“Një libër nuk të braktis kurrë”

Libra

“Një libër nuk të braktis kurrë”

Më: 4 maj 2020 Në ora: 14:36
Amos Oz

“Një herë, kur isha 7 a 8 vjeç nëna më tha, ndërsa uleshim në vendin e parafundit në autobus për në klinikë a në dyqanin e këpucëve, se megjithëse ishte e vërtetë që librat mund të ndryshonin me kalimin e viteve, po aq sa njerëzit, dallimi ishte se, ndërsa njerëzit gjithmonë të lënë kur vjen një kohë që nuk marrin më nga ti asnjë përfitim ose kënaqësi ose interes, ose të paktën një ndjenjë të mirë; një libër nuk të braktis kurrë.
Natyrisht, ndonjëherë ti i lë, mbase për disa vjet ose madje madje përgjithnjë. Por ata, dhe sikur t’i tradhtosh nuk të kthejnë kurrë shpinën: ata vazhdojnë të presin për ty në heshtje dhe me përulje në raft. Ata presin edhe për 10 vjet. Nuk ankohen. Deri kur një natë, kur papritmas ke nevojë për një libër edhe në 3 të mëngjesit, edhe sikur të ishte një libër që ti e ke braktisur dhe fshirë nga zemra për vite e vite, nuk do të të zhgënjejë kurrë, do të zbriste nga rafti dhe do të të bënte shoqëri në çastin tënd të nevojës. Nuk do të përpiqej të ta kthente apo të nxirrte justifikime, apo të pyeste veten nëse ia vlente, apo nëse ti e meritoje, apo nëse ishit ende për njëri-tjetrin. Do të zbriste sapo ti ta thërrisje. Një libër nuk të lë kurrë në baltë.”

– AMOS OZ

(Pjesë nga romani “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, përkthyer nga Etleva Pushi & Sokol Bega, botimet Skanderbeg Books)

Më 4 maj 1939 lindi shkrimtari izraelit Amos Oz (4 maj 1939 – 28 dhjetor 2018). Autor i 19 veprave, qindra eseve dhe artikujve për Izraelin modern, për një kohë të gjatë ai ishte në rrethin e ngushtë të kandidatëve për Çmimin Nobel për Letërsi. Ai është fitues i çmimit izraelit për letërsi (1998), i çmimit Goethe të qytetit të Frankfurtit (2005), çmim prestigjioz ku më parë e kanë fituar Sigmund Freud dhe Thomas Mann.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat