Librat e Gani Sylajt dëshmi për vuajtjet dhe sakrificat për liri - Bota Sot
Librat e Gani Sylajt dëshmi për vuajtjet dhe sakrificat për liri

Libra

Librat e Gani Sylajt dëshmi për vuajtjet dhe sakrificat për liri

Më: 14 janar 2020 Në ora: 16:52
Librat e Gani Sylajt dëshmi për vuajtjet dhe sakrificat për liri

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot o promovuan dy libra të autorit Gani Sylaj. Këto libra u promovuan në nder të ditëlindjes së tij të 68-të, ku ndër të tjera u nderua dhe u vlerësua lartë jeta dhe veprimtaria e tij.

Jakup Krasniqi bashkëpunëtor i autorit tha se është i nderuar që flet për librat të cilat po promovohen sot, me librat e njeriut të cilin e kanë lidhur shumë gjëra, qoftë ato në rininë e hershme e qoftë ato në formimin intelektual e atdhetar.

Ai theksoi se librat “ Shenjat e përkatësisë” dhe “Burg pas Burgu” dëshmojnë përkushtimin e autorit për atë se çka duhet t’u tregohet e duhet thënë brezave.

Krasniqi theksoi vlerën e këtyre librave, libra të cilët e dëshmojnë sakrificën e bijëve dhe bijave shqiptare për fitoren përfundimtare.

Krasniqi: Librat e Sylajt dëshmojnë sakrificat për liri

“Pikërisht këta dy libra dëshmojnë se me sakrificë është formuar dhe kanë vepruar bijtë dhe bijat e gjakut shqiptar për fitoren përfundimtare. Në ‘Shenjat e përkatësisë’ shpalos Ganiu të gjithë përmasën e formimit dhe të veprimit një rrëfim i sinqertë, nga faqja në faqe, nga ngjarja në ngjarje, nga organizimi në organizim. Një rrëfim në vetën e parë që kalon përmasat e individuales sepse e tillë ishte jeta e secilit nga ne që aspironim lirinë, barazinë dhe pse jo bashkimin e kombit sikur të gjithë popujt e qytetëruar. Së këndejmi shenjat e përkatësisë së Ganiut përçon frymën dhe një qëndresë me rrethana sot madje të pa imagjinuara. Libri i dytë ‘Burg pas burgu’ është nga librat e rrallë me tematike qendrore jetën e burgut, skenat dhe prapaskenat, dhuna dhe terrori i paparë ndaj individit, me ndjekjen, me burgosjen, proceset e rënda të hetuesisë, gjyqi, ditët, muajt, vitet në qeli, procese e dënimet të pafundme për shtetin tonë, për shtetin policor që e tmerronin idetë revolucionare për lirinë e shtetit, brezi që nuk do të dinte për torturat dhe për masat tjera të terrorit fizik e psikik”, tha Krasniqi.

Krasniqi ndër të tjerash shtoi se atë e gëzon fakti se Ganiu la pas vete dy libra pothuajse të gatshëm për botim dhe shumë dorëshkrime të tjera që presin botimet në vitet e ardhshme.

Studiuesi dhe kritiku nga Tirana, Berart Gjoka e vlerësoi lartë veprimtarinë e Ganiut në luftën e tij për çlirim dhe për liri, gjithashtu ai vlerësoi lartë të dy librat dhe për të cilët tha se janë shumë të rëndësishëm dhe pa të cilët nuk mund të jetojmë dhe të projektojmë të ardhmen.

Gjoka: Librat janë kujtesë pa të cilën nuk mund të jetojmë

“Natyrisht libra të cilët të imponojnë që dialogu të jetë më tronditës, më të dhimbshëm, sepse në logjikën time sa kohë që merrem me leximin e librave, librat që e kapërcejnë kohën e shkrimeve unë i shoh libra me vlerë dhe libra të rëndësishëm. Këta dy libra unë i fus tek librat e rëndësishëm, të rëndësishëm në kuptimin që është një dëshmi, është një kujtesë, pa të cilën ne nuk mund të jetojmë sot nuk mund të projektojmë të ardhmen”, tha Gjoka.

Profesori universitar, Ibrahim Gashi tha se këta libra janë shumë të rëndësishëm për të përshkruar historinë e lëvizjeve kombëtare dhe luftën për çlirim dhe liri.

Ai shtoi se me botimin e librit “Burg pas burgu” historiografia është pasuruar me një vëllim të rrallë dhe autentik të informacioneve për persekutimet fizike dhe psikike që u është bërë të burgosurve shqiptarë në ish-Jugosllavi, por libër i cili përfshin edhe qëndresën dhe krenarinë kombëtare të tyre.

Për më tepër Gashi tha se libri “Burgu pas burgu” është një ndër librat më të mirë i cili e trajton jetën e burgut dhe jetën e të burgosurve.

Gashi: Libri “Burg pas burgu” tregon vuajtjet e të burgosurve shqiptarë

 “Libri ‘Burg pas burgu’ mund të radhitet në mesin e librave më të mirë me kujtimet për burgun dhe për të burgosurit. Duke u mbështetur në kujtesën e tij të fortë dhe shënimet dhe evidencat që kishte mbajtur gjithnjë për aq sa kishte mundur, autori ka rikonstruktuar kohën e qëndrimit të tij dhe shokëve të cilëve u takojnë burgjeve jugosllave me një saktësi përshkrimi mbresëlënëse, aq sa nga lexuesit e këtij libri pa dashje do të fillojë të mishërohet dhe të bashkë vuajë me autorin duke u impresionuar me moralin e lartë dhe filozofinë e qëndresës së tij por edhe të shokëve të tij”, tha Gashi.

Ndërsa Ismail Sylaj, vëllai i autorit i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe u shpreh mirënjohës të gjithë atyre të cilët morën pjesë dhe e nderuan veprën e Ganiut.

Ndryshe, Gani Sylaj u lind me 14 janar 1952, në Kishnarekë të Drenasit. Në vitin 1973 regjistron degën e Filozofi-Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, të cilin e ndërprenë në vitin 1974, kur i përkushtohet tërësisht organizimit ilegal në Grupin Revolucionar të Kosovës.

Në vitin 1979 burgoset dy muaj për kundërvajtje nga Gjykata Komunale në Drenas. Pa mbaruar këtë dënim në burgun e Prishtinës ai dërgohet në burgun e Shkupit, ku në vitin 1980 dënohet me 4 vjet burgim.

Ai filloi vuajtjen e dënimit në burgun e Idrizovës në Maqedoni deri në shkurt të vitit 1982, kur sigurimi jugosllav e transferon në Burgun e Prishtinës, për ta dënuar me 12 vjet burg, të cilat i mbajti në burgun e Mitrovicës dhe në Burgun Hetues të Somborit, në Vojvodinë.

Nga burgu është liruar në vitin 1990. Pas burgut, nga viti 1990 deri më1994 ushtron disa funksione dhe merret me një sërë aktivitetesh. Nga viti 2017 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit të Komunës së Drenasit. Vdiq më 4 korrik të vitit të kaluar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat