Recension i librit studimor "Dashuria e vërtetë" i autorit Msgr. Antun Cirimotiq

Libra

Recension i librit studimor "Dashuria e vërtetë" i autorit Msgr. Antun Cirimotiq

Nga: Lekë Mrijaj Më: 17 mars 2020 Në ora: 19:10
Libri

Recensioni i librit është një vlerësim personal i lexuesit, kritikut apo qoftë edhe e vlerësuesit, i cili ua interpreton të tjerëve librin e shkruar nga autori si dhe për (mos)sukseset e arrira të librit, duke reflektuar tamam me të gjitha standardet gjuhësore. Pikërisht që ta kemi më të qartë recensionin nga këndvështrimi im do ti them disa fjalë rreth librit: "Dashuria e vërtetë" i msgr. Antun Cirimotiq.

Ish-Vikari i Përgjithshëm i Dioqezës së Shkupit dhe Eksarkati i Kishës Apostolike në Maqedoni e studiuesi i nacionalitetit kroat janjevas nga Kosova, msgr. Antun Cirimotiq, tashmë i pensionuar, në vitin 2009 nxori nga shtypi një libër studimor tejet interesant, si rezulltat i meditimeve e hulumtimeve të tija të thella gjithëpërfshirëse në rrafshin teologjik, shoqëror e njerëzor. Libri i tij në fjalë mbanë titullin: "Dashuria e vërtetë" i cili libër i cili mua më është dhuruar me 26 qershor 2016 ( me autograf të shkruar në gjuhën kroate ) nga vet autori- msg. Antun Cirimotiq, në katedralen e "Zemrës Tejët të Shenjtë të Krishtit" në Shkup.

Është një libër i botuar në gjuhën kroate e përkthyer profesionalisht (nga origjinali: "Istinska Ljubav" ) në gjuhën shqipe nga përkthyesi Fejzi Bojku dhe i lektoruar nga françeskani, At' Lovro Gavran, OFM. Libri në ballinën e saj përmban: Derën e Katedralës së "Zemrës Tejët të Shenjtë të Krishtit" në Shkup ashtu sipas projektit dizajnues të artistes, z. Alojza Ulman, e cila derë është punuar mjeshtërisht nga Koperativa e Zejtarisë në Vinkovc të Kroacisë.Përmban ISBN: 978-953-55893-6-5, i kataloguar me numrin 729673 në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Zagreb.

Në parathënien e librit paraqitet prof. dr. sc. Tomoslav Ivançiq, i cili veq tjerash autorin dhe librin "Dashuri e Vërtetë" e paraqet si prift të devotshëm katolik, zyrtar të katedrales dhe si një intelektual, besimtar, mendimtar kritik, ndërtues të themeltë të dialogut dhe ekumenizmit, pra një hulumtues plotësisht të pavarur të antropologjisë teologjike-filozofike i cili edhe e hulumton çështjen e qenies së Zotit dhe problemin e krijimit të qenies së kufizuar të njeriut në përngjasim të Zotit.

Msgr. Antun Cirimotiq, që në hyrje të librit flet për raportet gjithëpërfshirëse jetësore e njerëzore duke e perfshirë: Relativizmin, shkencën dhe sigurinë e njohjes së saj absolute, horizontet e fushat të njohurisë, shkencën, filozofinë, religjionin, fenë-religjiozitetin e teologjinë duke thënë se ky libër nuk është një libër qe lexohet aq lehtë apo nuk është libër zbavitës porse për ta lexuar lypset një angazhim, përqëndrim dhe reflektim. Librin e tij autori e ka konceptuar-ndarë në tre pjesë (të plotësuara edhe me citate biblike të huazuara nga Bibla e përkthyer nga dom Simon Filipaj) të ndara dhe të skalitura mjeshtërisht edhe me nëntituj të tjerë ashtu siç vijon:”Mosbesim dhe Besim”, “Mbi greminën e qenies” dhe“Në përqafimin e dashurisë”.

Në pjesën e parë të këtij libri të titulluar: "Mosbesimi dhe Besimi" autori këtu ka trajtuar të dyja relacionet (mosbesimtarët e vërtetë radikalë, besimtarët shpirtërisht të pjekur, besimtarët mesatar, stilin e ri të jetës në liri e modesti, lirimi nga epshet, pasionet e korpit, mosbesimtarët mesatarë, besimtarët margjinal-jobesimtarët, minimalistët, indiferentët, agnostikët, pohimin negativ të pavertetueshëm, pohimin pozitiv të vërtetueshëm, analizat e "pat pozitës", magjia, traditën, takimin personal me Zotin, Paul Claudel, dr. Alexis Carrel, Shen Pali, analiza logjike, zbulimi i hyjit, largimin gradual të njeriut nga bashkësia fetare dhe nga Zoti, struktura e njeriut, rrethi jetësor etj. ) duke i përpunuar secilat nga ato në mënyrë të kompletuar dhe me plotë profesionalizëm duke i spjeguar ato relacione se si manifestohen në jetën njerëzore dhe çfarë janë pasojat për individët, familjet, shoqërinë nëqoftëse tek ata mbipeshon mosbesimi dhe se mund të përcjellën pasojat për individët, familjet dhe shoqërinë nëqoftëse të ata mbizotëron besimi dhe feja në përgjithësi etj. Andaj ashtu siç e shohim autori gjithnjë këtu ka patur parasysh atë se te njeriu në të njëjtën kohë mund të takoj Besimin dhe Mosbesimin ndaj është shumë e rëndësishme se cili nga ata faktor është mbizotërues, që mbisundon e paraqet pikpamjet e tija ndaj Zotit, vetvetit, njerëzve dhe krijesave tjera etj.

Msgr. Antun Cirimotiq, në pjesën e dytë të titulluar: "Mbi greminën e qenies", ka dhënë fakte pragmatike (për kufizimin hapësinor e kohor, hipotezat e procesëve reversibil dhe ireversibil, analizat racionale dhe kufizimin ontilogjik të materies etj.) duke vërtetuar qartazi se materia është e kufizuar në hapësirë në kohë dhe ontologji dhe si e tillë nuk mund të jetë e përhershme por Qenia absolutisht e përsosur të cilin e quajmë Zot, Hyj ose Perëndi e ka krijuar në kohë pra vetëm Zoti është i amshueshëm sepse ai është ontologjikisht i përsosur ndërsa njeriu është bashkim i materies dhe i shpirtit-frymës. Autori i librit në vazhdim ka dhënë edhe analiza tjera të detajuara për Zotin si Qenie të përsosur, krijesat e Zotit-Dashuri, njeriun i cili është bashkim i realitetit material e shpirtëror me vetëdije të lirë i cili mund të percaktohet për të mirën dhe të keqën, i lumtur apo i palumtur pikërisht për Dashuri apo egeoizëm etj.

Në pjesën e tretë dhe të fundit të titulluar: "Në përqafimin e dashurisë" autori ia ka dalur dhe e ka analizuar me përpikëri (Zotin si Qenie absolutisht të përsosur, Zotin Dashuri absolutisht të përsosur, Trininë, krijimin e qenieve të kufizuara, krijesën që është figurë e Hyjit, njeriu figurë e Hyjit, mardhëniet reciproke njerëzore, mishërimin si krijim i ri, kishën realitet Hyjnor e njerëzor, ndarjen e kishave apo skizma në vitin 1054, bulla e kardinalit Humbert dhe analizat, shpirtin shenjtë, dallimet te disa sakrament etj.) në plotni raportet apo mardhëniet bazike në Zotin-Trininë e Tejetshenjtë e relacionet ndërmjet krijesave, relacionet ndërmjet njerëzve e kishës katolike e ortodokse etj.

Në përmbyllje të librit autori i grish lexuesit qe ta marrin këtë libër dhe ta lexojnë me përkushtim, gjë që pas leximit të këtij libri, vertetë do tē ndihen të pasur shpirtërisht në të gjitha pikpamjet, ndaj edhe i falenderon mbështetësit e tij, pikërisht të gjithë ata qe e ndihmuan në rritën e tij shpirtërore drejt pjekurisë njëkohësisht edhe të tjerët të cilët e ndihmuan në realizimin e botimit të librit:"Dashuria e vërtetë". Andaj, msgr. Antun Cirimotiqit, i cili ka tashmë afro 83 vjet, i dëshiroj të ketë shëndet e suksese të reja në fushat teologjike, shkencore e shoqërore. Zoti e bekoftë!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat