Analizë e librit: “Sprovë për interpretim” (Aurorë dhe vepra) të shkrimtarit Mikel Gojani

Libra

Analizë e librit: “Sprovë për interpretim” (Aurorë dhe vepra) të shkrimtarit Mikel Gojani

Nga: Lekë Mrijaj Më: 23 prill 2020 Në ora: 12:39
Ballina e librit

Shkrimtari Mikel Gojani, ka afro pesë dekada që është një emër i përveçëm në letërsinë shqiptare që do të thotë se ai nuk është emër i panjohur as në Kosovë, Shqipëri e botën shqiptare. Veprimtaria e këtij shkrimtari sot, tek ne e kudo në botën shqiptare vlerësohet tejet lart nga shkrimtarët më mendjemprehtë të dijeve të larta letrare që do të thotë se është tipik një krijues i spikatur e tejet serioz në reflektim të dijës. Pikërisht Shkrimtari Gojani, në vete ngërthen dije, kulturë, me një diapazon prej poeti, prozatori, eseisti, romansieri, opinionisti me trill të veçantë. Vërtetë është shumë i dashur me të gjithë krijuesit dhe të tjerët miq të tij, por edhe i strikt dhe tejet serioz në qëndrimet e tij ndaj krijimtarisë së përgjithshme letrare. Kur ai flet të jep optimizëm të paparë dhe hyn në analizë të botës së dijeve, sikur ke përpara një univers të gjerë dhe s’ke ku të ndalesh nga ai univers i pafund në perceptim të dijës.

Shih për këtë, ky shkrimtar i zellshëm, gjerë më tani në këtë libër të titulluar: “Sprovë për interpretim” (Autorë dhe vepra) për lexuesit e admiruesit e tij të librit ka përmbledhë mbi 27 artikuj dhe studime profesionale-letrare e përmbledhje punimesh e botime të veçanta të botuara në Kosovë, Shqipëri. Ky libër i këtij shkrimtari dëshmon qartë për pjekurinë e një intelektuali shqiptarë, i cili, duke dhënë fryte të shumta në fushën e gjithmbarshme të letërsisë shqiptare, ai u ka dhënë “rast” që të tjerët të flasin e shkruajnë për punën e tij studimore të pakursyer në dijen e letërsisë. Tashmë do të bëjmë fjalë për librin e tij të fundit “Sprovë për interpretim” (Aurorë dhe vepra) i cili libër është një përmbledhje me shumë studime librash nga ky autorë i mirënjohur i cili ka shprehur pjesën e tij të dijes siç e potencova sipër në analiza e studime të ndryshme letrare e gjithëperfshirëse.

Libri në fjalë i M. Gojanit për nga për nga përmbajtja ndahet në tre pjesë:

  • Tema dhe figura letrare e studimore,
  • Mesazhe dritëdhënëse,
  • Individualitete krijuese dhe studimore.

Në të gjitha këto pjesë janë përfshirë studimet dhe analizat letrare të librave të studiuesve të shquar që kanë emër, si janë, si: Moikom Zeqo, Sylejman Mato, Prend Buzhala, Lekë Mrijaj, Gjergj Rrapi, Tomë Mrijaj, Leonora Laçi, Senada Demushi Delaj, Spiro Ll. Kalemi, Nikollë Kërhanaj, At Nue Kajtazi, Fiqiri Biçaku, Françeska Regaini - Ermal Nikolli, Sherif Gjokaj, Zef Ndrecaj, Mëhill Velaj, Smajl S. Manaj - Yll  Ramë Manaj etj.

Pikërisht autori Gojani në kuadër të këtyre interpretimeve letrare, ka përfshirë edhe studimet të tjera dedikuar doajenit të fesë, kombit e kulturës, dr. dom Gjergj Gjergjit, dr. dom Nikë Ukgjinit, Ndue Dedajt, Pal Canajt, Koci Petritit, Tahir Deskut etj. Shkrimtari M. Gojani për librin thotë se ia ka kushtuar të dy prindërve të tij- babait, SIMONIT (1925-2008) dhe nënës, PRENA (1926-2005), të cilët për tërë jetën e tyre sa ishin gjallë, kanë qenë shembuj qëndrueshmërie. Te shpirti i tyre ende sot gjej mbështesje. Ndërsa në parathënien e librit, autori veç tjerash ka thënë se leximi është një proces jo vetëm mendo apo racional, por njëherësh edhe proces emocional dhe psikologjik.  Ndaj ai, veç tjerash ka përmendur edhe shkrimtarin Borges duke e përkujtuar dhe duke kujtuar shprehjen e Bernard Shoun i cili thotë: “Libri është kujtesa e njerëzimit” dhe se një libër është “dika më shumë se imagjinata”. Me këtë rast po ashtu do ta citoja thënien e shkrimtarit dhe filozofit francez, Zhan P. Sartre, ku thotë se “një vepër letrare mund të përkufizohet si nj ë prezantim imagjinar i botës" (faqe 5-6).

Pra, libri në fjalë“Sprovë për interpretim” (Aurorë dhe vepra) i Gojanit, përmbledh në vete të gjitha shkrimet, analizat, studimet, recensionet dhe këndvështrimet më të ndryshme të realizuara me shumë endje dhe përkushtimin nga studiuesi e kritiku ynë letrar.

Kështu, kritiku Gojani që në fillim pikërisht në kreun e parë të librit "Tema dhe figura letrare e studimore," ka vendosë një studim të tij të thellë për veprën e Moikon Zeqos: "Lasgushi i panjohur" (Sprovë për një lexim të ri), i cili në recensën e tij Gojani vec tjerash thotë se: Moikom Zeqo ka zgjuar kureshtjen e lexuesve të shumë, po ashtu edhe të kritikës letrare, që ka botuar kohë më parë librin “Lasgushi i panjohur”, (Sprovë për një lexim të ri), libër që i dedikohet poetit dhe lirikut më të shquar të letërsisë shqipe i të gjitha kohërave, Lasgush Pogradecit të cilit këtë vepër ia ka kushtuar në kuadër të 30 - vjetorit te vdekjes se Lasgushit, gjë qe dëshmon për një angazhim dhe guxim të madh për të shkruar dhe medituar mbi një nga figurat madhore të letërsisë sonë, të cilin kritika letrare si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë dhe kudo tjetër. Shkrimtari Zeqo, Lasgush Poradecin e kanë cilësuar njëri nga talentet më madhore të poezisë, si dhe një personalitet të rrallë të kulturës sonë kombëtare. (faqe 9-30).

Studiuesi Gojani, në kreun e dytë“Mesazhe dritëdhënese”,ka përmbledhur disa analiza e recensione librash ndaj po e veçoj një studim tjetër nga përzgjedhja ime për librin "IMZOT FRANO GJINI – ABATI I MIRDITËS QË PËRJETOI TRAGJEDINË E MOHIMIT DHE TË PERSEKUTIMIT" nga bashkautorët Tomë Mrijaj dhe Leonora Laqi, gjë që për këtë libër nga prizma e tij, studiuesi Gojani veç tjerash shton; "Janë një plejadë e tërë klerikësh, të cilët me gjithë qenie u angazhuan me moton për “Fe dhe atme”, për t’i dhënë sa më shumë dritë mendimi, sa më shumë dituri, sa më shumë vërtetësi grigjës së tyre, por edhe popullit shqiptar përgjithësisht. Edhe pse të mishëruar në këtë binom të shenjtë ata u ndoqën, u persekutuan dhe u vranë nga regjimi komunist enverist. Njëri prej tyre është edhe Abati i Mirditës, Imzot Frano Gjini, i cili për këto ideale të fesë dhe të kombit të tij u persekutua për të mbetur emër i përjetësuar brez pas brezi"... (faqe 65-73).

E, Mikel Gojani, profesor e studiues i letërsisë, në studimin e tij në pjesën e tretë të librit: “Individualitete krijuese dhe studimore”,  dëshmon për "DR. DON GJERGJ GJERGJI - KLERIKU I CILI PËR TË GJALLË SIGUROI PËRJETËSINË", në mes tjerash studiuesi Gojani thotë se: Të shkruash për Dr. Don Gjergj Gjergjin, do të thotë të kesh shumë motivacione, tema dhe arsye. Temat të cilat i shtrohen një shkrimi tematik, kanë një shtrirje të gjerë, që nga tradita dhe deri te momenti i shkëputjes së tij nga kjo botë jetësore në botën e amshuar. Edhe pas një viti të ndarjes së tij, si vegim drite më përfytyrohet figura e të gjallët të Don Gjergjit, të të rilindurit të tij bashkë me veprat voluminoze dhe kualitative që ka lënë prapa. Dr. Don Gjergj Gashi, si klerik patriot, vetë madhështia, që prin kah pavdekësia, mundësia  e patjetërsueshme të jetë në panteonin e emrave të mëdhenj të kombit, dashuri përherë e kujtueshme dhe e pashlyeshme në memorien fetare dhe kombëtare. Se populli i vendlindjes sime – Dugajevës, ishte i mishëruar në veprat e priftit të tyre, dr. don Gjergjit, sepse ai ishte i mishëruar në dheun e këtij fshati të lashtë iliro-dardan, dhe dëshmon edhe testamenti i tij i lënë në një pllakë mermeri në formën e një varri, ku ndër të tjera shkruan:

"Këtu po i varrosim epshet

për t’u riveshur

me hirin e të drejtëve"

alleluia!

Gjergj

Për vlerat dhe gjurmët që Dr. Don Gjegj Gjergji ka lënë në fshatin Dugajevë, i cili banorëve të këtij fshati malor iu dhuroi kishën e bukur me emrin “Shën Nëna Tereze” dhe  shumëçka me vlerë, si shprehje e këtij kontributi dhe të këtyre vlerave, banorët e këtij fshati, përkatësisht Këshilli i këtij fshatit propozuan që një rrugë e këtij fshati, e cila shpie nga sheshi “Shën Tereza” në qendër të fshatit për në Kishën “Shën Tereza” të mbajë emrin “Dr. Don Gjergj Gjergj”. Ky propozim i këtyre banorëve, gjegjësisht të këtij këshilli të këtij fshati u miratua nga Kuvendi i Komunës së Klinës. Ky veprim i këtyre banorëve ishte një veprim i tyre modest kundrejt vlerave kolosoale të Dr. Don Gjergj Gjergjit. Meqenëse për dr. don Gjergjin, këtë figurë të rëndësishme të fesë, shkencës dhe të kombit asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha, megjithëkëtë duhet thënë se don Gjergj Gjergji ka lënë gjurmë në jetën meshtarake, atdhetare dhe intelektuale, ai është shembulli i një meshtari të sakrificës dhe një njeri që i shërbeu kombit me tërë kapacitetin e tij dhe vlerat që posedonte, ai ishte patriot i vërtetë i popullit shqiptar të Kosovës. (faqe 193-205)

Libri i autorit prof. Mikel Gojani “Sprovë për interpretim” (Aurorë dhe vepra) ka gjithsej 229 faqe, i përgatitur shumë mire letrarisht dhe teknikisht: Për botuesin: Dodë NDRECAJ

Redaktor: Prend BUZHALA, Recensues: Hajdin MORINA, Redaktor teknik: Xhavit THAÇI është kataloguar me ISBN 978-9951-8664-6-7, Biblioteka Kombëtare Pjetër Bogdani, Prishtinë pranë Shtëpisë Botuese “HIERONYMUS” në Klinë, 2019, pikërisht në shtypshkronjën “GRAND STUDIO”Pejë i sponsorizuar nga z. Kamer Atashi, ish - mësues i shkollës fillore ‘’Azem Bejta” në Grabanicë e shkollës fillore “Motrat Qiriazi” në Klinë, i cili aktualisht jeton në Loazana të Zvicrres.

Prandaj, krejt në përfundim lirisht mund të vlerësojmë se ky libër i autorit Gojani ngërthen vlera të rëndësishme për letërsinë shqipe.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat