është thelluar dhe përgjithësuar në tërësi.

“Lumi i vdekur”-Më 1965 Jakov Xoxa boton romanin e tij “Lumi i vdekur” , Personazhi i Vitës është një tërësi ndjenjash, prandaj gati receptohet nëpërmjet ndjenjave të saj si një heroinë sentimentale. Ajo më tepër përjeton dashurinë sesa jeton me mundimet dhe vuajtjet e përditshme. Prania e saj ndihet e fortë në krejt romanin, kurse bëmat dhe sjelljet shihen më pak. Zgjimi i ndjenjave dashurore shkon krahas zhvillimit femëror dhe zbukurimit të saj, aq sa duket sikur dashuria e zhvillon dhe e zbukuron atë. Përshkrimet për zgjimin e saj dashuror dhe zhvillimin femëror janë ndër më emocionueset dhe të rralla në prozën shqipe. Si bijë vuan dhimbjen e madhe për vdekjen e parakohëshme të së ëmës, si motër provon herët dhembshurinë për vëllanë dhe motrën e vogël jetime; si vajzë e sinqert dhe pa paragjykime përjeton thellë dashurinë erotike për Adilin.
Vita, gjithashtu, është simbol i pasioneve rinore të vrullshme dhe të pandalshme, është simbol i dashurisë që çel edhe në kënetën e jetës, edhe në mes të fanatizmit, simbol i gëzimit dhe i përtëritjes së jetës; simboli i femrës që ngacmon erotikisht njerëzit dhe poetizon krejt mjedisin.
“Oh”-Anton Pashku, me romanin "Oh" ndihmoi shprishjen e konvencave tradicionale të ndërtimit të rrëfimit në prozën tregimtare dhe ndërtimin e figurshëm të realitetit përshkrimor. Rrëfimi i ngjarjeve strukturohet si dialog i burrit-rrëfimtarit me bashkëbiseduesen "e pranishme". Njeriu i vetmuar, në dhomën e errët, është kredhur në mendime. Në dhomë është gruaja, por ajo nuk merr pjesë në shqetësimin e tij.

“Malësorja”-Nazmi Rrahmani në romanin ‘Malësorja”, kryepersonazh ka Hajrijen, e cila nuk është e tipit të formuar, të gatshëm, por formohet gjatë rrëfimit, i cili rrjedh sipas teknikës kronologjike, të ndërprerë dhe të ndërpleksur herë-herë. Formimi i Hajrijes ndiqet sipas linjës së brendshme të shpalimit, nga motivet, pretendimet, vizioni i saj i brendshëm, ajo gradualisht vetëdijësohet për pozitën e vet të nënshtruar, për mundësitë e veta të kufizuara, por tërë atë ngarkesë e bart në heshtje dhe dhimbje të plotë. Ngjarja në këtë roman rrëfehet në vetën e tretë dhe nga pozicioni i narratorit të gjithëditur, që nënkupton distancën e autorit, përkatësisht mundësinë e pozicionimit objektiv rrëfyes. Tërë bota e rrëfyer shikohet me sytë e Hajrijes: nga ky kënd sajohen mekanizmat e vlerave dhe vlerësimet, nga kjo perspektivë sajohen parimet morale, kanunore. Vizionin e vet për vlerat jetësore, Hajrija arrin ta shpalosë botërisht pothuajse në mbyllje të rrugës së vet jetësore. Kur e ndien se fundi i saj do të jetë shumëfish më tragjik nga ç'ka qenë Golgota e përjetuar, ajo vendos të veprojë dhe të ketë rezultat.Triumfi i saj moral, në të njëjtën kohë është dhe paralajmërim për një cilësi të re jete, sidomos në rrafsh të pozitës së gruas, por dhe një trajtim i gjakmarrjes kanunore. Këmbëngulja e saj vjen dhe si një sprovë, si një sfidë që i bëhet qëndrueshmërisë së kësaj plage. .

“Dikush më buzëqeshte”- Tema e këtij romani zë Fatos Arapit, edhe pse lidhet me luftën antifashiste, nuk ka të bëjë me prezentimin klasik, tradicional, të luftës. Vetë shkrimtari, duke rrëfyer në vetën e parë dhe duke u identifikuar plotësisht me personazhin që rrëfen, fare rastësisht has në emrin e një heroine, të rënë në luftë. Ky tregimtar, dikur fëmijë edhe vetë, ka qenë dëshmitar i vrasjes së kësaj heroine nga ana e fashizmit, në qytetin e vet. Kështu, pa pritur, atij tani i del përpara syve pamja e dikurshme: nëpër një rrugë të qytetit të tij, vrasësit e tërhiqnin të varur pas një karroce kufomën e heroinës. Pikërisht emri i kësaj dëshmoreje, në mesin e shumë emrave dëshmorësh të rënë për liri, në faqet e një gazete, sikur e zgjon nga një gjumë dhe nga një dëshirë e hershme shkrimtarin, gjegjësisht atë që e rrëfen ngjarjen... Ai përnjëherë sikur dëshiron të dijë çdo gjë lidhur me jetën, me familjen, me fëmijërinë, me dashurinë dhe me urrejtjen e saj, me trimërinë dhe me vdekjen e saj. Në pjesën me të madhe të romanit hasim fragmente, detaje dhe epizode nga jeta e dëshmores, fragmente jete të shpërndara nëpër krejt vendet nga ka lëvizur dhe nga ka vepruar dëshmorja në fjalë. Nga kjo bredhje e kërshërisë së shkrimtarit, është sajuar rrëfimi i bukur i i këtij romani.

“Njerëzit”-Në këtë roman” të shkrimtarit Hivzi Sulejmani me kujdes të madh është skalitur figura e nënë Xhemiles, nënë e përvuajtur, e mjerë, por gjithmonë fisnike. Është kjo një grua burrërore që ushqen një dashuri të thellë ndaj të bijve, të cilët i ka rritë e ushqyer me punë të ndershme, nënë që di ta fshehë edhe pikëllimin më të madh deri në momentin e fundit, kur i kalon caqet e durimit njerëzor. Ajo një ditë merr lajmin e vrasjes së birit më të madh Rizës. Pas kryerjes së shkollës, dy të tjerët nuk mund të inkuadrohen në punë. Dhe kur ka shpresuar se do ta lërë njëherë e përgjithmonë vekun, detyrohet t’i kthehet përsëri, që të mos t’i ngushtojë të bijtë dhe vetë ta fitojë koren e bukës. Vuajtjet e saj tani e tutje në vend që të marrin fund, shtohen përditë e më shumë: ka përjetuar ajo bombardime të shumta, i ka kërkuar buzë Sitnicës e Ibrit kufomat e të bijve, ka ndërruar konaqe, sepse nuk ka mundur të shkojë me të bijtë, e këtë e ka dëshiruar kurdoherë, por kjo ishte e pamundur dhe ajo është kacafytur me jetën… Kur merr vesh për vrasjen e Azizit dhe sëmundjen e Hafizit, që nuk ka shërim, duke u kujdesur për mëshqerrën e vogël e përkujton të kaluarën. Por, megjithatë ajo mbetet grua burrërore, që përsëri do të vritet, vetëm që nënat të mos vishen me të zeza, që vëllezërit të mos vajtojnë për njëri tjetrin, që zotërinjtë të mos sundojnë kurrë më. Si e tillë ajo mbetet jo vetëm simbol i vuajtjes, por edhe i krenarisë, mburrjes njerëzore dhe pamposhtmërisë.

“Midis dy netëve”- është roman i Dhimitër Xhuvanit, që flet për fatin e femrës, që baticat dhe zbaticat e jetës e kanë hedhë në rrugë të parrugë prej të cilave në fund do të dalë ngadhnjyese. Rrëfimi për vajzën nga kryeqyteti (Tirana), Teftën, së cilës zhgënjimi në dashurinë e parë i ka dhënë jetës së saj një kahje tjetër, vjen e bëhet gjithnjë e më interesant. Tiranasja e re, Tefta, botëkuptimi i së cilës në fillim për jetën duket se përmblidhet në mendimin:” ne gratë prandaj jemi, që të pjellim. Kjo gjë deri më sot nuk më ka shqetësuar dhe s’besoj të më shqetësoj. Unë do të punoj dhe do të dërgoj paratë që duhen për fëmijën. Ne gratë kemi një të mirë, se nuk dyshojmë për fëmijët që pjellim; me këdo që t’i kemi, ata janë tanët”, dhe në ambientin e ri në Cërrik, për një kohë vazhdoi rrugën e nisur, sepse tani e shtyn diçka tjetër, diçka që nuk mund të quhet më dashuri. Dhe kjo bën që të tjerët ta shikojnë me sy jo të zakonshëm, saqë vajzat e përzënë prej dhomës së tyre. Por, megjithatë ajo i dhimbset lexuesit. I dhimbset pse jeta e ka future në rrugë të këtilla dhe pse nganjëherë di të gjykojë drejt. Më parë në gjyq nuk e kishte pranuar babanë e fëmijës e vetëdijshme se ndryshe do të trajtohet në sy të të tjerëve. Këtë e bën e bindur se Mireli nuk ishte i denjë për t’u quajtur baba i fëmijës së saj.

Ambiciet e Teftës tani janë orientuar dikah tjetër: kah puna e ndërgjegjshme dhe ‘’kjo e bën atë të punojë me vrull e në garë me të tjerët”. Kjo dëshirë është ajo që bën çudira dhe heroizma në punë. Dhe ndërgjegjen e gatishmërinë për sakrifica e ka treguar disa herë më parë. E ajo i ndihmon ta fitojë simpatinë e të gjithëve, të cilët hedhin në harresë të kaluarën e saj. Madje, kur ndokush i përmend këtë, të tjerët reagojnë ashpër, ashtu si nuk i pret as ajo vetë.

“Gjarpijt e gjakut”-Në romanin “Gjarpijt e gjakut’ zë Demaçit biseda  zhvillohet ndërmjet Gjylës dhe Ferides, e cila tregon për mjeshtërinë e shkrimtarit për ta udhëhequr ngjarjen, për ta lidhur me kushtëzimet e ndryshme në çdo kënd dhe në çdo pikë gjaku të atyre njerëzve. Ndjenja e kryelartësisë dhe e trimërisë është e rrënjosur thellë edhe në psikën e grave e të vajzave si në psikën e meshkujve, në psikën e fëmijëve dhe të rriturve.

Edhe pse me kërshëri dhe padurim e pret ditën e dasmës dhe e don Elezin, ndoshta sepse e njeh, Gjyla prapë anon kah të vetët, kur është puna për trimërinë dhe burrërinë. Asaj i kujtohet vetëm një pamje: “Kur ia pat mshuar Ajeti ynë staravicë kres”… Feridja preket prej këtyre fjalëve sepse nuk i imponojnë. Ajo mendon ndryshe, sikur edhe Ajeti: “A din bre Feride, kur m’ka pa dhanë ujë atëhere me bludë?... Kur e pata rrxue Ajetin, t’vllajn e saj”. Edhe pse të angazhuara me mendime të tjera në ato ditë të paradasmës, as vajzat, as djemtë s’heqin dorë nga mendimet për atë moment të parëndësishëm, por që i jep sadisfaksion edhe njërës edhe tjetrës anë.

“Besnuku”-Te romani’ Besniku’ djalin-vajzë e ruan nëna Zade me kujdesin më të madh. Kanë kaluar katër vjet prejse ka lindur Besniku (Besa).Tash ai po i mban edhe tirqit. Zadja, edhe pse në vek e përherë duke punuar, nuk i ndalet kurrë ‘’djalit’’. E ruan edhe prej  tri motrave të Besnikut, të gjitha më të mëdha se ai, të cilat nuk e marrin vesh kurrë se vëllai i tyre nuk është vëlla, por motër! Zadja, e frikësuar nga Burri (Sahiti) as vetë nuk e di se si do të sillet me Besnikun, sepse, po ta ruante si përpara, ai do të mund të bëhej ‘’edhe ma çikë se çikat’’. Është disi e humbur, e hutuar, e zbehtë dhe vetëm Besnikut ia kushton tërë kohën, kurse fëmijët e tjerë i lë pas dore.

“Murgesha”-Në romanin “Murgesha” të Nebil Durakut paraqitet Mara, jeta e saj, krijimi i familjes dhe shuarja e saj nga tërmeti. Në qendër të veprës është Suzana dhe jeta e saj, dalja e saj nga katakombet e errëta të manastirit në dritë jete, e jo mëkëmbja e një familjeje njëherë artificialisht të shkatërruar e mandej po ashtu artificialisht të takuar në kushte ‘’të përshtatshme’’ për ta vazhduar jetën e ndoshta edhe dashurinë. Pak më shumë kujdes autori i kushton Parasevkës, por edhe atë e vëren më tepër nëpërmjet të të dhënave dhe situatave komike, si kryemurgeshë, duke lënë pas dore tiparet e saj si njeri, dridhjet e dhimbjet eventuale të shpirtit, rininë e perënduar në errësirë etj.

“Këneta”-Fatmir Gjata në këtë roman përshkruan fatin e rëndë jetësor të Rinës. Rina, fqinja e dashur e Stavri Larës, meqë ky kaloi një kohë të gjatë në luftëra, është martuar. Sado që e bren dashuria e sinqertë për Stavrin, Rina nuk e shpreh atë që e ndien e as nuk e mendon prishjen e jetës me Aleksin. Rina keqtrajtohet nga Aleksi. Ai e izolon atë, e mbyllë në shtëpi me vjehrrën, e heton, e vështron me dyshim etj, kështu që e tërë kjo shndërrohet në një dramë të vërtetë familjare, e cila e ngjall ecurinë e romanit.

Fati i rëndë jetësor i Rinës dhe dilemat e saj të arsyeshme dhe artistikisht të objektivizuara me mprehtësi, mandej karakteri i ndërlikuar i Aleks Mushës, të cilit ajo i takon si grua e ligjit, dhe karakteri i Stavri Larës, të cilit Rina i takon me vullnetin e dashurisë së parë dhe të sinqertë, është në qendër të këtij veprimi tjetër.

E lidhur me vargonjtë e botëkuptimeve dhe të zakoneve patriarkale e prapanike, me martesën, me marrëdhëniet burrë e grua, Rina nuk mund të vendosë të ndahet nga Aleksi, ndonëse jeta me te për shumë arsye është bërë e padurueshme. Rina e Aleksi janë dy karaktere antipode dhe dy temperamente fare të kundërta. Kanë dy botëkuptime që s’përkojnë fare njëri me tjetrin. Në fund me tradhtinë që bën Aleksi ndaj Rinës, kësaj të fundit i hapet rruga drejt dashurisë së parë, drejt Stavrit, i cili e mirëpret dhe vazhdon jeta e tyre e lumtur.

“Me valët e jetës”-Në këtë roman Vedat Kokona me siguri të madhe artistike dhe të dukshme dhe me një prirje të dalluar të realistit lartëson shëmbëlltyrën e femrës. Posaçërisht karakteristike dhe e shquar, me të gjitha tiparet jetësore fisnike që e lartësojnë gruan shqiptare, është shtjelluar shëmbëlltyra e Ollgës. Grua bujare, nënë zemërbardhë, e kujdesshme dhe e dashur, bashkëshorte e ndershme besnike dhe e zonja që të jetë mbështetje e vatrës dhe shoqe e jetës, nikoqire, krijesë me të gjitha të mirat që mund t’i mendojmë te një njeri, e qëndrueshme, e gjerë, trimëreshë, inteligjente ndonëse e pashkollë, me etje të dukshme për ta shkolluar djalin, me një gjerësi botëkuptimesh dhe me karakter të fuqishëm- Ollga Mëhilli na mbetet e skalitur në kujtesë si një nga figurat më të plota dhe më të dashura të femrës sonë.

Pranë saj, e paraqitur me pasion e dashuri në një mënyrë tjetër, por po aq të suksesshme, si shëmbëlltyrë të plotë dhe e dashur është Hesmaja- një tip gruaje me të gjitha tiparet e larta të femrës familjare, të gruas që e don dhe e nderon burrin, që e lartëson dhe, ngase në atë frymë është edukuar, nuk i kundërshton as në çaste kur ai është i vrazhdtë apo indifferent ndaj saj. Edhe Ollga edhe Hesmaja, në një mënyrë të veçuar dhe kuptimplote, e mëshirojnë fatin e gruas shqiptare të së kaluarës, në kushte jete patriarkale dhe të varfër. Faqet që autori ua kushton këtyre të dy shtëpiakeve, dy nënave fatlume dhe prore besnike, janë kuptimplote dhe impresive, pa dyshim, ndër më të bukurat që e dëshmojnë fatin e femrës në letërsinë tonë.

Me origjinalitet e përkushtim, me invencë e bukuri të shquar janë transponuar edhe shëmbëlltyrat e dy vashave të reja, Sofika Nerënxës dhe Manushaqe Kamberit, të cilat janë mishërim i qenies dhe i figurës së re të femrës së asaj kohe, më të dijshme dhe më aktive, me flakën e ndjenjave jo vetëm kur kemi të bëjmë me dashurinë, por edhe më gjerë, madje edhe me hijen e fatit të vjetër që ende i përcjell, i pezullon dhe u kanoset. Sidomos është e qëlluar dhe e bukur shëmbëlltyra e Sofikës,e cila ndonëse jetësore është thuajse e paqenë, si ndonjë ide fluturake, si ndonjë melodi që e përshkon dhe e hijeshon veprën dhe na angazhon plotësisht, thuajse veprën e lexojmë më shumë për të gjurmuar rrugën jetësore dhe fatin e saj.

Për paraqitjen e femrës është mjaft karakteristike edhe shëmbëlltyra e Frosinës, e cila, ndonëse episodike, është dëshmi e pozitës së mjerë, e jetës së dhunshme dhe e fatkeqësisë së femrës në të kaluarën.

“Vdekja më vjen prej syve të tillë”-Edhe shkrimtari Rexhep Qosja në romanin ‘’Vdekja më vjen prej syve të tillë ‘’ e ndërton personazhin e femrës. Trashja, një grua imbecile, e lënë dhe e përdalë, mendjepakë, mentalisht e vdekur, por fizikisht e gjallë; është kufomë e gjallë në të cilën rron dhe fshihet si enigmë jete flaka e gjakut dhe dëshira për të jetuar. Ajo është simbol ‘mjerimi e ndyrësie’, e denjë për ta ankuar, për ta vajtuar fatin dhe lindjen e saj si të tillë.

“Plagët”-Murat Isaku në romanin ‘’Plagët” e portretizon bashkëshorten e Kelmend Gajrisë, Arifen si një grua tipike që është e privuar nga çdo e drejtë, e përbuzur dhe e fyer, prore e heshtur, madje edhe kur mbetet e ngrirë në borë për ta ruajtur oborrin e shtëpinë.
E bija e Kelmend Gajrisë dhe e Arifesë, Gjata është vashë e edukuar në frymën patriarkale dhe atdhetare, motër tragjike dhe bijë krenare dhe e përbetuar e babait të vet, krijesë e re, e cila e shtyrë nga rrethanat dhe edukata, përpiqet t’i ndrydhë ndjenjat e vrullshme rinore dhe kur ato shpërthejnë vetvetiu.

“Rreckajt”-Te romani “Rreckajt” po të këtij autori kemi Përroskën, e cila nuk është paraqitur me tipare të mjaftueshme të malësores dhe mbetet nën hijen e personazheve të tjerë. Në fakt ajo është e vetmja figurë femre në roman. Autori vetëm e ka konceptuar figurën e saj dhe pastaj për të nuk kujdeset, nuk e përsosë dhe nuk e shfrytëzon.

“Shkrumbnajë e dashuri”-Shega, heroina e romanit “Shkrumbnajë e dashuri” , paraqet stoicizmin e femrave shqiptare, të cilat në mënyrën e tyre ishin pjesë e kontributit për çlrimin e atdheut. Më 8 qershor të vitit 1999, vetëm katër ditë para çlrimit të Kosovës, Shega psiqikisht dhe fizikisht është e molisur, e lodhur, e dërmuar, por ende ka vullnet për ardhmëri. Eshtë e dërmuar nga torturat fizke që forcat serbe kanë ushtruar mbi të dhe në anëtarët më të dashur të famijës së saj. Janë përjetime të një populli të tërë, që janë bartur brez pas brezi e më në fund të përjetuara personalisht.
Adem Demaçi hyn thellë në brendësinë shpirtërore të Shegës, duke ia zbuluar fshehtësitë e saj shpirtërore përmes shikimit, qëndrimit, lëvizjeve dhe veprimeve të saj. Narratori i lë hapësirë lexuesit të kuptoj dhe vetë logjikojë se në çfarë gjendje shpirtërore janë personazhet e tij, siç mund të vërejmë në këtë përshkrim që ia bënë Shegës: “ Ajo jetonte në pritjen e tmerrshme, , me ethe në zemër e në bark. Ajo jetonte më shpirt të trazuar deri në pafundësi. Ajo edhe kur ishte bashkë me Mimozën, sikur nuk shihte gocën fare. Ajo ngulte vetëm shikimin në një pikë dhe ashtu qëndronte deri në ngacmimin e parë që vinte nga jashtë... “ .

Eshtë një përshkrim me një mjeshtri të rrallë artistike ku personazhin e vet, autori Adem Demaçi na e jep nga të gjitha këndet fizike dhe shpirtërore. Shega është në pritje, mirëpo pritja e saj nuk është pritje e zakonshme, nuk është pritje e një dëshire të kërkuar më parë e që duhet t’i plotësohet, por ajo është në pritje të diçkaje enigmatike që nuk varët prej saj. Eshtë pritje e tmerrshme që përgjigja e saj mund t’ia shkatërrojë të gjitha dëshirat dhe endrrat e saj. Eshtë pritje që i shkakton ankth që nuk e lë të qetë duke ia trazuar shpirtin skajshmërisht. Shikimi i saj i ngulur vetëm në një pikë është simptomë se Shega vuan nga çrregullimet e stresit post-traumatike, si pasojë e torturave sistematike të saj dhe familjës së saj, që forcat serbe kanë bërë mbi të dhe popullin e pafajshëm. Rrëfimi është terapia më e mirë për lehtësimin dhe sherimin e stresit post-trauamtik, e sidomos kur përballë është njeriu që dëgjon më kujdes çdo fjalë e fali. Azemi është i vetëdijshëm se të refuzonte dashurinë e saj, pas dhunimit të shumfishtë që ia kanë bërë ushtarët serbë, Shega do përfundonte në vetëvrasje. Pikërisht në çastin kur Shega mbyllet në dhomë dhe më ushkurin e saj përgatitët t’i jepë fund jetës , është Azemi i cili ia ofron dashurinë e tij.
 

Literatura:
Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini, pejë, 1997;
Hasan Mekuli, Romani shqiptar, Libri shkollor, Prishtinë,2000;
Grup autorësh, Letërsia bashkëkohore shqiptare 4, Libri shkollor, Prishtinë,2001;
 

Petro Marko “Hasta la vista”, Prishtinë, 1972;

Petro Marko “Qyteti i fundit”, Prishtinë, 1972;

Fatos Arapi, Dikush më buzëqeshte, Prishtinë, 1980;
Anton Pashku, Oh, Rilindja, Prishtinë, 1971;
Rexhai Surroi, Besniku, Rilindja, Prishtinë, 1967;
Murat Isaku, Plagët, Rilindja, Prishtinë, 1974;
Murat Isaku, Rreckajt, Rilindja, Prishtinë, 1979;
Nazmi Rrahmani, Malësorja, Rilindja, Prishtinë, 1982;
Vedat Kokona, Me valët e jetës,I,II, Rilindja, Prishtinë, 1969;
Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rilindja, Prishtinë, 1974;
Adem Dema, Shkrumbnajë e dashuri, LSHK, Prishtinë, 2012;
Nebil Duraku, Murgesha, Rilindja, Prishtinë, 1967;
Dhimitër Xhuvani, Midis dy netëve, Rilindja, Prishtinë, 1967;
Adem Demaçi, Gjarpinjtë e gjakut, Jeta e re, Prishtinë, 1958;
Hivzi Sulejmani, Njerëzit, Rilindja, Prishtinë, 1974;
Fatmir Gjata, Kënëta, Naim frashëri, Tiranë, 1981;
Ismail Kadare, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Naim Frashëri, Tiranë, 1962

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat