Fjala vret si rrufeja, ajo fyesja e pavërteta

Libra

Fjala vret si rrufeja, ajo fyesja e pavërteta

Gjon Marku Nga Gjon Marku Më 30 mars 2020 Në ora: 10:47
Kopertina e librit

E pashë hënën sonte, bija ime, dhe shpiri krejt m’u drodh. Më vjen keq për ju. Për ju sakrifikova gjithçka. Por s’kishte si të ndodhte ndryshe. Sa pak lumturi ka mbetur për ne, më thatë, me besimin e humbur. Veç këngën tash po ua nis me zogun e verës prej këtu nga burgu i Shënkollit, mes grahmash të mërzitshme dhembshurie këtë ditë gushti. Mos harroni bija ime, se loti i parë me lotin e fundit janë binjakë. Por ju ruajeni lotin, zjarrin që djeg gjoksin vetëm me lotë shuhet. Po doli në qerpik se thanë dot as dielli i gushtit. Brenda vetes, ndoshta sot mërmërisni babë, falna dashurinë që fsheh krahërori. Një ditë do ta kuptoni mirë. E kur të vdes unë, testament keni shpirtin tim…. Nën dritaren time dhimbja ngre zërin. Pabesia kërkon të vrasë sot më shumë se kurrë. Pa gjumë netët po i gdhij e nata e ka mbuluar gjumin me klithma dhembjeje për ju. Sorrat, gjarpërinjtë, minjt që pabesisht turren drejt nesh të na përbaltin i tremb mospërulja ime. Ti je në rrugën tënde edhe pse po kërkojnë të të lënë si mua të vetme si zogun pa qiell.

Mos harro se jot ëmë pas dërgimit prej meje për ta divorcuar, në këto netë pëshpëritjesh, ikjesh me ndergjegjen në mungesë, në këto netë asgjëje bashkë me motren e saj gojëzezë e që si mace këlthet e krrau-krau si sorrat shpirtkeqe kërret apo dajat e tu, së bashku apo seicili më vete pas meje ty do të mundohen të të bëjnë viktimë e për ty do të shpifin lloj lloj gjërash, mjafton të mbulojnë pabesitë dhe pafytyrësitë e tyre. Poshtërsi do endin si merimanga rrjetën thur. Sepse nuk ngopen me errësirë, me trillime që të na e brejnë jetën, të na e shkatërrojnë si krimbat e plehut.

E di se, e vetmuar në mes të udhëkryqit, sytë e tu pyetës janë të trishtuar e thonë përse? Në sytë tu plot lutje e shoh dhembjen.

Po ti ki besim, bija ime, ende mortja s’më ka mujt. Më mirë gur, se urë. E dinë mirë se mund të ma lidhin me hekura trupin, po shpirtin nuk ma lidhin dot.

Unë do të mund të mbaj fjalën e premtimin që të kam dhënë që ti të kesh mundësinë të shkollohesh. E gjithnjë do të kesh paratë që të duhen për shkollim. Sikur gjak të shes, shkollën tënde do ta paguaj.

Po ti mos u dëshpëro. Nëse dëgjon të flitet keq për ty, ani. Edhe qeni leh në njerëzit që nuk i njeh. E pas meje dajat e tu e tezja jote do te lehin kundra teje pa pyetur se ti je fëmijë. E di se fjala vret si rrufeja, ajo fyesja e paverteta që në fakt po thurin për ty. Ashtu si dhe për mua. Ani! Furtuna e pamëshirshme e shpifjeve te tyre s’na bën dot urë po më të fort gurë.

E di bija, ime se duan ç’duan se dinë as vetë. Veçse natën lëshohen si kukuvajkat shtëpi në shtëpi bashkë dhe vëllanë e vet, me hijet, shtrigat, fantazmat. Qentë lehin në hënë.

Ai ka luajtur nga ment, deklarojnë natë e ditë. Ditë e natë turret, sidomos daja yt me tezen tënde te Lula në Fush-Milot e te Sherja të parashikojnë fatin e tyre të zi. Të zi si pendë korbi. Te ato gra gënjeshtare. E gjykatave kërkojnë të na vënë përballë të përulim e gjunjëzojmë njëri-tjetrin. Gjithçka kërkojnë e bëjnë veç ta justifikojnë, e justifikohen duke deklaruar se ti na paske dashur një djalë që unë se dua. Si s’kanë marre! Pse në çdo fjalë të thurur si pëlhurë merimange ka shpifje të ndyrë dhe të pabesë. Nga daja yt përditë shkruhen legjenda për ne. E kur i zgjatet natës shtati, i paudhi përvidhet e niset për udhë. Tinëzisht orziu e heq petkun e pushtetarit. Tërë kohën e lume zhvishet e vishet. Në vend të këmishës lëkurën e ujkut vesh. Në vend të krevatës gjarpërnij lidh nëpër qafë. Troket kanxhellë më kanxhellë. Bën kompromis me djallin e kërkon parajsën në tokë. Në mesnatë tregut të qytetit në paralagje, tek kthehet prej udhës së tij të zezë, nëna e doktor Zefit rrezikzezë e sheh. Ajo lëshon namë e gjamë sapo e sheh. I ka dëgjuar fjalet e tij të zeza për të birin. Ndërsa atij i lëshojnë dhëmbët xixa, e mua do të më shohë si doktor Zefin. Po s’më bën dot si atë. Ai ka luajtur nga ment deklarojnë natë e ditë, ditë e natë. Në fakt doktor Zefi ka qenë një burre tepër i ndeuar. Në terrin e verbër të natës pa hënë e pa yje, thurin intriga dhe pabesi. Ditën hipokrizinë e pushtetarit mban veshur. Oh, medet! Gënjeshtra sajon. Po ëndrrat e zeza do t’i varë në krahë të lejlekëve. Mjerimi është për ata.

Për kokën time kryeneçe shumë kurth ka ngritur. Po unë e kam vendosur më mirë gur se urë për gjithë jeten, bija ime. Kërkon fatin përtej shtatë konaqeve nëpër magjistare mashtruese në këtë kohë bishtdhelpër i pa udhi.

Një milion e një të zeza kurdisin. Kënaqet e rend noterëve të noterizojë akt-arrestin tim e bashkë me të turpin e motrave të tij. Një lajm përhap me të shpejtë: ai luajti nga mendtë agjensia e ku(rvë)natës. Oh, medet! Ç’vellezër mostra! me sytë që dhelpërshit iu shkëlqejnë në ngadhnjimin e turpit të të motrave që kërkojnë të jua nënështrojnë burrat. E dajës tënd të vogël, guraja i bredh hoteleve të Sarandës e Delvinës me shokun tim të klases. E ai se di nëse është i nënshtruar apo e ka nënshtruar të shoqen. Oh çnjerëz pa qëllime që mblidhen kokë më kokë në terrin e verbër e me llafe merren e ligësi thurin. Më mantele të zezë po vine tash drejt teje të shpifin e të të përbaltin ty, bija ime po ti mos u dëshpëro.

O sa i pikëlluar është sot djelli, mërmëris dhe eci oborret të të burgosurve (s’ia di ecjes suaj, mendoj, as fillin as qëllimin). Një këmbanë bije diku ndër fusha e unë një gjinkallë i lutem të mos qajë!

Në fakt u them dy djemve të ri në oborrin e godinës ngjitur që thekshëm një kënge ia thonë e ajo është këngë e trishtimit sikur është kënga jonë:

…Sa herë e pyes unë mamin, ku e kam babin?

Ajo më përgjigjet: o ti ke mamin!

Dua babin ta takoj aman, aman! Aman!

E ta puth, ta përqafoj, o mami… këndojnë përvajshëm. Më teket nganjëherë dhe mua e ja marr një kënge të keqe. Këndoj apo vajtoj se di, veç di se thur vargje për mjerimin që rri në zemrën time. Kjo rrugë le të zgjatet larg, larg deri në tryezën time të shkrimit, mendoj. Nuk është një ëndërr po një ralitet në ditët tona. Një ralitet që tashmë nuk mund të harrohet. E këtë ralitet po e jotojmë ne.

Ti e vetmuar në mes të udhëkryqit të kanë kthyer në tabelë qitjeje. E për mua kjo nuk është vetëm pikëllim. Por ti mendohu fort, bija ime, për çfardo që bën, e si po e ben ndërgjegjen ta keshë të kthjellët.

Edhe pse i paudhi niset për udhë, një ditë zoti kujtohet për syrin qerpikqarë të nënës time shamizezë, zemërplasur që dergjet në krevat e sëmurë më e lodhur e më e plakur se kurrë. Serenata të dhimbjes i ushtojnë në veshë. Djalin pabesisht ia kanë derguar në burg e s’u ngopën me errësirën, terrin, pabesinë. Qytetit shpifin që të na shmjerëzojnë “ai ka luajtur nga mendt”. Yt vëlla, bija ime, ja ndalin nënës time të mos e shohë aty në shtratin ku e prêt vdekja.

Nana ime me të nis të bisedojë në mungese. Ti e di mirë se tezja jote, ku(rvë)natë e dajat e tu s’u lenë të shkoni ta takoni gjyshen tuaj që po i digjet shpirti nga malli për ju.

Ani, mërmërit nëna ime e sikur bisedon me ju. Shkoni, o bij e lereni pranverën të lulëzojë në sytë tuaj. Po s’më gjetët mos u dëshpëroni. Ani se jam njeri i harruar në rrugën e vjeshtës e me shpirtin tim përfalet një muzg. Shkoni bijt e mi, ani se shpresa ime është thinjur. E di se me vete gjithnjë keni thënë: nënë, falma dashurinë e bekimin e zotit. Po si jo, mor bir bekimin tim paç me vete kudo. Ti shtegut të zemrës sime erdhe e më fale në këtë jetë një ëndërr. Unë në zemrën time, biri im, kisha gdhendur emrin tënd ashtu siç kisha gdhendur emritn e yt eti që është im birë lindur në një ditë të bardhë si dita e Shnanoit. Ani shko biri im në rrugën tëndë sikur i thotë yt vëllaj. Ani se një moment ma plagose zemrën, shqelmove të kaluarën, përrallat, mitet, legjendat, historitë e yt eti, që pabesisht dajat e tu e tezja jote e zezë e dërguan në burg pabesisht. Ne armikut ia shtronim rrugën me gëzhoja përpara kullës sonë, po jo të bëheshim në anën e tij. Harrove se sa sy të të ligj ka bota, more bir.

Po mundohen të të lënë pa yt atë e ti pa të s’je gjë tjetër veçse endacak, harraq i harruar si një buburrec në një livadh të pakositur. Një njeri pa identitet.

Fjalët e mia të gjitha të shurdhëta për ty. Ani, ti shko në rrugën tënde. Ku je o nëna e babit, se nga varri që të tret asnjë gjurmë s’ka mbetur do të pyesësh një ditë e atëhere do të jetë vonë, shumë vonë. Kur linde ti në gjumë të këndoja këngë djepi. Tash me presin petkat e dekës. Yt atë në burg, pabesisht akuzuar për dhunë në familje. Një gurrë lotësh rrjedh.

Kund a ka zot, pyet e po vetë pergjigjet: po zot ka e ai nuk është mace që të gërvisht. Të bën të kesh mort kur pret të bësh dasëm. Ai i jep gjithkujt hakun. Lëshon nam e gjamë nana ime. Hesht të lutem, o mëkatare, mërmërit pastaj në kllapinë e vdekjes. Flet heshtja. Zoti gjykon e i jep hakun seicilit.

Po ti, bija ime, mos u trishto, ani se aroma e trishtimit të vjen ngado, po ki besim. Kurr nuk do tu dalin parashikimet e fallxhoreve, ani se prej andej herë pas here vijnë.

Për ata është një mëngjes i mjerë, plot pikëllim trishtim. Jo për ne. Se ke të vështirë ta shohësh bija ime. Mjafton të vështrosh në sy ato qenie të tjetërsuara. Pabesia, edhe pse as hije s’është, hije bën. Leri bashkë me mjerimin që u rri në zemër në udhën e tyre dhe shif përpara. Nuk ka gjë më të keqe se ambicja e njerëzve të rendomtë që mendojne se lartesohen duke poshtëruar të tjerët. Lere çdo gjë në dorë të zotit. Ai vonon po nuk harron. E nëna ime në shtratin e vdekjes thotë: të bën te bësh mort kur pret të bësh dasëm.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat