Remzi Basha dhe Perandoria e Dashurisë

Libra

Remzi Basha dhe Perandoria e Dashurisë

Nga: Baki Ymeri Më: 29 janar 2020 Në ora: 00:25
Ballina e librit

Poezia është kandili i shpirtit dhe esenca e jetës. Remzi Basha është poet i dashurisë dhe krenari e diasporës shqiptare. Ai vjen para opinionit me një  një realizim briliant të gërshtuar me krijime lirike të bukura dhe të këndshme. Misioni i librit është i shenjtë dhe i pazëvendësueshëm në jetën tonë. Poezia është një rrugë e shtruar me dafina. Poeti gjithmonë është i etshëm për të thënë diçka të re, diçka që s’e ka thënë kush tjetër më parë. Kjo realizohet nëpërmjet imagjinatës, ritmit, harmonisë dhe përfytyrimit. Krijimtaria e Remzi Bashës shkëlqen me një harmoni të mbrendshme. Fjalët ndërlidhen njëra me tjetrën me një natyrshmëri të bukur dhe mbresëlënëse.

Familja, mërgimi, vendlindja dhe dashuria janë subjektet elementare të kësaj vepre të re me vlera të veçanta lirike. Dashuria është një përrallë e bukur dhe e përjetshme, e shkuar me penën e ngjyer në lotët e shpirtit. Bota pa poetë dhe pa poetesha do të dukej si një shkretëtirë e përmbushur me bisha të egra. Dashuria është një gërshetim pikash të pritjes, njësoj siç është përjetimi i saj dhe drita e mendimit. Shpirtërat që dashurohen me të vërtetë, depërtojnë përjetësisht në trojet e një përmallimi të përmbushur me pritje të ëmbla, me miklime mistike dhe me ëndërrime romantike. Poeti fluturon në brigjet e mendimit porsi një puhi e freskët, duke i anashkaluar heshtjet dhe duke pritur pritje përmbi fjalë. Të komponosh një simfoni hyjnore, madhështore dhe qiellore, që buron nga zëri i zemrës dhe shtjellat e shpirtit, është njësoj sikur të krijosh vargje dashurie kushtuar dy shpirtërave dhe dy zemrave që dashurohen.

Remziu ka ide dhe emocione të ndritura dhe artistike. Takimi me poezitë e tij është një rast unik kur shpirti i flet shpirtit. Por kjo vlen edhe për artet tjera, sidomos për pikturën dhe muzikën. Dashuria është kënga e zemrës. Ajo është dhurata më e bukur që na e dhuron Zoti. Vetëm dashuria na lartëson në majë të universit dhe na lejon ta prekim qiellin dhe ta dëgjojmë muzikën e yjeve të arta, për të  depërtuar në ngjyrat multikolore të dashurisë absolute, për të anashkaluar brengat e jetës dhe për të notuar e fluturuar në drejtim të përjetësisë. Dashuria shpreh emocione, besnikëri, sakrifica dhe respekt. Dashuria është një rrugë e shtruar me lulet e heshtjes gjatë shtigjeve të dashurisë për në përjetësi.

Poetit i digjet shpirti për t'u rikthyer në vendlindje. Poeti është kalorës agimesh, në takimet imagjinare, herë me yjet, herë me hyjnitë, herë-herë duke u ngjitur lart në qiell, herë-herë duk zbritur deri në fund të kësaj bote. Poeti asnjëherë nuk e nënshkruan ndarjen nga vendlindja. Poeti ëndrron, shpreson dhe zhgënjimin e dëbon. Poeti ka imagjinatë të fuqishme dhe e ndjen veten si një trung i nderuar përbrenda. Jeta është dhuratë e shenjtë e cila as nuk blehet as nuk shitet me para. Para se të sigurojmë para të nevojshme për egzistencë, kemi nevojë të rizbulojmë lumturinë e lojës së jetës dhe të bëjmë nga ajo lojën e fjalëve, lumturimin e jetës me fjalë të përshtatshme që burojnë nga zemra. Kjo është logjika e rezistencës. Poeti është një mëndje e ndërgjegjshme që din ta ndryshojë lojën e jetës me dashuri, me vullnet, me këngë dhe vitalitet.

Poezia është dëshmi e dashurisë dhe pasqyra e shpirtit. Vëllimi i Remziut sjell kënaqësi gjatë lekturimit dhe përjetimit të vlerave poetike të shumëllojshmërisë së motiveve, një libër që të impresionon me trajtat artistike, me botën e ndjenjave të veta subjektive që i ka përshkruar me delikatesë. Autori shquhet me motive subjektive, që në vargjet e tij janë të gërshetuara dhe të stolisura me ngjyra multikolore të dashurisë. Kjo zgjedhje e motiveve me gjeturi dhe modesti, ka bërë që kjo përmbledhje të shquhet në mënyrë  impresive dhe të begatshme, sepse si e tillë, lexuesit do t’i sjellë kënaqësi të pamohueshme, ngase në to do të gjejë edhe shumë sekuenca intime, me të cilat është e përshkuar poezia e tij.

Poeti ka aftësi për lumturimin e jetës me vlera të mirëfillta artistike, siç vepron edhe autori i këtij libri që të josh ta lexosh e rilexosh. Jeta ta jep lirinë dhe natyrën ta gëzojmë.  Poeti din ta thejë qetësinë e heshtjes, sepse këngën e ka art, jetë e dashuri. Libri i Remziut është një dhuratë e re atraktive që inkorporohet në spektrin e lirikës së mërgimit shqiptar. A dorëzohet poeti? Jo! Pse? Sepse, siç thekson poeti: Nuk dorëzohemi e as nuk frigohemi, përderisa në këtë botë do të ekzistojë fjala, dashuria, flamuri, nderi dhe besa. Nga vargjet e autorit kuptojmë se thellë i kemi rrënjët në botën stërgjyshore. Këtu u lindën të parët tanë dhe ne. Ëndrra e autorit është Shqipëria Natyrale. Pa Kosovë dhe pa Çamëri nuk do të ketë kurrë Shqipëri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat