Mëma është e shenjtë, ajo nuk harrohet asnjëherë!

Libra

Mëma është e shenjtë, ajo nuk harrohet asnjëherë!

Nga: Fran Gjoka Më: 24 prill 2020 Në ora: 21:21
Kopertina e librit

Sapo doli nga shtypi libri “Një ditë me Marigonë” i shkrimtarit Viron Kona,i cili përmban “Përmbledhje artikujsh, vlerësime dhe krijime letrare rreth monografisë “Marigoja shqiptare në Norvegji” dhe protagonistes shqiptaro-norvegjeze Emine S. Hoti, portreti i së cilës shfaqet i plotë, jo vetëm nëpërmjet librit të shkrimtarit, por plotësohet më tej edhe nëpërmjet diskutimeve, këmbimit të ideve, mendimeve të shprehura apo krijimeve letraro-artistike. “Një ditë me Marigonë” çelet me një intervistë të gazetarit Fran Gjoka me shkrimtarin Viron Kona, shkrim i cili është njëherazi edhe një prezantim i Marigosë shqiptare në Norvegji( Emine S. Hoti) me lexuesin. Emineja është nga Drenica e Kosovës. Në vitin 1989 për shkak të represionit serb mbi shqiptarët, ajo mërgoi në Norvergji, ku pasi u integrua iu përkushtua me pasion krijimtarisë letare dhe, veçanërisht pasionit të saj si stiliste e veshjeve kombëtare shqiptare. Bleu një makinë qepëse, penj e rroba dhe, gjatë natës, pasi vinte fëmijët në gjumë, ajo qepte veshje kombëtare, kryesisht të zonës së saj, por edhe më gjerë. Fillimisht i qepi për fëmijët e saj dhe për grupin artistik të shoqatës së shqiptarëve në Norvegji. Më pas, vijoi të qepte veshje kombëtare shqiptare dhe t`i dhuronte në shoqatat shqiptare të Suedisë, Maqedonisë së Veriut, të Kosovës, të Italisë e kudo ku i jepej mundësia. Nëpër natë, duke punuar me makinën qepëse, Emineja mbante edhe laps e letër dhe hidhte edhe mendimet e saj poetike, që i vlonin, por dhe episode, ngjarje, ide dhe motive, që do të shndërroheshin në libra në prozë dhe poezi... Libri “Një ditë me Marigonë” përmban më shumë se 40 artikuj, kushtuar Emine Hotit dhe autorit V.Kona i cili, e bëri të njohur Eminenë, fillimisht në rrethet intelektuale shqiptare dhe më gjerë.

Në këtë aspekt, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, akademik, vë në dukje “Ndihmesat e Viron Konës për njohjen e diasporës shqiptare në Suedi dhe Norvegji” dhe njohjen e një yjësie personalitetesh të arsimit e të letrave shqipe që halli i ka shpënë deri në Suedinë dhe Norvegjinë e largët, por që malli i Atdheut, i Shqipërisë dhe i trevave shqiptare të Kosovës a të Maqedonisë prej nga janë shpërngulur, i bashkon të gjithë në një hulli të përbashkët gjuhëmbrojtëse e shqiptaripohuese. Poeti, përkthyesi dhe atdhetari shqiptar nga Suedia z.Sokol Demaku, shkruan se “Emineja është një ndër ato gra shqiptare, ku duhet të marrim shembull se si duhet të jetë femra shqiptare në mërgatë. “Ajo,-nënvizon ai,-është jo vetëm një stiliste, por edhe një mësuese, është një nënë dhe kujdestare e fëmijëve, të cilët i edukon dhe i shkollon në mënyrën se si ata duhet të jenë të dobishëm për shoqërinë”. Ai vlerëson se “Emineja është aktive në Qendrën Kulturore Shqiptare “Migjeni” në qytetin suedez Borås, veçanërisht duke i dhuruar kësaj qendre, deri më sot rreth 30 palë veshje kombëtare shqiptare, të qepura me duart e saj të arta...” Një vlerësim special bën për Emine Hotin, poeti, avokati dhe ish-piloti i aviacionit shqiptar Delo Isufi. “Emine Hoti,- shkruan ai,- është një ylber me mijëra ngjyra, që qëndron përherë i shpalosur si aureolë e kombit tonë” dhe, në vazhdim, ai citon vargjet e mikut të tij Kadri Tarelli, kushtuar kësaj heroine drenicare: “Emine Hoti, moj çikë Dardanie,/Në dorë e në shpirt, flamur shqiptarie,/Nga larg po na sjell, aromë Norvegjie,/Futur nëpër vargje, si frymë magjie.” Studiuesi dhe publicisti Kadri Tarelli, duke vlerësuar kontributin atdhetar të Emine S. Hotit shkruan: “Pse hallakatemi të fusim në tekstet shkollore shembuj nga bota, që nuk e dimë ku janë e nga janë, dhe mbyllim sytë për heronjtë tanë shqiptarë, që i kemi me bollëk mes nesh?”. Alisa Velaj, poete, studiuese dhe pedagoge pranë Katedrës së Letërsisë së Universitetit "Aleksandër Moisiu", Durrës, nënvizon: “Xhubletat e saj nuk janë vetëm imitime të modeleve të gatshme të krahinave tona të ndryshme. Emine S. Hoti ka derdhur aty dhe shpirtin e vet krijues, duke shtuar elemente të reja në mozaikun plot dritë të fantazisë sonë popullore....”. Prof. dr. Arian Kadiu, publicist e studiues “Mjeshtër i Madh”, thekson idenë se “Edhe më parë kemi marrë pjesë në veprimtari për skandinavët, por në asnjë rast tjetër nuk kemi qenë kaq pranë norvegjezëve, sa ky i sotmi. Ndaj them se Vironi është ambasadori i parë që solli tek intelektualët shqiptarë, këtu në Tiranë, Norvegjinë dhe norvegjezët... Më kanë mbetur në mendje fjalët e Eminesë: “Në Norvegji u kujdesën për ne, si nëna për fëmijën e saj të vogël”. Prof.dr. Ilinden Spasse, studiues dhe shkrimtar, shkruan: “Sapo mbarova së lexuari këtu në Bergamo të Italisë, monografinë me titullin “Marigoja shqiptare në Norvegji”, një monografi që të mbush me atdhedashuri, me optimizëm për jetën, me dashuri për njerëzit, për të afërmit, për miqtë dhe shokët e rinj të zënë gjatë udhës së jetës, veçanërisht duke u përqendruar në Norvegjinë e largët, fatmirësisht në një shtet me një demokraci për t`u patur zili dhe nga shtetet më të përparuara... Po të isha poet, shkruan ai në fund të kumtesës së tij,- ashtu si dhe poetët e tjerë edhe unë do të përpiqesha t`i kushtoja Emine S. Hotit, një poezi, poemë e pse jo dhe rapsodi si ato të Gjergj Elez Alisë, apo Shote Galicës etj”. Ibrahim Hajdarmataj, studiues e gazetar në Tropojë, veçon përkushtimin e kësaj shqiptareje heroinë, bamirëse, e guximshme, bujare dhe fisnike, e cila natën pas pune, me makinën e saj të qepjes, qep dhe qëndis me pasion e njëherazi dhuron te shqiptarët e diasporës veshje karakteristike të Shqipërisë së Veriut: pshtjellak, zapreg, dimi, jelek e deri flamuj kombëtar kuqezi me shqiponjën dykrenore... Ndërkaq, në emër të shoqatës “Bytyçi” dhe kryetarit të saj z. Agron Gjedia, ai bën të njohur edhe një “Mirënjohje” kushtuar Emine S. Hotit si “Një nënë shembullore” shqiptare në diasporë. Leksikografi, poeti dhe atdhetari i shquar Sadulla Zendeli-Daja me origjinë nga Gostivari dhe rezident për më se 50 vjet në Suedi, në artikullin e tij të titulluar “Mëma është e shenjtë, ajo nuk harrohet asnjëherë!” nënvizon me emocion se portretizimi i Emine S.Hotit si një Marigo shqiptare në Norvegji, është një vlerësim edhe për mërgimtarët e tjerë, që jetojnë në një atdhe tjetër, por që nuk e harrojnë kurrë vendlindjen, sepse janë edukuar me dashurinë për kombin shqiptar dhe flamurin që në djep me ninullat e kënduara nga nënat e shenjta shqiptare. Në libër gjejmë dy poezi të përkthyera nga gjuha shqipe në gjuhën suedeze nga albanologu i njohur dhe “Mik i Madh i Shqiptarëve”, Ullmar Qvick (Kvik), e pikërisht poezitë: “Politika” dhe “Kam dëshirë”, ku do të veçonim vargjet: “Dëshiroj të mos shoh askënd të nënshtruar,/ Askënd të gjunjëzuar dhe askënd të varfër,/ Askënd t`sëmurë dhe askënd pa bukë e ujë,/ Askush të mos vuajë nën këtë qiell të pastër”. Merita Kuçi, poete dhe drejtore shkolle në Durrës, në artikullin e saj “Poetja qëndistare”, shkruan: “Emineja radhitet ndër ato zonja si grua atdhetare, nënë, krijuese, ku arritjet e saj i kushtohen punës, thjeshtësisë dhe besimit për të bërë përpara në tokë të huaj me vlera e dashuri njerëzore... ». Elona dhe Ilir Jançe, intelektualë në Tiranë, vlerësojnë autorin e librit V. Kona dhe protagonisten Emine S. Hoti, të njohur si “Marigoja shqiptare në Norvegji”. Vlerësim të veçantë bën edhe Njomëza Imeri-Ismaili, drejtore e bibliotekës “Koço Racin”, Tetovë. Ndërsa Bujar Poçari, fizikan, Tiranë, mes të tjerash shkruan: “Në festat që organizoheshin në Norvegji nga komuniteti shqiptar atje, shqiptarët parakalonin si në një manifestim madhështor, me flamuj dhe kostume shqiptare të dala nga dora e Eminesë... Me punën plot pasion e atdhedashuri, Emineja ka përgatitur rreth 250 kostume popullore shqiptare, të cilat ua ka dhuruar individëve dhe grupeve të të rinjve dhe të rejave, të cilët me to kanë marrë pjesë në ditë festash kombëtare, por edhe në ditë festash familjare si dasma e gëzime etj. Hamit Gurguri, shkrimtar shqiptar në Suedi, në fjalën e tij shkruan: “Të lumtë pena, Viron Kona!... Ti i bëre nder një poeteje, një shkrimtareje, një stilisteje, një bije të Drenicës, që jeton në Norvegji, i bëre nder QKSH “Migjeni” dhe ne anëtarëve të saj. Urime ty dhe Eminesë! Ju faleminderit, miq nga e gjithë Shqipëria, që begatuat këtë takim të sotëm!” Dr. Petrit Teferiçi, mjek kardiolog, “Qytetar nderi” i Kavajës, me banim në Tiranë, shkruan: “Ndihemi krenarë me veprën “Marigoja shqiptare në Norvegji”, kushtuar shkrimtares, stilistes dhe atdhetares Emine S. Hoti. Mes të tjerave ai solli në kujtesë të pjësëmarrësve vitin 1999, kur ishte Lufta e Kosovës dhe kur prindërit e Eminesë jetuan në Kavajë... Liljana Kona, bashkëshorte e shkrimtarit V. Kona, shkruan se “Emineja është një shqiponjë me krahë të artë e veshur me flamurin kombëtar. Ajo u dhuron veshje dhe simbole kombëtare shoqatave e individëve, si t`u dhuronte zemrën e saj të madhe dhe të ndritshme, që, ata, të mërguarit tanë nëpër botë, të ndihen mirë, të shfaqin dinjitetin e tyre, të përfaqësohen si bij e bija të një kombi të lashtë dhe të ndritur, që, edhe në Oslo, Stokholm, Shkup, Romë e kudo, të përfaqësohen si qytetarë të botës së lirë, të ndihen sikur të jenë në Prishtinë dhe në Tiranë. Në libër është botuar edhe një përshëndetje dërguar nga prof. Murat Gecaj, i cili vlerëson veprën madhore të zonjës Emine S. Hoti. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, e cilëson Emine S. Hotin “Njërën ndër atdhetaret më të dëshmuara në Europë për afirmimin dhe sensibilizimin e etnografisë shqiptare”. Izet Abdyli, sekretar i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Prishtinë, shkruan midis të tjerave: “Me këtë libër Viron Kona i ka ngritur një monument jetshkrimi Minire Hotit (Emine S. Hotit) në gjashtëdhjetvjetorin e lindjes, puna e së cilës do t`iu shërbejë si burim frymëzimi e krenarie pasardhësve të saj”. Ajete Zogaj, gazetare, Prishtinë, shkruan: “ I tërë rrugëtimi i saj jetësor, edhe tani që është gjyshe, ka një motiv: Punë dhe vetëm punë, e mbi të gjitha dashuri për artin, gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. Dashuri për atdheun”. Imri Trena, kryeredaktor i radios “Zëri i Arbrit” Norvegji, midis të tjerave shkruan: “Ajo që na bëri përshtypje ishte rasti që përmend z. Viron se si një gazetar norvegjez, për kremten e 17 Majit - Ditës Nacionale të Norvegjisë, dikur para afro 30 vitesh, me të parë flamurin kombëtar shqiptar, të cilin e kishte qëndisur zonja Emine, pyet:

-Çfarë flamuri është ky?

-Është flamuri i Nënë Terezës, - iu përgjigj djali i madh i Eminesë me krenari.

-I Nënë Terezës?!

-Po, Nënë Tereza është shqiptare, siç jemi edhe ne. Ky është flamuri ynë, kurse kostumi që kam veshur është kostum popullor shqiptar. Ma ka qepur nëna”.

...Ju shtrëngoj dorën miqësisht nga larg e ju përqafoj vëllazërisht! E paçim SHQIPËRINË!”,

Libri përmban edhe disa vlerësime të veçanta për Emine S. Hotin dhe autorin e monografisë “Marigoja shqiptare në Norvegji” z. Viron Kona. Z. Azis Bislimi, kryetar i shoqatës “Nënë Tereza” në Norvegji, si dhe bashkëshortja e tij e falënderuan dhe e përgëzuan Eminenë për talentin, pasionin dhe suksesin e arritur... Afrim Aliu, njëri nga mërgimtarët më të vjetër në Ski të Norvegjisë, e uroi Eminenë me fjalët më të ngrohta, duke veçuar sidomos ndihmesën e madhe të saj për gjallërimin e veprimtarive të shoqatës “Nënë Tereza”, por dhe për pasionin në përgatitjen e veshjeve kombëtare e dhurimin e tyre. Një urim të veçantë i bëri Eminesë bashkëkombësja Arta Drenica, moderatore e vallëzimit, e cila me aftësitë dhe talentin e saj i përgatit në mënyrë të shkëlqyer vajzat dhe gratë për koncerte me raste festash, duke u mësuar kërcimin, vallet dhe këngët shqiptare. Kurse shoqja e Eminesë, Basrije Gashi, me një gëzim dhe respekt të jashtëzakonshëm, e uroi duke derdhur lotë gëzimi, që shoqja e saj vlerësohet aq shumë dhe kudo nga shqiptarët, e sidomos i shprehu gëzimin për respektin që iu bë asaj nga intelektualë në Tiranë gjatë përurimit të monografisë “Marigoja shqiptare në Norvegji”. Urime i kanë bërë Eminesë edhe Majlinda dhe Resmije Trena, duke e shoqëruar urimin me fjalët e ngrohta: “Ti Emine, na ke bërë edhe ne krenare dhe na nderon të gjitha grave shqiptare në Norvegji”. Të gjithë ata që e kanë takuar, edhe personalisht, por edhe në tubime apo veprimtari të shoqatës “Nënë Tereza”, e kanë uruar me gjithë zemër Eminenë, duke vlerësuar kontributin e saj si letrare, stiliste dhe atdhetare. Ndërkohë që ajo ka marrë mesazhe dhe telefonata të shumta nga miq, të njohur të saj, nga bashkëkombës në Norvegji, Suedi, Maqedoninë e Veriut, Itali, nga Kosova, nga shkolla “Dritan” e Drenicës, ku ajo ka qenë nxënëse dhe nga Shqipëria. Mediet shqiptare dhe shumë portale e revista, i kanë bërë jehonë librit dhe veçanërisht protagonistes së tij Emine S. Hoti, të njohur edhe me emrin artistik “Marigoja shqiptare në Norvegji”. Gazeta shqiptare “Nacional” e kishte në faqen e parë kopertinën e librit, ndërsa disa televizione dhanë kronika nga përurimi i monografisë “Marigoja shqiptare në Norvegji”. Vlerësime të veçanta ka shprehur për Emine S. Hotin edhe prof.dr.Hektor Veshi. Studiues dhe kritiku i letërsisë Sejdo Harka,Tiranë, shkruan: “Kjo monografi, sa e thjeshtë, aq edhe e bukur, aty nga mesi i nëntorit të këtij viti, u bë objekt i një tubimi të bukur vlerash për të zbuluar se ku qëndron magjia e protagonistes kryesore të këtij libri, sa voluminoz aq edhe tërheqës. Për të asistuar në promovimin e këtij libri kishin ardhur nga Norvegjia dhe Suedia e largët, nga Kosova, dhe nga e gjithë Shqipëria lexues të thjeshtë dhe njerëz të fushave të ndryshme të dijes e letrave shqipe. Diskutimet e zjarrta s`kishin të mbaruar...” Dr. Bajram Mejdiaj, Laureat i Çmimit të Republikës, studiues, etnograf, Tiranë,shkruan: “Ajo që dua të theksoj tjetër është se lexuesi i monografisë “Marigoja shqiptare në Norvegji”, është në një mendje me autorin, me shkrimtarin e njohur Viron Kona, pra, mendimet e lexuesit harmonizohen me shkrimtarin, ato që janë shkruar në atë libër, gjenden jo vetëm të vërteta, por edhe frymëzuese për të tjerët”. Dr. Nuri Dragoj, në artikullin “Një libër që shpreh shpirtin e trazuar të vajzës kosovare”, ndër të tjera shkruan:“Emineja është konkrete, bazohet te puna dhe jo te fjalët. Kostumet popullore shqiptare që ajo shpërndan, kanë vlerë më shumë se qindra fjalime e deklarata të ambasadorëve...” Dr. Nazmi Xhomara, pedagog - Universiteti “Luarasi”, nënvizon se ”Shkrimtari Viron Kona përbën një nga autorët bashkëkohorë shqiptarë, i cili po jep ndihmesën e tij të vyer në promovimin e vlerave më të mira në shoqërinë shqiptare, është një nga autorët më prodhimtarë të mendimit letrar dhe publicistik në vendin tonë. Kontributi i tij shtrihet jo vetëm në territorin e Shqipërisë, por prej vitesh ka kaluar kufijtë e saj...”. Luljeta dhe Vangjel Llupi vënë në dukej se “Emine S. Hoti është e njesuar me vendlindjen, si shqiponja me flamurin tonë kombëtar.” Bashkim Saliasi, shkrimtar, gazetar, Tiranë, shkruan: “Ajo që mua më ka mbetur më shumë në mendje është malli për vendlindjen, atë mall që kush e ka provuar jetën e emigrantit e di se çdo të thotë të vuash dhe të llafosesh natën me hënën e yjet dhe t`u tregosh atyre brengën që vuan në shpirt për të dashurit, atdheun dhe bukën e ëmbël të truallit ku ke lindur dhe je madhuar”. Bujar Agalliu, jurist, Tiranë nënvizon: “U impresionova nga thjeshtësia dhe nga prezantimi pa pompozitet i znj. Emine S. Hoti. Për një çast m`u duk vetja sikur isha mik në shtëpinë e saj dhe, nga thellësia e zemrës, më doli shprehja: “Nëse Nënë Tereza, si shenjtore ishte shqiptarja e parë e njohur në të gjithë botën, ju jeni “Nënë Tereza” shqiptare në Norvegji”. Ndue Dragusha, psikolog dhe shkrimtar nga Lezha, shkruan: “Fjalët e Eminesë gjatë përurimit na provokuan dhe lotë malli dhe dashurie. Ajo fliste e qetë dhe përmes fjalëve të saj shpalosi gjithë atë dhimbje dhe vuajtje që kishte kapërcyer, duke mos u përkulur dhe as duke mos lypur lëmoshë, por duke e rrëmbyer jetën dhe respektin përmes punës së saj të palodhur, e pathyeshme dhe me shpirt heroine”. Maliq Qoku, drejtues shkolle, Tiranë shkruan: “Me një gjuhë të thjeshtë, të ëmbël, të pastër e të qartë, Viron Kona të tërheq si me magnet teksa lexon shkrimet e tij. Ai arrin të skicojë dhe të portretizojë personazhet e tij aq bukur, saqë të mahnit dhe të “detyron” që të mos e lëshosh librin nga dora pa e mbaruar atë”. Agim Qoku, publicist dhe drejtor shkolle në Elbasan, nënvizon: “Kujtdo, nderimi nuk mund t`i bëhet më mirë se në atdheun e tij... Nuk ka gjë më të madhe për një krijues se kur vlerësohet me madhështi në atdheun e vet”. Nikolin Papa, ekonomist ushtarak, Tiranë shprehet: “Dhurata e shkrimtarit Viron Kona me këtë monografi, që u bën lexuesve shqiptarë, kudo që jetojnë në të katër anët e globit, tregon njëherazi se sot njerëzit kanë nevojë të dukshme për përurimin e vlerave të dashurisë për atdheun. Mal Buçpapaj, mësues, ish drejtues arsimi, publicist, Tiranë, na tregon me artikullibn e tij se« Në themel të veprimtarisë krijuese të Emine S. Hotit janë: trojet, atdheu, flamuri, heronjtë... Përmbajtja e librit dhe theksi atdhetar, është një shtyllë e fuqishme e tij, që do ta dëshironim ta shihnim më shpesh në letërsinë tonë. Amantja Kona, gjeografe, Tiranë nënvizon në artikullin e saj: “Krijimtaria dhe dashuria për kombin shqiptar janë stolitë më të bukura të Emine S. Hotit”. Në rubrikën “Skica dhe vargje kushtuar Emine S. Hotit”, dramaturgu i njohur Bashkim Kozeli, esenë e tij e titullon: “Madhështia e thjeshtësisë”. Çaush Kullafi, mësues dhe poet, Tiranë, në esenë “Një ditë me Marigonë”, shkruan: “Sa herë sjell ndërmend Marigonë që qëndisi flamurin në Vlorë më 1912, kam shumë emocione, pse ta fsheh, loti më kalon padashje mes qepallave të mia si vesa që rrëshqet mbi petalen e lules në pikën e mëngjesit, kur as bilbili nuk e ka nisur këngën e tij... Atë Marigo e gjeta sot edhe në librin e Viron Konës, edhe duke qëndisur flamurin dhe veshjet kombëtare shqiptare, edhe duke përhapur shqiptarizmin në mërgatën shqiptare, të shpërndarë nëpër botë si dallëndyshet ». Libri përmban edhe disa poezi kushtuar Emine S. Hotit nga Kadri Tarelli, “Jam çikë shqiptare, bota le ta dijë!” Halim Laçi, poezinë “Burrnesha”. Familja Kona, në Tiranë, e cila i dedikon poezinë “Shpirt e zemërdiell”, kurse vogëlushja Diora Kona, nxënëse e klasës së parë, shkolla “Konferenca e Pezës”, Tiranë, ka shkruar poezinë “Tetën Emine Hoti e dua shumë!”. Libri përfundon me një intervistë që i dhanë Emine Hoti dhe Viron Kona gazetarit të Radio Tiranës z. Jaho Margjekaj...

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat