Dramaciteti i ideve dhe emocionaliteti në shprehje

Libra

Dramaciteti i ideve dhe emocionaliteti në shprehje

Nga: Imer Pantina Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 22:40
Kopertina e librit

Libri me poezi “Kufiri”, (2020) libri i pestë i autorit Mahir Morina, i shoqëruar me një aneks me pesë ese artistike është një libër i përpunuar me mjeshtëri prej poeti me përvojë. Autori ia ka arritur që ta përdorë dramacitetin emocional dhe krahas kësaj ia kundërvë eufemizmin, si zbutje të atij “shpërthimi” që shenjon me ide të qarta, ka përdorur shumë bukur figuracionin për t’i dhënë dimension shumëngjyrësh shprehjes gjuhësore dhe për ta ngritur këtë ide në përpunim artistik, dhe, mjeshtërisht e ka artikuluar një mozaik, një ndërtim estetik për të qëndruar si vlerë. Brenda librit lexuesi mund të eksplorojë një lloj dramaciteti që autori i ngrit si ide dhe që reflekton mbi to dhe njëkohësisht ta përjetojë shprehjen e bukur, emocionale, atë që “fshehet” prapa metaforave të përpunuar përmes një gjuhe që kumbon dhe lë jehonë pas.

Prej figuracionit në kërkim të veprës së shënuar

Toni i ironisë qëndron i fshehur prapa figuracionit poetik. Ky është një ton me zë kritik, madje është shumë i goditur kundër injorancës dhe sistemit shfrytëzues që operohet nga oligarkitë shoqërore që shfrytëzojnë njerëzoren tek njeriu. Shprehet me mllef që lexohet jo qartësisht përmes rrëfimit sa mund të lexohet nën rreshta përmes metaforës. Aty, brenda skalitjes së figuracionit poetik shpërthen ai mllefi që shpejt mbulohet me “zhurmën e kitares” ku poeti zgjedh një “skenë” me ambient relaksues, romantik si kundërvënie e gjithë asaj zymtësie që mund të qëndroj në sfond:

Bota na merr ëndrrën

Na e hargjon natën

Po nuk qeshem sa duhet

Ajo na grabit këngën

( Me kitarën e natës)

Pra, sa fillon ta mbajë lexuesin të “tronditur”, po aq i kthehet me një melodi të këndshme që në nëntekst ka gjithsesi artikulimin e zërit mospajtues me rrethanat që perceptohen në “botë”, shoqëri, duke i “kënduar” asaj që është ideale për autorin. Dhe, pastaj ky zë artikulohet në këtë formë:

Të kënaqur mund të jenë ata që hapin dritare

Të mjerë ata që e ruajnë vetëm një derë

(Za i thyem)

Ky trazim shpirtëror herë-herë shfaqet si “stuhi” derisa kërkon tek njeriu virtytin, veprën e shënuar me dashuri.

Poeti është një vrojtues i copëzave të imazheve që e japin atë “brumin” e mjaftueshëm për të filluar një situatë emocionale. Dhe, pastaj fillon ta gdhend emocionueshëm, ta rindërtojë atë përjetimin e mbetur po nga ato copëza imazhesh dhe pastaj ia veshë atë “stolinë” të thurur me mjaft finesë, të menduar mirë, me një planimetri në të cilën ato shprehjet që reflektojnë më shumë emocion dhe përjetim, zënë vendin kryesor dhe mbesin në periferi ato shprehje ose lihen për t’u rindërtuar, qoftë edhe të pa thëna fare, sipas perceptimeve të lexuesit. Kështu artikulohet kjo ndjesi në këto vargje:

T’veprave nuk jetojnë më

Andaj n’shpirt kam shpesh stuhi

(Ngërç)

Në këtë vijë, poeti qëllimshëm i hedh në sipërfaqe shqetësimet duke e lënë meditimin në sfond si jehonë e asaj që e pikas në fillim dhe zgjerohet në rendin social të vlerave njerëzore duke kulmuar me vargjet:

Nis e besoj që bota është lëmsh

E tillë mbetet deri guxoi vetes fillin t’ia gjej

Atëherë ujin e turbullt me qetësi e kaloj

Ndoshta vetiu kthjellet e kthehem ta shikoj

(Trazim)

Në botë është e jona vetëm ajo

Që është e zorshme por nuk na duket e vështirë

(Zëri i Orfeut)

Stuhia në arenën e lirikës së dashurisë

Në këtë përmbledhje me poezi dhe ese një hapësirë të mirë e zënë edhe poezitë me motive dashurie. Është një lirikë mjaft origjinale, bukur e “trazuar” në “arenën” e përjetimeve dhe që frymon shumë gjallërisht. Kjo lirikë lundron në ato “cepet” e jetës, nëpër ato “aksidentet” që na bëjnë të shkëputemi nga “zhurmimi” i përditshmërisë për të hyrë poashtu në një zhurmim tjetër, në një dimension të përjetuar ndryshe, me dashuri, përjetim, ikje dhe afërsi shpirtërore njëkohësisht sikurse shpërthen poeti në këto vargje:

Ikëm nga jeta për te njëri-tjetri

Në atë vijë të hollë gjurmonim jetën

E grryem me thonjë besimi

Derisa një ditë u thyen thonjtë

(Ikja jote e ftohtë si vdekja)

Gjithashtu, këtu kemi një rrëfim të mveshur me metaforizëm ku edhe i tërë ambienti hyn në “ceremoninë” e rrëfimit, shpirtëzohen objektet, përshembull, në këtë formë, po në poezinë e lartëcekur: Në qofsh bregut të detit / Valët do ta freskojnë kujtesën / Në qofsh bregut të malit / Gjethet do ta ngacmojnë shpresën për t’i dhënë fuqi emocionale dhe estetike shprehjes dhe kulmon me vargjet:

Ti nuk besove

Unë t’rreshtova në kujtime

(Klith-je)

por nuk mungojnë edhe vargjet kur poeti sikur “zbret” në një qartësi lehtë të kapshmë, duke i dhënë qëllimisht ton këndimi e rapsodie ndjesisë së dashurisë, përshembull në vargjet:

Në sytë e tu kam gjetur muzen

Duke notuar si në ujëvarë

Përplasur me shikime jemi

Si dy zogjme krahë të vrarë

(Drejt mesit)

Proza e poetizuar me rrëfenja

Ky libër me poezi nuk përfundon vetëm me poezi. Është një përpjekje edhe e mëhershme e autorit ku përveç poezive, librit ia bashkangjet si një shtojcë edhe ndonjë ese. Kështu në këtë libër kemi disa ese të cilat janë mjaft poetizuese, ose një version ndryshe i thurjes së atij “dramaciteti” emocional që autori ndjen ndaj realitetit. Këto ese, në radhë të parë kanë efekt psikologjik, të destinuara për t’u kuptuar qartësisht, me një narrativë të shkurtër, të përmbysur për nga rendi kronologjik i gjërave por të përqendruara tek porositë me efekt stimulimi të vetëdijes për një moral më të pastër kolektiv dhe social. Kështu, autori shprehet:

...pranimin e tjetrit kemi filluar ta shohim si rrënim të vetës, dhe rrjedhimisht, ngritjen e vetës e shohim vetëm përmes rrënimit të tjerëve!

(Fjalim i pambajtur I)

Mund të jesh i shkolluar por jo edhe i ditur, se i ditur do të thotë të lexosh libra, dhe të shikosh filma por ta kuptosh se jeta nuk është as libër as film, ato janë dëshira sesi të jetë jeta, jeta është çdoherë përtej, përtej, përtej....

(Fjalim i pambajtur III)

Është thënë jo rrallë se shkrimtarët gjatë gjithë jetës e shkruajnë një vepër, pra, e shkruajnë atë pjesë frymëzimi që ju buron nga brenda shpirtit dhe që e ndajnë bashkë me lexuesin. Kështu edhe Mahir Morina ka një fillim të mirë të prodhimit letrar, një ngritje të vazhdueshme, të natyrshme dhe sigurisht se presim edhe shumë botime tjera për ta pasuruar veprën (prodhimin letrar) që tashmë e ka ngritur deri tek “Kufiri”.

Prof. Ma. Imer Pantina, redaktor i librit

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat