Një vepër e denjë për lekturim dhe admirim

Libra

Një vepër e denjë për lekturim dhe admirim

Nga: Baki Ymeri Më: 3 janar 2020 Në ora: 07:02
Kopertina e librit

Robert Shkurti vjen para opinionit me një libër të ri, duke e përmbushur një mision të ri dhe një ëndërr të re. Vepra respektive e sheh dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë, në gjuhën shqipe dhe rumune. I vetmi popull në botë, i fisëruar me rumunët përmes linjës trako-dako-ilire, është populli shqiptar. Të paktë janë poetët e botës që e kultivojnë Haikun, njëri ndër ta duke qenë edhe autori i kësaj vepre. Haiku, përndryshe, është një gjini e poezisë me formë fikse japoneze tradicionale, i përbërë nga një imazh apo një fjalë që shpreh subjektin e vargjeve të shkruara: „Gjethet u shkundën/ Pemët ndërruan ngjyrë./ E bardhë velloja.” Subjekte frymëzimi zakonisht janë njeriu, shpirti, ndjenjat, natyra, qielli, dielli, hëna, pemët, bimët, lulet, insektet, uji, zjarri, stinët, retë: „Retë kur puthen/ Në copa shqyhet qielli./ Dhimbje shpirti.” Apo: „Diell në flakë/ Kalëron zemrës ndezur./ Gulçim vullkani.”                    

Faktikisht, historia e Haikut fillon në vitet e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, përmes përpjekjeve të Masaoka Shiki, duke krijuar termin Haiku, që u njoh zyrtarisht në vitin 1890. Kjo formë e re e poezisë do të bëhet e shkruar, lexuar dhe konsideruar si një poemë krejtësisht e pavarur dhe jo si pjesë e një vargu të gjatë. Edo, Matsuo Basho, Yosa Buson dhe Kobayashi Issa, janë të njohur përgjithësisht si kultivues të Haikut, sipas të cilëve kjo formulë e re poetike duhet të shihet në perspektivë historike. Më i njohur është Matsuo Basho, i cili vjen me Haikun klasik në librin e tij, "Rruga e ngushtë në Jug”. Po i rikthehemi përsëri poetit tonë të preferuar që e kemi zgjedhur për Afirmim në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet: „Gjethet vjeshtore/ shtrihen mbi tapet verdhor. Xhelozi ngjyre.”

Haiku është forma më e popullarizuar në Japoni, por ajo është e njohur edhe dhe më gjerë. Shkrimtarë englezë dhe amerikanë, por jo vetëm ata, gjithashtu treguan aftësi në kompozimin e Haikut si tekst kënge. Është vlerësuar se sot në Japoni ka rreth 10 milionë shkrimtarë Haiku, por shumica janë amatorë që shkruajnë për veten e tyre. Shumë prej tyre kanë menduar se kjo formë është kaq popullore, si në Japoni, poashtu dhe jashtë vendit, japonezët duke u përpjekur për të hartuar poezi të tilla, duke e mbajtur ritmin e imponuar nga kohëra të lashta,  duke e lënë të lirë imagjinatën e artistit që të përqëndrohet në përmbajtjen, e jo në numri i rrokjeve. I këtillë është edhe poeti ynë, Zt. Robert Shkurti, që shkruan shkurt e shqip:  „Zënka martese/ grinden me nerva dite./ Natë e zbutur.”

Vlen të ripotencojmë faktin se Haiku ka një pikë të fortë, që shpreh aq shumë me pak fjalë. Një nga poetët modern të Japonisë është Natsuishi Banya. Ai u përpoq për të kombinuar imazhe vizuale poezi abstrakte Haiku. Edhe poeti ynë që e kemi zgjedhur për afirmim në veri të Danubit,  shkurtimisht shpreh ndjenjat në mënyrë konçize, duke stimuluar imagjinatën e lexuesit: „Kodra mbretëreshë/ hedh mantel të gjelbër./ Sot, shkurorëzuar.” Dhe më tej: „Parku i shkretuar/ mungesë dashnorësh ndjen. Në muzg mbrëmje.”

Simpoziumi i parë Ndërkombëtar i Haikut u mbajt në Tokio më 11 Korrik, 1999, nën patronazhin e Shoqatës Moderne Haiku, një nga tre organizatat më të mëdha në Japoni. Me atë rast u inaugurua „Manifesti Haiku në Tokio - 1999” në shtatë pikë, për të riorganizuar rregullat tradicionale të kësaj gjinie të re letrare, në mënyrë që Haiku të përshtate me kulturën e të gjithë njerëzve dhe të njerëzimit. Robert Shkurti vjen para opinionit shqiptar dhe atij rumun, me një origjinalitet që i ka hije, me një strukturë prej 3 vargjesh të denja për lekturim dhe admirim: „Lot derdhur në det/ ngrenë dallgë furtune./ E kripur dhimbja.” (Baki Ymeri)

PSHERËTIMA DALLGËSH DHE TË SHPIRTIT

Në librin më të ri të shkrimtarit Robert Shkurti, i cili jeton e punon në Itali, prej shumë vitesh, shpalosen haiku të një poeti dhe prozatori me ambicje. Robert Shkurti përveç librave në prozë, ku spikat vëllimi me tregime " Sotto il cielo delle aquile" (Nën qiellin e shqiponjave), i cili pati sukses n Itali, është autor i dy vëllimeve me poezi "Regëtimë deti" dhe "Ajër shprese ". Në librin me haiku "Psherëtima dallgësh", Robert Shkurti hap një kapitull të ri në krijimtarinë e tij duke u performuar jo vetëm si poet i poezisë haik por edhe si mjeshtër i metaforës. Haiku i Robert Shkurtit është metaforë e gjallë, ku poeti shfaqet herë si detar i regjur, herë si këngëtar i detit e i dashurisë, e herë si qytetari intelektual i preokupuar për fatet e atdheut që nuk po "shëndoshet", ndërsa vetë është larg tij. Është e çuditshme së si ky poet i ndjeshëm realizon haikun kontemporan, duke u futur në botën urbane të tij, veçori kjo e pak poetëve europianë.

Robert Shkurti, me librin e tij sjell para lexuesit frymëmarrjen e të folurit të përditshëm, edhe kur ai tregohet i sigurtë me vargjet e tij të shkurtra, por është akoma më i sigurtë me subjektet që prek. Ai shkruan me pasionin e detarit, njeriut të detit Adriatik, me pasionin e njeriut të punës, me pasionin e intelektualit të larguar nga Durrësi i tij i dashur, me pasionin për dashurinë dhe të bukurës sublime, me pasionin e njeriut kërkues për problemet sociale dhe politike.

Në "Psherëtima dallgësh" në shumicën e poezive haiku, mbizotëron deti, i cili është pasqyra psikologjike e poetit por dhe ura lidhëse me atdheun. Deti në haikun e Robert Shkurtit është metafora gjigante për të, ku qëndron dhe trungu i pemës së figurave artistike letrare. E është pikërisht deti me dallgët e tij që për Robertin janë dallgë shpirti të shqetësuar, ai që e lidh me jetën e përditshme, me hallet e me gëzimet që ajo ka, me dashurinë që e shoqëron herë pas here me erotikë elegante, me psherëtimat për një Durrës të shpërfytëruar ku lashtësia e lavdishme po rënkon nën peshat e ftohta të betonit. Poezitë haiku në këtë libër, kanë grupimet e përcaktuara si më poshtë: Deti, natyra dhe kozmosi, dashuria, Durrësi dhe politika dhe jeta sociale. Janë grupime që kënaq in shijet e ndryshme të lexuesve e ku secili gjen pjesën që i afrohet më shumë. Ndonëse në shumë poezi haiku, ndeshemi me pezimizmin e poetit, kjo nuk do të quhet negative, sepse në fund të fundit poetët e vërtetë të tillë janë dhe Roberti si i tillë kërkon ndihmë nga kozmosi dhe fenomenet e tij.

Këto fenomene poeti i kthen në metafora të guximshme duke i cilësuar krejt origjinale, të personalizuara. Kozmosi për Robert Shkurtin është çatia mbrojtëse e halleve të shpirtit të tij. Libri "Psherëtima dallgësh" kondenson avujt e muzës poetike të këtij poeti, ku shqetësimet e tij kthehen në balsam jo vetëm ngushëllues për lexuesin. Muza, ky personazh i padukshëm në poezitë haiku të Robert Shkurtit, është personazh që shfaqet me dije e pavetëdije me një lirikë delikate. Muza e tij poetike lëkundet midis shpirtit dhe dallgëve të jetës, përputhur me natyrën e bukur shqiptare, me nostalgjinë e poetit, mallin dhe dhimbjet e shpirtit, të kombinuara me alternativat e stinëve.

Robert Shkurti me këto poezi haiku urban hyn në radhët e poetëve më të mirë të haikut. Korrektësia e tij në kompozimin e haikut shfaqet në respektimin e skemës 5-7-5 si dhe në zbatimin elastik të disa rregullave që haiku kërkon. Ai ia plotëson trillet e haikut dhe haiku ia shpërblen. Me poezi trevargëshe, me një numur të kufizuar fjalësh, Robert Shkurti na dha një libër që e nderon poezinë shqiptare. (Fatmir Minguli, Montecchio Maggiore, Maj 2018)

BIOBIBLIOGRAFI

Shkrimtari Robert Shkurti u lind në qytetin bregdetar të Durrësit më 24 Nëntor 1962. Libri i tij i parë është vëllimi me tregime në italisht me temë nga Shqipëria e viteve të para dhe postdiktaturës "Sotto il cielo delle aquile" (Nën qiellin e shqiponjave) botuar në vitin 2010 në Itali. Më pas autori vijoi në prozë me tre romane: "Drejt jetës" me temë shoqërore, viti 2011. Në vitin 2013 boton romanin "Ndërmjet dy kohëve" ku autori trajton temën e emigrimit duke ballafaquar dy realitetet, të shkuarën dhe të tashmen. Më pas, në vitin 2014 autori vjen me një tjetër roman, "Luftë dhe tragjedi në Suharekë", ku i bëhet jehonë luftës së popullit shqiptar të Kosovës nëpërmjet ngjarjeve tragjike dhe heroizmit legjendar kundër pushtuesit serb. Më pas autori kalon në poezi dhe në fillim të vitit 2015 boton vëllimin e tij të parë poetik me titull "Regëtimë deti" ku vendin kryesor e zënë lirikat dhe poezitë për detin, me të cilin është i dashuruar marrëzisht. Viti 2016 e gjen autorin me një vëllim tjetër poetik me titull "Ajër shprese" ku edhe këtu vendin kryesor e zënë lirikat. Më pas, në vitin 2018 nxjerr vëllimin me poezi Haiku me titull "Psherëtima dallgësh". Në gjuhën italiane janë botuar edhe dy romane të autorit të cilët i pëmendëm më sipër: "Tra due epoche" (Ndërmjet dy kohëve) dhe "Suhareka" (Luftë dhe tragjedi në Suharekë). Prej vitit 1997, Robert Shkurti jeton dhe krijon në qytetin e Rexho Emiljes (Reggio Emilia) në Itali.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat