Pjesë nga libri “Genocidi sërbomadh dhe qëndresa shqiptare” i autorit Shaban Brahës, nr. 4.

Libra

Pjesë nga libri “Genocidi sërbomadh dhe qëndresa shqiptare” i autorit Shaban Brahës, nr. 4.

Nga: Gjokë Dabaj Më: 9 maj 2020 Në ora: 11:13
Gjokë Dabaj

“Shfarosja fizike, si formë e egërsisë së veçantë, ishte pjesë e planit strategjik sërbomadh. (f. 183)

Më 12 nëntor 1912 shkruhej se në afërsi të Shkupit 2000 (dy mijë) dhe jo larg Prizrenit 5000 (pesë mijë) shqiptarë myslimanë u masakruan. (f. 84)

Gjatë kontrollit për armë nëpër shtëpi u vranë njerëzit, edhe pse nuk iu gjetën armë. Shumë fshatra u dogjën dhe popullsia e tyre u masakrua. (f. 184)

Midis Kumanovës dhe Shkupit u vranë 3000 (tre mijë) shqiptarë. (f. 184)

Popullsia nxirret nga shtëpitë dhe njerëzit vriten si minjtë. Dje u dënuan 36 shqiptarë me vdekje dhe u vranë në vend. Nuk kalon ditë pa patur vdekje të tmerrshme. Lumi (Vardar, Gj. D.) është mbushur me kufoma. Një oficer sërb mburrej se një ditë më parë i kishte vrarë me duart e veta 9 shqiptarë. (f. 184)

Në krahinën e Shkupit numëroheshin 38 cisterna, të cilat ishin mbushur me kufoma shqiptarësh. Pranë stacionit të Kumanovës u grumbulluan të gjithë të ikurit, rreth 700-800 vetë, të gjithë të rinj, dhe, të lidhur, u vranë e u copëtuan sikur të ishin kafshë të egra. (f. 185)

Në rrethin e Prishtinës, vetëm gjatë periudhës 18 tetor - 12 nëntor u zhdukën nga terrorizmi masiv sërb 5000 (pesë mijë) shqiptarë. U shkatërruan krejtësisht viset e Ferizajit: Nikodinë, Lipjan, Babush dhe popullsia e këtyre vendeve u vra. Lufta rreth Ferizajit zgjati tri ditë. Komandanti sërb u bëri thirrje luftëtarëvet shqiptarë të dorëzoheshin dhe, pasi ata u dorëzuan, 300-400 prej tyre i vranë. Në kasaphanën e Ferizajit ranë 1200 (njëmijë e dyqind) shqiptarë. (f. 186)

Në rrethinat e Gjilanit masakrat përfshinin fshatra të tërë. Në 29 fshatra të Karadakut u dogjën 280 ekonomi fshatare dhe të gjithë ata që s’arritën të arratisen, u vranë nga plumbat e bajonetat e ushtarëvet sërbë. Fshatrat Terste, Senicë, Verban, Lusishtë dhe Gjylekatë, u bënë arena të një gjakderdhjeje të madhe. 280 burra u masakruan këtu pa mëshirë. Në Sefer u dogj e gjallë një grua bashkë me shoqëruesin e saj katolik. Në Gjylekatë një gruaje shtatzënë iu ça barku me bajonetë dhe iu nxor foshnja. Në Prestë sërbët i vunë zjarrin gjithë fshatit, gjithsej 90 ekonomi fshatare. Në Trestenik u vranë 60 shqiptarë, në Smirë 32, në Verban 20, në Lubishtë 19, në Komogllavë, që numëron rreth 50 shtëpi, u vranë gati të gjithë burrat. Edhe në Preshevë shpëtuan shumë pak, siç vinte në dukje gazeta daneze “Riget”. (f. 187)

Më 20 nëntor 1912, korrespondenti i Luftës, Vagner, njoftonte se gjenerali sërb Zhivkoviq urdhëroi në Senicë vrasjen e 950 prijësvet shqiptarë dhe “turq”. (f. 188)

Në Manastir ushtarët sërbë merrnin dhe digjin të gjallë, secili nga 10 burra, gra apo fëmijë. (f.188-189)

Në Gjakovë, shkruan publicisti sërb Tomiq, në të dy anët e rrugës nuk pashë veçse fshatra të djegur. Rrugët ishin mbushur me trikëmbësha në të cilët ishin varur trupa shqiptarësh. (f. 189)

Oficerët sërbë deklaronin se mënyra më efikase për të paqësuar Shqipërinë ishte shfarosja totale e shqiptarëvet myslimanë… (f. 189)

Në shumë fshatra shtëpitë u dogjën… Burrat vriteshin para gravet e fëmijëvet të tyre, pastaj nënat i detyronin të asistonin në spektaklin e masakrimit të fëmijëvet të tyre, të cilët i prisnin copë-copë... (f. 189)

Muajt e fundit të vitit 1912 shënojnë një nga kulmet e genocidit sërb në trupin e kombit shqiptar, genocid që e ushtruan direkt qarqet sundues të Sërbisë, si dhe nëpërmjet nxitjes dhe mbështetjes së genocidit antishqiptar të Malit të Zi dhe të Greqisë, të cilët nuk i kanë kursyer thikën, plumbin, zjarrin, për shfarosjen masive të shqiptarëvet. (f. 190)

Numri i atyre që janë vrarë pa faj, arrin në 30000 (tridhjetë mijë) vetë, njoftonte shtypi. Dhe këtu është fjala vetëm për të masakruarit në vilajetin e Kosovës, pa përfshirë ata në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës. Po kështu, në këtë shifër nuk përfshihen as të vrarët me armë në duar.” (f. 190)  

*    *    *

Kemi parasysh një komb të egër: kombin sërb. (Flas për atë kohë dhe për atë gjeneratë. Gjeneratën e sotme sërbe, mbetet ta shohim.) Oficerë e ushtarë që vrasin, masakrojnë, djegin njerëz të zënë rob! Njerëz të lidhur! A kanë nëna, vëllezër, motra, fëmijë të vetët, këta oficerë dhe këta ushtarë të Sërbisë?! A janë edhe vetë njerëz, këto qenie të gjalla, këto krijesa të veshura me rroba, që i vrasin njerëzit në këtë mënyrë?! Këto qenie të gjalla, madje edhe të shkolluara, a kanë kultivuar farë humanizmi gjatë shkollimit të tyre?! Po në familjet e tyre, a u është folur ndonjëherë mbi virtytet njerëzorë?! Kush i ka helmuar kështu këta njerëz?! A mos është Kisha Pravosllave Sërbe, që besimtarët e vet, me shenjtorë të rremë, i ka ndërsyer kundër kombevet të tjerë dhe kundër besimevet të tjerë?!

Ky është vargu i pyetjevet që lexuesit-njeri i vijnë në mendje, kur lexon këta pasazhe të një libri dokumentar. Por, lexuesit-njeri nuk mund të mos i renditen në mendje edhe një varg pyetjesh të tjera.

Pse nuk e kishin mbrojtjen e duhur ata qindra mijë shqiptarë, përballë të tilla egërsirave?! Me çfarë ishin marrë shqiptarët në kohën kur në Beograd po ngjizej një atmosferë përbindëshe shqiptarurrejtëse?! Me punim toke?! Me lindje e rritje fëmijësh?! Po me punë organizimi si komb e si zot i këtyre tokave, a ishin marrë shqiptarët?! Me shkruarjen e gjuhës së vet! Me shkollimin e fëmijëvet në gjuhë të vet! Me shkruarje librash, me botim gazetash në gjuhë të vet!

Dhe në fund, sërish pyetje me të djegur, me të përvëluar të shpirtit: Sa shqiptarë të sotëm e kanë lexuar dhe po e lexojnë këtë libër të Shaban Brahës?! Në sa shkolla e fakultete po studiohet ky libër?! Delegatët tanë, kur shkojnë për të biseduar me përfaqësuesit e Sërbisë, a e kanë në çantë këtë libër të Shaban Brahës?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat