“Palaço në Prishtinë” – poemë satirike për fëmijë që nxjerr bojën mashtruesve

Libra

“Palaço në Prishtinë” – poemë satirike për fëmijë që nxjerr bojën mashtruesve

Nga: Mr. Skënder R. Hoxha Më: 21 maj 2020 Në ora: 15:33
Ballina e librit

Dymbëdhjetë poezitë apo të themi dhymbëdhjetë njësitë poetike të poemës satirike për fëmijë “Palaço në Prishtinë” e Hasan Hasanit: “Palaço në kryeqytet”, “Palaço Don Zhuan”, Palaço shkrimtar, Palaço lakuriq, Palaço superstar, Palaço në fshat, Palaço intrigant, Palaço këngëtar, Palaço me celular, Palaço piktor, Palaço në ekspeditë, Zhdukja e Palaços, paraqesin profile nga më të ndryshmet të një figure sa qesharake aq edhe mashtruese, rrenacake e të çoroditur, të quajtur Palaço, por që as palaço i vërtetë nuk ishte. Kur t’i vargisim e t’i shohim në një vend këta tituj, shohim se këto emërtime e portretizojnë një figurë të keqe siç ishte Palaço i vetëquajtur. 

Fillimisht, kur dëgjojnë në Prishtinë se po vinte një Palaço, duke menduar në një Palaço të vërtetë, u gëzuan të gjithë:

“Ra alarmi në çdo shtëpi

Edhe fshatrat u njoftuan,

Një Palaço erdh n’Prishtinë

I madh e i vogël u gëzuan.”, (f. 7).

Dhe kur përshkruhet pamja e tij: “Mjekrën e kish si të edhit/ Flokët pa krehur tre vjet,/ Në sheshin Nëna Tereze/ Gorillën e emitonte vetë./, (f. 8). Ndërkaq që edhe fëmijët dhe prindërit që kishin dalë ta shohin, kishin filluar ta përqeshnin sepse nuk u dukej ai Palaçoja që e kishin imagjinuar. Madje ai: “Ky Palaço shkreti/ Veten e quan Don Zhuan”, (f. 11), po ai shkonte edhe më larg: “Unë jam shkrimtar i zoti/ Më të mirë se unë nuk ka,”, (f. 15). Ai ku hynte nëpër lokale, lavdëronte veten, e quante veten “superstar”, e kur shkon me autobus në fshatin Plepishtë, në burrat e parë që rastis, në mënyrë ta paskrupullt prezantohet: “Unë jam një supërstar,/ Jam një këngëtar,/ Piktor dhe kompozitor/ Besa edhe shkrimtar!”, (f. 30). Pastaj Palaçoja vazhdon me intriga e lavde të pavërteta, duke gënjyer e mashtruar, nga qyteti në qytet dhe kur arrin në Prizren,atje prezantohet edhe si këngëtar:

 ”Për fëmijët në Prizren

 Kishte një befasi,

 “Unë jam një këngëtar

 S’kam shoq në histori!””, (f. 39). Aty ishte lavdëruar si këngëtar, sa që: “ Unë këndoj më mirë/ Se Shkurta e Shyhreti,/ Iliri edhe Shaqa/ Visari dhe Ismeti...”. Nga kureshtja e madhe, fëmijët dëshirojnë ta dëgjojnë ndonjë këngë nga Palaçoja dhe i thonë: “Hajt xhaxhi Palaço/ Na këndo një këngë,/ Me atë zë të ëmbël/ Këtë e kemi brengë”. Por, ai, ja se si gjendet në atë situatë në mesin e fëmijëve, i gënjen ata: “Kësaj here nuk mundem/ U kënaq herën tjetër,/ Dhuratat që po marr/ S’i harron miku i vjetër”. ... Dhe më në fund:

“Kështu ky far Palaçoja

 Gënjeu fëmijët n’Prizren,

 Asnjë këngë s’ua këdoi

Iku si sorrë n/Shkëlzen.”, (f. 41). Ai shtirej edhe sikur fliste me të dashurat në celular, pastaj se ishte piktor, bile thoshte se:

“Për mua s’paraqet gjë

Van Gogu as Ticiani,

Kush është Ibrahim Kodra

Para këtij Tristani!?”, (f. 49).

Poeti jep tablo nga një aventurë tjetër që i kishte shkrepur në mend Palaços, kur ai merr te arixhiu një ari me qira, nja dy tre shokë me tupan zurlë e me def dhe dalin për t’i zbavitur njerëzit me këtë lloj cirku: “Përveç ariut murrosh/ Veshur me cinglimingla, morën një tupan me zurle/ dhe një def me zhingla.”, ( f. 54).    Dhe kështu: “Kështu nëpër fshatra/ N’Llapin legjendar,/ I kënaqën fëmijët/ me qen dhe me zagarë.”, (f. 55). Pas disa ditësh, edhe pse u kishin premtuar femijeve të disa fshatrave dhe të kryeqytetit se do të ktheheshin prapë, kjo “Ekspeditë” kthehen në kryeqytet: ”Zhlyer dhe përlloçur/ Bërë pis deri në fyt,/ Seç u kthye nga Llapi/ E famshmja ekspedit’.”, (f. 57), dhe nga aty Palaçoja ishte zhdukur, e këtë lajm poeti e shpreh në vargje: “ Tash një javë s’u pa n’qytet/ Po, u zhduk si shurra e pulës,/ Mbetën fëmijët me gisht n’gojë/ Kapërthyer n’lozë t’fasules.”

Prandaj, kjo poemë satirike ka për synim vërien në lojë të atyrë veprimeve të Palaços, si eksplikim, për të ironizuar e satirizuar sjelljet, veset, veprimet e këqija e të dëmshme, vese këto që i kishin vërejtur edhe fëmijët, të cilët, më në fund thonë:

“Jo, jo, n’libra ne e kemi

Një Palaço vërtet t’dashur,

As s’gënjen me huqe t’veta

Jetën tonë na bën të pasur!”, ( f. 62), strofë me të cilën mbyllet kjo poemë.

Kjo poemë, nga pjesa në pjesë, zgjon këshërinë e lexuesve të vegjël për të parë se çfarë do të bëjë Palaço e çfarë do të ndodhë me të?

Në këto 12 pjesë të kësaj poeme satirike, duke e bërë mirë organizimin e materies poetike, poeti jo vetëm që arrin t’i argëtojë fëmijët, po edhe të tjerët, të mjediseve të ndryshme (qytete e fshatra), por nxjerr në sipërfaqe edhe po aq karaktere të një maskarai që përpiqet të luajë rolin e Palaços! Ndaj, nga përshtypjet që krijohen gjatë vlerësimit dhe interpretimit tim, mendoj se Hasani ka arrirë objektivat e pretenduara. Po ashtu, retorika e kësaj satire është në funksion të mentalitetit të kësaj figure, por është edhe si një paralele tjetër tipologjike në poezinë për fëmijë të Hasan Hasanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat