Gratë dhe problemi konceptual dhe real i barazise gjinore”…Mendime për librin “Gratë në Kohën e Tyre”

Libra

Gratë dhe problemi konceptual dhe real i barazise gjinore”…Mendime për librin “Gratë në Kohën e Tyre”

Nga: Fran Gjoka Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 09:36
Fran Gjoka

Duke lexuar librin e sociologut Gëzim Tushi (Mjeshtër I Madh) me titullin intrigues “Gratë në kohën e tyre” si dhe duke parë desitetin dhe intesitetin e pandërprerë të shkrimeve të tij me këtë temë, në mënyrë të natuyrshme të lind pyetja: Cila është arsyeja dhe pse sociologu Gëzim Tushi i ka kushtuar pjesën më të madhe të studimeve sociale temës së statsit të gruas dhe problemeve të saj në shoqërinë shqiptare?

Autori në mënyrë sintetike në librin e vet përdor një sintagmë sintetizuese, sipas së cilës niveli i emancipimit të një shoqërie në kohën e sotme, përveç të tjerave, matet dhe vlerësohet me treguesit e vërtetë të barazisë gjinore. Është e vërtetë e njohur, thotë sociologu Tushi, se në shoqërinë tonë asnjëherë më parë mbase për shkaqe të ndryshme me natyrë historike, tradicionale, zakonore, ideologjike dhe morale, nuk është folur dhe teorizuar kaq shumë për problemet ekskluzive të sigurimit dhe garantimit të drejtave humane reale, të barazisë sociale dhe drejtësisë gjinore të grave në shoqërinë tonë.

Sipas autorit të librit “Gratë në Kohën e Tyre”, bota femërore në shoqërinë tonë gradualisht ka marrë statusin e natyrshëm të vlerësimit sintetik të “masës së qytetërimit” tonë. Ajo çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e rëndësishme e jetës sociale, debatit, gjykimeve dhe analizave që përgjithësisht bëhen sipas standarteve të qytetërimit modern. Megjithatë sociologu Tushi është i mendimit, me të drejtë se nuk është normale që të vetkënaqemi me atë që duket, dhe ca më pak të mos bëjmë ca përpjekje më shumë për të analizuar në thelb ndryshimet dhe situatën e grave në shoqërinë shqiptare, duke zbluluar sociologjikisht ca të vërteta, që për shkak të kulturës dhe optikës sociale maskiliste që ka patur dhe vazhdon të ketë shoqëria jonë, shpesh krijon një lloj “mirazhi” apo “perde sociale” që nuk na lejon që me inteligjencë të tërhortë të kuptojmë atë që pengon ritmet e këtij procesi madhor të civilizimit të qytetërimit tonë, për të parë jo atë që “duket” por atë që “fshihet” pas saj.

Libri sjell fakte, materiale analiza konkrete që shërbejnë për të qartësuar tablonë e vërtetë dhe që pavarësisht arritjeve, bravurave populiste dhe dukjes dhe bujës spektakolare që bëjmë për arritjet (të cilat janë evidente dhe nuk mungojnë), duhet të pranojmë se edhe në këtë sferë nuk jemi aty ku duhet të jemi, në analogji me parametrat, standartet dhe imperativat gjinore europiane. Unë jam dakord me gjykimin e autorit të librit, sepse në të vërtetë në se do ta shikojmë nga kjo optikë, besoj se duhet të themi që arritjet nuk janë aq të mëdha, dhe aq shumë entuziaste. Me sa duket “finishi” për të arritur standartet në fushën e barazisë gjinore, në të gjithë treguesit sintetikë dhe në tërë ingredientët e procesit është ende larg.

Sociologu Gëzim Tushi është marrë gjatë dhe ka shkruar në dekadat e fundit shumë për këtë temë, sepse sipas tij kjo temë sociologjikisht është e gjërë, komplekse dhe historikisht interesante, por dhe sepse gjithnjë ai ka patur idenë fikse, se në shoqërinë tonë pabarazia dhe diskriminimi i grave është një “plagë sociale”, një patologji evidente, nga treguesit më sintetikë të natyrës së deformuar të shoqërisë tonë të së kaluarës. Reminishencat e së cilës, për fat të keq të shoqërisë dhe të grave tona është ende e fortë dhe virulente. Si çdo intelektual dhe qytetar i këtij vendi, lënda e librit “Gratë në kohën e tyre” e paraqet autorin të shqetësuar për situatën ende të vështirë të femrës (jo vetëm të gruas shqiptare) e cila po ndryshon me ritëm të ngadaltë.

Megjithë angazhimin e spikatur të politikës dhe shoqërisë në këtë betejë të madhe gjinore, duket se kjo çështje është sui generis e ndërlikuar në të gjithë shoqëritë maskiliste ballkanike. Dhe për pasojë, mendon autori “nuk mund të realizohet barazia gjinore vetëm me mjete politike, pa një ndjenjë sensibiliteti social dhe përjetimi intensiv mediatik, pa një aksion civil total të shoqërisë shqiptare e cila duhet të njohë detyrimin moral për të shprehur angazhimin civil dhe humanizmin e vërtetë të qytetërimit tonë, për t’i bërë gratë realisht të lira si qytetare të barabarta”.

Megjithatë sociologu Tushi nuk duhet mohon faktin që në këto tri dekada në këtë fushë është investuar energji politike, janë përhapur njohuri, ide dhe praktika të mira gjinore nga politika, shteti, shoqëria civile, media, vetë gratë dhe organizatat e tyre specifike. Por shpesh ky “angazhim strategjik”, këto dëshira të mira sociale, politike dhe ligjore nuk po e japin “rezultatin e pritur”, që do të ishte si “shpërblim” për punën që po bëhet.

Pse ndodh kështu? Cfarë ka shoqëria jonë që nuk i arrin dot rezultatet e pritshme dhe të dëshiruara në fushën e “barazisë gjinore”? Ku pengohet procesi? Mund të ketë shumë arsye komplekse, që mund të zbulohen duke bërë analiza sociologjike dhe prerje të ndryshme gjinore. Por sociologu ngul këmbë se duhen dalluar ato gjëra që momentalisht janë pengesat kryesore të këtij procesi të madh, të kësaj sfide madhore të qytetërimit tonë. Megjithëse në pamje të parë, të gjithë në shoqërinë tonë dukemi të angazuar dhe të inkorporuar në mënyra të ndryshme në këtë proces integral, duke kontribuar në cdo rol dhe pozicion që jemi, duket se procesi i barazisë gjinore është përballë gjykimeve të përcipta sociale, nganjëherë të bëra në formë rutinë dhe me shumë lehtësi.

Nuk është e vështirë që në një shoqëri tradicionalisht maskiliste të diktosh demagogjinë dhe dyfytyrësinë sociale kur flasim për rolin e femrës në shoqëri, për nevojën e vendosjes së barazisë gjinore. Sipas autorit, “kjo kërkesë fondamentale e qytetërimit europian nuk është bërë “limfë sociale” për shoqërinë tonë, nuk është kthyer në “aspiratë kombëtare”, nuk është kuptuar kulturalisht në rradhë të parë nga meshkujt tanë detyrimi specifik për të pranuar më në fund dhe për të plotësuar parametrat e barazisë gjinore, pikërisht në familje dhe në shoqëri ku diskriminimi gjinor është evident”.

Kjo ndoshta edhe për faktin që shumica e politikanëve, intelektualëve, lidereve politike të grave dhe vetë shoqatat e larmishme dhe “ambiguide” gjinore, shpesh bëjnë teorizime të ftohta, flasin me ide të ngjajshme stereotipike, përdorin frazeologji të ftohtë dhe pa shpirt social. Kur dëgjon ato që thuhen nëpër seminare dhe takime gjinore dhe duke parë si thuhen, si mendon shoqëria civile të realizojë objektivat për të cilat është investuar shumë nga shoqëria dhe shteti, duket qartë se ende nuk ka koncept të plotë, përfytyrim kompleks të ndryshuar për “pozitën e femrës” në shoqërinë tonë. E cila, sipas sociologut Gëzim Tushi, sot nuk është më vetëm “shtresë sociale”, por së pari figurë e personalizuar që tashmë është bërë komplekse, me botë dhe intimitet që shfaqet gjithnjë e më më i “ndërlikuar” në shoqërinë shqiptare. Kjo do të thotë se “barazia gjinore” e vërtetë është përtej sloganeve dhe parafabrikateve sociologjike, sepse femrat e kohës sonë mendojnë, ndjejnë dhe sillen ndryshe nga tipologjia dhe mënyrat e vlerësimit të sjelljes së “femrës tradicionale”. Ato nuk janë më vetëm qënie sociale por po shfaqin edhe destinacionin e natyrshëm biologjik, natyrën gjinore dhe identitetin seksual të veçantë.

Nuk është boshllëk i vogël, por është difekt ontologjik i politikave gjinore, fakti që këto boshllëqe fillojnë nga konceptimi i jo drejtë i cështjes gjinore. Në këtë kontekst sipas autorit në mendimin teorik, politik dhe sociologjik në disa raste ka një konceptim të paqartë të duhur të problematikës së vërtetë gjinore, të problemeve që kanë dhe me të cilat përballen femrat tona. Ca më pak, për të përcaktuar rrugët e vërteta të zgjidhjes së problemeve të tyre shoqërore dhe gjinore. Sipas tij, koncepti i barazisë gjinore është i gjërë, është kompleks dhe shumë i ndërlikuar. Thelbi është përtej frazeologjisë dhe demagogjisë, sepse është në “limfën” historike të shoqërisë shqiptare dhe të menatlitetit masklist të “burrave” të këtij vendi, që edhe sot kur flasin për barazi gjinore e reduktojnë konceptin në anën e jashtme të gjërave, duke e parë çështjen të thjeshëzuar.

Barazia gjinore mendon autori, ka pjesën e saj që është e lidhur me transformimin politik dhe demokratik të shoqërisë shqiptare, garantimin e të drejtave ligjore dhe kushtetuese, por ajo së pari duhet parë si një proces social specifik të lidhur me ca të drejta të tjera të limituara apo të munguara të femrës që gëlojnë hapur dhe fshehtas në “moralin e dyfishtë” që ende në jo pak arste shfaqet dhe është si një lloj “ideologjie zyrtare” e familjes dhe e shoqërisë, e cila ende ka frikë nga “bota e vertetë” e problemeve të “barazisë gjinore”. Kështu që kur diskutojmë për barazinë e vërtetë gjinore në Shqipëri, përfundon sociologu Gëzim Tushi në librin e tij “Gratë në Kohën e Tyre”, nuk është mirë që atë ta trajtojmë me një “ideologji të vakët”, me tone të sipërfaqshme, duke parë vetëm gjërat që duken dhe të mos vlerësojmë ato gjëra që deri tani kanë qënë vlerësuar si “çështje gati transhedentale” por që tani janë fare imanente për femrat tona. Kjo kërkon së paku zgjerim të koncepteve, të kontureve dhe problematikës femërore (jo thjesht gjinore). Në se nuk e kuptojmë kështu, në se nuk zgjerojmë konceptualitetin për botën e femrës, për dimënsionin e vërtetë të “barazinë gjinore”, në ecim me paradigmat e vjetra tradicionale gjinore, kjo nuk do të sjellë ndonjë rezultat shumë të mirë për femrat tona, të cilat ende nuk kanë hapësirë sa duhet në shoqërinë tonë për t’i thënë me zë të lartë “gjërat e tyre”...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat