Vepër dokumentare dhe një gur themeltar për Kojën

Libra

Vepër dokumentare dhe një gur themeltar për Kojën

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 26 prill 2020 Në ora: 09:12
Ballina e librit

Kur e kam lexuar librin e parë të Fran Gjeloshajt ,, Koja ndër shekuj” kam shprehur mendimin tim modest se është një kurorë e artë për vendlindjen e tij,  e cila  në kohët më të hershme e deri më sot  ka ruajtur me fanatizëm  gjuhën traditën dhe identitetin e vet. Pasi e përfundova së lexuari me vëmendje veprën e tij  të dytë studimore “Koja në rrjedhë të kohëve” them pa mëdyshje se ajo është një tjetër përmendore dhuruar Kojës. Një vepër dokumentare me shumë vlera. Një gur themeltar për Kojën.

Autori këtë monografi për historinë e Kojës e shkroi në mërgim në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës  nga dashuria e madhe  përvëluese  që kishte  në zemër dhe ndjente në shpirt për  vendlindjen,  për të cilën më thoshte se është e shtrenjtë,  dashuri, vuajtje, dhimbje, krenari. Vetëm në vend të huaj e njeh bukurinë dhe ëmbëlsinë e gjuhës amtare, vetëm atje e ndjen ç ‘është vendlindja që e ke braktisur. Në një vend të huaj mund t’i kesh te gjitha, por shpirti gjithmonë ndjehet i varfëruar. Vendlindja  është vendi më i dashur, prandaj  ajo në vende të huaja vazhdimisht të  shfaqet në ëndrra. Kjo forcë magjike  nuk e lëshoi kurrë as autorin e kësaj vepre , por përherë e mbajti   pranë, sado larg saj  që  ndodhej. Pa këtë dashuri për një  copë vendlindje, apo  siç thonë malësorët, pa nji grusht dhe  që e merrnin me vete mërgimtarët  tanë të hershëm, që ta kishin vendlindjen gjithkund  me vete dhe pranë vetes,   dyshoj që   lexuesi shqiptar do ta kishte në dorë këtë studim voluminoz të rëndësishëm  për studiuesit e tashëm dhe të ardhshëm.

Fran Gjeloshaj  nuk është historian. Dhe nuk bëri histori. Por ai në këtë studim serioz e gjithëpërfshirës për Kojën  seleksionoi dhe përmblodhi  shënmet që ka grumbulluar dhe koleksionuar për një kohë të gjatë nga literatura  e lexuar , ose nga tregimet e të moshuarve.  Natyrisht është një përpjekje që duhej ta kishin bërë gjeneratat e mëparshme, të cilët mund të kishin shënuar më  shumë rrëfime  nga të moshuarit e tyre. Aty flitet për historinë e këtij fshati, por autori nuk lë anash edhe pjesët tjera të jetës së banorëve të kësaj krahinë  shqiptare të Malësisë së Madhe.

Në veprën e  Fran Gjeloshajt , Koja në rrjedhën e kohëve”  ka histori, toponimi, heronj, por ka edhe figura njerëzish e dokumente të tjera me rëndësi, të cilat, veprës në fjalë ia rrisin vlerën në përgjithësi. Unë konsideroj se  Fran Gjeloshaj ka bërë një vepër që duhet lakmuar, ndonëse ai është me profesion krejtësisht tjetër. Kjo është vlera jo vetëm e autorit, por edhe e veprës së tij. Pra, autori na ka sjellë shumë shënime për kohën e kaluar të popullatës së Kojës, e cila, sikur në mjedise të tjera, edhe këtu ka pësuar nga okupuesit. Ajo që e karakterizon këtë botim të mirëfilltë është  trajtimi në aspektin shumëdimensional, duke filluar nga koha e hershme e deri në ditën e sotme. Vlerën këtij libri ia shton edhe mbështetja në burime të shumta jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja.

 Me botimin e kësaj vepre të këtillë dokumentare autori shleu një obligim moral që ndjeu  ndaj vendlindjes së tij,  sepse  e meritojnë njerëzit e këtij lokaliteti, por e meriton edhe ky vendbanim që ka një lashtësi dhe një histori të bujshme, sa të dhimbshme, por aq edhe krenare. Është një shembull i rrallë i krijuesve tanë, sepse, pak-kush nga malësorët deri më tash kemi bërë  vepra të tilla  si autori në fjalë. Prandaj, kjo vepër mbetet një vlerë e rëndësishme që do të trashëgohet dhe do të vlerësohet nga të gjithë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat